Kurat popullore qe kurojne guret ne veshka
Burrat më të prekur se femrat nga infeksionet e rrugëve urinare
Guri në veshka është një masë e fortë që ndodh kur përbërësit e kalciumit ose kimikate të tjera në urinë formojnë kristale që ngjiten së bashku. Këto kristale rriten dhe formojnë gurë, madhësia e të cilëve luhatët nga një kokërr gruri deri në një top golfi. Gurët në veshka janë më të zakonshme të burrat, ku katër në pesë raste kanë gurë në veshka. Disa nga faktorët që kontribuojnë në formimin e gurëve te njerëzit e prekshëm nga kjo sëmundje janë: marrja e paktë e lëngjeve, infeksionet kronike në rrugët urinare, keqpërdorimi i disa mjekimeve, bllokimi i rrugëve urinare me aktivitet të kufizuar për disa javë, si dhe disa sëmundje të caktuara gjenetike dhe metabolike.
Simptomat
Disa njerëz mund të mos kenë simptoma të kuptueshme, si dhembje të forta në veshka. Dhembja mund të zgjasë nga minuta në orë, e ndjekur nga periudha qetësie, të vjella, temperaturë, ethe dhe dobësi, urinë e turbullt apo me erë të keqe, bllokim të daljes së urinës. Prezencën e gurëve në veshka e identifikojnë rrezet X. Teknikat e specializuara të rrezeve X (ndonjëherë edhe me injeksione me ngjyrë) apo me ultratinguj mund të përdoren për të identifikuar më me saktësi masën dhe vendndodhjen e gurëve, si dhe funksionimin e veshkave. Testet e gjakut dhe urinës mund ta ndihmojnë një doktor për të gjetur se çfarë po e shkakton gurin dhe të planifikojë trajtimin për të.
Kurimi
Pjesa më e madhe e gurëve në veshka mund të trajtohet duke rritur sasinë e marrë të lëngjeve, ndryshime në dietë dhe mjekime. Rreth 90 për qind e gurëve kalojnë vetë brenda 3 deri 6 javëve. Disa tipa gurësh mund të shpërbëhen nëpërmjet mjekimeve. Por gurët me përbërje kalciumi, që janë dhe tipi më i zakonshëm i gurëve në veshka, nuk mund të shpërbëhen. Sipas mjekëve, gurët gjithmonë duhet të hiqen kur ka infeksione, bllokime dhe dëmtime në veshka. Ekzistojnë disa metoda të ndryshme për heqjen e gurëve kur kjo bëhet e domosdoshme. Metoda më e mirë varet nga masa, vendndodhja dhe tipi i gurit. Disa gurë hiqen duke kaluar një instrument teleskopik te fshikëza apo te veshka për ta nxjerrë gurin ose për ta copëtuar në fragmente të vogla me rreze lazer apo valë tronditëse. Instrumenti teleskopik mund të futet drejtpërdrejt në veshkë përmes një çarjeje të vogël te pacienti për ta nxjerrë gurin të tërë ose për ta thyer në fragmente të vogla kur duhet. Metoda më e re për të hequr gurët quhet “litotripsia e valëve të goditjes jashtë trupit”. Me këtë teknikë, gurët thyhen në fragmente të vogla me anë të tronditjes me energji të lartë nga një mekanizëm jashtë trupit.
Parandalimi
Trajtimet që mund të parandalojnë formimin e gurëve në veshka janë të mundshme në çdo rast. Prova të qëndrueshme sugjerojnë se marrja e lëngjeve në sasi të madhe mund të ulë rrezikun e gurëve. Përveç kësaj, sapo të zbulohet shkaku i formimit të gurit, mund të përdoren mjekime të ndryshme ose ndryshime në dietë për të parandaluar gurët e rinj. Tipi i mjekimit varet nga gjaku dhe testet e urinës. Përveçse zbrazin mbeturinat dhe lëngjet nga trupi, veshkat luajnë edhe disa role të rëndësishme si: rregullojnë ujin në trup dhe përbërës të tjerë kimikë në gjak si: sodiumin, potasin, fosforin dhe kalciumin, largojnë mjekimet dhe helmet nga trupi, çlirojnë hormonet në gjak për të ndihmuar trupin, rregullojnë presionin e gjakut, krijojnë qelizat e kuqe, nxisin kockat e forta.
Lehtësimi i dhembjeve
Pas përcaktimit të saktë të diagnozës, i sëmuri trajtohet me analgjezikë të lehtë dhe antiperistatikë me efekt jo të fortë. Atij i jepen lëngje të ngrohta dhe i rekomandohet bërja e banjave në vaskë me ujë të vakët. Uji i ngrohtë çliron tek i sëmuri rrugët urinare. Për të lehtësuar dhembjet përdoren disa lloj ilaçesh, të cilat vetëm mjeku mund t’i japë. Sidoqoftë, është e këshillueshme që pas çdo kolike renale, e shoqëruar me urinim me gjak, të përdoren dezinfëktantë përreth një javë. Rekomandohet konsumimi i ushqimeve të lehta, supave me zarzavate, lëngjeve të frutave, çajrat e ndryshme, etj; por njëkohësisht duhet që i sëmuri të lëvizë. Pacientët që kalojnë një kolikë renale është mirë të bëjnë vazhdimisht analizat e urinës, si dhe në krye të tre muajve të bëjnë një ekografi.
Abuzimi me alkoolin ndikon në dhembjen e veshkave
Alkooli ndikon negativisht të njerëzit që vuajnë nga veshkat për faktin se ai është toksik për parenkimën rënave (të veshkës) dhe qelizave të veshkës, duke ngushtuar njëkohësisht qelizat e gjakut që gjenden në të dhe duke dobësuar punën e veshkës. Por një nga shkaktarët e dhembjeve në veshka është edhe shtatzënia. Nga studimet e bëra deri tani të rreth 60-65 për qind e grave shtatzëna, më e dukshme është kolika në dhembjen e veshkës së djathtë, që fillon nga java e 24-t deri në javën e 28-të të shtatzënisë. Dhembja shfaqet si pasojë e shtypjes së fetusit mbi ureterin e djathtë (pasi veshka e djathtë është poshtë). Shkak tjetër është relaksimi i ureterëve nën veprimin hormonal.
Roli i lëngjeve për gurët në veshka
Pirja e ujit dhe e lëngjeve është e domosdoshme për jetën e njeriut dhe pa të njeriu nuk mund të jetojë. Njeriu mund të mos ushqehet gjatë shumë ditëve, por me kusht që të pijë ujë. Marrja e ujit dhe e lëngjeve është një domosdoshmëri edhe më e madhe për ata që vuajnë nga gurët e veshkave. Trajtimi i të gjitha llojeve të sëmundjeve me gurët në veshka qëndron në marrjen e një sasie të caktuar lëngjesh. Ky trajtim bëhet në raport me llojin e gurëve.
Kurat popullore
Mjekët popullorë rekomandojnë disa kura popullore për kurimin e gurëve në veshka. Sipas tyre, gurët në veshka kurohen me fier guri, gjethe delli, bishta qershie, etj. Këto bimë kuruese për gurët në veshka përdoren në formë çaji.
Lëngu i mollës
Duhet theksuar se pirja e rregullt e lëngut të mollës nuk lejon formimin e gurëve në veshka. Për këtë, mjekët rekomandojnë pirjen e çajit të mollës tri herë në ditë nga 1 gotë, por gjithmonë pas buke.
Çaji i koprës
Çaji i përftuar nga bima e koprës ka dhënë rezultate të shkëlqyera në shkrirjen e gurëve në veshka. Mjekët popullorë rekomandojnë pirjen e dy deri tri gotave me çaj kopre dhe shumë shpejt të sëmurët do të shohin rezultatet. Bima jo vetëm që ndikon në veshka, por edhe në rrugët urinare dhe shkakton urinim të shpeshtë, duke ndihmuar në pastrimin e organizmit nga helmet përmes urinimit. Për shërimin e sëmundjes shërbejnë farat e koprës, 1 lugë kaçe dhe tërfil. Dhjetë gramë nga kjo përzierje hidhen në 350 miligramë ujë të nxehtë. Më pas kullohet dhe këshillohet të pihet dy deri tri gota në ditë.
Dardha
Cipa e frutave të dardhës ka veti diuretike dhe ndikon pozitivisht në pastrimin e veshkave dhe të rrugëve urinare. Për këtë qëllim përdoret çaji i përgatitur si më poshtë. Merrni 40-50 gramë cipa dardhash, i hidhni në 250 ml ujë. Këto i zieni për 20 minuta dhe lëngu i fituar pihet i ngrohtë, në mëngjes esëll, për 7-10 ditë. Gjethet e dardhës kanë veti të mira diuretike dhe antiseptikë dhe përdoren kundër sëmundjeve të rrugëve urinare, në cistitet, në gurët e veshkave, në dhëmbët e fshikëzës urinare, etj. Në këto raste këshillohet infuzi i gjetheve. Merrni 20-25 gramë gjethe dardhe dhe i zhytni në një enë me 250 ml ujë të vluar. I lini aty për 10 minuta dhe lëngu i fituar pihet një orë para buke. Kjo përsëritet 2-3 herë në ditë, ndërsa kura rekomandohet për 10-15 ditë. Frutat e dardhës përdoren në gjendje të freskët në kohën e pjekjes natyrore, të ruajtura në frigorifer dhe të përpunuara në formë marmelatë, konservë kompostoje ose të thara. Dardha përmban kripëra mineralë si: kalium, kalcium, mangan, fosfor, hekur, etj. 4-5 për qind sheqer, vitamina C, B1, B2, B6, karotinë, acide organike, etj. Ato janë freskuese, qetësuese, largojnë etjen, pastrojnë zorrët dhe japin energji. Ndërsa kur janë të papjekura, nuk treten lehtë dhe qëndrojnë rëndë në stomak.