"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

Sporti si një veprimtari “antikombëtare”

Flisni për sportin shqiptar në përgjithësi, talentet sportive dhe rezultatet e sportit shqiptar.

Moderator: Tan-Tirana

Post Reply
User avatar
Aulona
Star Member
Star Member
Posts: 607
Joined: Thu Jun 04, 2009 1:06 am
Gender: Female
Location: Albania

Sporti si një veprimtari “antikombëtare”

#1

Post by Aulona » Wed Aug 26, 2009 5:46 am

Nga Kiço Blushi

Nuk shquhem si tifoz i çartur. As si sportdashës i thekur që ndjek stadiumet dhe skuadrën e zemrës, e aq më pak lotot që kanë rrëmbushur anekënd çdo cep të Shqipërisë. Ndaj, le të më falen lajthitjet dhe mungesa e kompetencës në këtë përsiatje modeste rreth halleve e problematikës lesharap të sportit dhe të kulturës sonë.

Pikësëpari, dëshiroj të them se prej vitesh, prej shumë vitesh, e le të guxoj të them (pasi besoj se nuk gaboj) se pothuaj përherë, si një qytetar ende i ndërgjegjshëm i këtij vendi të lashtë e krenar për traditat dhe për "vendet e para" (O sa mir' me ken'shqiptar!), në marrëzitë tona kolektive dhe veçanërisht në rritjet dhe rekordet e papara ekonomike, jam ndjerë e vazhdoj të ndjehem keqemosmëkeq, madje shumë përdhishëm kur Shqipëria e kur flamuri ynë kombëtar është përfaqësuar në veprimtaritë ndërkombëtare; këtë ndjesi është pak ta quash: për faqe të zezë! Sepse, sporti më shumë se çdo veprimtari tjetër njerëzore, drejtpërdrejt dhe me një efekt të pallogaritshëm, mesa duket ndikon fuqishëm në shqisat dhe në ndjenjat që drejtojnë, ushqejnë dhe mëkojnë për së mbari shëndetin, bashkë me krenarinë kombëtare të çdo njeriu, pavarësisht nga niveli dhe formimi i tij.

Kjo është arsyeja përse shtetet kombëtarë, të fuqishëm ose jo ekonomikisht, por gjithsesi të ndërgjegjshëm mjaftueshëm u japin një rëndësi parësore politikave zhvillimore sportive dhe kulturore…

Këtë përkushtim, që e kanë mesa duket edhe vendet afrikane, të paktën unë nuk e ndiej nga shteti im, pavarësisht kush është në qeveri…Përherë i them vetes të mos shoh asnjë ndeshje futbolli të skuadrave tona kombëtare, sepse e di përfundimin, sepse jo vetëm mua do të më prishet gjaku e do të më zezohet humori kotekot të paktën për një javë, po gjithë shqiptarëve…Por, prapë nuk e mbaj dot fjalën dhe dorëzohem në ndeshjen pasardhëse, e si një ëndërr të bukur që nuk e besoj, dorëzohem prapë për t'u zhgënjyer edhe më keq…Jo, jo, jo, këtë ndjesi të hidhët nuk e kam ngase përherë rrihemi, as se mundemi, po se turpërohemi, se vetëposhtërohemi, se leqendisemi pa pikë dinjiteti, sistematikisht e kombëtarisht përherë me hak, por pa e merituar, d.m.th pa të drejtë! E për këtë nuk kam faj unë si qytetar, as sportdashësit, aq më tepër tifozët e fandaksur që tani kanë filluar të vishen me flamur dhe të lyejnë fytyrën kuqezi, si gjetkë e gjetkë…Por, ja që si përherë, edhe në sport fajtori ikën në drejtim të paditur!

Për t'u ngushëlluar, ne herë ua veshim fajin arbitrave, herë trajnerëve (tani këta i kemi edhe ndërkombëtarë dhe nuk është se i paguajmë dhe aq keq!) e herë "takatit" tonë të mangët…Në diktaturë kujtonim se e kishim nga të pangrënët e mjaftueshëm…Kurse tani thellë në shpirt të gjithë e ndiejmë se nuk është tamam kështu. Se nuk mjaftojnë vetëm këto justifikime për të shfajësuar shëmtinë e përfaqësimit tonë sa të turpshëm, e aq edhe të pandalshëm në theqafje, edhe në demokraci! Për dy tri vjet, atletika në Shqipëri thuajse do të shuhet në shumicën e disiplinave…Që tani vrapuesit konkurrojnë në dy-tri pista, kurse shumica e atyre që mbajnë rekorde kombëtare jetojnë jashtë, në kërkim të shembullit të Pirro Dhimës që u bë kampion me një tjetër flamur, me flamurin grek…Ne nuk jemi kualifikuar kurrë as në raundin e dytë; ne nuk kemi marrë asnjë medalje dhe nuk kemi dalë asnjëherë të nderuar e kokëlartë nga stadiumet ndërkombëtare. Dhe, as për të dalë…

Sepse, ne nuk kemi një strategji kombëtare, dhe as ndonjë synim për të realizuar përfaqësimin tonë dinjitoz në botë, jo vetëm në sport, po edhe në kulturë…Sepse, në Shqipëri nuk ka më gara të mirëfillta sportive apo kulturore as nëpër oborre e mëhalla, dhe as nëpër shkolla; nuk ka më rekorde, nuk ka seleksionim, nuk ka më amatorë dhe aq më pak profesionistë; shoqëria jonë nuk ka më kampionë, as idealistë, as pedagogë sportivë, sepse këtu meritat nuk vlejnë para vlerësimit financiar, dhe sidomos para atij partiak e politik. Ndaj, nuk ka e nuk mund të ketë as ambicie, as konkurrencë, dhe as gara sadopak të ndershme. Mësuesit më të dobët të shkollave janë mësuesit e edukimit fizik, të cilët kanë vetëm një bilbil në gojë dhe tuta të dalaboje në trup, po asnjë detyrim apo pasion për të zbuluar dhe stimuluar talentet…

Dhe, sa për stadiumet kombëtare, ato janë bërë arena të dhunës, të rrahjeve të sportistëve me njeri-tjetrin, të gjyqtarëve e të tifozëve, madje edhe të deputetëve e të kryetarëve të Bashkive…Nuk ka terren më rreziksjellës në Shqipëri se terrenet sportive. Edhe mjediset "zyrtare" sportive, asambletë e federatave, vitet e fundit janë bërë fusha "Kandahari", ku hidhen e gëlojnë qëllimisht talebanët e plehrat e shoqërisë (gjoja biznesmenë që duan të lajnë fytyrën, emrin dhe paratë e pista, duke zënë kreun e federatave) e ku për këto arsye, nuk mungojnë as shfaqjet më të shëmtuara të sulmeve vandale e verbale të rivalëve mbi njeri-tjetrin, po edhe mbi kutitë e votimit, qoftë edhe para kamerave…

Tanimë nuk ka e nuk gjen dot as edhe një federatë sportive pa sherre të kësollojta, të pështira e të papara që ndotin dhe përkeqin përditë jo vetëm mjediset sportive, po mbarë shoqërinë!

* * *
Një hidhësirë e ligësht nga veprimtaritë tona ndërkombëtare sportive nuk m'u krijua vetëm në Olimpiadën e Pekinit, kur u tha se do të sillnim ndonjë medalje dhe ku dolëm përsëri e si përherë me gisht në gojë, edhe pse në hapje mori pjesë në mënyrë karizmatike vetë kryeministri ynë "historik" e lavdimadh që u ngrit triumfalisht më këmbë para kamerave (para syve) të botës për të përshëndetur me dy gishta ekipin tonë kuqezi, a thua se do të shpallej vetë kampion; ligsht nuk u ndjeva as vetëm në kampionatin botëror të atletikës së Berlinit që u zhvillua ditët e fundit, ku ne u përfaqësuam simbolikisht, vetëm me një sportist, sa për të ngritur flamurin…Dihet tashmë se Shqipëria nuk do të ishte përfaqësuar as në Berlin, sepse ne vazhdojmë të jemi "të ngrirë" (thuajse të përjashtuar) nga federata botërore e atletikës për shkak të ndërhyrjes brutale dhe arrogante të një qeverie që kërkon me çdo çmim kontroll mbi çdo institucion, pra edhe në këtë federatë, por mesa duket e bënë këtë lëshim, sa për të shtuar edhe një flamur tjetër përfaqësimi nga 213 vendet anëtare të botës…

Por, akoma më keq ndjehemi në ndeshjet skualifikuese të futbollit, ku shpesh e më shpesh Shqipëria paraqitet jo si një dinjitet, po si një "turp" i vazhdueshëm kombëtar (tani po dyshohet edhe për shitje të ndeshjeve, gjë që në këto rrethana allishverishesh duket e besueshme!), pa thënë se ndoshta, përveç peshëngritjes, përfaqësimi i Shqipërisë në shumë disiplina të tjera sportive, edhe nga ato të traditës, si p.sh volejbolli, noti, boksi apo basketbolli, jo vetëm që mungojnë, po nuk kanë për të pasur për një kohë të gjatë asnjë mundësi përfaqësimi, me sado amatorë e sado "nën kuuta" qofshin…Por, ama ne kemi Ministri të Kulturës, të Sporteve e të Turizmit!

Në këto rrethana, pyetja gjithsesi është e thjeshtë: ç'na mungon? E pra, ç'na pengon që edhe ne të përfaqësohemi e të krahasohemi jo me Xhamajkën, po të paktën me Etiopinë, Kenian apo qoftë edhe me Eritrenë e Bahreinin? Shumëkush përgjigjen e ka në majë të gjuhës: ne jemi vend i varfër dhe i vogël, ne na mungojnë tradita dhe investimet, d.m.th paratë, infrastruktura, sponsorizimet, fushat sportive, stimujt materialë, etj, etj… Por, po të thellohesh edhe më në këtë drejtim nuk e ke fort të vështirë të kuptosh se kjo është një përgjigje e mirëfilltë dobësie që të lë aty ku je, që nuk të shtyn përpara, ndaj nuk mjafton, pasi buron nga një ndjenjë e trashëguar inferioriteti dhe pasiviteti anadollak që të detyron të mësohesh e pajtohesh me të keqen…

Të kundërtën provoi edhe kampionati botëror i Berlinit me shumë shembuj "të habitshëm", kur vende që janë shumë më të varfra se ne, me shoqëri kulturalisht më të prapambetur, më të paemancipuar e më të vobektë e me popullsi sa ne, me nivelin e jetesës shumë më të ulët nga ne, jo vetëm që morën medalje e ngritën flamurin e tyre kombëtar, po "thyen" e lanë prapa edhe skuadra që ushqehen me investime të fuqishme e të vazhdueshme nga shteti dhe që për nga tradita, prej disa dhjetëvjeçarësh, janë bërë superfuqi sportive si p.sh SHBA, Gjermania, Kina apo Rusia…Federata botërore e atletikës ka shpërndarë për përfaqësuesit e federatave materiale filmike ku dëshmohet se edhe në këto vende, pra edhe në shkretëtirë, edhe zbathur, edhe zhveshur, fëmijët bëjnë stërvitje dhe gara atletike…

Ndaj, pa mohuar çështjen themelore të investimeve e të mirëqenies, pa lënë mënjanë mungesën totale të një strategjie dhe politike kombëtare për sportin dhe për kulturën, duhet të kuptojmë se nuk mjaftojnë vetëm këto apo më saktë, mungesa afatgjatë e tyre ka shkaktuar, njëlloj si pas një lëngimi të pakuruar e të gjatë, dëme më të mëdha e vështirësisht të shërueshme në organizmin e shoqërisë sonë…

Jo, jo, nuk janë të mjaftueshme vetëm paratë për të arritur rezultate, për të dëgjuar qoftë edhe një herë të vetme himnin tonë kombëtar në ndonjë podium ndërkombëtar!

* * *
Kam përshtypjen, - qofsha i gabuar! - se në shkallë kombëtare, institucionale, shoqërore dhe sidomos vetjake, ne përditë e më tepër po na shteret e po na mungon në shpirt motivimi për t'u marrë me veprimtari kulturore, sportive, artistike apo edhe shkencore, të cilat, tekefundit, do të lartësojnë emrin tënd dhe të vendit tënd.

Rinia jonë, mesa duket nuk ka dhe nuk gjen dot këtu asnjë lloj motivimi apo qoftë edhe justifikimi që të sakrifikojë veten për sportin, për kulturën dhe për artin, pasi e di që kjo lloj sakrifice (dihet që pa sakrifica të pallogaritshme nuk mund të thyhen rekorde as kombëtare!) nuk do ta çojë larg dhe nuk ka për t'i dhënë rezultate të pritshme…Prandaj, rinia ka gjetur rrugën më të kollajtë e më të shkurtër, atë të kotanisë, të djerrjes së kohës nëpër kafene, nëpër disko, në pabe, në kërkim të qejfeve, të llogjeve të Kavajës dhe të orgjive të çastit, të një punësimi të çfarëdoshëm jashtë shtetit; ndërsa kush ka fatin të ketë një prind të pasur, të një shkolle jashtë vendit.

Një vajzë e ka më kollaj "të detyrohet" të pranojë, qoftë edhe me pahir, të prostituojë që të jetojë me salltanet e të mbajë familjen, se sa të merret me sport, që nuk të jep bukë…Një djalë mund t'i dorëzohet krimit, drogës, vjedhjes, se sa të lodhet nëpër stadiume ku nuk ka as shpresë dhe as mundësi të sigurt për një sukses…Në një lagje të Çikagos para disa vitesh ishte shtuar krimi dhe policia nuk po e vinte dot situatën nën kontroll…Zgjidhja u gjet duke ndërtuar palestra, fusha sportive, impiante sportive dhe krimi ra në mënyrë të habitshme…Çdo i ri duhet të derdhë energjinë, ai është si një tenxhere me presion që zien edhe më shumë kur bie në plogështi e në ligështi fizike, ndaj po nuk i krijoi shoqëria valvula shkarkimi, ai është i destinuar të hedhë në erë veten dhe familjen…

Sigurisht, për këtë situatë nuk mund të fajësohet rinia, gjë që do të thotë se nuk ka lindur e tillë veçmas rinia jonë, por se ajo ka shumë pak mundësi zhvillimi, pak shanse, pak hapësira kulturore, sepse asaj i është ofruar nga shoqëria, pse jo dhe nga familja, vetëm kjo sofër dhe vetëm ky ushqim i mangët dhe, pse jo, edhe i helmët: konsumizmi pa mundim, pa kushte dhe pa djersë! Nga ky detyrim moral për edukimin, të parët kanë hequr dorë prindërit, që shpesh janë të pafuqishëm para fëmijëve të tyre; pastaj shkolla, që nuk e ka më këtë mision të shenjtë, e në radhë të parë politika kombëtare, që në këto drejtime nuk mjafton të thuash se mungon totalisht.

Ashtu si në mjekësi e në arsim, edhe në kulturë e në sport nuk ka koncepte as ekonomike, pale kombëtare, sepse të gjitha institucionet, mjediset kulturore e sportive, apo edhe federatat e klubet qëllimisht janë lënë jashtë reformave qenësore, në një gjendje as shtetërore dhe as private, ose, më saktë, edhe shtetërore, edhe private, në mënyrë që privatja t'ia hajë kokën sa më mirë dhe sa më me pak shpenzime jo vetëm shtetërores, po edhe pronës e interesit publik. Ky është problemi, këtu fle lepuri ynë shkatërrimtar. Shikoni se si kanë përfunduar anekënd Shqipërisë terrenet sportive, palestrat, kinematë, shtëpitë dhe ish vatrat e kulturës, apo edhe muzetë apo bibliotekat…Dhe, jo se mungojnë paratë për investime në këto fusha. Shembulli i një biznesmeni që desh bleu për afro 50 milionë euro skuadrën e futbollit të Bolonjës e jo një skuadër shqiptare, provon më së miri këtë katrahurë kombëtare. Shembulli tjetër: shteti, vetëm nga taksat mbi agjencitë e lotove vjel afërsisht 15 milionë euro, kurse për të gjithë sportin jep në një vit afro 3 milionë euro…Por, edhe sikur të derdhë nëpër klube e federata të gjitha ato para, madje edhe më shumë, ato do të përfundojnë në tendera zyrtarësh, dhe ne do të përfaqësohemi po njëlloj…Ashtu si me kombëtaren e futbollit, së cilës jo se i mungojnë paratë, ashtu si me spitalet dhe shkollat tona…Sepse, ne na mungon kryesorja: përkushtimi, besimi i ndërsjellë, mundësitë e barabarta, hierarkia e vlerave, gara e ndershme, synimi për maja dhe për një strategji kombëtare…

Ja pra, përse edhe sporti po punon dhe po funksionon vitet e fundit, jo si një krenari, por si një mekanizëm i çakorduar "antikombëtar"…
Growing up I was taught to "Treat people as I wanted to be treated", but as time passed and I met more people, I made my own version which is fair: "Treat people, like they treat you".

User avatar
Aulona
Star Member
Star Member
Posts: 607
Joined: Thu Jun 04, 2009 1:06 am
Gender: Female
Location: Albania

Re: Sporti si një veprimtari “antikombëtare”

#2

Post by Aulona » Wed Aug 26, 2009 5:50 am

Nuk kam as c'fare ti shtoj me teper, dhe as c'fare ti heq ndonje presje ketij artikulli, mbasi i ka shtjelluar te gjitha pikat qe arti, kultura dhe sporti yne nuk kane mbeshtetjen e duhur nga politika Shqiptare. Jemi vertet nje vend per te ardhur keq qe i bejme talentet tona te marrin varkat me lopata e te hidhen pertej detit te behen yje te atyre shteteve, dhe pastaj fillojme edhe vetem sa i kemi ne emer, se medaljet te gjithe gjenite tane ne c'fare do lloj fushe i marrin vendet e tjera. Mire popullin me rradhe se eshte marre vesh ajo pune, por keta qe i japin pak emer dhe faqe vendit tone ne arene nderkombetare duhet te bejme me teper, mbasi me ta vijne shume te ardhura te tjera.
Growing up I was taught to "Treat people as I wanted to be treated", but as time passed and I met more people, I made my own version which is fair: "Treat people, like they treat you".

Post Reply

Return to “Sporti shqiptar”