Kur Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë i dërgon letër shtetit shqiptar nga adresa e Caritasit
Letra që Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë u ka dërguar Presidentit të Republikës Nishani dhe Kryeministrit Rama për çështjen e ambasadorit shqiptar pranë Selisë së Shenjtë mban adresën “Rruga Don Bosko, nr. 4 Tiranë” që është adresa e selisë së organizatës Caritas në Shqipëri. Normalisht, adresa e selisë së Konferencës Ipeshkvnore duhet të ishte adresa e ipeshkvisë titullari i së cilës ka rradhën të kryesojë konferencën. Në çdo rast, selia e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, që është një forum i Kishës Katolike të Shqipërisë, nuk mund të jetë selia e një OJF-je të huaj në Shqipëri. Kjo tregon mungesë totale serioziteti për Konferencën Ipeshkvnore si institucion religjioz nga vetë anëtarët e saj. Nëse Konferenca Ipeshkvnore nuk e merr seriozisht vetveten, përse duhet që ta konsiderojë seriozisht atë shteti shqiptar?
Unë kërkova në Google për të gjetur ndonjë faqe zyrtare të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe gjeta diçka për të, si nënfaqe, në fazen zyrtare të Caritas Albania. Merret vesh, Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë na qenka një farë zyre e Caritas Albania! Përse kjo vetëshpërfillje nga ana e ipeshkëve për Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë. Çelësi për ta kuptuar këtë qëndron te fjalët e para me të cilat nis letra: “Ne Ipeshkvijtë Katolikë të Shqipërisë…” Nuk thuhet: “Ne Ipeshkvijtë Katolikë Shqiptarë”. Sepse nuk mund të thuhet kështu. Kryetari dhe sekretari i Konferencës ipeshkvnore, Arkipeshkvi i Shkodrës Angelo Massafra dhe sekretari i përgjithshëm, ipeshkvi i Tiranës George Frendo, nuk janë shqiptarë. I pari është italian, i dyti është maltez. Vetë prania e tyre në hierarkinë e lartë të Kishës Katolike në Shqipëri është një shpërfillje e statusit të Kishës Katolike të Shqipërisë. Është e natyrshme pra që ata ta shpërfillin, ta relativizojnë këtë institucion të Kishës Katolike të Shqipërisë që është Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë.
Në letrën e nënshkruar nga Massafra dhe Frendo thuhet se: “Për fat të mirë nuk mungojnë persona katolikë të aftë për të zhvilluar këtë mision diplomatic pranë Selisë së Shenjtë”.
Domethënë se në Shqipëri paska më tepër se një person katolik të aftë për të mbajtur detyrën e ambasadorit pranë Selisë së Shenjtë. Unë nuk dyshoj se është kështu. Por nuk mund të mos bëhet pyetja se përse atëherë në Shqipëri mungojnë persona katolikë të aftë për të ushtruar detyra të larta kishtare dhe sot asnjë nga të shtatë anëtarët e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë nuk është person katolik nga Shqipëria, nëse shprehem në termat e letrës (“person katolik”)? A thua vërtet mungojnë këta persona katolikë në Shqipëri,apo qëllimisht iu ndalohet ecja para në karrierën kishtare, në mënyrë që në krye të hierarkisë së Kishës Katolike të jenë të huajt?
Nëse Konferenca Ipeshkvnore e Italisë do t’ i dërgojë një letër shtetit italian, atë do ta nënshkruajnë kryetari i saj që është Arkipeshkvi i Gjenovës, Angelo Bagnasco dhe Sekretari i Përgjithshëm që është ipeshkvi i Cassano al’ Ionio Nunzio Galantino. Të dy italianë, të lindur në Itali. Sot, një çerek shekulli pas lejimit të ushtrimit të lirë të fesë në Shqipëri, duhet të qenë përgatitur klerikë shqiptarë për të gjithë hierarkinë e Kishës Katolike. Tekefundit, as Massafra dhe as Frendo, nuk na rezulton të jenë kushedi çfarë klerikësh me aftësi të jashtëzakonshme.
Në Itali, vendi ku gjendet Selia e Shenjtë, klerikët katolikë janë të detyruar me ligj që të betohen për besnikëri ndaj shtetit italian. Këtë betim e ka bërë edhe Massafra. Do të ishte mirë që ky detyrim ligjor të ishte edhe në Shqipëri. Por kjo do t’ i përjashtonte automatikisht pesë anëtarë (arkipeshkvë dhe ipeshkvë) të Konferencës Ipeshkvnore të cilët nuk janë shtetas shqiptarë, prandaj nuk mund të betohen për besnikëri ndaj shtetit shqiptar. Nga të shtatët, tre janë italianë (Arkipeshkvi i Shkodër-Pultit Angelo Massafra; Ipeshkvi i Rrëshenit Cristoforo Palmieri; Ipeshkvi i Lezhës Ottavio Vitale), një është maltez (ipeshkvi i Tiranës, George Frendo) Tre të tjerët janë shqiptarë të lindur jashtë kufijve të Shqipërisë: Arkipeshkvi i Tiranë-Durrësit Rrok Mirdita është shqiptar i lindur në Malin e Zi dhe i ardhur në Shqipëri në 1993, Ipeshkvi Administrator i Shqipërisë së Jugut Hil Kabashi është shqiptar i lindur në Kaparc të Prizrenit, ipeshkvi i Sapës (Vaut të Dejës dhe Pukës), Luçian Agustini është shqiptar i lindur në Kosovë.
Në letrën e Konferencës Ipeshkvnore thuhet se: “Ambasadori pranë Selisë së Shenjtë natyrshëm merr pjesë në shumë kremtime fetare liturgjike. Prandaj kërkojmë që ambasadori të jetë një person që i përket Kishës Katolike”.
Shumë mirë. Por edhe shteti shqiptar nga ana e tij ka të drejtë që të kërkojë ato të drejta që i ka shteti italian në raport me Kishën Katolikë domethënë që klerikët katolikë të betohen për besnikëri ndaj shtetit, çka nënkupton që ata të jenë shtetas të Shqipërisë. Jo të bëhen shtetas të Shqipërisë me rastin e marrjes së detyrës ekleziastike çka do të ishte një veprim në mashtrim të ligjit, por të jenë të tillë para se të marrin detyrën. Shteti shqiptar ka detyrim që ta bëjë këtë gjë. E nëse kjo nuk ndodh për shkak se pushtetarët kërkojnë që të tregohen më të përkushtuar ndaj Vatikanit se shtetarët italianë, atëherë krijohet situata që eventualisht të dalin forca të tjera që ta bëjnë këtë gjë me dhunë.
Kjo është një çështje shumë serioze që nuk mund të kapërcehet aspak me formula retorike të llojit “Këto janë çështje që iu përkasin katolikëve, dhe nuk ka përse të përzihen ata që nuk janë katolikë”. Kisha Katolike e Shqipërisë, besimtarët katolikë, mund të ushtrojnë lirisht të drejtat e tyre, pasi të kenë përmbushur detyrimet ndaj Cezarit (shtetit), sipas formulës së famshme të Krishtit. Ata besimtarë katolikë që janë shqetësuar nga reagimet publike ndaj letrës së Konferencës Ipeshkvnore, duhet të shqetësohen njëjtë edhe nga shpërfillja që i bëhet këtij institucioni religjioz prej vetë atyre që janë anëtarë të tij, si dhe nga shpërfillja që i bëjnë këta shtetit shqiptar.
Dërguesit e letrës pretendojnë se shkruajnë “në respekt total të laicitetit të shtetit”. Për të verifikuar këtë ka një standard që janë marrëdhëniet e Kishës Katolike me shtetin italian, ku gjendet edhe Selia e Shenjtë. Respekti total ndaj laicitetit të shtetit ka si parakusht betimin e klerikëve për besnikëri ndaj shtetit.
[…]
Por kjo që ndodhi duhet të shërbejë edhe si një rast për të sqaruar marrëdhëniet e Shqipërisë me Selinë e Shenjtë. Kur bëhet pyetja se përse Selia e Shenjtë nuk e njeh pavarësinë e Shqipërisë Veriore, përgjigjia që vjen është se duhet bërë dallimi mes Selisë së Shenjtë si shtet (qytet-shteti i Vatikanit), që është një shtet i cili ka një politikë të caktuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe Selisë së Shenjtë si qendër e Kishës Katolike globale. Nënkuptimi është se derisa Shteti i Vatikanit bën një politikë si shtet, që ka interesa shtetërorë, ndryshe nga Selia e Shenjtë, si qendër e Kishës Katolike globale, e cila ndjek parime të moralshmërisë ndërkombëtare.
Dallimi i mësipërm është i saktë se Vatikani dhe Selia e Shenjtë nuk janë e njëjta gjë, ndonëse këto fjalë përdoren ndërkëmbyeshëm. Vatikani është një qytet-shtet, dhe si i tillë ka një nga format e regjimit të njohura botërisht. Shtetet ndahen në monarki dhe në republika, varësisht se kush është mbajtës i sovranitetit. Në monarkitë mbajtës i sovranitetit është monarku, fjalë që do të thotë sundimtar i vetëm. Në republikat, mbajtës i sovranitetit është populli i cili me zgjedhje ia delegon atë parlamentit dhe institucioneve të tjerë. Monarkitë mund të jenë monarki absolute, ku mbajtës i sovranitetit është një njeri i vetëm, mbreti, si dhe në monarki parlamentare, ku monarku ndan sovranitetin me parlamentin e zgjedhur nga populli. Vatikani për nga forma e regjimit është monarki, madje e llojit të vjetër, monarki absolute, teokratike, me Papën si mbajtësin e sovranitetit, pra si Sovran të shtetit. Në fakt, duke kërkuar Papa që edhe Qytet-shteti i Vatikanit të njihet me emrin Selia e Shenjtë, me këtë kërkon jo vetëm statusin e mëkëmbësit të Shën Pjetrit, çfarë e ka si Ipeshkv i Romës, por praktikisht edhe statusin e mëkëmbësit të Krishtit-Mbret, mbretëria e të cilit duhet të vinte në tokë, sipas librave të shenjtë.
Selia e Shenjtë është Dioqeza e Romës, e cila ka statusin e dioqezës metropolitane në organizimin kishtar të Italisë dhe si e tillë është anëtarë e Konferencës Ipeshkvnore të Italisë. Ipeshkv i Dioqezës Metropolitane të Romës është Papa. Ndonëse në të dy rastet, Shteti i Vatikanit dhe Ipeshkvia e Romës kanë në krye të njëjtin person, i cili është Papa, nuk janë e njëjta gjë. Nga pikëpamja juridike, përdorimi i termit “Seli e Shenjtë” për të emërtuar qytet-shtetin e Vatikanit në marrëdhëniet ndërkombëtare, ishte një lëshim që ia bëri Papës diktatori fashist Mussolini, i cili është autor i paktit mes Papës dhe shtetit italian, në vitin 1928, që në thelb është në fuqi edhe sot. Këtë mëkrejsë e kanë pranuar shumë shtete që kanë lidhur marrëdhënie diplomatike me qytet-shtetin e Vatikanit duke pranuar emërtimin e tij si Selia e Shenjtë, ndonëse ky emërtim nënkupton kufijtë e Ipeshkvisë së Romës, të cilët interferojnë me ato të shtetit italian, përtej mureve të qytetit të Vatikanit. Por kjo çështje nuk ngrihet sa kohë që Selia e Shenjtë apo Kisha Katolike lokale, atje ku ekziston, nuk krijon probleme për shtetin përkatës.
Në rastin tonë kemi arsye që si shtet të bëjmë pyetjen se ku do ta dërgojë Shqipëria ambasadorin, pranë Selisë së Shenjtë si shtet, që është në fakt qytet-shteti i Vatikanit, apo pranë Selisë së Shenjtë që qendër e Kishës Katolike globale? Ambasadori shqiptar katolik sigurisht që dërgohet pranë Selisë së Shenjtë si shtet. E meqënëse është kështu, ambasadori shqiptar katolik atje nuk ka si prioritet pjesëmarrjen në kremtimet fetare liturgjike, ndonëse këtë mund ta bëjë lirisht në mënyrë private. Detyra e tij kryesore është që të përfaqësojë interesat shtetërore të Shqipërisë në raport me shtetin e Vatikanit. Nëse dikush kërkon një ambasador të Shqipërisë në Vatikan, të tillë që të harrojë se është shqiptar, e të ndihet vetëm katolik, të tillë që të jetë i dërguar i Konferencës Ipeshkvnore, me shumicë joshqiptare, e cila nga ana e saj, është faktikisht një zyrë e Caritas, atëherë këtë gjë le ta bëjnë pa shpenzimet e shtetit shqiptar, por me ato të Caritas. Shteti shqiptar mund të përfaqësohet fare mirë në marrëdhëniet me Qytet-shtetin e Vatikanit me anë të ambasadorit shqiptar në Itali./Kastriot Myftaraj