Shqiptarët nga Maqedonia e Kosova vërshojnë Shqipërinë
Kur mungojnë pak orë nga kremtimi i festës së madhe, mijëra shqiptarë nga Kosova e Maqedonia janë dyndur në pikat kufitare me Shqipërinë, për të festuar në Vlorë e Tiranë 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Mijëra automjete të mbuluara me flamujt kombëtarë, e këngë patriotike, kanë kaluar sot kufirin për në Shqipëri.Autoritetet bëjnë të ditur se vetëm për 24 orët e fundit, nga 5 pikat e kalimit kufitar të Kukësit kanë hyrë në territorin e Shqipërisë më shumë se rreth 10 mijë shtetas kosovarë dhe rreth 5 mijë automjete.
Shqiptarët e Kosovës, thonë se po iu bashkohen festimeve në Shqipëri, pasi 28 Nëntori është festa më e madhe e shqiptarisë në çdo trevë të Shqipërisë etnike.
Ndërkohë mijëra shqiptarë të Maqedonisë, nga Struga, Ohri, Shkupi, Kumanova,Dibra,Kercova,Tetova dhe Gostivari kanë hyrë sot në Shqipëri nëpërmjet pikës kufitare të Qafë Thanës, për të udhëtuar drejt Vlorës.
Sipas të dhënave zyrtare në doganën e Qafë -Thanës prej orëve të para të mëngjesit kanë hyrë së paku 4500 shtetas me 1800 mjete nga Maqedonia. Për të përballuar fluksin e lartë në këtë doganë, policia kufitare ka marrë masa shtesë duke rritur numrin e sporteleve. Aktualisht funksionale janë 8 sportele në hyrje.