"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

Kisha e ringjalljes së Bashkimit Sovjetik

Flisni për diplomacinë dhe të drejtën ligjore ndërkombëtare, lidhjen dhe ndikimin e saj në politikën dhe ekonominë e vendit dhe komunitetit tuaj.

Moderator: Strokulli

Post Reply
User avatar
Zeus10
Grand Fighter Member
Grand Fighter Member
Posts: 4154
Joined: Thu Jun 04, 2009 6:46 pm
Gender: Male
Location: CANADA
Contact:

Kisha e ringjalljes së Bashkimit Sovjetik

#1

Post by Zeus10 » Mon Oct 05, 2009 2:54 pm

Nga Petrit Haliti

Dy vizitat që patriarku i Kishës Ortodokse të Rusisë, Kirilli, ndërmori më 27 korrik në Ukrainë, dhe më
26 shtator në Bjellorusi, kanë ravijëzuar një doktrinë të re fetaro-politike të kësaj kishe, e cila synon të ringjallë statusin e superfuqisë, që Rusia kishte deri në vitin 1991, në formën e Bashkimit Sovjetik. Ringjallja e superfuqisë së vdekur, Bashkimit Sovjetik, është shndërruar në program të vizitave dhe të veprimtarisë së patriarkut, i cili po aktivizon një rol të rëndësishëm të kishës në këtë plan ambicioz të Kremlinit. Gazeta ruse, "Njezavisimaja gazeta" shkruante më 1 tetor se, "Patriarku, në bisedimet me presidentin e Bjellorusisë, ngriti temën e bashkimit të të dy shteteve, që sipas tij mund të marrë një formë të re me unifikimin e Rusisë, Bjellorusisë, Ukrainës dhe Moldavisë". Doktrina e sovranitetit të përbashkët sovjetik mbështetet në pansllavizmin ortodoks, i cili natyrisht ka si qendër drejtuese Moskën. Në këtë kuadër, patriarku nuk pranon legalitetin e shteteve të pavarura të veçanta të Bjellorusisë, Ukrainës apo të tjera. "Unë ndjehem si patriark i gjithë kombit, që ka origjinën te Rusia e Bashkuar, megjithëse kjo tokë është ndarë në shtete sovrane", - deklaroi ai në Minsk, duke afishuar haptazi tezën e tij jofetare të një kombi të madh unik rus, ku shkrihen dhe humbin të gjithë kombet e tjera. Sovraniteti i shteteve që dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik, është për patriarkun diçka e përkohshme, i cili duhet të orientohet dhe të drejtohet drejt unifikimit të dikurshëm. "Rusia e Shenjtë, shpalli patriarku në Minsk, është e mishëruar në kufijtë e shumë shteteve". Është për t'u vënë në dukje se kisha ortodokse ruse nuk kërkon thjesht integrimin dhe bashkimin e shteteve që dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik. Ajo kërkon shkrirjen e tyre në shtetin, kombin dhe Rusinë e Shenjtë. Kisha ortodokse ruse shkon më tej se sa vetë politika e shtetit rus, duke shpallur haptazi hegjemoninë e Rusisë dhe aneksimin e shteteve te tjerë si kredo fetare
Për të qenë në koherencë me zhvillimet në Europën moderne dhe me modën terminologjike diplomatike, patriarku i cilëson ambiciet ruse për bashkimin përsëri me Rusinë të shteteve të ish-Bashkimit Sovjetik, si një program integrimi, njëlloj si integrimi i shteteve të Europës në Bashkimin Europian. Në vend të alternativës për t'u integruar në Bashkimin Europian, ai u ofron popujve të Bjellorusisë, Ukrainës, Moldavisë dhe të tjerë shtete ish- sovjetike, rrugën e vetme të integrimit me Rusinë, dhe jep si argument determinues, racën e përbashkët sllave dhe fenë e përbashkët ortodokse. Këtu bëhet një spekulim jo i vogël, sepse integrimi i shteteve të Europës në Bashkimin Europian është bërë jo mbi baza fetare të përbashkëta, dhe as mbi baza raciale të përbashkëta. Kisha ortodokse ruse kërkon ta bëjë integrimin e popujve dhe shteteve të ish-Bashkimit Sovjetik mbi bazën e racës sllave, që në fund të fundit përfaqëson një teori raciste, e cila pas bashkimit të racës çon në luftën mes racave. Nga ana tjetër, kisha ortodokse ruse e kërkon bashkimin e popujve dhe të shteteve që dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik, mbi bazën e përbashkët fetare ortodokse. Kjo do të thotë jo thjesht bashkim i popujve ortodoksë në një bashkim fetar, por edhe një unifikim me pasoja të rënda për bashkekzistencën e popujve të feve të ndryshme brenda shteteve që dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik, duke përfshirë edhe Rusinë, por edhe më gjerë se aq. Këto ide e projekte shprehin një fondamentalizëm dhe fanatizëm ortodoks, i cili mund të bëhet tepër i rrezikshëm në shkallë ndërkombëtare, sepse e profeson një kishë e fuqishme si ajo e Rusisë, dhe e cila ka mbështetjen e një shteti me ambicie hegjemoniste globale si Rusia. Deviza e patriarkut, sipas "Njezavisimaja gazetës" është që, "vendet ortodokse duhet të veprojnë në një front unik përballë aleancave të shteteve europiane apo euroaziatike". Bashkimi fetar me Rusinë e Shenjtë konceptohet të ndërtohet mbi bazën e mohimit të së drejtës së popujve të shteteve që dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik, për të pasur edhe kishën e tyre kombëtare. Nuk është e rastit lufta e egër frontale që kisha ortodokse ruse ka ndërmarrë kundër kishave ortodokse kombëtare të shteteve të tjera, siç është rasti me Kishën Ortodokse Autoqefale të Ukrainës, të cilën Patriarkana e Moskës, me në krye Kirillin, nuk e njeh dhe e lufton ta shkatërrojë me te gjitha mjetet.
Integrimi europian është krejt e kundërta e integrimit sovjetik që kërkon patriarku i kishës ortodokse ruse. Në rastin e integrimit pansllavist ortodoks kemi mishërimin e doktrinave dhe të modeleve të fanatizmit fetar të perandorive të vjetra të kohës së Bizantit. Nxitja e fanatizmit fetar nga ana e tij shkon deri atje, saqë gjatë një vizite në një bazë ushtarake dhe në një nëndetëse bërthamore ruse para dy muajsh, ai u kërkoi ushtarëve të shkojnë në kishën ortodokse dhe të mësojnë fenë ortodokse, sepse "atëherë do të kemi diçka, që duhet ta mbrojmë me raketat tona".
Është e kuptueshme se profesimi i rikrijimit apo i ribashkimit të popujve e shteteve që dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik, nuk është një trill apo delir fetare personale i patriarkut. Kjo ambicie dhe kjo veprimtari fetaro-diplomatike konturohen si një instrument i një programi të gjerë politik e shtetëror të kryeministrit Vladimir Putin për ringjalljen e Rusisë në formën e ish-Bashkimit Sovjetik. Kremlini dhe udhëheqësit e tij të sotëm e shfaqin hapur ambicien për t'i dhënë Rusisë fuqinë dhe rolin që ka pasur në kohën e Bashkimit Sovjetik, prishjen e të cilit Vladimir Putini e ka cilësuar si katastrofën më të madhe gjeopolitike të historisë së Rusisë. Politika agresive energjetike dhe e riarmatosjes strategjike bërthamore që po ndjek aktualisht Kremlini, materializon këtë ambicie imperiale zyrtare. Kisha ortodokse ruse po i shërben me afsh pikërisht kësaj politike dhe këtyre interesave strategjike të Moskës, dhe jo rastësisht patriarku Kirill klasifikohet si një nga shtyllat e trojkës më të fuqishme politike sot në Rusi, dhe që përfshin kryeministrin Vladimir Putin, presidentin Dimitri Medvedev dhe patriarkun Kirill. Patriarku ka një histori të gjatë të shërbimit ndaj pushtetit në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Rusi. Revista prestigjioze amerikane, "Forbes", duke u mbështetur në arkivat ruse, shkruan se Kirilli ka qenë pjesë e KGB-së, shërbimit sekret famëkeq të kohës së komunizmit në Bashkimin Sovjetik, siç ka qenë edhe patriarku paraardhës i tij, Aleksej. Patriarku Kirill nuk ka qenë thjesht një bashkëpunëtor i shërbimit sekret, por ka qenë operativ, oficer i KGB-së, i cili u emërua me shërbim në kishën ortodokse ruse, dhe të cilit, qysh në rini, iu dha mundësia të udhëtojë me misione spiunazhi në vende të ndryshme të botës, i maskuar me rason e priftit. Kjo e kaluar e errët shpjegon veprimin e tij, kur patriarku shkishëroi një prift, pse mori pjesë në një komision qeveritar, i cili nxori dokumente për shumë priftërinj të kohës së Bashkimit Sovjetik se kishin qenë spiunë të KGB-së. Ndërkohë, nuk mori të njëjtën masë për një prift të Shën-Petërburgut, i cili krijoi një ikonë ku ishte i pikturuar portreti i Stalinit, të cilit prifti dhe besimtarët që i shkonin pas, i faleshin çdo ditë. Në gjithë karrierën e tij kishtare e deri në zgjedhjen e tij në janar të këtij viti si patriark i kishës ortodokse ruse, ai ka pasur mbështetjen dhe shtytjen e qarqeve më të larta të qeverisë dhe të shërbimeve sekrete ruse. Nuk mund të shpjegohen ndryshe mundësitë e arta që iu dhanë atij, që të grumbullojë një pasuri personale, e cila vlerësohet sipas shtypit rus, në 4 miliardë dollarë. Miliarder nuk bëhesh dot me psalltje, dhe as duke shitur moral. Kisha ortodokse ruse është lejuar nga shteti që të merret me tregtinë (dhe me motrën e saj, kontrabandën) e cigareve, të naftës dhe artikujve të tjerë ekskluzivë dhe fitimprurës.
Prejardhja biografiko-pasurore e patriarkut evidenton qartë se shteti dhe qeveria e Rusisë kontrollojnë dhe drejtojnë veprimtarinë politiko-fetare të Patriarkanës së Moskës. Përtej mantelit fetar, kisha ortodokse e Rusisë zbaton politikën e njohur, të vjetër dhe të re, të dominimit të Rusisë imperiale mbi popujt dhe shtetet e tjerë. Kisha ortodokse ruse është një kishë politike, siç ka qenë në kohën e carit, siç ka qenë në kohën e Stalinit, dhe vazhdon në kohën e Putinit. Si e tillë, ajo përfaqëson një forcë dhe një element negativ e frenues për vlerat dhe standardet demokratike të shoqërisë së sotme ruse dhe njëkohësisht, të dëmshme për zhvillimin e shoqërisë moderne europiane ku Rusia pretendon të jetë anëtare.
The only thing necessary for the triumph of evil is for good men to do nothing

Post Reply

Return to “Diplomaci dhe e drejtë ndëkombëtare.”