Periudha pellazge
Kur flasim për shoqërinë shqiptare, na pëlqen ta përcaktojmë: «para 90-ës» apo «pas 90-ës», duke menduar se ky mur është aq i betonuar, sa asgjë nuk i lidh dy anët e kundërta që ndahen prej tij. Por gjatë këtyre 20 viteve, gjithëmonë e më shumë po bindemi se veçanrisht në mentalitetin politik, shumë pak gjë ka ndryshuar. Kësaj dukurie nuk i ka shpëtuar edhe shkenca historiografike zyrtare shqiptare.
Mbas viteve 90, si një prej fitoreve më të mëdha të demokracise sonë, qe vërshimi në tregun e botimeve, jashtë çdo lloj «dogane» politike, të studimeve që trajtonin origjinën e popullit tonë dhe ngjarjet e ndodhura që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Në këtë prurje të bollshme, botimet që nuk përmbushnin «kriteret» e politikave të ditës, mbetën përsëri, ashtu si «para 90-ës», të padëshiruara për Institucionet albanologjike zyrtare shqiptare dhe fatkeqsisht, materiali studimor i tyre nuk u pasqyrua në tekstet mësimore të brezit të ri (qofshin edhe ato alternative).
Ka më se njëzet vjet që lexojmë, sidomos për disa tema të caktuara, dy Histori shqiptare, atë «zyrtare» dhe atë «të pavarur» (libra, artikuj dhe në internet), që jo rrallë, pak ose aspak i ngjasojnë njëra tjetrës. A është një dukuri normale për shkencën tonë historike që, në fund të fundit, duhet t’i shërbejë në rradhë të parë formimit kombëtar të brezit të ri?
Në rast se Historiografia zyrtare, e emërton veten si një Institucion shkencor, me gjithë këtë prurje të madhe të viteve të fundit, dhomat e këtij institucioni dhe sidomos të kabineteve universitare shtetërore dhe private, duhet të dridheshin nga debati, më shumë se sa Parlamenti ynë zhurmëmadh. Por nuk ndodh kështu.
Duke vërejtur tekstin e maturës «Historia 4» të shtëpisë botuese «Pegi» 2010, në faqen 4, ndodhet kapitulli «Banorët e tejlashtë të vëndit tonë». Në dhjetë rrjeshta përshkruhet se: Ata prodhuan veglat e para prej bakri, përsosën enët prej balte, dhe zhvilluan më tej bujqësinë dhe blektorinë «duke formuar edhe një bashkësi të gjerë kulturore». Kapitulli mbyllet me përfundimin se: «banorët e tejlashtë të territorit të vëndit tonë mund të quhen pellazgë».
Duke qënë në demokraci, mund ta marrësh edhe po, edhe jo, sejcili sipas bindjeve! Në fakt, «Pas viteve 90 » historiografia zyrtare (në unitet të plotë komunist) vazhdoi t’i çpërfill studimet për origjinën pellazgjike të arbërorëve, duke ndjekur besnikërisht udhëzimet e politikës së « para 90’ës».
Në mbledhjen e Byrosë Politike të K.Q të PPSH-së më 3.11.1969 lidhur me detyrën e studiuesve për të sqaruar origjinën e popullit tonë, Enver Hoxha udhëzonte:
«Nëse, duke u nisur nga Homeri e disa autorë të tjerë të lashtësisë, pretendohet që të vërtetohet se kultura greke është ndikuar nga autoktonët, përbërja etnike dhe kulturore e të cilëve ende diskutohet, ne parasëgjithash na duhet të hedhim poshtë me argumenta, të dhënat që sjell sot shkenca botërore . Bota e njeh me themele kulturën greke e cila, siç dihet, është ndikuar nga civilizimi më i lashte i popujve të Azisë. Është një fakt i njohur, ndërkohë që teza e ndikimit (pellazg-shen im) që kanë ushtruar mbi civilizimin helenik mbetet ende një supozim që ne nuk mund ta mbështesim për mungesë të provave dhe fakteve».
Edhe sot në historiografinë zyrtare shqiptare mbi tezën pellazge të origjinës së popullit tonë, mbetet i pakapërcyeshëm gardhi: « vetëm kur ta ketë pohuar shkenca botërore! ». Ja një shëmbull tipik: « Sa herë që kemi të bëjmë me përpjekje për të shkruar historinë e bijve të shqipes, ajo që vihet re lehtësisht është se historia e tyre bëhet e besueshme kur tregohet nëpërmjet fakteve botërisht të pranueshme ». (Ilir Mati «Pellazgët, një çështje e ngritur ndoshta keq»Ballkanweb 7.10.2007)
Kjo shprehje, në thelbin e saj është anti-shkencore, sepse në të gjitha fushat studimore por edhe të artit, ecja cilësore përpara, historikisht ka ndodhur me prurjet që « nuk diheshin nga bota » dhe që kanë çarë rrugën duke u ndeshur me ato që « ishin pranuar nga të gjithë ». Prandaj studiuesit në çdo epokë të shoqërisë njerëzore, i kanë paraprirë mentalitetit të kohës së tyre, asaj që « tashmë është pranuar botërisht » duke sjelle ide të reja dhe një llogjikë të re të fakteve.
Gjithashtu është për të ardhur keq, inferioriteti që ndihet në këto pohime. Historiografia zyrtare shqiptare nuk guxon as ta mendoje faktin, se studiuesit shqiptarë mund të udhëheqin në ndonjë drejtim, historiografinë europiane apo atë botërore, dhe të sjellin materiale të pa punuara më parë « nga të huajt ».
Jo pak intelektualë, pa patur asnjë njohuri shkencore historike për periudhën pellazgjike, e kanë emërtuar pohimin e origjinës pellazgjike të shqiptarëve, si një mjet - mit (i pabazuar) i përdorur për qëllime të ditës, nga figura të njohura historike shqiptare. D.Omari në hyrje të librit « Rinia e një shqiptareje » mbasi akuzon Elena Gjikën dhe Skëndërbeun për përdorimin e origjinës pellazge për t’iu ngritur moralin shqiptarëve, pohon se edhe sot « e hasim shumë të gjallë një krenari të tillë të shoqëruar shpesh me një padije të madhe ».
Kësaj sëmundjeje, nuk i ka shpëtuar as edhe autori i kapitullit të lashtësisë në tekstin e maturës 2010 Myzafer Korkuti, i cili në një material mbi Parailirët-ilirët-arbërit, kur flet për tezën pellazge të origjinës së arbërorëve shprehet: « Nuk munguan as hipotezat romantike, pa baza shkencore, apo të tjera të frymëzuara nga motive politike ».
Në mbledhjen e Byrose Politike të K.Q. të sipërpërmëndur, të bën përshtypje një shprehje e E.Hoxhës: « Shkencat tona albanologjike duhet të bazohen dhe udhëhiqen nga shkenca marksiste-leniniste. Të gjitha studimet që do të realizohen në Shqipëri (bëhej fjalë për origjinën e shqiptarëve-shën im), duhet të kenë bazë solide dhe të distancuara nga çdo gjurmë shoviniste »
Ç’farë ka dashur të përcaktojë me fjalën « shovinizëm »?
Kjo fjalë nuk ka patur kurrë lidhje jo vetëm me studimet historike të shqiptarëve të të gjitha kohërave, por as me ngjarjet e ndodhura gjatë të gjithë historisë së popullit tonë. Problemi qëndronte gjetkë: Si do ta priste historiografia botërore dhe veçanrisht ajo greko-sërbe, origjinën pellazgjike të gjuhës dhe popullit tonë ? Ky merak, i lindi kur u njoh me studimin e Spiro Kondës. Megjithatë për të mos ja ngrënë hakun, lejoi të paraqitej teza pellazgjike në Konferencën e parë Albanologjike që u organizua në Tiranë (1962) dhe ku merrnin pjesë autoritete shkencore me emër nga vëndi dhe bota. Me gjithë argumentimin e S.Kondës të bazuar në autorë të shumtë, fakte dhe aresyetime, mbi origjinën pellazge të gjuhës dhe kombit shqiptar, nuk pati debate. As sot e kësaj dite, nga ana e shkencës albanologjike zyrtare shqiptare, nuk janë sjellë fakte shkencore që do ta hidhnin poshtë tezën pellazgjike të tij, por preferohet heshtja.
Historiografia zyrtare e «pas 90» vazhdon të ndjekë denjësisht udhëzimet e E.Hoxhës, i cili theksonte se «sipas mendimit tim, ata (studiuesit e shkencave albanologjike-shën im) duhet t’iu japin përparësi problemit ilir…Ne nuk mund të mbështetemi mbi hamëndsime dhe të themi se Etruskët (origjina e të cilëve është shumë e diskutueshme dhe mbetet e erët) janë paraardhësit tanë …dhe përderisa ajo do të jetë një hipotezë, ajo nuk do të përfillet në studimet tona ».
Po kush ishin këta Ilirët dhe Etruskët?
Studiuesi Arif Mati i emërton në grupin „dega perëndimore dhe lindore“ e fiseve pellazge, ku futeshin edhe thesprotët, molosët, kaonët, dodonët, thesalianët dardanët, dalmatët, frigjianët, trojanët, maqedonët, getët, dakët etj. Pra Ilirët dhe Etruskët, ose me saktësisht Thrako-Ilirët janë vetë pellazgët! Që janë fise të të njejtit trung pellazg, na e deshmojnë fakte të shumta si arkeologjike ashtu edhe të shkruara, të traditës gojore, zakonore, miteve dhe sidomos ato gjuhësore. “Sintaksa dhe struktura e gjuhës etruske rigjendet në shqipen e sotme, prej më shumë se 2000 vjetësh më pas, pa folur për toponime dhe antroponime të shumta të cilat shpjegohen falë kësaj gjuhe (shqipes-shën im)... (f.176 A.Mati)
Fakti që fiset pellazge, kanë marrë dhe kanë dhënë ndërmjet tyre dhe kanë lëvizur në “tokat e tyre”, por edhe janë hedhur deri në Indi, ka çoroditur shumë studiues të lashtësisë. Të nisur nga gjetja e materialeve arkeologjike apo rite të varimit dhe besimit të njejta, apo fjalë të një rrënje, kanë shprehur mendime se X-fis ka zbritur nga veriu ndërsa Y- fis ka ardhur nga lindja, pa kuptuar se bëhej fjalë për fise të të njëjtit trung pellazg, dhe që kishin një shtrirje të gjerë tokësore, sidomos fisi i Trako-Ilirëve.
M.Korkuti në paraqitjen e studimit të tij mbi parailirët-ilirët-arbërit, duke ju referuar botimeve të studiuesit Zaharia Mayanit dhe Spiro Kondës, mbi lidhjen e gjuhës pellazgjike etruske me atë shqipe, vëren se ata, “kanë përdorur metoda jashtë shkencore, ndaj përfundimet e tyre nuk janë përfillur nga asnjë gjuhëtar shqiptar“. Këtu ka dashur të thotë „nga asnjë gjuhëtar zyrtar shqiptar“. Për të mos u zgjatur për problemin e gjuhës, dua të sjell vetëm një fakt të dhënë nga studiuesi francez Eduard Shnaider në fund të shk.19. Duke studiuar fjalët një-rrokëshe të shqipes, që dëshmojnë lashtësinë e një gjuhe, e që ruhen edhe sot në fondin e saj bazë leksikor (785 të tilla, ndërkohë që në gjuhët e tjera europiane gjënden jo më tepër se katër-pesë rrënje, në greqishte 9 rrënje, e në latinisht vetëm një) pohon se “i vetmi popull që mund të mburet se trashëgon vetitë, zakonet, traditat, tiparet dhe gjuhën e Pellazgëve, ështe populli shqiptar” (f.11 E.Sh.)
Për pasojë, në tekstin e Historisë të 2010-ës, ku është ai autor, nuk e pasqyrojnë fare këtë fis pellazg (etruskët, apo toskët e jugut shqiptar) i cili ka meritën e madhe që na ka përcjellë shkrime të shumta deri në ditët e sotme (afro 10 000 siç na njofton Niko Stillo), me alfabetin origjinal pellazgjik i cili padrejtësisht iu atribohet fenikasve apo grekëve, por që kuptohet vetëm nëpërmjet dialekteve të shqipes.
Studimet e pavarura shqiptare të viteve të fundit, kanë dhënë një ndihmesë të madhe për largimin e errësirës që mbulonte lashtësine europiane, dhe u takon atyre merita, që sqaruan, hap pas hapi, botën mitike të Pellazgëve dhe sollën zërin e tyre, ashtu siç kanë folur dhe emërtuar vetveten dhe natyrën që i rrethonte, që kur u çfaq njëriu i parë mendimtar (botimi i Niko Stillos “Etruskishte Toskerishte”). Sot shkenca botërore këtë periudhë, mbi fillimet e inteligjencës njerëzore (periudhën pellazge), e llogarit të ketë filluar 45 000 mijë vjet më parë. Ndërkohë, që të gjitha periudhat e tjera historike të shoqërisë njerëzore (edhe ajo greko-romake), nuk i kalojnë disa shekuj. Përjashtim bën vetëm periudha Bizantine, me një kohëzgjatje 1000 vjeçare.
Si përfundim, brezat e rinj të shqiptarëve, që shkollohen me tekstet historike zyrtare, duhet të presin edhe ca shekuj se ndoshta historiografia botërore (në rast se do ta lejojnë akademitë sërbo-greke etj) do të kujtohet për studimet tona. Që historiografia botërore të shprehet për origjinën pellazge të shqiptarëve, ajo duhet të njihet me studimet e bëra në këtë drejtim. Me qënëse këto studime përfshijnë një periudhe kohore tre shekullore (shk.19, 20, 21) janë pikërisht tre Akademi Albanologjike në trevat shqiptare: e Tiranës, e Prishtinës dhe e Shkupit, pa përmendur edhe ato në vendet e huaja, që duhet t’i debatojnë këto studime dhe t’i popullarizojnë në vendet e tyre dhe në botë, duke i përkthyer në gjuhët kryesore dhe jo të presin që këtë punë, ta bëjnë vetë autorët me shpenzimet e tyre financiare.
Sigurisht këtu, një problem themelor është: Në se këto Akademi, kanë studiues të atij niveli sa të debatojnë me autorët për faktet e sjella prej tyre ? «Që të merresh me historinë e popullit shqiptar, që nga prehistoria dhe deri në kohët e vona - shprehej Spiro Konda - duhet të jesh filolog, helenist, latinist, glosolog, indolog dhe gjuhën shqipe ta kesh gjuhë ametare dhe ta zotërosh shkencërisht » (A.Bitraku “S.Konda dhe prejardhja pellazgjike e shqiptareve”)
Deri sa nxori në dritë librin e tij “Shqipëria, Origjina e pabesueshme e një populli parahelen” Arif Mati pohon: “Unë kam kryer studime të shumta, hulumtime dhe analiza të hollësishme në pesë fusha të ndryshme: Histori, Arkeologji, Antropologji, Gjuhësi, Mitologji” (f12 A.M.).
A është e drejtë që të vijojmë t’ia hedhim fajin viteve të “para 90-ës” për ç’ka vërejmë në historiografinë zyrtare shqiptare të ditëve të sotme? Sigurisht që jo. Këtu kemi vetëm një përputhje të qëndrimeve dhe synimeve politike të dy anëve të murit ndarës të vitit 1990. A është “origjina pellazge e arbërorëve” thjesht një problem i shkencës albanologjike shqiptare, apo ka një shtrirje të gjërë kulturore dhe etnike dhe me një theks veçanrisht aktual politik?
Sa i rendësishëm është problemi i origjinës së një populli?
Në veprën e tij Spiro Konda përmënd një thënie të Aristotelit pellazg, se “Fisnikëri është për një komb, kur të parët e tij janë autoktonë ose shumë të vjetër në vëndin ku banojnë dhe kur nga gjiri i tyre kanë nxjerrë njerëz që me veprat që kanë lënë, janë për t’u pasur zili” (A.Bitaku “S.Konda dhe prejardhja pellazgjike e shqiptarëve”)
Në shekullin e 18, për të konsoliduar kombësinë e popujve të ndryshëm, që përfshiheshin brënda kufijve të tyre dhe për supremaci kulturore, ekonomike dhe politike, mbretëritë europiane i kthyen sytë “nga origjina e tyre e stërlashtë” dhe filluan të punojnë intensivisht për të dëshmuar lashtësinë dhe vlerat e të parëve. Në këto përpjekje, që u përfshi në lëvizjen e Rilindjes Europiane, prioritet patën romakët dhe grekët. Megjithëse hynë më vonë në këtë garë, ata kishin trashëguar një material të pasur arkeologjik të dëshmuar edhe nga autorët e lashtësisë, gjithashtu kishin një arkiv të pasur të shkruar apo të përkthyer mbi lashtësinë.
Mirëpo, është dëshmuar se shumë shkrime, ndërtime dhe vepra monumentale apo të kultit të lashtësisë së herëshme, janë shkatëruar qëllimisht nga pushtuesit ose janë përvetësuar apo adaptuar nga më të vonëshmit, “për historinë” që do të shkruhej. Siç pohon edhe themeluesi i Akademisë keltike (franceze më 30.3.1805) Mangourit « Aneksimet kulturore, ecin në të njejtin hap me pushtimet territoriale » .(f.66 A.Th .) Kështu p.sh. gjatë pushtimit romak, më 167 pk u sheshuan deri në themel shumë qytete të lulëzuara të Epirit, u shkatrua edhe vëndi i shenjtë i Dodonës.
Të gjithë pushtuesit që kaluan historikisht mbi trevat arbërore, lanë pas “tokën e djegur” apo ringritën mbi trashëgiminë pellazgo-arbërore, ndërtime të kulturës apo besimeve të tyre. Shëmbujt nuk mungojnë as edhe në ditët e sotme. Shumë monumente fetare të lashtësisë dardane apo të periudhës bizantine, janë përvetësuar nga sërbet në Kosovë. Kështu, u ndërtua historiografia e lashtësisë europiane, si një lashtësi “greko-romake”. Atyre ju takoi edhe “fisnikrija” kombëtare, si dhe “zilia” e shteteve të tjera të mëvonshme që njiheshin historikisht si të ardhur, sidomos në Ballkan.“Miza nën kësulë” për periudhën pellazgjike, e historiografisë greko-romake, ka qënë se nuk mund të vërtetonte shkencërisht autoktoninë dhe vijueshmërinë pa ndërprerje deri në ditët e sotme, të kombeve të tyre.
“…Nëse ne kërkojmë në legjendat e lashta, mitet historike apo shkrimet më të lashta greke, nuk do të gjejmë asnjë gjurmë të emrit grek, apo Graikos, Helenëve apo Dorianëve! ... Manipuluesit e historisë romake janë përpjekur dhe gjithëmonë kanë dashur të mbulojnë rolin vendimtar të Etruskëve në lindjen e qytetrimit romak” (f.41, f 144 A.Mati)
Historiografija jonë zyrtare, mbasi ja qan hallin “mizës” së historiografisë greke, me bujari i vendosin grekët (të dëshmuar vetëm në shk.8 pk) përkrah ilirëve dhe trakëve, në vitin 3000 pk! “Gjatë epokës së bronxit dhe të hekurit, në territorin e Ballkanit kanë banuar tre popuj të mëdhenj: grekët në jug, ilirët në perëndim dhe trakët në lindje të gadishullit” (f5. “Historia 4”) Një pengesë e pakapërcyeshme për historiografinë “greko-romake” qe edhe pamundësia e zbërthimit të shkrimeve të kësaj periudhe, me anën e gjuhëve të tyre, greqishten dhe latinishten e lashtë.
Pa dashur të zgjatem mbi këtë argument, dua të sjell përfundimin e historianit A.Mati, i cili duke u bazuar edhe në arritjet e studiuesve të huaj dhe shqiptar, që në studimin e popujve të parë europianë i kthyen syte drejt arbërorëve, thekson: “…Shqipëria dhe rajonet në kufi të saj (që njihen si treva arbërore-shën im) paraqesin një rast unik në Europë: një dhe vetëm një popull, i cili jeton në tokat e tij stërgjyshore, të paktën që nga neolitiku…Ajo që duket të jetë greqishtja e lashtë apo dialekti « miken » nuk është gjë tjetër veçse « pellazgjishtja e lashtë » (f.12, f 22 A.Mati) Vetë flamuri i shtetit shqiptar, që është flamur kombëtar i arbërorëve, flet për pellazgët.
Kur flitet për njerëzit e parë europianë duhet të theksojmë se besimi, ishte epiqendra e kësaj shoqërie të stërlashtë, dhe tek Pellazgët ajo përfaqësohej (jo rastësisht) me Dodonën e trevës arbërore. Për të kuptuar rolin e Faltores së Dodonës, mjafton të themi se është dëshmuar si qëndra më e vjetër fetare pellazge. Nga gjetjet e qeramikës parahistorike, mësohet se kulti i drurit (i përhapur në popujt e lashtë të Europës qëndrore dhe veriore) në Dodonë ka filluar që në vitet 2000 pk.
Në tekstin “Historia 4” nuk flitet as edhe një rrjesht për Dodonën, nisur ndoshta nga fakti, se trevat e Thesprotisë shqiptare ku janë zbuluar gjetjet arkeologjike të kësaj faltoreje, sot ndodhen në shtetin Grek. Frika e historiografisë zyrtare shqiptare është aq e madhe ndaj historiografisë europiane e sidomos asaj greke, sa nuk guxojnë të pohojnë se Ilirët, si pellazgë që ishin, kishin perënditë e tyre që i përshkruan hollësisht Homeri tek “Iliada” (a nuk ishin trojanët fis dardano-ilir?) dhe emërtimet e të cilëve, shpjegohen me dialektet e shqipes (Niko Stillo “Etruskishte Toskërishte” etj.) Simbolet e tyre gjënden edhe në ditët e sotme tek popullsia shqipfolëse. (Dhimiter Pilika “Pellazget origjina e jone e mohuar” etj).
Në librin “Historia 4” shkruhet: “Nën ndikimin e kulturës dhe mitollogjisë greke, në besimet ilire u futën edhe kultet e perëndive greke. Ilirët adhuronin Zeusin, Poseidonin, Afërditën, Artemisin etj. Këtyre perëndive ilirët u veshën atribute vëndëse” (f14). Në fakt, nuk ka mbetur historian i lashtësisë që nuk ka pohuar se grekët i morën besimet nga pellazgët dhe romakët nga etruskët. Është e njohur thirrja “O Zeus Pellazg!”që e gjejmë shpesh, tek “Iliada” (“Zemrimi i Akilit”) e Homerit.
T’i heqësh kurorën “greko-romake” historiografisë europiane dhe sidomos asaj greke, është një nismë, që do shumë kurajo si shkencore dhe politike, megjithëse shumë studime historike, tashmë e kanë bërë të dyshimtë shkëlqimin e artë të saj. Ja përse edhe historiografija e jonë zyrtare e sotme, nuk guxon të debatojë mbi këtë tezë. Studiuesit tanë zyrtarë i tremben debatit për origjinën pellazge të arbërorëve, sepse domosdoshmërisht do të dalin pohime se:
“ Shqiptarët (Arbërorët) janë jo vetëm autoktonë dhe pasardhës të drejtpërdrejt të Pallazgëve dhe që sot e kësaj dite flasin gjuhën pellazgo-shqipe, por deri para Kongresit të Berlinit 1878 dhe të Londrës 1913, ka qënë popullsia më e madhe në gadishullin Ballkanik. Historia e tyre lidhet me qytetrimet më të herëshme dhe shumë figura që vunë themelet e qytetrimit grek dhe romak kanë patur gjak iliro-pellazg në dejet e tyre.” (f.212 A.Mati)
Duke njohur këtë të vërtetë historike, si shqiptarët ashtu edhe popullsia europiane, e sidomos brezi i ri, do të avullonin të gjitha pretendimet “për truall historik” të fqinjëve tanë. Do të pellcisnin edhe flluckat “historike” për t’i karakterizuar shqiptarët si popull “i ardhur” dhe “pa figura të shquara autoktone historike”. Këto përpjekje antishqiptare, janë mbeshtetur edhe nga një pakicë intelektualesh shqiptarë, të cilët, pa asnjë përgjegjësi shkencore dhe ndërgjegjje kombëtare, pohojnë “origjinën e huaj” të Skënderbeut apo figurave të tjera historike, duke aritur sa të venë në dyshim edhe origjinën ilire të shqiptarëve.
Vënia në dyshim e origjinës së shqiptarëve, rolit dhe kontributit të figurave të shquara të tij në historinë europiane, padyshim është shprehje e qartë e një strategjije politike dhe luftës psikollogjike për të përulur kombin shqiptar. Pretendohet se ka mungesë të dokumentave historike për iliro-arbërorët. Përveç materialit të pasur arkeollogjik që ruajnë trevat shqiptare, nëper arkivat e shteteve europiane gjendet një fond i pasur shkrimor, për historiografinë tonë. Qytetet bregdetare dalmate, ruajnë në arkivat e bibliotekat e tyre të shumta, qofshin ato publike, shtetërore, kishtare apo private, një lëndë jashtëzakonisht të pasur dhe të vlefshme për shqiptarët dhe Shqipërinë, po kështu të pa gjurmuara janë arkivat e Vatikanit dhe Athinës, apo të shteteve të tjera .Vetëm nga arkiva e Pragës, Dhimitër Pilika solli 5 arka me dokumente për lashtësine e popullit tonë.
Studiuesi Bejtulla Destani në Arkivin e Stambollit, gjeti për periudhën osmane mbi 90 milion dokumenta të dixhitalizuara dhe miliona të tjera që prisnin të dixhitalizoheshin (“Në arkivat e Stambollit ka miliona dokumenta për shqiptarët” www.pashtriku.org). Se përse çpërfillet kjo pasuri historike, është më se e qartë kur vërejmë se si po rënohet trashëgimija arkeologjike dhe ndërtimore në vendin tonë dhe se si hulumtimet historike pothuajse janë jashtë planifikimeve financiare shtetërore.
Për raportin midis politikës dhe historiografisë, lexova një shkrim interesant, “Rrufetë politike mbi një tekst shkolle” (Gazeta “Standart”) të Artan Fugës, postuar në një prej forumeve me 26.09.2009. Autori shprehet se:“Europa dhe përvojat më të mira perëndimore sot po i nxisin ato praktika që quhen “multiperspektiva historike”, domethenë për ta rindërtuar historinë në mënyra të diversifikuar, kundër mendimit unik. Teksti alternativ shkollor prandaj është. Sjell pikpamje të ndryshme. Këtu (do te thotë se në Shqipëri-shën im)ende vazhdon kulti i historiografisë unike, që i “takon popullit”, që i “takon kombit”. Fjalë të mëdha pa pikë kuptimi.Teksti i historisë i takon autorëve të tij, nuk është e vërteta historike përfundimtare dhe unikale”.
Kjo shprehje ka një filozofi të gjerë brënda saj, që më kujton disa citate të Mao-s mbi “dy të mira dhe tre të këqija” apo anasjelltas. Autori ngre me të drejtë problemin e pavarsisë nga politika, të punës së historianëve në hartimin e tekstit. Gjithashtu leximi i mendimeve të ndryshme mbi një ngjarje historike është më se i drejtë. Ky nuk është një mendim i shekullit të XXI. Shën Jeronimi prej Ilirije (shk.3 pas erës së re) theksonte, se duhet të paraqiteshin mendime të ndryshme: “në mënyrë që lexuesi, mbasi të ketë lexuar shpjegime të ndryshme dhe të ketë njohur pikpamje të ndryshme, të gjykojë vetë se cili është më i besueshmi, dhe si nje ekspert i këmbimit të valutave, të refuzoje monedhën fallco” (D.Gazulli “Shen Jeronimi prej Ilirije”17.11.2010)
Por, përsa i takon “historisë kombëtare”, arsyetimi i A.Fugës nuk është i drejtë dhe praktikisht i dëmshëm për vetë këtë shkencë. Autori nuk shpreh, se deri ku është “kufiri” i qëndrimit subjektiv të studiuesve ndaj fakteve historike. Historia si shkencë, ashtu si edhe gazetaria, që gjithashtu pasqyron jetën e shoqërisë njerëzore, bazohet në faktet e ndodhura. Trajtimi i këtyre fakteve, nuk mund të jetë kurrë “tërësisht bjektiv” përderisa ato pasqyrohen nga individë, që kanë një formim kulturor dhe politik të caktuar. Por...këtu ka një kusht, që analisti italian Marko Travaglio e përcakton mjaft qartë: “Ndryshimi i paraqitjes në tre këndvështrime jo të njëjta, në rast se thelbi i ngjarjes (faktit) është respektuar, nuk përbën problem; kjo është një pasurim për lexuesin dhe vet ata, gazetarët...(f.20 “La scomparsa dei fatti” 2006)
Dhënia e pacënuar e thelbit të faktit historik, të ngjarjes së ndodhur në historinë e popullit tonë, përbën historiografinë që “i takon popullit dhe kombit”. Respektimi i ”thelbit të faktit historik” kufizon “lirinë” e historianëve. Kjo përbën pikërisht linjën “unike” dhe “kombëtare” të teksteve historike,duke përfshirë edhe tekstet alternative. Pikërisht kjo historiografi kombëtare, është vlera më e madhe e çdo shteti, sepse ushqen ideollogjikisht qytetarët e ardhshëm dhe formon ndërgjegjen e tyre etnike. Të thuash, se kjo përgjegjsi e historiografise ndaj popullit dhe kombit të vet, është “fjalë e madhe pa pikë kuptimi” do të thotë se nuk njeh funksionin e kësaj shkence. Autorët, nuk janë “pronarë” të teksteve historike të tyre, sa të çpërfillin periudha historike , të shtrëmbërojnë ,minimizojnë apo mbulojnë faktet historike të popullit tonë. Historiografija unike dhe kombëtare, në pasqyrimin e fakteve, është sa shkencore aq edhe e kohës dhe nuk duhet të çpërfillim mësimet e saj.
Një ndër gazetarët e shquar amerikanë të kohës së Luftës së Dytë Botërore, Edward R. Morrow ka thënë: «Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëhere vini dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë, kombi do të harrojë se çfarë është dhe çfarë qe» (" A nation of sheep will beget a government of wolves" )
Se sa fut duart politika shqiptare dhe ajo e huaj në tekstet zyrtare historike, mjafton të rikujtojmë kërkesat e vazhdueshme të shtetit grek, ndaj teksteve tona të historisë. Me nënshkrimin e Protokollit të bashkëpunimit midis dy shteteve (Athinë 3.04.2003) Ministria e Arsimit e Greqisë u angazhua se do të ngrejë një komision pedagogësh dhe ekspertësh të shkencave historike që njohin edhe gjuhën shqipe, për të diskutuar me qëllim që “të, heqin nga librat e historisë, kryesisht të palës shqiptare, pasaktësitë dhe ngjarje të cilat helmojnë marrëdhëniet dypalëshe”. Ajo u shpreh se “Ka akoma ide për Shqipërinë e Madhe” (Shekulli 30/10/2004).
Mbasi u “krasitën” tekstet tona zyrtare nga faktet e shumta komprometuese të shtetit dhe kishës greke, mbasi u përcaktuan edhe “kufijtë” e paraqitjes së lashtësisë, historiografia zyrtare greke vijoi qetësisht të pasqyrojë në tekstet e saj mësimore dhe ato studimore, “viset vorio-epirote të pushtuara nga shqiptarët” pa haruar edhe zakonin e saj të lashtësisë, në greqizimin e emrave dhe kombësive të figurave të shquara historike shqiptare.
Si rrjedhojë, përpara Historiografisë zyrtare shqiptare shtrohet jo aq një problem shkencor, se sa ay aktual politik. Në rast se Historiografia zyrtare shqiptare, nuk do të distancohet nga diktati i politikës, “zëri i saj“ nuk do të jetë i ndryshëm nga ai i një skllavi, sepse siç vërente dramaturgu i lashtësisë, Euripidi: “Një skllav nuk e ka të drejtën të thotë të vërtetën, nëse ajo nuk i vjen për shtat zotërinjve të tij“.
A.M.- Arif Mati “Shqiptarët Origjina e një populli parahelen”2007
E.Sh.- Eduard Shnaider “Pellazgët e pasardhësit e tyre”2009
N.V.- Nermin Vlora-Falaski “Prona gjuhesore dhe gjenetike” 1997
A.Mati- Arif Mati “Mikenet=Pellazget”
A.Th.- Anne Marie Thiesse “Krijimi i Identiteteve Kombëtare”Prishtinë
M.T.- Marco Travaglio “La scomparsa dei fatti” 2006
Shkruan: Fatbardha Demi - Tiranë, 01. 12. 2010
http://www.pashtriku.org/
"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460
SKLLAVËRIMI I HISTORIOGRAFISË ZYRTARE SHQIPTARE
-
- Honored Member
- Posts: 358
- Joined: Sat Jul 18, 2009 6:22 pm
- Gender: Female
- Location: Shqipëri
SKLLAVËRIMI I HISTORIOGRAFISË ZYRTARE SHQIPTARE
"Du t'jem zot, n'timen tok,
dje dhe sot, sot e neser."
dje dhe sot, sot e neser."
- Zeus10
- Grand Fighter Member
- Posts: 4227
- Joined: Thu Jun 04, 2009 6:46 pm
- Gender: Male
- Location: CANADA
- Contact:
Re: SKLLAVËRIMI I HISTORIOGRAFISË ZYRTARE SHQIPTARE
Ky artikull, shkruan te verteta te medha, qe duhet te jene ne vemendjen e cdo studjuesi shqiptar. Duhet lene menjane inferioriteti dhe duhen hedhur per diskutim teza te guximshme si:
Populli shqiptar eshte i vetmi ne Europe qe ka nje histori etnike.
Greko-Romaket jane nje shtremberim historik dhe nje perqasje e djallezuar politike e europianeve.
Per te gjithe ata qe nuk e kane kuptuar, qe pse keto teza nuk jane parashtruar deri me tani, artikulli e sqaron shume bukur:
Populli shqiptar eshte i vetmi ne Europe qe ka nje histori etnike.
Greko-Romaket jane nje shtremberim historik dhe nje perqasje e djallezuar politike e europianeve.
Per te gjithe ata qe nuk e kane kuptuar, qe pse keto teza nuk jane parashtruar deri me tani, artikulli e sqaron shume bukur:
«Që të merresh me historinë e popullit shqiptar, që nga prehistoria dhe deri në kohët e vona - shprehej Spiro Konda - duhet të jesh filolog, helenist, latinist, glosolog, indolog dhe gjuhën shqipe ta kesh gjuhë ametare dhe ta zotërosh shkencërisht » (A.Bitraku “S.Konda dhe prejardhja pellazgjike e shqiptareve”)
The only thing necessary for the triumph of evil is for good men to do nothing