Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, kërkon sërish arrestimin e ish presidentit të SHBA-ve, Xhorxh Bush, për shkelje të të drejtave të njeriut dhe tortura të kryera ndaj të dyshuarve për terrorizëm.Amnesty International deklaron se rasti më i mirë është pikërisht vizita e tij në Etiopi, Tanzani dhe Zambia. Ish presidenti Bush mbërriti sot në Lusaka mes thirrjeve të kësaj organizate për arrestimin e tij. Gjatë këtij udhëtimi, që ka për qëllim rritjen e vetëdijes për çështjet shëndetësore, Bush do të vizitojë klinikat e Sidës dhe një spital për kurimin e kancerit.
Por udhëtimi i tij afrikan është zbehur pikërisht nga thirrjet e Amnesty International për shkelje të të drejtave të njeriut. Ndërsa ishte president për dy mandate në vitet 2001-2009, Bush autorizoi përdorimin e disa metodave dhe teknikave hetimi, të cilat Amnesty dhe grupe të tjera të të drejtave të njeriut i konsiderojnë tortura. Në shkurt të këtij viti, Bush u detyrua të anulojë në minutën e fundit një vizitë në Zvicër, pikërisht për shkak të kërcënimit se mund të arrestohej. Bush ka mbrojtur përdorimin e këtyre metodave, siç është ajo me ujë që stimulon ndjesinë e mbytjes, për ekstremistët e kapur si çelës për të parandaluar përsëritjen e sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
http://www.gazetatema.net/web/2011/12/0 ... orxh-bush/
