Dita e Aristidh Koles.
Posted: Sun Oct 11, 2009 2:49 am

Dua te sjelle ketu vjershen e Kolec Traboinit kushtuar A. Koles:
Poezi per Aristidh Kolen
Nuk mund ti vihen pranga dritës
e diellin në varr ta groposin, nuk mund
ndaloni - ai që keni në duar
është një mal drite
por dhe Himalajë në shpirtin tonë.
Tepër i rëndë për ta mbajtur gjashtë burra
në atë arkivol prej drurëve të këtij dheu
është flaka e zjarri i Prometeut
që u mësoi popullit të vet sekretin
si ta ndezin pishtarin e dritës
e për ta mbrojtur atë dritë, si të vdesin.
Për këtë u zemeruan zotërit e Olimpit
e vranë,
jo në Kaukazin e largët
as në mitologjinë helene
por në Athinën moderne
ku natën të vrasin e ditën të qajnë.
Si mund ta zërë varri atë farë vigani
atë që mbi kokë pranonte veç qiellin
që e pagoi qëllimin me lirinë e jetën
si mund ai dheun e zi ta durojë
- Mbahuni burra, mos qani, qëndroni
e jo si ushtarë të drobitur pas beteje
por si ata që luftën fillojnë
Jeni arvanites, bijtë e nipërit e revolucionit
të Kollokotronit dhe të Marko Boçarit
që bënë epokë permes luftrash e zjarrit
ju shqiponja me krahët e lirisë
që ky 11 tetor 2000 akull në gjoks ju vuri
ndaloni, e puthni në ballë
i vini në thilenë e gjaketës trëndafilin
të kuq si gjaku në flamurin tonë
t’ua tregojme vrasëve skutave të Akropolit
se zemra e tij në zemrën tonë rron.
Ti themi ne shqiptarët e gjithë botës:
Ari, ti e di se sa të deshëm
tek ti kishin dashurinë
ëndrrën si flamur shprese
se edhe ti ishe si ne
bir i zogut të qiellit, shqiponjë
kënga arvanite, kapedanët e detit
trimat që bien por kurrë nuk vdesin
Aristidh Kolia, gjaku i gjakut tonë.
Po qan një arvanitas i vogël
tek pragu i portës
në Thivën ku ti ke lindur, belbëzon
me fjalët e lashta sa vetë bota:
- Nana du klumësht! Nana don...
Nuk mund ti vihen pranga dritës
e Diellin në varr ta groposin, nuk mund!
hijenat e erresirës me kot skërmitën
zjarrin që ti ndeze, ta shuajnë nuk mund!
KOLEC TRABOINI
Tetor 2000
--Albanopolis 17 Gusht 2009 03:08