"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

Boboshtarët e Bukureshtit

Këtu mund të bashkohen për të shkëmbyer mendime, pjesëtarë të diasporës ose komuniteteve të ndryshme arbërore.

Moderator: Strokulli

Post Reply
User avatar
Arta
Sun Member
Sun Member
Posts: 1515
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:44 pm
Gender: Female
Location: USA

Boboshtarët e Bukureshtit

#1

Post by Arta » Sat Apr 10, 2010 5:55 pm

LUFTËTAR I PËRFLAKUR I KOLONISË SHQIPTARE TË BUKURESHTIT

Boboshtarët e Bukureshtit: Thanas Kantili (1863-1933)

Dhe pas Te-deumit të shërbyer në gjuhën e ëmbël nënore, vinte fjalimi i parë i rastit i mbajtur prej një personaliteti nga më të lartët e vëndit, i pasuar prej fjalimesh të shqiptarëve, të cilat kurdoherë më çdo festë, kurorëzoheshin në fund prej veteranit të madh Thanas Kantili, të zjarrtit, të flaktit, të djegurit dhe të zhuriturit luftëtar të Kolonisë në Rumani.

Image

Thanas Kantili

Ky me gjith natyrën e tij zakonisht hijerëndë, kur fliste në kishë në këto festa kombëtare nuk e përmbante dot veten nga mallëngjimi gjer në mbarim të fjalës, po i shpërthenin lotët mu në mes duke e përfunduar pastaj me fjalët e papritura: Rrofsh moj rrofsh! Ti do të rrosh e do të jesh moj Shqipëri! Dhe kisha mbaronte kështu në mes të gëzimit dhe të dashurisë, që ish gëzim kombëtar dhe dashuri kombëtare, dhe anëtarët ktheheshin nëpër vatrat e tyre me shpresën më të rritur për mëmëdhenë.

Punoi dhe u sos për Shqipëri, kur kjo gjendej në robëri

Thanas Kantili ishte një nga anëtarët më aktivë në Komitetin e Shoqërisë Shqiptare “Dituria” e Bukureshtit. Emrin e tij e hasim në dokumentet e kësaj shoqërie, që nga viti 1896. Më 11 prill të vitit 1899, në kuadrin e Kuvendit Vjetor të Diturisë, Thanas Kantili zgjidhet nënkryetar. Nga “Përlindja shqiptare” e Sofjes, kuptojmë se në mbledhjen e zakonshme që ka bërë Shoqëria “Dituria”, në vitin 1903, në një pyll jashtë Bukureshtit, krahas Kristo Dakës dhe Jovan Lazarit, Thanas Kantili flet fjalë të zjarrta dhe propozon që të dy shoqëritë (Drita e Dituria) të bashkohen ngase “bashkimi bën fuqi”. Emri i Thanas Kantilit ndërlidhet edhe me mbledhjen historike të Bukureshtit (5 Nëntor 1912), kur u morën vendimet lidhur me Pavarësinë e Shqipërisë. Nga kujtimet e botuara të Asdrenit në “Shqipërinë e Re” të Konstancës (29 Nëntor 1925), kuptojmë se se në mbledhjen e fundit të konsultimeve e bisedimeve, përveç Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Kristo Meksit, Aqile Eftimiut, Dhimitër Zografi etj., e merr fjalën edhe Thanas Kantili.

Thanas Kantili ka patur një vajzë, Ekaterinën, dhe 5 djem: Nikollën, që vdiq i ri, si pasojë e një pneumonie, pastaj Konstantinin, Tonin, Vasilin, dhe Teodorin, babain e Nikut. Todori jetoi ndërmjet viteve 1918-1996. Edhepse ka lindur në Rumani, në një familje patriotike, aq shumë e ka dashur Shqipërinë, saqë shkon, derisa ish kryeministër ungji i tij, Pandele Vangjeli, e shkollohet në Tiranë, Durrës, Korçë e Shkodër. Korina e Niku nuk mund të harrojnë kurrë përmallimin e tij, dëshirën e tij të vetme, për ta parë edhe një herë Shqipërinë, para se të ndërrojë jetë. Një një dëshirrë të këtillë, të zjarrtë, e hasim edhe te shqiptarët e sotëm të Bukureshtit, të cilët shuhen pa e parë Shqipërinë, si pasojë e impotencës patriotike të ishkomunistëve me pasaportë diplomatike.

Së bashku me korçarët Duro, Zografi, Milkani e Buzi, vëllezërit Kantili ishin ndër tregtarët më të shquar të Bukureshtit. Thonë se aq i pasur ka qenë, saqë ka djegur thasë të tërë me para kur u ndërruan paratë, në shenjë të stabilizimit të vendit, ndërsa pjestarë të kësaj familjeje fisnike, që kanë ardhur para 13O vitesh në Rumani, figurojnë edhe në katalogjet telefonike të Bukureshtit: Xhorxheta, Maria, Nikulae, Toni, Vasile, Kristina, Konstantini dhe Angjelika, të gjithë duke mbajtur mbiemrin Cantili (shq. Kantili).

Thanas Kantili vdiq në një spital të Bukureshtit, më 14 shtator të vitit 1933. Lajmi i hidhur u përhap si vetëtima ndër krejt shqipëtarët e kësaj qendre, ku e njihnin si një patriot të palodhur, që tërë jetën punoi për vëndin e tij, pa pretedime personale apo materiale. Varrimi u bë pas dy ditësh, më 16 shtator, me një ceremoni të shkëlqyer, në varret e Shën Premtes (Sf. Vineri), atje ku qe varrosur më 1913, apostulli i shqiptarizmit, Nikolla Naço, kurse më 1947, Asdreni. “Një pjesë e madhe e Shqipëtarëvet të Bukureshtit, morën pjesë në këtë varrim. Trupi i të ndjerit Kantili ish mbuluar me lule edhe me kurora. Një kurorë vjente nga ana e Komunitetit, një tjetër nga ana e Kryekonsullatës, një kurorë nga ana e Shoqërisë së Boboshtarëve dhe një tok kurorash të tjera nga ana e farefisit të tij.

U mbajtën një tok fjalimesh, duke treguar aktivitetin dhe zemërgjerësinë e të ndjerit. Fjalën e parë e mbajti delegati i Odës Tregtare të Bukureshtit, duke nxjerrë në pah se si një jetë të tërë, i ndjeri punoi me ndershmëri dhe qe shembëll për të tjerët”. Shënimet prezente vijnë nga numri 539, i së përjavshmes “Shqipëri e Re”, që delte asokohe në Konstancë. Ja edhe fjala e Asdrenit, me rastin e varrimit:
Last edited by Arta on Sat Apr 10, 2010 5:58 pm, edited 1 time in total.
"I never gave anybody hell! I just told the truth and they thought it was hell."~Harry S. Truman

User avatar
Arta
Sun Member
Sun Member
Posts: 1515
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:44 pm
Gender: Female
Location: USA

Re: Boboshtarët e Bukureshtit

#2

Post by Arta » Sat Apr 10, 2010 5:56 pm

Baki Ymeri (Bukuresht)

Duke hulumtuar veprimtarinë e korçarëve të kësaj metropole në periudhën e Mbretërisë, konstatojmë se Bukureshti paraqet lulen më të bukur të diasporës shqiptare në botë. Bukureshti, sipas Lasgushit ishte “kryeqyteti i Shqipërisë së mërguar”, “qyteti që mban emrin më bujar të të folurit shqip”. Janë pikërisht korçarët e kësaj qendre që e kanë ndezur dhe mbajtur të pashuar flakën e shenjtë të Rilindjes Kombëtare. Në një zonë të vjetër të Bukureshtit, ndërmjet Bibliotekës së Akademisë dhe Stacionit Hekurudhor “Gara de Nord”, në rrugën Calea Grivicei, gjendet një nga shtëpitë më të vjetra të rilidësve tanë, ajo e Thanas Spiro Kantilit, i cili, sipas “Shqipërisë së Re” të Konstancës (1933), “punoj dhe u sos për Shqipëri, atëherë kur kjo gjendej në robëri”.

Në bazë të dokumenteve që i ruan me shenjtëri nipi i këtij rilindasi të zjarrtë, Niko Kantili, kuptojmë se para vitit 1880, kjo ka qenë pronë e një hebreu: Simon Goldemberg. Këtë e dëshmojnë edhe disa akte autentike, që nga viti 1833. Niko Kantili është i biri i një gjermanke (Elizabeta Opricesku), dhe i një shqiptari boboshtar (Theodor Kantili). Edhe përnga pamja, edhe përnga sjellja, edhe përnga karakteri e temperamenti, lë përshtypjen se është shqiptar. Posa merr vesht se nga jemi e nga vijmë, për të kërkuar rrënjët e lashta të shqiptarizmit, na thote:

“Më fal që pot ë shqetsoj! Nuk e di zotrote në je shqiptar, ngase ke emër turku! Më vjen keq pse s’di shqip, por kur dëgjoj për Shqipërinë, më rrënqethet lëkura. E sheh këtë oborr të gjatë e këtë shtëpi të motshme! E gjithë kjo ishte pronë e gjyshit tim, Thanas Kantili, një nga rilindësit më të shquar të Rumanisë. Këtu gjendej një dyqan, tejmatanë tij, një pijetore, të hapura në vitin 1890, nën firmën “Vineria T. Cantili”. Para 70 vjetësh, vinin këtu shkrimtarë e artistë të mëdhenj, ndër të cilët edhe dramaturgu i shquar i Jon Luka Karaxhiale (rum. Ion Luca Caragiale), për të cilin flitet se kishte origjinë shqiptare. Gjyshja ime, Sofia Treska, bashkëshortja e Thanas
Kantilit, ishte kushërirë e Viktor Eftimiut.

Image
Last edited by Arta on Sat Apr 10, 2010 6:16 pm, edited 1 time in total.
"I never gave anybody hell! I just told the truth and they thought it was hell."~Harry S. Truman

User avatar
Arta
Sun Member
Sun Member
Posts: 1515
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:44 pm
Gender: Female
Location: USA

Re: Boboshtarët e Bukureshtit

#3

Post by Arta » Sat Apr 10, 2010 5:57 pm

Boboshtarët e Bukureshtit


E sheh këtë fotografi të vitit 1931? Ja këtu, pranë ungjit tim, Konstantin Kantili, ngre dollinë shkrimtari i famshëm Teodor Mushatesku! Shkrimtari i madh, Al. O. Teodoreanu, shkruan në revistën Magazinul (Nr. 30/1933): “Këtu ka ndenjur Karaxhiale. Sa bukur fliste, zotëri, të gjithë e donin. Diku nga vitit 1883, Thanas Kantili e merr me qera këtë lokal dhe e shndërron në kafene. E pyeta Anton Sotirin për karierën e tij gastronomike. Është interesante. Ka ardhur këtu nga Shqipëria, më 1899, duke hyrë në punë te një ungj i tij, Dionisie Gjika, njeri që merrte vesh përnga mjeshtria dhe që kish një lokal në rrugën Izvorul. Pastaj punon nën drejtimin e Kantilit, bëhet shok me të dhe mbetet pronar”.

Image

Në këtë shtëpi të vjetër, nuk ka munguar kurrë mikpritja tradicionale e shqiptarëve, shton zoti Niku. Për kontributin që pat dhënë përgjatë Rilindjes Kombëtare, gjyshi im, Thanas Kantili, më 2 shtator të vitit 1914 (në kohën e Princ Widit) qe dekoruar nga Mbretëria Shqiptare me “Medaljen Ushtarake në Bronz” (dorëshkrimi është në gjuhën frenge). Dokumentet që na i prezanton Niku, janë origjinale dhe autentike, të nënshkruara e të vulosura. Ndër to shquhet Testamenti i Thanas Kantilit, ku përmes një fjalori të zgjedhur, plot respekt e përdëllim ndaj gruas e fëmijëve, defilon shpirti i një shqiptari të shenjtë. Thanasi e përfiton nënshtetësinë rumune në vitin 1926, ndërsa në vitin 1932, Mbreti Carol II, e nderon përmes një dekreti, me titullin “Meritul Comercial si Industrial, Cl.II” (Merita Komerciale dhe Industriale, Kl.II).
"I never gave anybody hell! I just told the truth and they thought it was hell."~Harry S. Truman

User avatar
Arta
Sun Member
Sun Member
Posts: 1515
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:44 pm
Gender: Female
Location: USA

Re: Boboshtarët e Bukureshtit

#4

Post by Arta » Sat Apr 10, 2010 5:59 pm

Një nga të parët nismëtarë të kësaj Kolonie kreshnike

Zotërinj të brengosur! Pik së pari këtu shfaqim hidhërimin e Kryekonsullatës Mbretënore për vdekjen e pa-pritur të patriotit, që e deshti me gjithë shpirt e zemër Shqipërinë, si një shqiptar me plot ndjenja që ish, si edhe ngushëllimet e kësaj Kryekonsullate, familjes dhe gjithë far’ e fisit të tij. Do të jenë fjalë të tepërta, në dua të bëj këtu një përshkrim të jetës së Thanas Kantilit! Jeta e tij trupësonte vetëm e vetëm mirësinë edhe zemërbardhësinë, në tërë kuptimin e fjalës, sa nuk i ze besë që të gjendet një, midis nesh, që të mos e dijë edhe të mos e ketë njohur dhe kuptuar, këtë cilësi të rrallë, të shpirtit të tij.

Thanas Kantili si patriot, qe i pari ndërsenjës, i cili me fjalët e zjarrta dhe me flagën e dashurisë s’atdheut, që përmbante në vehten e tij fisnike, nuk linte asnjë rast me zërin e tij të fortë, që shpërthente si bubullimë, pa mos i çfaqur haptazi mendimet dhe ndjenjat, që i valonin pa rreshtur në kraharorin e tij, për t’i treguar ato që ndjente edhe për t’i bindur të tjerët se e drejta edhe e vërteta duhet të dalë në dritë, siç dolli, dhe aqë shumë mallëngjehej sa kur shifte, derthte lotë dhe qante, qante prej dhempshurisë!

Në patriotizmë qëndronte i patundur, pa ligësi shpirti, as dredharak, pa asnjë pikë interesi, por përkundrazi, ay vetë nga pak a shumë sa kishte, jepte me dorë plot. E ndjente për detyrë edhe e kishte për krenari. Ndihmonjës i çdo çështje kombëtare, shpirtndrituri sa rrojti, i solli nder Kollonisë së këtushme dhe kombit përgjithësisht. Dhe me ç’do fjalë të bukura shpirtnore, dhe me ç’do farë ndihme pa përtim, mund të them, ka qenë një shtyllë e fortë edhe e ndritshme, një nga më të parët nismëtarë të kësaj kollonie kreshnike.

Thanas Kantili si mirëbërës i të varfërve, prapë qëndronte në krye të ç’do vepre mirësije me dorëgjerësin’ e tija të pashëmbëlltë. Ç’do njeri që e shkelte edhe që ndjehej në nonjë nevojë, Thanasi kurrë nuk e përcjellte nevojtarin të dalë dorëzbrazur nga pragu i derës së tij. Me sa vura re edhe unë vetë, prej aqë kohe që e njihnja, me gjithë që fshihej kur bënte të mirën, shumë herë shëkonja që hynin, herë pleq, herë gra të veja, të varfër si nga t’anët, si edhe të tjerë, të huaj, që Thanasi të mos u jepte disave atë çast, edhe disave që u jepte muaj për muaj, nga një sumë, duk’ i përcjellë gjithmonë me një të qeshur në buzë: e bënte të mirën me të djathtën pa të dijë e mëngjëra!

Thanasi si krye i familjes së vet, qe aq i mirë dhe i urtë, sa nga urtësija e tij nukë kuxonte të nxjerrë nga goja një fjalë të keqe, një përtim apo një të sharë kundra bijve të vet, por duke pandehur gjithmonë që fëmija e tij vetvetiu t’ia kuptojë mendimin që ushqente, edhe dhempshurinë atnore që kish për ta, do të mundin të shkelin po në gjurmat e tij. Por në këto të pakta fjalë, nuk mundet t’i bëhet apollogjija e të gjithë veprave të tij, e gjithë jetës së tij, siç ka qenë një karakter i pashoqtë, si një pasqyrë e kulluar, të cilën shumë veta duhet t’a kenë para sysh, për t’udhëzuar edhe për t’i vazhduar gjurmat edhe faktet e mira të tij. Thanasi në jetë s’kish as armiq, se ishte i zoti që kundërshtarin t’a përballë, ta zbutë me fjalë të ëmbla dhe me sjellje vërtet bujare. Në dyqanin e tij, si të dorës së tretë, shifnje njerëz të dorës së parë, nëpunës të lartë, politikanë, artistë si edhe shkrimtarë të shquar të këtij vëndi, të rinë me të në fjalë e të kuvendojnë, të kënaqur prej tij, nga ç’do pikëpamje të sjelljes së tij.

Pa le më një patriot kur i vinte. Nuk dinte si e si t’a presë sa më mirë. Thanasi s’kishte mësime por ishte i zoti të japë mësime. E dëgjonte tjetrin me durim edhe jepte këshilla. Kish dhembje për ç’do send në vehte të tij, por ndjente edhe dhembjet e të tjerëve dhe vuante ai bashkë me ta. Ishte dikush i brengosur, ay e ngushëllonte. Ish aq zemërbardhë sa shpesh herë vinte gjer në sakrificën e vet, si një dëshmor! Tani që na la, dhe vajti në prehje pas një mbarimi jete aqë tragjik, le të thomi: Kujtimi i tij qoft’ i përjetëshmë! Edhe i Madhi i jetës, t’i bëjë vënd prehjeje me të shkëlqyer, atje në gjirin e Abrahamit, si shpirtmirë që ish! Perëndija e ndjeftë!

Përkrahësi shqiptarëve që kanë shkelur tokën e këtij vendi liriprurës

Pas Asdrenit foli ekonom At.Steliani, një fjalim tepër të gjatë, duke treguar mjaft mirë shpirtin e të ndjerit Th. Kantili. Një fjalë tjetër mbajti kryetari i Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit, Nikolla Xhorxhesku. Pas këtij foli zoti Nikolla Tabaku, i cili në rmes të tjerave tha: “Në një kohë rreziku për Shqipërinë, shqipëtarët e Bukureshtit ishin mbledhur dhe po bisedonin se ç’masa duhet të marrin për të mirën e vëndit. Thanas Kantili i cili nga hera ka qenë plot kurajo dhe guxim ka thënë me një rast: “Ne jemi këtu deputetët e Shqipërisë, pra neve na mbetet bara për shpëtimin e Shqipërisë”. Serën e fjalimeve e mbylli Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), nga ana e Shoqërisë së Studentëve Shqiptarë të Rumansisë:

“Të pikëlluar Miq! Pas një perëndimi të ngadalshmë e plot dhembje, u këput midis nesh, veterani Thanas Kantili, një nga kollonat e gurta të Kolonisë Shqipëtare të Bukureshtit, të cilën e pat nderuar edhe ndriçuar me zellin dhe veprën e tij. Atdhetar kur s’kish Atdhe, Shqipëtar kur s’kish Shqipëri, luftëtar kur shokët ishin të rrallë, i veneruar plak Thanas Kantili punoi një jetë të tërë me zell të palodhur, që t’i japë flakë e gjallëri një ideali të vetëm: liria e Atdheut. Këshilltar, nënëkryetar dhe kryetar i Kollonisë Shqipëtare, dhe anëtar i saj i pandarë, zëri i tij tingëlloi rradhë pas rradhe, në të gjitha mbledhjet kombëtare, të mbajtura në Bukuresht dhe gjetkë.

Edhe Kongresi Kombëtar i Trieshtës, e dëgjoi zërin e tij sulmonjës me fjalë të arta, i cili u jepte gjallëri ndjenjave. Thanas Kantili, ushtar i thjeshtë i detyrës, ka qenë kurdoherë edhe një nga përkrahësit e pakursyer të intelektualëve shqiptarë, të cilët kanë shkelur tokën e këtij vëndi liriprurës. Për shërbimet e çmuara, të sjella çështjes kombëtare, Shoqëria e Studentëve Shqipëtarë i shfaq homazhin e saj, duke u zotuar të shkelë pas gjurmave të dukshme që la prapa tij. I qoftë e lehtë toka e mërgimit!”.
"I never gave anybody hell! I just told the truth and they thought it was hell."~Harry S. Truman

User avatar
Arta
Sun Member
Sun Member
Posts: 1515
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:44 pm
Gender: Female
Location: USA

Re: Boboshtarët e Bukureshtit

#5

Post by Arta » Sat Apr 10, 2010 6:01 pm

Thanas Kantilit dhe Kisha Shqiptare e Bukureshtit

Sipas Lasgush Poradecit, festa më e madhe e Kolonisë dhe kishës shqipe të Bukureshtit ishte 28 Nëntori: Dita e Flamurit dhe Shën Gjergji: Emri i Gjergj Kastriotit. Këto kremtime bëheshin me bujën dhe madhështinë më të madhe, duke e ftuar në Seli të Kolonisë dhe në kishë autoritetet dhe personalitetet më të larta të vëndit, me mbretin në krye të të gjithëve. Ftoheshin dhe përfaqësitë e huaja, ambasadorët, ministrat, konsujt, të cilët në atë atmosferë ngazëllonjëse të botës shqiptare i jepnin kishës dhe festës një madhëri dhe një madhështi të rrallë.

Kisha qe e mbushur përplot, dhe tri të katërtat e të pranishmëve rinin nga mungesa e vëndit jashtë në obor, bukur të rrethuar dhe të stolisur për atë festë. Aty jashtë në obor, më të djathtën e hyrjes kryesore të Kishës qëndronte i vendosur me shkëlqim flamuri i Kollonisë, i cili ishte më i madhi dhe më i bukuri nga gjithë flamuret e shoqërive dhe organizatave të Bukureshtit që kishin flamur. Flamuri i Kolonisë shqiptare ishte i kuq me shkabën dykrerëshe në mes, qe bërë prej mëndafshi të qëndisur rreth-e-përqark me bufka të arta dhe kishte më një anë dy esharpa, njëra e kuqe, tjetra e zezë, të cilat mvareshin me hijeshi prej majës së shtizës gjer përposh. Shumë i rëndë ishte flamuri dhe nga ky shkak e mbanin përherë dy veta, njëri tosk, tjetri gegë, të mveshur secili burrërisht me robet e tyre kombëtare.

Kurse kjo ishte pamja e përjashtme e kishës nër festat më të mbëdha të saj (28 Nëntor dhe Shën Gjergj), përbrenda ajo shkëlqente nga uniformat dhe robat e zyrtarëve, po më shumë nga fryma shqiptare që frynte në zemra. Dhe pas Te-deumit të shërbyer në gjuhën e ëmbël nënore, vinte fjalimi i parë i rastit i mbajtur prej një personaliteti nga më të lartët e vëndit, i pasuar prej fjalimesh të shqiptarëve, të cilat kurdoherë më çdo festë, kurorëzoheshin në fund prej veteranit të madh Thanas Kantili, të zjarrtit, të flaktit, të djegurit dhe të zhuriturit luftëtar të Kolonisë në Rumani.

Ky me gjith natyrën e tij zakonisht hijerëndë, kur fliste në kishë në këto festa kombëtare nuk e përmbante dot veten nga mallëngjimi gjer në mbarim të fjalës, po i shpërthenin lotët mu në mes duke e përfunduar pastaj me fjalët e papritura: Rrofsh moj rrofsh! Ti do të rrosh e do të jesh moj Shqipëri! Dhe kisha mbaronte kështu në mes të gëzimit dhe të dashurisë, që ish gëzim kombëtar dhe dashuri kombëtare, dhe anëtarët ktheheshin nëpër vatrat e tyre me shpresën më të rritur për mëmëdhenë.
"I never gave anybody hell! I just told the truth and they thought it was hell."~Harry S. Truman

User avatar
Arta
Sun Member
Sun Member
Posts: 1515
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:44 pm
Gender: Female
Location: USA

Re: Boboshtarët e Bukureshtit

#6

Post by Arta » Sat Apr 10, 2010 6:03 pm



Ja edhe Boboshtica sot!
"I never gave anybody hell! I just told the truth and they thought it was hell."~Harry S. Truman

User avatar
Arta
Sun Member
Sun Member
Posts: 1515
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:44 pm
Gender: Female
Location: USA

Re: Boboshtarët e Bukureshtit

#7

Post by Arta » Sat Apr 10, 2010 6:13 pm

Ju rrefej boboshtarin, shqiptarin e famshem, Viktor Eftimiu

Klasiku qe lindi ne Plevice, me 21 Janar te vitit 1889,ne fshatin Boboshtice me mana te kuqe te rrethit te Korces.Nena e tij Marina nuk arriti te hynte ne shtepi,kur e zune dhimbjet e lindjes ,dhe Viktori u lnd ne plevice afer shtepise se tij,ku ndodhet edhe sot e kesaj dite...

Image

"Ne zerin e cdo kengetari ligjeron toka e vendlindjes,sado larg qe te jete ajo dhe sado vrage ta kene ndare prej afshit te saj "

Keto jane fjale malli ,fjale qe dalin nga shpirti i nje mergimtari ,qe ne cdo hap qe hedh ,ne syte e tij eshte e fotografuar vendlindja ,ne mendjen e tij eshte vendlindja,toka nga ai vjen.Eh,vendlindja,vendlindja ...

E tille te mbetet ne kujtese deri ne diten qe mbyll syte...Keto jane fjale malli e nostalgjie te dala nga zemra ,mendja dhe goja e nje njeriu te shquar ,qe ka lene pas nje kolorit te cmuar veprash artistike letrare. E zgjodhen akademik,minister,e quajten klasik,mori cmime ,dekorata,tituj nderi ,miku i ngushte i Stefan Cvajg-ut,shkrimtarit te famshem austriak, aktorit te famshem shqiptar Aleksander Moisiut,por mes lavdise dhe penes nuk harronte kurre te vinte origjinen e tij :Prej BOBOSHTARI,prej SHQIPTARI...

Ky eshte akademiku,klasiku,shkrimtari,dramaturgu,poeti,eseisti,njeriu i letrave rumune ,shqipe,ish-Ministri i Arsimit te Rumanise,nje njeri universal,arumuni,shqiptari,boboshtari,Viktor Eftimiu...Por le t'i hedhim drite e perjetesi vepres se Viktor Eftimiut...Kush eshte Viktor Eftimiu.,..Klasiku qe lindi ne Plevice, me 21 Janar te vitit 1889,ne fshatin Boboshtice me mana te kuqe te rrethit te Korces.Nena e tij Marina nuk arriti te hynte ne shtepi,kur e zune dhimbjet e lindjes ,dhe Viktori u lnd ne plevice afer shtepise se tij,ku ndodhet edhe sot e kesaj dite...

Viktori ka lindur nga prinder autoktone boboshtare,eshte nje nga femijet e Gjergo Cavos dhe Marines ,vajzes se Ikonomit (Ekonomu),mesonjesit te vetem te fshatit te shekullit te 19-te.Gjyshi i tij Ikonomi do te ndikonte shume ne rritjen dhe edukimin e Viktorit dhe per Viktorin ,gjyshi i tij do te mbetej mesonjesi dhe udherrefyesi i perjeteshem i tij.Ja si eshte shprehur Viktori per gjysh Ikonomin:-Ishte nje burre shtatlarte ,me mjeker te bardhe i zgjuar dhe i drejte ,nje artizan e mbaruar qe tregonte bukur.Sa me shume kalonin vitet e kuptoja se c'domethenie kane patur per mua gjaku dhe mesimet e trasheguara nga gjysh Ikonomi.

Image

"Ai nguliti te une ndjenjen e dashurise per fshatin e lindjes ,Boboshticen,qe Viktori nuk e harroi kurre.".Nje tjeter njeri qe ka luajtur nje rol te madh ne formimin ,e Viktorit duke e ndihmuar ate edhe nga ana finaciare dhe te emigronte ne Rumani ,ka qene edhe vellai i madh i Viktorit,Stilian Cavo,nje njeri me nje kulture te gjere,zoterues i 5 gjuheve te huaja dhe krijues i dy pjeseve nje tragjedi greke "Heros ",dhe "Martel",drame mesjetare,te cilat jane luajtur nga trupa e Teatrit te Bukureshtit".

Duke emigruar ne Rumani,qendra ku ai jetoi dhe zhvilloi veprimtarine e tij te larmishme , do te ishte Bukureshti.....Viktor Eftimiu me penen e tij te arte ,stilin e tij te mrekullueshem,me mendjen e tij te ndritur i ka falur kultures rumune ,letrave rumune ,por edhe letrave shqipe,60 mije vargje,mbi 150 libra ,me poezi dhe poema ,drama,komedi,romane,novela,tregime,libra per femije,potrete e kujtime ,aforizma,esse,artikuj kritke per boten e skenes ,te gjitha fale talentit te lindur,punes se palodhshme ,me nje vullnet te admirueshem,.Besnik deri ne fund te jetes se tij i Rumanise ku zhvilloi talentin e tij te fuqishem,veprimtarine e tij.Nje liber voluminoz me poezi eshte "Ode e gjuhes rumune".

Me 28 Nendor 1932,per nder te festes se Pavaresise nje trupe artistike "Flaka",ne Konstance te Bukureshtit shfaqi dramen "Kendezi i zi".Shqiperimet e para te dramave dhe komedive te Viktor Eftimiut jane "Akimi",,"Nusja e kuqe","Kendezi i zi",,"Osman opingaxhiu",(komedi nga jeta shqiptare),romanin"Dy qirinj",komedine "Njeriu qe pa vdekjen me sy",,botuar ne mesin e shekullit te kaluar,ne Tirane ,biles me vone u vu ne skene nga Trupa e Teatrit Kombetar Shqiptar,dhe une kam pasur fatin ta shoh kur studioja ne Tirane.Sigurisht shqiperimi i ketyre veprave u be me lejen e tij,dhe disa prej tyre u perkthyen nga shkrimtari dhe publicisti,,i cili u nda para pak ditesh nga jeta ,I MADHI DHE I SHQUARI PUBLICISTI ,SHKRIMTARI,i ndjeri ,boboshtari Dionis Bubani.

Apo "Valsi i Titanikut,vene ne skene nga aktoret e shquar te kombit tone Alfred Bualioti dhe Anton Qesari.Biles disa nga veprat e Viktorit ne shqip do te dilnin ne te njejten kohe me "Vargjet e lira ",te Migjenit ,"Raca shqiptare",te Jakov Milajt dhe 'Kosova-djepi i shqiptarise ",te Hamit Kokalarit. Me 1 korrik 1971,Viktori do te behej Anetar Nderi I lidhjes se Shkrimtareve dhe Artisteve te Shqiperise....ku shkrimtari shume i emocionuar,per nderin dhe respektin qe po i behej ne vendlindjen e tij, do te shprehej, se sa shume i mungonte atdheu i tij:

Image

Une jam si nje rrenje lisi e shkulur qe tok me veten merr edhe plisin e dheut.

Ja nje poezi qe shkrimtari ja kushton vendlindjes:

"Kujtoj horizontin me lulet e qershise

Atdheun tim,dhe detin,dhe qiellin blu

Rreth tyre po afrohen tani

Te njejtat festa

Dhe erera te njejta po zhduken larg diku

Atje cdo mbremje

Bie e bute dhe ngadale

Mbi male shtron kuroren

Te zjarrta si flamure

Dhe pyjet po ofshajne

Therrasin me gulcim

Ate qe u largua dhe ndoshta s'kthehet kurreâ€

Ja si i kendonte shkrimtari ,ndjenjes se bukur te dashurise,qe secili nga ne e ka pasion,eshte ndjenja qe te rinon:

Me duket shekull,viti ne agim

Ndersa ai qe iku

Shkoi nxituar

Sa keq,me vjen per cdo cast te kaluar

Kur nuk u ndodhem prane ,shpirti im

Pse i debuam oret e gezimet?

Teper te gjata ishin edhe largimet

Oh sa boshlleqe ditet tona kane

Ti me dhuron e dashur :LUMTURINE!

Ndjej nje pendim ,keqardhje per rinine

Per cdo sekonde qe nuk u ndodhem prane.

Image

Kthimi i Viktor Eftimiut ne atdhe pas 68 vjetesh dhe mikpritja boboshtare...Shkrimtari i madh ,do te kthehej ne vendlindjen e tij,ne fshatin e tij te lindjes,Boboshtice,pas 68 vjetesh,ne moshen 82 vjecare.Ai u prit me nje entusiazem,madheshti dashuri,ngrohtesi,mirenjohje,respect,ku ju hapen portat e shtepise, nga bashkefshataret e tij,nga vellezerit e tij boboshtare,ne qender te fshatit .Boboshtaret treguan vlerat e tyre ,shpirtin dhe zemren e madhe pej boboshtari,prej shqiptari,shpirt vellazeror,edhe femija i djepit u gezua qe kishte mes tyre birin e fshatit .

Femije te moshave te ndryshme te veshur me kostumet tradicionale arumune te zones,kishin mbledhur lulet me te bukura e te fresketa ,per Njeriun e Shquar,Viktor Eftimiun....

Rruget e fshatit ishin fshire e pastruar taze ashtu si ishin ne kujtesen e ketij burri te famshem boboshtar,nje qilim sipas tradites arumune ,si i thone boboshtaret ne zhargonin popullor "Me rrote",qilim qe vetem duart e arta dhe mendja e ndritur e grave boboshtare dine ta bejne,ishte shtruar ne qender te fshatit,aty poshte manave te kuqe.Ja si shprehet shkrimtari per fshatin e tij te lindjes,Boboshticen: Rrugica e pare qe me ka mbetur e skalitur ne mendje ,eshte nje rrugice plot diell dhe e fshire taze,rruga qe vjen nga Korca ne Boboshtice.

Ai ishte shume popullor dhe i shpenguar ne bisedat me njerezit e tij boboshtare qe e kishin pritur aq gjate...

Nderhyrja e shkrimtarit per lirimin e Aleksander Moisiu dhe telegramet drejtuar qeverise franceze per lirimin e Avni Rustemit.

Viktor Eftimiu,megjithse larg vendlindjes ai bente te pamunduren te krijonte dhe mbante lidhje me bashkeatdhetaret e tij kudo ishin. Fale lidhjeve te tij miqesore,influences se tij ne qarqet europiane,ballkanike,kredive te tij te besueshmerise ,ne vitin 1915,ai nderhyn me nje guxim te papare duke mos ju trembur asnje pasoje qe mund t'i ndodhte ,per lirimin e aktorit te famshem shqiptar me permasa boterore ,Aleksander Moisiut. Aleksander Moisiu ishte kapur rob lufte ,ne France dhe ishte vendosur ne nje kamp perqendrimi ne ujdhesen e Bretanjes.

Image

Jeta e tij ishte ne nje rrezik ,sa pritej nga momenti ne moment ,eleminimi fizik ,apo vdekja e aktorit te famshem.Duke njohur reputacionin qe kishte Viktor Eftimiu ,ne qarqet e larta europiane dhe franceze,gruaja e ardhshme e Aleksander Moisiu Johana Tervin,merr takim me njeriun e famshem boboshtar,ku i thote se jeni ju i vetmi njeri qe mund te realizoni lirimin e Aleksander Moisiut,duke i vene nje plan lirimi mbi tavoline ,Viktorit, i cili e zbatoi me perpikmeri...Viktori ,nderhyn ne Ambasaden franceze ne Bukuresht,dhe aktori i madh lirohet duke u shkembyer me nje gjeneral francez te kapur prej gjermaneve.

Me pas kur Avni Rustemi ,vrau Esad Pashe Toptanin ,ne Parise,Viktorui do te dergonte telegrame te shumta ,dhe o te shkruante ne shtypin europian ,per lirimin e Avni Rustemit.Shkrimtari ,i madh ka qene ne krye te listes me 1800 korcare, ,ku krahas emrit te tij ishte edhe fshati i lindjes Boboshtica ,ne nje mesazh qe i drejtuan presidentit Wilson,te parandalonte masakren shoviniste ,ku rrezikohej pavaresia e Shqiperise...Ne nentor te vitit 1972,Viktori vjen per here te dyte ne Shqiperi per te marre pjese ne 60 vjetorin e Shpalljes se Pavaresise ne Vlore,por ai nuk mundi te merrte pjese ne festimet,per shkak te nje insulte celebrale ,ku me pas humbi ndjenjat...

Njeriu i famshem boboshtar,do te mbyllte syte pergjithmone me 27 Nentor 1972...Rumania humbi njeriun qe i fali aq shume kultures rumune ,njeriun qe i dha fame Rumanise ,me letrat e tij,me shkrimet e tij,ne shtypin europian ,boteror.Rumania humbi NJERIUN E FAMSHEM,ARUMUNIN ,TE MADHIN ,POR TE PAVDEKSHMIN NE VEPER,BOBOSHTARIN, SHQIPTARIN....VIKTOR EFTIMIUN....

Ai eshte mburrja ,krenaria jo vetem e rumuneve ,por edhe e Shqiptareve,Njeriu qe ka lene nje mesazh ,per brezin e ardhshem te artisteve:"Nje shtet i qyteruar ,duhet t'i paguaje mire artistet e vet".Dhe kjo eshte mese e vertete..Jane artistet,shkrimtaret ,njerezit e letrave qe ngrejne figuren e nje kombi,qe integrojne nje komb ne boten e qyteruar,qe integrojne identitetin kombetar ne nje toke te huaj! Prehu i qete se Atdheu jot,Boboshtica jote ,nuk te harrojne kurre!

Raimonda Moisiu.Hartford Ct.USA.
"I never gave anybody hell! I just told the truth and they thought it was hell."~Harry S. Truman

Post Reply

Return to “Diasporë dhe komunitete”