Julian Deda: Ja si e mendon martesen
E ndjen veten shumë familjar. Dëshira e tij është të merret vetëm me fëmijët dhe t’i kënaqë në maksimum, por puna dhe angazhimet e tij të përditshme nuk e lejojnë ta arrijë plotësisht këtë. Ndihmon mjaft në punët e shtëpisë, por edhe bezdis herë-herë me parregullsi. Të gjitha këto, Juli Deda, aktori i mirënjohur na i rrëfen në një intervistë ndryshe për “Bluetooth”
Sa familjar je?
Të them të drejtën, unë e ndjej veten shumë familjar. Sigurisht dihet që unë kam një profesion që të lë shumë pak kohë të merresh me familjen, por unë e gjej kohën dhe jam pafundësisht i lumtur me familjen time. Padyshim që arrij ta bëj ndarjen mes familjes dhe punës, dhe kam përshtypjen se ky është sekreti që të ndihmon ndër të tjera për të pasur harmoni në familje. Nuk e di të tjerët, por unë për vete kur shkoj në shtëpi te fëmijët, relaksohem.
Ndihmon në punët e shtëpisë?
Ndihmoj në ato punë që mund t’i bëj. Për shembull në pazare, në pagesa faturash, gjithmonë i bëj unë dhe në kohën e duhur. Pastaj për të pastruar e për të gatuar nuk ia kam idenë fare. Me fëmijët merrem shumë, e bëj me kënaqësi të madhe.
Ku mendon se e lehtëson më tepër bashkëshorten, në cilat punë?
Në fakt i kemi detyrat instiktivisht të ndara. Bashkëshortja merret shumë me problemet e ngushta të familjes, kurse unë zgjidh çdo problem që ka të bëjë me jetën jashtë shtëpisë, duke pasur parasysh se jam figurë e njohur dhe kjo më ndihmon t’i zgjidh më shpejt. Siç thashë, faturat i paguaj unë, shumë shpesh e çoj dhe e marr vajzën nga çerdhja.
Çfarë e mërzit më tepër bashkëshorten tek ty?
Ndoshta e mërzit fakti që ndonjëherë jam i çrregullt, i hedh gjërat siç më vjen. Në përgjithësi nuk është se ka ndonjë gjë të madhe që e mërzit. Në përgjithësi jam shumë korrekt.
Si e cilëson veten si baba?
Jam një baba jo i keq. Merrem shumë me fëmijët, sidomos me Reinën, sepse është edhe më e rritur se Mateo dhe kupton. Luaj me ta. Vajza ka filluar atë fazën që pyet për gjithçka dhe sigurisht pret përgjigjet. Mundohem të jem i qartë me të, bërtasim shumë nëpër shtëpi, aq sa po çmenden komshinjtë. Është vërtet shumë bukur.
Çfarë vlerëson më shumë te bashkëshortja?
Vendosmërinë dhe përkushtimin që ka ajo për t’i bërë gjërat që kanë lidhje me familjen dhe me profesionin e saj. Kjo është kryesorja, pastaj ka edhe të tjera veti shumë të mira që më bën të ndjehem mirë pranë saj.
Po ajo tek ty?
Ajo ma thotë shpesh që i pëlqen tek unë korrektësia dhe fakti që i dua gjërat të bëra mirë dhe shpejt. U tha, u bë!
Je xheloz?
Sigurisht. Xhelozia është pjesë e jetës. Por nuk jam xheloz në kuptimin e rëndë të fjalës. Çdokush e ka brenda nga pak xhelozi.
Çfarë bën kur ndihesh i tillë?
Të them të drejtën akoma nuk e kam pasur atë rast, se vërtet nuk kam pasur shkak, por po them që nëse do të ndodhte, do ta bombardoja me pyetje. hahahahahahhahah
Të ngjan më shumë vajza apo djali?
Të dy janë një miks i të dy prindërve. Vajza, në energji e në karakter është 97% si unë, kurse djali është akoma i vogël e nuk di ç’të të them akoma.
Çfarë të thotë vajza kur të sheh në Tv??
Absolutisht kënaqet shumë. Qesh, hidhet, fiksohet para televizorit. Por akoma nuk ka filluar me pyetjet se përse e bëj unë këtë punë. Por gjithsesi, i kam bërë përgjigjet gati. (Qesh)
Çfarë të ka mërzitur më shumë këto kohë?
Unë në përgjithësi mërzitem gjatë verës me kohën, se unë dua shumë vjeshtën dhe dimrin. Por sigurisht ka shumë gjëra të tjera që të mërzisin apo të bëjnë nervoz. Shqipëria është një vend që, siç ka të mirat e veta, ka edhe problemet e veta të panumërta. Por gjithsesi duhet të jetojmë pa u menduar shumë.
Me çfarë po angazhohesh tani gjatë pushimeve?
Jo shumë pushim. Po luajmë në skenat e teatrove një pjesë me regji të Milto Kutalit, gjithashtu vazhdojmë çdo të hënë e të mërkurë emisionin radiofonik “Ping-pong” në “NRG Radio”. Projekte të tjera na presin, kështu që po bëj shumë pak pushim.
Cili është synimi yt më i madh që do të doje të realizoje në jetë?
Të kem një familje të shëndoshë e të mbarë, kjo është kryesorja, pse jo edhe ekonomikisht mirë. Pastaj për sa i përket profesionit, do të doja që karriera ime të zhvillohej edhe më tej kufijve shqiptarë.
Nga 1 deri në 10, sa ke arritur në karrierën tënde?
Mendoj se karriera nuk ka fund, por meqë më ke vënë këtë limit numrash nga 1 deri në 10, po them 7 e 25. hahahhahahah
Si e mendon veten pas 10 vjetësh?
38 vjeç.
Ku do t’i kaloni pushimet këtë verë?
Do iki në Kolashin, në mal. Pasi m’u bë dhuratë nga një emision që titullohet “Histori dashurie”.
intervist nga Julian Deda ne: Gazeta Shqip