"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

Analiza.

Flisni për diplomacinë dhe të drejtën ligjore ndërkombëtare, lidhjen dhe ndikimin e saj në politikën dhe ekonominë e vendit dhe komunitetit tuaj.

Moderator: Strokulli

Post Reply
User avatar
Mallakastrioti
Galactic Member
Galactic Member
Posts: 2934
Joined: Thu Jul 23, 2009 4:23 pm
Gender: Male
Location: Italy
Contact:

Analiza.

#1

Post by Mallakastrioti » Thu Feb 05, 2015 8:32 pm

Shkëndija greke në fuçinë e barutit ballkanik – nga Enzo Betizza


Artikull i gazetarit, shkrimtarit dhe politikanit të njohur italian Enzo Bettiza publikuar në gazetën italane “La Stampa” në datën 25.04.1994, Nr. 111, f.5. Shkëputur prej arkivit të gazetes italiane “La Stampa”.


Përktheu nga italishtja: Etnor Canaj
Redaktoi: Brunilda Ternova


SHKËNDIJA GREKE NË FUÇIN E BARUTIT BALLKANIK


Kufijtë e Rinj të Krizës


nga Enzo Betizza



Çërçilli thoshte shpesh që popujt e Ballkanit janë të mbingarkuar nga një mbipeshë historike të cilën nuk munden ta mbajnë mbi shpatulla. Përveç serbëve, që përherë kanë ushqyer nacionalizmin e tyre me reminishenca dhe legjenda të cilat i kanë rrënjët në mesjetën ballkanike, tani edhe grekët po vihen në të njëjtën rrugë të krijimit të mitit duke zhvarrosur kujtime të largëta që e kanë zanafillën madje që në kohen e Aleksandrit të Madh. Lufta ekonomike e shpallur më 16 shkurt prej Greqisë së Papandreut kundër Maqedonisë (ndër më paqësoret dhe më tolerantet prej ish republikave shumë-etnike jugoslave), u ndërlikua edhe më tej në një tjetër aspekt: atë të agresionit të ushtruar nga një komando terroriste me veshje ushtarake greke kundër një reparti ushtarak (shqiptar, shënimi im) në Jug të Shqiperise. Ky sulm i paparë ndonjëherë – i cili provokoi vdekjen e dy ushtarëve shqiptar -, dhe bllokimi ekonomik antimaqedonas, rrezikojnë tashmë ta transformojnë vërtet Gadishullin Ballkanik në fuçinë e barutit të Europës për të cilën flitej që në fillim të shekullit.


Sipas qeverisë greke republika e re ballkanike qe sot quhet Maqedoni, duhet të ndërrojë emrin e saj e madje duhet të heqi nga flamuri i saj edhe yllin e lashte të Verginës, trashëgimi e traditës helenistike. Për sa i përket Shqipërisë, irredentistët grek mbështesin tezën se Jugu shqiptar nuk na qënkësh gjë tjetër veçse Epiri i Veriut i banuar prej katërqindmijë grek (per Tiranen janë vetëm gjashtëdhjetmijë) duke pretenduar në këtë mënyrë hellenizimin. Athina, në formë gjysmëzyrtare, për të mos thënë në formë zyrtare, të le të kuptosh se aspiron në këtë mënyrë në zotërimin e pothuajse gjysmës së territorit të republikës fqinje. Shovinizmi i ri grek po përdor tashmë çdo mënyrë për të ndezur trazira në jugun shqiptar dhe njëkohësisht për të destabilizuar Maqedoninë me një embargo të pa precedent në marredhëniet midis Shteteve europiane fqinje dhe që nuk janë në luftë midis tyre. Këto ngjarje armiqësore krahinore shoqërohen me deklarata zjarrvënëse të prelatëve të klerit ortodoks grek, me transmetime radiofonike dhe televizive të karakterit irredentist, me mobilizim dhe tërbim të turrmave të njerzve të ekzaltuar nëpër rrugët e qyteteve kryesore duke nisur prej portit maqedon të Selanikut. Sikur të mos mjaftonte e gjith kjo, agresiviteti helmues grek ka goditur njëkohësisht edhe Italinë gjatë fushatës së fundit zgjedhore, me ndërhyrje të panevojshme përbrenda forcave partiake dhe konkurrimit politik italian. Nuk duhet harruar gjithashtu se Greqia që prej fillesave të shpërbërjes së Jugosllavise, gjithmon ka mbështetur energjikisht e në mënyrë të pa anshme çështjen e Serbisë dhe të “spastrimit etnik” serb në Bosnje dhe Kosovë. Embargoja ndërkombetare kundër Beogradit është shkelur në mënyrë të vazhdueshme dhe haptazi prej Athinës, e cila nuk e ka respektuar kurrë por ka dërguar përherë drejt aleatit të saj tradicional sllav ortodoks armë, naftë, ilaçe mjeksore dhe ushqime.


Në këtë mënyrë u krijua në brendësi e në krye të institucionit më të lartë të Bashkimit Europian një situatë e paimagjinueshme paradoksale dhe e papërshtatshme. Presidenca e Bashkimit Europian ushtrohet përgjatë këtij semestri nga një Greqi që, duke shkelur të gjitha rregullat e bashkëjetesës europiane, polemizon me Italinë në vështirësi, ndihmon Serbinë e izoluar, tenton të mbysë Maqedoninë paqësore, u jep krahë ose të paktën tolleron haptazi sulmet terroriste në drejtim të Shqipërisë fqinje. Për këtë politikë të saj të jashtme kërcenuese dhe trazuese, sidomos për strategjinë e saj të shtetrrethimit përkundrejt Maqedonisë ish-jugosllave, Greqia e cila ka presidencën e turnit të Bashkimit Europian, u vu nën akuzë prej Komisionit të Brukselit (organ qeverisës i të njejtit instiutcion të B.E.) dhe për më tepër është hedhur në gjyq prej Gjykatës së Drejtësisë së Luksemburgut per shkelje të traktatit komunitar. Gjëja më e paktë që mund të thuhet është se nuk ishte parë ende në historine – edhe pse me peripeci -, të Bashkimit të Dymbëdhjetëve, presidenca e një Shteti anetar të impenjuar në mënyrë kaq të pa përgjegjshme në prishjen e rendit dhe rregullave te miresjelljes politike europjane, pikërisht në një krahinë që është sot më vullkanikja e kontinentit.


Kumbojnë shqetësuese dhe tepër luftënxitëse diskurset e llojit serb nëpër gazeta, nëpër kanale televizive, nëpër sheshet e manipuluara dhe nëpër fjalimet kilometrike të parlamentarëve dhe qeveritarëve të Athinës. Ndërkohë që serbët kanë ndezur pastrimin e tyre racial duke ekzaltuar betejën legjendare të Fushë-Kosovës së vitit 1389, greket ndjellin figurën e Aleksandrit të Maqedonisë duke u fundosur nëpër shekujt përpara epokës së krishterë. Në këtë pikë, ndërsa flitet për lëvizje të dyshimta të trupave ushtarake greke në kufijtë me Maqedoninë dhe Shqipërinë është mëse e ligjshme të bëhet pyetja: po pregatitet një operacion i ri spastrimi etnik prej grekëve në vend të serbëve? Po pregatitet pushtimi i Epirit të Veriut? Po pregatitet ndoshta një ndarje e re e Maqedonisë midis serbëve dhe grekëve, sikurse ndodhi në vitin 1913 gjatë luftës së dytë ballkanike, kur Beogradi dhe Athina sulmuan së bashku dhe mposhtën aleatin bullgar?


Janë pyetje jashtëzakonisht alarmuese. Nga një anë ato vënë në diskutim ekzistencën e Maqedonisë udhehequr prej politikanit Kiro Gligorov, njeri i ekuilibruar dhe me kompetenca të larta, një ndër ministrat më të mirë të ekonomisë së ish-jugosllavise titiste, që pata rastin ta takoj shpesh herë personalisht në Beograd duke nxjerrë përherë informacione dhe indikacione te dobishme. Nga ana tjetër, ato rrezikojnë të ndezin fitilin e reaksionit zinxhir ndërballkanik duke e zgjeruar konfliktin prej Bosnjës në Maqedoni, prej Shqipërisë në Kosovë e me pas deri në Turqi. Kjo fatkeqësisht, do i jepte luftës që po zhvillohet prej dy vitesh një karakter jo më krahinor por kontinental.----


Polemika midis Athinës dhe Enzo Bettiza


Shkëputur prej arkivit të gazetes italiane “La Stampa” e datës 03.05.1994, nr. 118, faqe 11.

Solli për shtyp nga arkivat e “La Stampa”: Etnor Canaj

Përktheu dhe redaktoi në gjuhën shqipe: Brunilda Ternova


Letër nga ambasada: “Jemi të pafajshëm”.Ambasada greke replikon me një letër të shkruar nga këshilltari për shtyp Jannis Zissimos, në lidhje me artikullin e europarlamentarit Enzo Bettiza “Shkëndija Greke në fuçin e barutit ballkanik” të publikuar në edicionin e datës 25 prill 1994 në gazetën “la Stampa”. Në këtë edicion po botojmë letrën e ambasadës greke dhe repliken e z. Enzo Bettiza. “I nderuari Kryeredaktor, megjithëse mundohem të kuptoj ndjeshmërinë e veçantë personale dhe qëndrimin anësor që mban i nderuari Enzo Bettiza në lidhje me ngjarjet në Jugosllavi dhe Ballkan, nuk mund të mos replikoj kundër deklaratave të renda të paraqitura në artikullin “Shkëndija Greke në fuçin e barutit ballkanik” të publikuar në edicionin e datës 25 prill. Më lejoni disa konsiderata të nevojshme: 1) Greqia – ndryshe nga ajo që deklaron i nderuari Bettiza –, pëfaqson për stabilitetin e saj demokratik, për prirjen e saj paqësore dhe për përkatësinë e integruar në sistemin politik, ekonomik e mbrojtës perëndimor, të vetmen garanci të fortë kundër aventurave destabilizuese në jug të Ballkanit. Për këtë arsye, përtej interesimit të saj (të Greqisë) për të mbrojtur të drejtat humane dhe qytetare të minorancave greke në Shqipëri, nuk ka menduar kurrë “të aspirojë zotërimin e pothuajse gjysmës së territorit” të Shtetit fqinjë. Më duket e mahnitshme dhe false pohimi i të kundërtës, ashtu si e konsideroj komplet arbitrare etiketimin e poltikës së jashtëme helenike si “neo-shovinizëm helenik”. 2) Autoritetet greke janë komplet të pa lidhura me episodin e izoluar, të errët dhe të rënde që ka ndodhur në territorin shqiptar. Dua të kujtoj se qeveria greke, duke u sjell me sens përgjegjësie, dënoi me forcë atë çfarë ndodhi duke propozuar që në momentetet e para ngritjen e një komisioni të përzier – qe u pranua në një moment të dytë nga pala shqiptare –. për të hetuar mbi këtë akt kriminal të dënueshëm. Këto aspekte, të një rëndësie jo të papërfillshme, i nderuari Bettiza, në vrullin e tij anti-grek i kapërcen me lehtësi. 3) I nderuari Bettiza nuk merr parasysh arsyet e rëndesishme që qëndrojnë në themel të konfliktit midis Athinës dhe Shkupit, të cilat kanë krijuar nevojshmërinë e adoptimit të masave parandaluese nga ana e qeverisë greke përkundrejt republikës fqinje.


4) Duke vazhduar me deklaratat e tij të veçanta, autori formulon në drejtim të Greqisë akuza të nxituara në mbështetje të “pastrimeve etnike serbe në Bosnjë dhe Kosovë”. Ai gjithashtu shtron pyetje provokuese mbi “përgatitjen e një operacioni të ri të spastrimit etnik prej grekëve në vend të serbëve”. Duke shkruar këto gjëra i nderuari Bettiza jo vetëm që deklaron qëllimisht gënjeshtra por fyen rëndë ndërgjegjen qytetare të Greqisë. Nuk më rezulton se kualifikimi i gazetarit të shquar dhe europarlamentarit të famshëm, bën përjashtime nga detyrimi për t’iu përmbajtur rregullave të së vërtetës dhe korrektësisë. 5) Në mllefin e tij, autori shpreh mendimin se Greqia “në mënyrë konstante dhe haptazi” ka shkelur embargon e OKB kundër Beogradit të cilit “i ka dërguar përherë armë, naftë, ilaçe mjeksore dhe ushqime”. Dua të vë në dukje se edhe në këtë rast bëhet fjalë për deklarata absolutisht të pabaza që vetëm një paragjykim i rrënjosur thellë ndoshta mund ta motivojë.


6) Fjalët plot nderim dhe admirim në drejtim të Kiro Gligorovit – e cila në vetvete është e drejta e tij për ti shprehur –, zbulojnë pa dyshim njëanëshmërinë e të nderuarit Bettiza. Megjithatë, mendoj se ai duhet të na shpjegojë se si është mundur që në Shkup është e lejueshme të huazohet e kaluara, edhe pse padrejtësisht, e simbolit të Yllit të Verginës, ndërkohë që autori ironizon mbi të drejtën e Greqisë të ngjallë rrënjët e saja mijëravjeçare. 7) Manifestimet popullore të zhvilluara kryesisht në Selanik, kryeqendër e Maqedonisë greke, vetëm për të konfirmuar përkatësinë greke të atij teritori dhe të popullatës së tij, e bezdisin dukshëm të nderuarin Bettiza aq sa ti apostrofojë në mënyrë të mjaftueshme. Në të vërtetë, bëhet fjalë për një shprehje të çiltër e paqësore të një ndienje të shëndoshë patriotike, nëpërmjet thirrjeve dinjitoze, me vetëpërmbajtje dhe me vendosmëri nga qytetarët e lirë të një Shteti qytetar dhe europjan të cilët vëzhgojnë me habi uzurpimin dhe vjedhjen e historisë dhe kulturës së tyre.


8) Insinuatat në lidhje me lëvizjet hipotetike të trupave, pushtimeve të afërta ushtarake dhe ndarjeve terriotriale nuk janë jo vetëm imagjinare dhe të pabaza por kanë tendencën e përhapjes së një alarmizmi të kotë e të pajustifikuar. Më vjen thellësisht keq që ligjërata e njëanëshme e të nderuarit Bettiza, mospërputhëse me vijën e objektivitetit që Ju keni ndjekur, shkon përtej kufijve të informimit korrekt dhe kalon në armiqësi të hapur me Greqinë, duke ofruar imazhin joreal të një Shteti viktimë e fanatizmit fondamentalist dhe intolerant. Fatëmirësisht lexuesit e gazetës Suaj dhe me mijëra italianë që njohin Greqinë dhe popullin e saj, mendojnë ndryshe nga i nderuari Bettiza.”


Jannis ZissimosKëshilltar për Shtyp i Ambasadës Greke (Itali)====================================================================


Shkrimtari Enzo Bettiza : “Ju jeni bashkëpuntorë të serbëve”.


“Hakmarrës, i pasaktë, gënjeshtar” si edhe “gazetar i shquar dhe europarlamentar i famshëm”. Meqënse i ndjeshmi zoti Jannis Zissimos më atribon shumë tituj kontradiktorë në një herë të vetme, dua ti kujtoj atij se pikërisht duke qënë gazetar dhe europarlamentar, kam udhëtuar në ditët e fundit të vitit 1980 në Athinë për të takuar presidentin Konstantinos Karamanlis. Udhëtimi dhe takimi kishin në vetvete një qëllim pozitiv: celebrimin e rëndësishëm, në një gazetë të njohur italiane, të hyrjes së afërt të Greqisë në Komunitetin Europjan.Dhe në fakt, më 2 janar të 1981, njëzet e katër orë pasi Greqia ishte transformuar zyrtarisht në anëtarin e 12-të të Komunitetit, publikohet në një faqe të gazetes “Giornale” në Milano – ku unë isha në atë kohë bashkëkryeredaktor -, një intervistë eskluzive e imja e zhvilluar me presidentin Karamanlis e cila u ribotua gjerësisht nga organet kryesore të shtypit europjan. Por më pas, nga maja e entuziazmit fillestar, fatkeqësisht, u rrokullisëm të shumtë drejt zhgënjimit dhe hidhërimit. Greqia, sidomos ajo Greqia izolacioniste e Pasok-ut dhe e Papandreut - që kishin kundërshtuar me kryeneçësi politikat që ndiqte Karamanlis për të hyrë në Komunitetin Europjan -, nuk do të humbasë mundësitë për të damkosur mospërputhjet me Europën mbi një mori të panumërt çështjesh delikate e të rëndësishme.Zgjedhjet gjithnjë e më shumë të vetmuara e gjithnjë e më pak komunitare të Athinës, më në fund u përshkallëzuan ashpër deri në kufirin e ndarjes, gjatë ditëve të agresionit serb përkundrejt Kroacisë dhe Bosnjës. Hyri pra në veprim si një mekanizëm atavik, instikti i aleancës historike serbo-greke i rrënjosur në një nacionalizëm me zanafillë orthodokse dhe i nisur tashmë në luftërat e para ballkanike kundër muslumanëve, sllavëve maqedonas dhe shqiptarëve.Përfaqësuesit grek, edhe në parlamentin europjan, kanë mbështetur gjithmon dhe vazhdojnë të mbështesin akoma me pasion të zjarrtë, tezat e papërshtatshme e që nuk mund të mbrohen të nacionalistëve serb si dhe agresionet e tyre ushtarake në territorin e ish Jugosllavisë. Është e njohur botërisht që qeveria greke ka bërë gjithshka që ka mundur, për të mos respektuar embargon që i është imponuar Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar. Tashmë as që nuk llogariten vizitat reciproke të eksponentëve grekë dhe serbë midis Athinës, Beogradit dhe Pale. Jo rastësisht serbët e Bosnjës përdorin një shprehje: “Aleatët tanë më të mirë janë Zoti në qiell dhe grekët në tokë”. Dy pasojat e fundit të kësaj paturpësie politike për të destabilizuar ballkanin, të ushtruara në bashkëfajësi të njëzëshme nga qeveria greke dhe nga grupe klerikale ekstremiste të Kishës orthodokse greke, ishin lufta ekonomike që u shpall më 16 shkurt nga Athina kundër Republikës së Maqedonisë – mbyllja e portit të Selanikut për të bllokuar tranzitin e mallrave maqedonase –, si dhe incidenti i rëndë i shkaktuar në kufirin e Shqiperisë jugore më 10 prill nga një komando terroriste greke.Boris Souvarine përdorte shpesh një shprehje: “Letra mund të durojë gjithshka”. Në këtë prizëm, edhe letra e shkruar nga zoti Zissimos, mendoj se është po aq e fortë dhe rezistente për të përballuar të gjitha akuzat e veçanta plot mllef dhe të njëanëshme, që ai – duke qënë se është esëll në lidhje me informacionet e sakta diplomatike si edhe të shkrimeve të tjera të plota -, më adreson me mëri shumë të verbër. Kështu që, dëshiroj ti rifreskoj memorjen e tij të dobët dhe dinake duke i rikujtuar atë çfarë kanë shkruar në lidhje me ekseset politike greke, gazetat e tjera italiane dhe të huaja. Dino Frescobaldi në gazetën “la Repubblica” te 15 prillit shkruan:”Vendimi grek për të aplikuar një bllokadë tregtare përkundrejt Maqedonisë është episodi i fundit i një kontrasti që ka arritur tashmë një formë lufte ekonomike. Dikush ka nisur të pyesë veten nëse në klimën që mbizotëron sot në botën ballkanike, nga një luftë ekonomike mund të kalohet në një luftë të vërtetë dhe në kuptimin e plotë të fjalës”.George Soros në gazetën “New York Times” të 18 prillit: “Aleanca perëndimore, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, duhet të ndihmojë Maqedonin në një moment kur Greqia, pa patur kurrfarë nevoje, po ndez një vatër tjetër krize në Ballkan”.Presidenti maqedonas Kiro Gligorov në një intervistë të dhënë për gazetën franceze “Le Monde” të 6 prillit, flet hapur në lidhje me “lëvizje të trupave greke në kufi”. Gazeta “Le Monde” e 14 prillit në një reportash të realizuar nga korrespondenti i saj Yves Heller, nga Konica (Greqia veriore) shkruan: “Irredentistët grek e quajne ‘Epiri i Veriut’ pjesën jugore të Shqipëris. Ky Epir i jashtëm, sipas hartave të tyre gjeografike, përfshin gati gjysmën e Shqipëris”. Heller gjithashtu, përshkruan aktivitetin intensiv të propagandës irredentiste që i drejtohet në mënyrë të përditshme minorancës greke në Shqipërinë fqinje nëpërmjet një radio stacioni të fuqishëm në Konicë e që administrohet nga priftërinj orthodoks, dhe citon një frazë të priftit të krahinës Joel Konstantaros: “Nuk ka asnjë dyshim që ushtria jonë mund të dërgohet në Epirin e Veriut për të mbrojtur grekët që jetojnë aty.Gazeta “Economist” e 30 prillit: “Pavarësisht nga deklaratat greke mbi respektimin reciprok të kufijve të vendeve fqinje, shqiptarët mendojnë se Athina po vazhdon të thurë një model të sajin territorial përkundrejt Epirit të Veriut, të cilin trupat greke e kanë pushtuar dy herë në fillim të dy luftrave botërore. Nga ana tjetër, ultranacionalistët grekë të mbështetur nga një peshkop orthodoks i Epirit grek, flasin për nevojën e mbrojtjes së minoritetit, e nëse është e nevojshme edhe me forcë”.Besoj se mjafton për ti dëshmuar gjerësisht të painformuarit zotit Zissimos, se “shpikjet” që ai më atribon, janë të mbështetura pikë për pikë nga disa prej organeve më të mëdha të shtypit kombëtar dhe ndërkombëtar. Megjithatë, dulcis in fundo (shq: ëmbëlsira për në fund), ai u tregua shumë i kujdesshëm për të mos hyrë në meritën e njërës prej “shpikjeve” të mia më serioze e më të rënda: Greqia, që aktualisht ushtron kryesinë gjashtëmujore të Bashkimit Europjan, është hedhur në gjyq nga Komisioni i Brukselit – organ qeverisës i të njejtit instiutcion të B.E –, në Gjykatën e Drejtësisë Europjane të Luksemburgut! Në këtë pikë esenciale, shfuqizuese, letra e zotit Zissimos, ngelet pashpjegueshmërisht e shurdhët dhe memece. Përse? Sepse është e qarte se zoti Zissimos, që në aspektet e tjera është kaq llafazan, i duhej të pranonte publikisht se qeveria e tij, edhe pse po kryeson Bashkimin Europjan, është nën akuzë nga gjyqësori më i lartë europian pikërisht për shkak të sjelljes së paparë anti-europjane të Athinës përkundrejt Maqedonisë. Një sjellje kjo që thyen dhe shkel të gjitha rregullat e përbashkëta të politikës morale dhe tregëtare, për të mos përmendur gjithashtu kërcenimet përkundrejt Shqipëris dhe miklimet ndaj Serbis.Enzo Bettiza
You do not have the required permissions to view the files attached to this post.
Image

Post Reply

Return to “Diplomaci dhe e drejtë ndëkombëtare.”