
Huntelaar: Shqipëria nuk është më kombëtare e vogël
Holanda është Kombëtarja e parë evropiane që siguroi kualifikimin për Botërorin 2010. Me fitoren e tyre 2-1 në Rekjavik, lojtarët holandezë nuk frikësohen për të ardhmen e kombëtares dhe klubeve ku ata luajnë. Për Kombëtaren e Shqipërisë thonë se nuk është ekip i vogël.Ekskluzivisht për gazetën Express folën tre yjet e tulipanëve yjet Klas-Jan Huntelaar, Ryan Babel dhe Rafael van der Vaart. Tulipanët gjatë Evropianit 2008 ishin Kombëtarja më atraktive në lojë dhe arritën t i mposhtin me rezultat të thellë Italinë dhe Francën, por seria pozitive e rezultateve të tyre u ndal nga Rusia, e cila po ashtu udhëhiqej nga trajneri holandez Gus Hiddink. Sulmuesi i Real Madrid, Klass-Jan Huntelaar, flet për Kombëtaren dhe klubin e tij. Ai thotë se kanë punuar shumë që të fitojmë sa më shumë të jetë e mundur. “Holanda ka një kombëtare të fortë, por në Kampionatin botëror ka gjithashtu shumë kombëtare tjera të forta. Të gjithë e dimë se përveç ekipeve të mëdha evropiane, atje do të jenë edhe kombëtare të mëdha, si Brazili, Argjentina dhe kombëtare tjera nga Afrika”, - thotë sulmuesi holandez i Realit të Madridit.
A mendoni se për Holandën ka qenë dështim Evropiani 2008 në Gjermani?
Nuk mendoj se ka qenë dështim. Ne kemi fituar me rezultat të thellë ndaj dy finalistëve të Botërorit 2006. Ndaj Italisë dhe Francës. Por, gjithmonë ka befasi. Ne kemi humbur nga Rusia, e cila është duke u rritur çdo ditë e më shumë. Kemi menduar se do të shkojmë më larg, por jo gjithçka ka shkuar sipas parashikimit.
Është duke u folur shumë për një largim të lojtarëve holandezë nga Real Madrid. A ndiheni të rrezikuar ?
Jo. Ne dëgjojmë nga mediat për këto gjëra. Real Madrid ka paguar një shumë të madhe për mua dhe unë e konsideroj vetën në planet e tyre. Po ashtu, lojtarët tjerë holandezë dhe unë mendoj së janë pjesë e rëndësishme e ekipit.
Me ardhjen e Florentin Perez, Real pritet të bëjë ndryshime. Si e shihni klubin tuaj vitin e ardhshëm?
Real Madrid është ekip i madh. Ky vit nuk ka qenë shumë i mirë për ne, pasi nuk kemi fituar asnjë titull. Perez pritet të sjellë lojtarë të rëndësishëm, por unë mendoj personalisht se do të jem pjesë e planeve të tij.
Në kualifikimet e kaluara ju keni luajtur dy ndeshje me Shqipërinë. Në të dyja ndeshjet është folur se Holanda është ndihmuar nga gjyqtarët. Cili është opinioni juaj rreth kësaj?
Gjithmonë ka dyshime, por ato janë ndeshje të kaluara dhe ne jemi duke luftuar për të ardhmen. Ajo çka mund të them është se nuk ka qenë lehtë kundër Shqipërisë. Kombëtarja shqiptare është në zhvillim e sipër dhe çdoherë këto ekipe janë rrezik për ekipe të mëdha. Por, unë nuk them se Shqipëria është kombëtare e vogël.
Cili është opinioni juaj për futbollin e Kosovës. A keni njohuri për këtë vend ?
Hm... kam njohuri për Kosovën. Por, të bëhem i sinqertë, nuk di për futbollin e Kosovës. E di se ka lojtarë që aktivizohen për kombëtare të ndryshme dhe klube të mëdha, por nuk mund të flas për futbollin e këtij vendi.
Ryan Babel di për lojtarët kosovarë
Për Ryan Babel, Holanda mbetet gjithmonë një ekip i fortë për çdo kundërshtar. Babel thotë se rezultatet e fundit tregojnë se ata do të kërkojnë më shumë në Botërorin 2010. “Besoj se kemi mësuar edhe më shumë nga gabimet tona. Në Afrikën e Jugut do të jenë shumë kombëtare të forta, por ne nuk do t i dorëzohemi askujt", - tha lojtari i Liverpoolit. Kohë më parë ai është shprehur i pakënaqur me mosaktivizimin e ti të rregullt tek ekipi anglez. Por, pavarësisht kësaj, ai thotë se nuk planifikon të largohet nga “Anfield Road”. "Unë jam duke punuar mirë. Liverpool është ekip i madh dhe gjithmonë ka konkurrencë mes lojtarëve. Kam dëgjuar prej mediave për interesim nga klube të ndryshme, por unë jam lojtar i Liverpool dhe jam i interesuar të luaj në këtë klub", - shtoi ai. Babel gjithashtu nuk dëshiron të komentojë dy ndeshjet e kaluara mes Shqipërisë dhe Holandës, por thotë se ata kanë fituar më meritë. Ndërsa thotë se Kosova mund ta ketë në të ardhmen një kombëtare të mirë. "E kemi parë se Shqipëria ka qenë e pakënaqur, por unë nuk mund të flas rreth kësaj. E di se ka qenë vështirë për Holandën, sepse ata edhe në Amsterdam kanë qenë të rrezikshëm. Por gjyqtari është personi që merr vendime në fushë dhe unë nuk mendoj se jemi favorizuar nga ata. E di se për Shqipërinë luajnë disa lojtarë nga Kosova. Kam dëgjuar po ashtu se ka lojtarë të cilët luajnë për kombëtare tjera nga ky vend. Për mua kjo nënkupton se ata mund ta kenë një kombëtare të mirë në të ardhmen", - përfundoi mesfushori holandez i Liverpoolit, Ryan Babel.
Van der Vaart mbetet në Real
Rafael van der Vaart është njëri nga emrat, i cili pritet të largohet gjatë verës nga klubi mbretëror Real Madrid. Ai ka qenë lojtari kyç gjatë kohës që ka luajtur në Hamburg, nga ku është transferuar në Madrid, nuk është parë si i tillë. Ai thotë se nuk e di ende nëse do të largohet nga Reali i Madridi gjatë verës.
"E tëra çka dëgjoj është nga mediat. Lexoj për interesim të klubeve të ndryshme, ndërsa unë ende nuk kam marrë ndonjë ofertë. Unë jam lojtar i Real Madrid dhe mendoj se do të mbetem i tillë", - u shpreh Van der Vaart për gazetën kosovare. Për sa i përket Kombëtares holandeze, ai shprehet se ata duhet të vazhdojnë më shumë, pasi që puna më e vështirë pritet të jetë vitin e ardhshëm, kur do të zhvillohet Botërori. Ndërsa për sa i përket ndeshjeve të kaluara me Shqipërinë, ai thotë se është një kapitull i mbyllur dhe se nuk mund ta komentojë atë çka ka ndodhur më parë.
Faleminderit