Page 1 of 1

19/21 MAJ: Fustanella Festival

Posted: Fri May 19, 2017 9:09 am
by Adriana
Më 19 maj Gjirokastra mirëpret festivalin më të ri, i cili ka në vëmendje të tij trashëgiminë kulturore. Kështu në kuadër të “Fustanella Festival” do të festohet duke kujtuar fustanellën një nga veshjet tradicionale të shqiptarëve nga 19 deri më 21 maj, sa edhe do të zgjasë festivali. Fustanella do të kthehet në veshjen më të kërkuar gjatë kësaj kohe në kalanë e Gjirokastrës dhe në rrugicat e saj…

“Fustanella Festival”, që do të mbahet më 19 maj në Gjirokastër, edicion i parë që kthen vëmendjen te trashëgimia kulturore… Rreth Fustanellës – si një nga elementet më të bukura që estetika e lartë e popullit shqiptar në të kaluarën ka imponuar jo vetëm në viset shqiptare por edhe te fqinjët jugorë dhe në të gjithë rajonin ballkanik e deri në oborret mbretërore të lindjes së mesme. Një kostum që mahniti jo pak të huaj që do të përdoret si flamur për atë çka na bashkon dhe jo ç’na ndan me fqinjët. Një festë muzikore e përbashkët me rrënjët në identitet por e jetuar në modernitetin e një bote globale. Vishe dhe ti! – është motoja e organizatorëve. Kështu në kuadër të “Fustanella Festival” do të festohet duke kujtuar fustanellën, një nga veshjet tradicionale të shqiptarëve./MAPO/






Image

Re: 19/21 MAJ: Fustanella Festival

Posted: Sun May 21, 2017 3:08 pm
by Laberia
Mirela Kumbaro vesh “fustanellën”, Auron Tare: S’është fustanellë, por fund grash
May 19, 2017 15:33
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, së bashku me drejtorin artistik të “Fustanella festival”, Robert Bishën, ka veshur një fund të bardhë pëlhure që e quan “fustanellë”.

“Marrëveshja për Fustanellën u arrit! Unë dhe Robert Bisha ramë dakord që Fustanella Festival do të mbahet në datë 19 – 20 – 21 MAJ, në Kalanë e Gjirokastrës. Fjalë burrash! Dhe grash!”, ka komentuar me krenari në Facebook ministrja e Kulturës pasi ka pozuar me një fund të bardhë të këtij festivali të veshur mbi teshat e veta para fotografisë së Azem e Shote Galicës.

Duke pozuar me qëllim promovimin e festivalit Bisha dhe Kumbaro kanë mbajtur të njëjtin qëndrim me atë të heronjve të kombit.
Nëse, të imitosh heronjtë, është humor apo performancë artistike, çështja mbetet vërtetë për t’u diskutuar, sidomos kur bëhet fjalë për sjelljen e një ministri e jo të një artisti të lirë me heronjtë e kombit.

Pas postimit të kësaj veshjeje që ka qëllim promovimin e fustanellës, i pari që ka reaguar është Auron Tare, i organizatës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, i cili i drejtohet ministres në Facebook me këto fjalë:

“Më falni dhe ndjese për komentin, por duke qenë nga Labëria dhe si person që e respekton shumë fustanellën dhe e vesh atë edhe në vizita apo aktivitete jashtë Shqipërisë, më duhet të them se ajo që ju keni veshur mund të jetë gjithçka përveç se fustanellës. Ndoshta një fund grash i bardhë apo diçka tjetër. Faleminderit për mirëkuptimin.”

A është vërtetë një fustanellë kjo që me të cilin ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro promovon veshjen tradicionale për “Fustanella Festival”. festivali ka për qëllim rikthimin e fustanellës, një nga veshjet tradicionale të shqiptarëve.

Po t’i drejtohemi enciklopedisë etnografike shkruhet se “fustanella është një veshje popullore burrash e trashëguar në vise te ndryshme të shqiptare në Jug e Veri.

Fustanella ka trajtën e një fundi shumë të gjerë, me shumë pala në formë trapezi, të qepura së bashku e të mbledhura me rrudha të dendura tek beli. Copa ishte pëlhure shtëpiake e bardhë prej pambuku e liri. Fustanella dokumentohet të jetë që nga shek IV – III para erës sonë, në disa gjetje arkeologjike”.

Etnografi hungarez, baroni Nopça, besonte se fustanella shqiptare apo ilire, ishte modeli mbi të cilin u ndërtua veshja ushtarake romake./shqiptarja.com

http://www.gazetadita.al/mirela-kumbaro ... und-grash/

Re: 19/21 MAJ: Fustanella Festival

Posted: Sun May 21, 2017 3:19 pm
by Laberia
“Kur pashë Konicën, kuptova që fustanella shqiptare nuk ishte fustanellë qesharake greke”

20/05/2017 22:28

Nga Auron Tare

Një koment mbi shpërdorimin e imazhit dhe rëndësisë historike të fustanellës tonë paraqitur në foto nga një zotëri në krah të ministres sonë të Kulturës është kthyer në një lajm në mediat tona online. Më vjen mirë që në zallamahinë e lajmeve mbi mbylljen e çadrës dhe marrëveshjes politike media i kushton vëmendje edhe çështjeve të trashëgimisë. Që zotëria në foto e përdhos imazhin e mrekullueshëm të fustanellës, një prej simboleve tona kombëtare, kjo nuk ka asnjë diskutim nga kushdo që e njeh sado pak këtë veshje kombëtare.

Fustanella jonë, një prej veshjeve që ka frymëzuar një sërë artistësh dhe figurash të rëndësishme evropiane, është sulmuar shpesh jo si një veshje pa vlerë, por pikërisht për vlerat e mëdha historike dhe estetike që mbart ajo. Fqinjët tanë me mund dhe me mjaft përpjekje kanë arritur të përdorin fustanellën edhe pse në një version femëror në Gardën e tyre Kombëtare duke dashur ta përvetësojnë sado pak këtë simbol të elegancës burrërore shqiptare.

Por që fustanella jonë të përdhosej kaq keq dhe aq më shumë në krah të Ministres së Kulturës nuk kishte se si të mos më bënte të ndihesha keq. Jam ndjerë keq ashtu siç jam ndjerë keq kur Muzeumi Benaki i kishte kushtuar një album të tërë fustanellës dhe motiveve të saja të pikturuara nga Leon Jerom duke dashur t’i përvetësonte ato si pjesë e kulturës greke. Por një shqiptar në krah të Ministres së Kulturës me atë lloj beze trikotazhi si imazh i fustanellës më dha një ndjesi përzjerje njësoj si ato gratë e veshura me zhizha turke në fillimet e viteve ‘90.



Për shqiptarin me fustanellë me zhizha në krah të Ministres së Kulturës po sjell disa rreshta nga i madhi Noli për fustanellën tonë kombëtare.

“E kam takuar Konicën për herë të parë më 1909. Ishte diçka që nuk kam për ta harruar kurrë. Më kishte shkruar nga Londra se do të vinte në Boston i veshur me kostum shqiptar. Ideja ishte që të dilte fotografia e tij në gazetë dhe të shfrytëzohej rasti për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare, e cila ka qenë pasioni i gjithë jetës së tij. Unë mbeta i shtangur. Si prift ortodoks i modës së vjetër, në atë kohë unë vetë mbaja një mjekër të gjatë të zezë, për të cilën më duhet të pranoj se nuk u pëlqente djemve të Bostonit. E merrja me mend se sa do të dëfreheshin ata djem po të më shihnin duke ecur me një burrë të veshur me fustanellën shqiptare.

Ndonëse nuk kisha parë kurrë ndonjë fustanellë greke, një lloj fundi i balerinave. Unë isha i shkurtër e i bëshëm, Konica ishte e i thatë, kështu që të dy do të dukeshim si Don Kishoti me Sanço Pançën të arratisur nga ndonjë cirk. Sa u habita këtë herë kur pashë se djemtë e Bostonit e harruan gjithçka lidhur me mjekrën time dhe thjesht zunë të shihnin Konicën me adhurim. Atëherë e kuptova se fustanella shqiptare nuk ishte fustanellë qesharake greke, por diçka që i ngjante kiltit të skocezëve dhe se i përshtatej shumë një burri të pashëm si Konica.

Meqë ra fjala, lexuesi mund ta gjejë në librin e Konicës ndryshimin ndërmjet kostumit grek dhe veshjes shqiptare: është e vërtetë se grekët e kanë përshtatur nga shqiptarët, por ata u përpoqën ta stërhollojnë sa që e bënë një veshje grash me aq sa mundën”.


http://www.tiranaobserver.al/news-item/ ... ake-greke/