Shqipëria nisi misionin e parë paqeruajtës në Heart,
Posted: Thu Aug 13, 2009 5:12 pm

Shqipëria nisi misionin e parë paqeruajtës në Heart, si vend anëtar i NATO-s
TIRANË - Shqipëria nisi misionin e parë paqeruajtës në Afganistan, si vend anëtar i NATO-s, ndërsa deri më sot ka kontribuuar si aspirante për anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Kontigjenti shtesë me 110 trupa, bën pjesë në misionin ISAF dhe niset në prag të zgjedhjeve presidenciale në Afganistan, të cilat mbahen më 20 gusht dhe kur situata e sigurisë është shumë problematike, sidomos ditët e fundit. "Misioni juaj, sa fisnik aq edhe i vështirë është.
Por, është një mision i madh, sepse synon që në kuadrin e Aleancës së Atlantiku të Veriut, të japim edhe ne kontributin për paqen, lirinë dhe demokracinë në Afganistan",- tha Kryeministri Berisha në ceremoninë e përcjelljes që u organizua dje në mbrëmje.
Për shefin e qeverisë shqiptare, talebanët janë një rrezik madhor, jo vetëm për paqen e kombit afgan, por edhe për paqen botërore në tërësi. "Dhe nuk ka mënyrë më eficente për të luftuar terrorizimin, në mënyrë që ai të mos vijë dhe në vendin e shtëpinë tënde, sesa për ta shtypur atë në djepin e tij",- theksoi ai.
Kompania shqiptare që niset sot në Heart të Afganistanit, ka një mision 6-mujor, ndërsa prej vitesh janë ndërruar disa misione të komandove shqiptare në një nga vendet më problematike të botës për çështjen e sigurisë.
"Ju shkoni atje edhe për mbushjen e një detyrimi të ri që i lind Shqipërisë pas anëtarësimit në Atlantikun e Veriut",- theksoi Berisha. Ai tha se së shpejti Shqipëria do të nisë edhe një grup mjekësor prej 20 punonjësish, mjekë dhe infermierë.
Po ashtu, në buxhetin e qeverisë së Tiranës do të parashikohet një fond për të ndërtuar 8 shkolla të reja në Afganistan. "Shqipëria do të nisë edhe një grup mjekësor prej 20 mjekësh dhe infermierësh, si dhe do të parashikojë në buxhetin e këtij viti, ndërtimin e 8 shkollave të reja në këtë vend.
Ashtu si kanë ndihmuar Shqipërinë me miliarda euro kombet dhe vendet mike, edhe ne do të ndihmojmë ata që përpiqen të ndërtojnë demokracinë, paqen dhe stabilitetin",- tha ai. Deri më sot, 1920 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë shqiptarë kanë marrë pjesë në misionet paqeruajtëse në Bosnjë, Çad, Afganistan, Irak e Gjeorgji