IV.
RACA SHQIPTARE NËPËR SHEKUJ
NDIKIMET NË GJAK DHE NDIKIMET NË GJUHË E QYTETRIM - KOLONIT GREKE DHE PUSHTIMI ROMAK - DYNDJET E SËRBVET E TË BULLGARVET - DIASPORA E PARË SHQIPTARE - MYSLIMANIZMI DHE RACA - SHQIPTARËT NE KOSOVË - SHQIPTARËT E MËDHENJ.
Të flaç për origjinën e largët të një populli evropian, nuk ke thënë kurrgjë për racën e tij, pse dyndjet e shumta të popujvet që kanë mbushur faqet e historis së mesme e të ré, që nga shkatrrimi i Romës gjer në ditët t'ona, kanë lënë, pa dyshim, gjurmë të pashlyershme në kartën ethnografike të këtij kontinenti. Shumë popuj,dikur krejt të pastër për racë, sot janë ndryshuar kaq fort, sa që munt të thuhet se në venat e tyre qarkullon çdo lloj gjaku tjetër përveç atij të fisit q'i u ka lënë emrin ose, ndonjë herë, gjuhën. Shëmbullin më të gjallë na e japin Grekët e sotshëm. Thezin e shpallur nga Fallmerayer-i e përkrahin edhe anthropologët: shumë pak gjak i u ka mbetur fqinjvet t'anë të jugës nga Elenët e moçëm. Gjuha e Omerit mbulon me mantelin e sajë një tok Shqiptarësh e Sllavësh t'ardhur në Gadishullin elenik gjatë sundimit bizantin q' i a ka ndryshuar krejt vijat morfologjike dhe veçorit psiqike popullit vëndës.
Po ajo vëré munt të bëhet edhe për pjesën më të madhe t'ilirvet të vjetër. Fiset e tyre, të shumta në numër, ishin përhapur që përtej Danubit — Baviera, Austrija e Hungarija banoheshin prej tyre 1) — gjer në gjirin e Ambracis dhe një vijë që ndjek afër e ngjat kufirin e paraluftës midis Jugosllavis e Rumanis dhe Jugosllavis e Bullgaris i ndante, nga ana e lindjes, me popujt fqinjë q'ishin, edhe këta, të një gjaku me ta. Mbrënda këtij trekëndshi kaq të math, sot zë vënt një grumbull popujsh të ndryshëm: Gjermanë, Kroatë, Sërbë, Malazias, Bosnjakë e Hercegovinas, Bullgarë, Shqiptarë e Vllehë, pa përmëndur grupet e tjera më të vogla që janë
infiltruar më me pakicë. Për të kuptuar si kanë ndodhur këto shtrajtime ethnike, duhen përmëndur pa tjetër lëvizjet e fisevet të ndryshme që janë sjellë ndër këto vise e që kanë lënë në racë gjurmë të pashlyershme.
Edhe kur një popull, si Ilirët, zë vënt në një trevë të caktuar dhe heth rrënjë ndër viset më të përshtatëshme për banesë, nuk siguron pastërtin e gjakut për sa kohë popuj të tjerë, për arsye imperializmi ose pse vazhdojnë jetën endacake, hidhen në trevën e tij dhe ose e pushtojnë ushtarakisht ose depërtohen (infiltrohen) në të. Këta, në çdo rasje, i a turbullojnë pak a shumë qytetrimin dhe i a përziejnë gjakun. J. Brunhes, në veprën e tij La Géographie de l’Histoire i dallon lëvizjet e popujve «në lëvizje që ndryshojnë karakterin e racave pse veprojnë në turma të mëdha (racial drift) e në lëvizje që ndryshojnë vetëm qytetrimin e tyre (cultural drift), pse të riardhurit nuk bëjnë gjë tjetër veçse depërtohen, treten në popullsin e më parëshme të vëndit ; por edhe depërtimi (infiltrimi) nuk kalon pa lënë ndonjë ndikim në racë 2)».
Mendimi i këtij Auktori i përngjan, me gjithë se nuk përputhet, edhe përfundimit në të cilin arrin Pittard-i. Anthropologu zviceran mendon se shumë rrallë ndoth që një popull t'i japë veçorit e veta fizike një populli tjetër që pushton. Pikërisht këtë thonë edhe Gini, Martial-i e Genna. I pari flet mbi qëndresën e pamposhtur të veçorive anthropologjike të popujvet të sunduar për ball ndikimevet të popujvet sundonjës ; i dyti thot se metiçët e lindur nga kryqzimet e Galvet me Romakët i humbën dal-e-ngadalë shënjat e romanizimit për shkak të kryqzimevet të mëvonëshme me elementin vëndës ; i treti përmënt se si depërtimet e Asirvet të vjetër ndër Ebrej nuk kanë numdur të ndryshojnë përbërjen etnike të këtyreve të fundit, me gjithë se të dy këta popuj i përkisnin trungut semit 3).
Popujt që kanë patur të bëjnë me Ilirët gjatë shekujve kanë qënë kolonizatorë, pushtonjës ushtarakë ose migrantë endacakë. Këta nuk kanë patur kontakt të barabartë me të gjithë turmën ilirike të përhapur në një trevë kaq të madhe. Por, ndërsa ndrydhja e tyre ka qënë m'e fortë për disa fise e vise, ka qënë shumë m'e dobët ose nuk ësht ndier aspak ndër fise e vise të tjera. Disa nga këta popuj nuk kanë lëne gjurmë veçse në qytetrim; kurse disa të tjerë kanë lënë
shumë gjak ndër viset e pushtuara. "Vetëm ai grup i Ilirvet që më vonë u çqua me emrin Shqiptar, qëndroi m'i pastërti dhe, me gjithë se e ndjeu mjaft ndikesën e qytetrimit të huaj, mbeti gati krejt i paprekur për nga raca.
Por, për të kuptuar këtë të vërtetë, duhet të hyjmë pak në histori e të flasim, në vija të përgjithëshme, mbi trajtën e përpjekjevet që Ilirët e moçëm e Shqiptarët e mëvonshëm patën me të huaj.
***
Në jugë të viseve që banoheshin prej të parvet t'anë qëndronte një popull shumë m'i qytetruar e m'i organizuar se ata. Grekët kishin zënë vënt në një tokë të varfër. Për të jetuar në nivelin q'i u impononte qytetrimi, kishin nevojë për të shfrytzuar vise më të pasura të banuara prej popujsh që ata i thirrnin barbarë. Kishin, për ato kohë, një industri të përparuar dhe, mbi të gjitha, një tregti shumë të zhvilluar. I u shisnin «barbarvet» mallra të fabrikuar në qytetet e tyre të shkëlqyera ose të blerë ndër vise të tjera të Mesdheut dhe i u mirrnin ç'u duhej për të jetuar: drith, metale të çëmuarshme e çdo pasuri tjetër. Deti Mesdhé ishte qarkuar prej kollonive të tyre të lulzuara. Edhe në Bregun lindor t'Adriatikut, Grekët themeluan një vark qytetesh midis së cilave çquhen Buthroton, Phoinikon, Apollonia, Dyrrachion, Nymphaion e Lissus.
Ndikimi helen ndër këto vise ësht ndier më fort në kulturë. Në besim e gjuhë ka lënë vrraga të lehta. Por kudo, në një sipërfaqe të kufizuar. Në veri nuk largohej shumë prej rretheve të kollonis, ndërsa ne jugë, hinterlandi shtrihej diçka më tepër. Përveç skelave të bregdetit, në mes t'Apollonis e të Butrintos kemi edhe disa qëndra të tjera greke, sidomos në Mallakastër, që shërbenin si tregje ku, midis vendësvet e t'ardhurvet shkëmbeheshin prodhime bujqësore me lëndë industrore. Kultura q'u përhap në këto vise ishte greke. Por harti grek, diku diku merr trajta të posaçme që kanë lindur nga shpirti krijonjës i vëndit. Shëmbull: kapitelet e stilit apolloniat të zbuluara në Pojan nga Kryetari i Misjonit frëng Léon Rey. Por, sidoqoftë, mbetemi në fushën e kulturës. Përzierje gjaku nuk ka pasur aspak, ose ka pasur aq shumë pak sa që nuk vlen as të zihet me gojë.
Me pushtimin romak ndikesa e huaj bëhet shumë m'e fortë. Passi Mbreti i funtmë i Ilirvet, Genci, thyhet, zihet rop (në vitin 168 p.e.s.) dhe dërgohet në Romë për të stolisur karrocën triumfore të Pretorit Lucius Anicius, të gjitha tokët e Mbretris së tij e të fisevet të tjera bjenë dal-e-ngadalë në dorë t'ushtris së fortë të Qytetit të shiat kodravet. Populli ngadhnjimtar nuk ësht vetëm i fuqishëm ushtarakisht, por qëndron edhe shumë përpara në qytetrim. Ndikimi i tij, në krye i kufizuar, u përhap në të katër anët e tokës ilire, por nuk e romanizoi krejtësisht popullin që banonte në të.
Ky ndikim nuk qe i barabartë në të gjitha viset ; diku u ndie shumë më tepër e diku shumë më pak. Drejtimet e tij përputhen me ato q'u ndoqën nga legjionet ushtarake. Ndjekin pra rrugët e detit e ato të tokës që topografikisht nuk pengojnë kalimin. Në vija të përgjithëshme presioni romak u ndie më tepër në bregdetin dalmatin, rreth e rrotull rrugës Egnatia që shkonte nga Apollonia e Durrsi deri në Salonik dhe në luginën e Danubit. Në këtë të funtmen, sidomos, presjoni ka qënë shumë m'i fortë, pse legjionet e Romës kishin zënë vënt me shumicë jo aq për të siguruar arterjet më të rëndësishme të lëvizjes së tyre nga sulmet e vendësvet, se sa për të penguar, në një vark fortifikimesh, — q'u shtuan shumë më tepër në kohën e Justinianit e të perandorvet të tjerë të Bizancit — çdo mësymje të papritur të popujve nomadë e gjysëm t'egjër që vinin prej veriut e prej veri-lindjes. Kemi pra disa pjesë të tokës ilire shumë të ndikuara e disa të tjera, posaçërisht viset malore ose të varfra ekonomikisht ose ato q'u ndodhën lark këtyre rrugëve jetike për Romën, gati të paprekura.
Qytetrimi i Romës la gjurmë të pashlyershme në çdo sektor të jetës. Gjuha pësoi më fortë se të gjitha. Në shumë vise ilirishtja nuk u fol më dhe vëndin e sajë e zuri latinishtja. «Sikur të zgjaste edhe ca kohë ky zhvillim, thot Stadtmüller-i, atëherë gjuha e herëshme shqipe mbrënda një ose dy shekujve do t'i ishte shtrue krejtësisht romanizimit dhe Shqiptarët e sotshëm do të flitshin nji dialekt romak qi do t'ishte shumë i afërm me gjuhën rumune 4).»
Por, ndërsa qytetrimi e gjuha e ushtarvet të Romës u përhap ku më shumë e ku më pak në të gjithë Ilirin, asnjë historjan nuk flet për depërtim gjaku latin. Studimet anthropologjike, nga ana tjetër, e provojnë, siç do të shohim, këtë pastërti. Legjionet e Romës nuk patën kontakte të shumta me popullsin vëndëse. Nga viset e Ballkanit, vetëm në Dacje 5), e pra shumë lark prej tokës shqiptare, thot
historija, u themelua një koloni romane e shumtë në numër, por edhe kjo duhet të jetë larguar q'andej më 271 e.s., në kohën e Aureljanit, atëherë kur kërcënimi i Gotvet e kishte bërë të vështirë qëndrimin e sajë.
Nga ana tjetër, sundimi romak ka qënë shumë i butë me popujt e nënshtruar që nuk i qitnin ngatrresa. Ja ç'shkruan Patsch-i për të: «Romanët në luftë qenë t'egjër, e shtrojshin pa farë dhimbe çdo kryengritje. Por përkundrazi, kur sipëranija e tyne njihej e nderohej, atëherë i u jipshin të nënshtruemvet nji liri shumë të gjanë. Ata nuk u përkitshin në kombësin (mendo racën) e tyne, as në besim, as në kulturën qi kishin; edhe n'administratë i lijshin të lirë, për sa u jipshin leje interesat e Mbretnia, Ata nuk kërkojshin prej të nënshtruemve qi të shkriheshin e t’asimiloheshin me ta; por asht e dijtun se pushtimi prej nji populli të fortë, të dijtun e të përparuem, linte me doemos gjurmët e veta në popullin e mundun. Prej kësaj pune kuptohet lehtazi, qi të nënshtruemit, porsa shihnin se rifitimi i vetqeverimit të tyne nuk ishte i mundun, i shtroheshin gjëndjes së re, përparojshin, por tue ruejtë vetit kombtare 5)... »
Dhe duhet t'ishte pikërisht kështu. Ndryshe nuk ka si të spjegohet fakti që gati dy qint vjetë pas pushtimit nga Roma, fiset ilire e kishin akoma të ndezur ndjenjën e liris dhe, shumë ndër to, të prira nga Desetiatët e të komanduara nga Bato-ja, nisën kundër Romakve luftën për shkundjen e robëris, luftë kjo që zgjati plot tre vjetë (deri më 9 e.s.) dhe pati episoda të shkëlqyershëm trimërije 6)
***
Gjatë sundimit të Perandoris bizantine, popuj të shumtë racash të ndryshme i turren tokëvet të pasura të Gadishullit, i drejtohen shumë herë Kostantinopolit dhe e ndryshojnë kryekëput kartën ethnike të visevet ku shkelin. Shumë nga këta kalojnë nëpër krahinat ilire, por kalim meteorësh: vrasin, plaçkitin, pa lënë asnjë trragë tjetër. Kështu ndoth me Gotët, me Hunët, me Antët, me Hungarët, me Avarët 7).
Të huaj qenë edhe Venecjanët, Amalfitanët e Raguzanët që mbajtën shumë koloni në bregun e Adriatikut, por as përpjekjet me këta popuj nuk kanë ndonjë rëndësi, pse krijuan vetëm marëdhënje tregtare e jo lidhje gjaku. Nga këta, Venecjanët kanë pasur edhe një farë sipëranije politike ndër disa krahina afër detit. Më vonë Normanët e Angjevinët krijuan mbretrira që mbetën më këmbë për shumë vjetë; por kemi të bëjmë gjithnjë me sundime politike e ushtarake e jo me migracjone popujsh të tërë që munt të ndryshojnë gjakun e vëndasvet me të cilët përzihen.
Dy rreziqe i janë kërcënuar racës shqiptare gjatë sundimit bizantin: ai i greqizmit dhe ai i sllavizmit. Ndërsa i pari do të ndihej vetëm në gjuhë e në kulturë, i dyti do t'ishte me të vërtetë rrezik për çdukjen ose përzierjen e fortë të gjakut e prandaj do të kishte për rrjedhim shuarjen e njësis racore shqiptare në Ballkan.
Një farë ndikese të helenizmit e ndjeu populli i ynë porsa Perandorija e Lindjes u nda nga ajo e Perëndimit. Thuaj se e gjithë toka e Ilirvet mbeti nën Bizantinët e prej tyre mori pjesërisht fén orthodokse dhe pësoi n'organizimin shoqëror, ekonomik e familjar mbresa të forta që kanë mbetur të pashlyera gjer në ditët e sotëshme. Sikur kjo Perandori t'ishte ushtarakisht m'e fuqishme, me kulturën e sajë të zhvilluar, me ligjët e përsosura dhe me administratën e mënçme kishte për t'a greqizuar shumë shpejt vëndin t'onë, por ngatrresat e mbrëndëshme dhe luftrat e jashtëme e penguan një veprim të këtillë. Nga kjo pikpamje krijimi i Perandoris latine të Bizancit në Kryqëzatën e katërt e, bashkë me këtë, forcimi i auktoritetit të Dogëvet dhe sundimi i Normanvet e i Angjevinvet kanë qënë një farë kundërpeshe e nevojshme 8). Por pengimin më të math helenizimit i a solli dyndja e Sllavëvet, do me thënë e Serbëvet dhe e Bullgarëvet, në Ballkan. Kjo çduku një rrezik, por ngjalli një rrezik tjetër shumë më të math.
Sërbët ishin bujqë e druarë 9) dhe prandaj të pazotë për luftë. Përhapjen dhe fitimet e tyre u a detyrojnë Avarvet prej gjaku turk që dikur, si fise ushtarake kalorse, shkonin jetë nomade në krahinën e Panonis. U dukën në tokën bizantine në kohën e mbretrimit të çquar të Justinianit, por, me gjithë se në fillim nuk patën sukses pse fuqija e monarkut ilirjan ishte e madhe, nuk shkoi kohë që të bëhen element i rrezikshëm për Perandorin. Shkelën në dy valë viset e Iliris. Vala e parë nuk ka asnjë rëndësi, pse mësymjet bëhen në grupe të vogla dhe jo prej njësish politike t'organizuara. Qëllimi i këtyre lëvizjeve nuk qe që të kërkonin banesa të reja, por që të bënin plaçkë; pas çdo mësymje ata ktheheshin rishtas përtej Danubit ku kishin banesën e zakonëshme.
Vala e dytë qe shumë m'e rreptë. Të bashkuar me Avarët, ata më 578 shkretuan Thrakën, Ilirin e vise të tjera dhe u hodhën gjer në Greqi 10). Selaniku u mësye për të parën herë prej tyre.
Jehona e pushtimevet të këtyre fiseve barbare u përhap shpejt në të gjithë Perandorin, pra deri në vise të largëta t'Azis e t'Afrikës. Duket se në disa luftëra këta kanë bashkëpunuar edhe me fise ilire. Peshkopi egjyptian i Nikiu-s shkruante aso here në këtë mënyrë: «Në lidhje me Perandorin romane ka lajme se mbretrit e kësaj kohe, bashkë me Barbarët, me popuj të huaj e me Ilirjanë, rrënojnë qytetet kristjane dhe marrin banonjsit robër. Vetëm qyteti i Salonikut ka mundur të shpëtojë pse i ka muret e forta dhe, për hir të mbrojtjes së Zotit, popujt e huaj nuk kanë mundur t'a marrin ; por i gjithë populli i krahinës ka dalë fare 11)».
Kuptohet nga kjo kronikë se munt të ketë pasur një farë bashkëpunimi midis Sërbve dhe një pjese Ilirjanësh ndër vjetët e parë t'ardhjes së tyre në Ballkan ose, të paktën, ordhit sllave nuk duhet të jenë pritur keq prej Ilirvet në krahinat e të cilëvet zunë vënt. E kjo duhet t'i ketë sjellë dobi të madhe praktike popullit vëndas: ndalimin e çfarosjes ose të largimit të tij nga toka ku banonte që prej shekujsh. Por, sidoqoftë, kurrgjë nuk i pengonte Sërbët që të shtriheshin sa nga veri-perndimi aq nga lindja. Disa nga fiset e tyre pushtuan bregdetin dalmatin, tokët që sot thirren Sloveni e Kroaci dhe arrijtën në veri gjer sa u takuan me popujt gjermanë e me Hungarezët. Në këtë trevë të gjërë ata u përzien me Ilirët e i u dhanë këtyreve gjuhën. Të tjera fise u përhapën në tokën që përbën Sërbin e sotëshme, në Bosnje, Hercegovinë, Mal të Zi e u shtyjtën deri n'Alpet Shqiptare.
Kjo pjesë e dytë ka për ne rëndësi shumë më të madhe pse, ndërsa e para zuri vënt nëpër treva të cilat që prej kohësh ishin romanizuar, kjo, me lëvizjet e herë-pas-herëshme ka qënë një kërcënim i vazhduarshëm për atë grup t'Ilirvet që më vonë u thirrën Arbër.
Rëndësi më të madhe nga Sërbët për Shqipërin e pa-romanizuar të shekujvet XI, XII, XIII kanë Bullgarët. Këta, kur shkelën për të parën herë në Ballkan t'udhëhequr nga Asparuchi dhe u vëndosën në Dobruxhën e sotëshme, ishin të pakët në numër, por luftarë të zotë e prandaj shumë të rrezikshëm për Perandorin e Bizancit. Nga kontakti që patën me Sllavët, të cilët n'atë kohë ishin përhapur në jugë të Danubit, u sllavizuan e u shtuan tepër, pse në rreshtat e tyre hyri edhe shumë element sërb. Muarën pra gjuhën e tyre, fén kristjane dhe, sidomos, gjakun sllav. Nxunë, gjithashtu, mjeshtrinë kryesore të Sërbvet, bujqësin.
Në takimet që këta Bullgarë të sllavizuar patën me Shqiptarët, prej shekullit të shtatë deri në shekullin e dhjetë, jetuan në paq 12). Në tre shekujt e pastajshëm kemi periudhën perandorake bullgare. Të prirë prej Perandorit të tyre Simeon i Math, këta luftojnë kundër Bizancit, e thyejnë në shumë anë ; i u shpallin luftë Sërbvet, i mposhtin edhe këta. Më 917 Shqipërija e jugës, Epiri me kryeqytetin e tij Nikopolis, dhe një pjes' e Shqipëris së mesme bjenë në duart e tyre.
Qëndrimi i Bullgarëvet në Shqipëri ka lënë shumë fjalë në gjuhë e, sidomos, shumë emra në toponomastikë. Munt të linte edhe shumë gjak e munt t'i sllavizonte krejtë krahinat jugore sikur Perandorija bizantine të mos ishte fuqizuar pas një shekulli nën skeptrin e perandorvet maqedhonas. Nga këta, Vasili i dytë, Bullgaroktoni, e sulmoi Carin Samuel disa herë, shkaktrroi ushtrin e tij të fortë dhe, më 1018, i dha përkohësisht funt fuqis së madhe që pat krijuar Simeoni. Mbretrija bullgare, kaq e rrezikëshme për racën t'onë, u bë copë e thërrime dhe vëndin e sajë e zuri Perandorija bizantine, sundimi i së cilës kishte më tepër karakter administrativ. Për administrimin e visevet shqiptare u krijua thema e Dyrracchium-it, me Durrsin si kryevënt.
Por disa familje bullgare duhet të kenë mbetur në Shqipëri edhe pas shkatrrimit t'organizatës së fortë politiko-ushtarake. Ndikesa e këtyre elementeve të mbetura, e mbajtur gjallë prej Patriarkatit t'Ohrit që ndodhej mu në zëmër të Shqipëris, u përtërit edhe një herë me rilindjen e Perandoris bullgare nën Ivan Asenin e parë. Për fat kjo përiudhë perandorake e dytë nuk zgjati për shumë kohë, pse, me
vdekjen e Asenit të dytë (1241), fuqija e tij, që munt të krahasohej me atë të Carit të parë, u çduk me një herë nga luftrat e mbëndëshme dhe, bashkë me të, edhe ndikesa bullgare në Shqipëri mori funt.
Në këtë kohë eksistenca e një Shqipërije kombëtare, «e një toke të banuar vetëm prej kësaj race», nuk munt të vihet në dyshim. Kur Ivan Aseni, Car i Bullgarve, ai që do t'i jepte funt Despotatit t'Epirit, fal një piivilegj tregtije, e vëndos krahinën e Devollit në «tokën e Arbanases.» Mbishkrimi i mirënjohur i Tërnovos, në të cilin Sovrani bullgar numron të gjitha pronat e tij, shënon edhe një «tokë e Arbanases» pranë një «toke greke» ... Barinjt shqiptarë, një soj si barinjt e famshëm vllehë, përmënden nga gjysma e shekullit të XIII.» 13)
Me shekullin e XlV-të fillon të bëhet fjalë edhe një herë për Sërbët. Këta nisën t'organizohen politikisht e ushtarakisht. Mbretrija e themeluar prej Stefan Nemanjës zgjati thuajse një shekull dhe, nën Stefan Dushanin, u zgjerua kaq shumë sa përmblodhi në gjirin e sajë, përveç Sërbis së Vjetër, edhe të gjithë Shqipërin me kufijt ethnikë të sotshëm, Greqin, Maqedhonin e një pjesë të Thrakës. Stefan Dushani vetë, ditën e pashkëve të vitit 1346, u kurorzua «perandor i Sërbëve, Shqiptarëve, Bullgarëve dhe Grekëve» prej patriarkut sërb të Shkupit në prani të patriarkut bullgar t’Ohrit, të kryeigumenit të Malit të Shënjtë e të shumë peshkopve të tjerë, të mbledhur nga të gjitha viset e Mbretëris së tij të gjërë dhe po përgatitej për t'i rënë Kostantinopolit 14). Por vdekja e tij e papritur (1355) shkaktoi edhe vdekjen e rrezikut sllav për Bizancin dhe për vëndin t'onë. Princat e vogjël u shpallën me një herë më vehte dhe prenë çdo marëdhënje me Sërbët. Tyrqit, më në funt, i dhanë shkelmin e vdekjes organizimit të Car Dushanit kur, në luftën e Kosovës (1389), vranë krajlin e tyre të funtëm, Lazarin.
Kur Sllavët shkelën ndër viset ilire, gjetën atje këto popullsira: në veri të Danubit, Gjermanë; në disa koloni bregdetase, Grekë; në të gjithë pjesën veriore të Ballkanit, prej Adriatikut gjer në kufi të Dakjes, Ilirë të romanizuar e disa Romakë; ndër disa vise malore e të varfra që nuk përshkoheshin prej rrugësh të rëndësishme, llirë të pastër nga gjaku që vetëm në gjuhë e në qytetrim kishin ndjerë pak a shumë ndikimin latin. Ordhit e reja barbare e detyrojnë popullsin e vjetër të romanizuar e të greqizuar të viseve të mbrëndëshme të Ballkanit që t'ikij e të vëndoset në qytetet e bregut t'Adriatikut e nëpër ishujt e detit ku qëndroi nën mbrojtjen e flotës bizantine 15). Një numër i vogël shkoi në male ku pjesërisht u shqiptarizua, pjesërisht u sllavizua. Një pjesë tjetër — dhe kjo duhet të jetë m'e madhja — pranoi të bashkëjetojë me pushtonjsit e të ndjekë lëvizjet e tyre ushtarake dhe dal' e ngadalë e humbi gjuhën e vetë. Eksistenca e Morlakvet si njësi ethnike e dalluar mirë deri në shekullin e XVII-të, tregon se disa nga Ilirët e romanizuar kaluan ndër male 16).
Në këtë mënyrë krahinat e gjëra që dikur banoheshin prej Ilirësh, që nga Danubi e gjer në rrëzë t'Alpeve Shqiptare dhe që nga bregdeti dalmatin e gjer në viset më të skajëshme të lindjes, sllavizohen të gjitha. Ka midis këtyreve ishuj që e kanë mbajtur të pastër gjakun shqiptar dhe të paprekur gjuhën gjer në shekullin e XIV-të 17); por edhe këta ishuj me kohë asimilohen.
Studimet anthropologjike vërtetojnë qartas se në trajtimin racor të popullit sllav të jugës ka shumë gjak ilir 18). Bilé, munt të thuhet se e gjithë pjesa perndimore e Gadishullit ilirik që përmbleth Kroatët, Dalmatinët, Bosnjakët, Malazezët,
Shqiptarët dhe gjysmën e Grekvet ësht e popullzuar prej fisesh që kanë të gjitha tiparet e racës ilirike e prandaj përbëjnë së bashku një unitet ethnik të çquar mirë. Kartat e botuara prej Pittard-it në Les Peuples des Balkans flasin qartas për këtë të vërtetë.
Hapsira ku shtrihet raca shqiptare pas vërshimeve sllave ësht pra shumë e kufizuar: përfshin disa malsira të Shqipëris së sotëshme. Si pas Stadtmüller-it vetëm krahinën e Matit 19). Por thezi i albanologut të ri gjerman, që ka hasur në kundërshrime të shumta, nuk duhet t'i përshtatet shumë së vërtetës. Po të jetë siç thot ai, ku u gjeten qindra mijrat e Shqiptarvet q'u shpërndanë, duke nisur prej të XI-it shekull, në të gjithë Greqin perndimore e jugore, në viset e Vardarit e të Kosovës e, më vonë, pas luftravet me Tyrqit, edhe n'Itali? Por t'a lëmë më nj'anë këtë çështje. Ësht punë historianësh dhe linguistësh të zotë për t'a shoshitur thezin e Stadtmüller-it.
Duhet pranuar veç, se sipërfaqja toksore ku shtrihej raca shqiptare ishte shumë e kufizuar gjer në shekullin e njëmbëdhjettë, do me thënë deri në shkatrrimin e Perandoris së parë bullgare të themeluar nga Cari Simeon.