Aksion me 6 mijë policë, bllokohen kazino e bastore Tiranë, 15 tetor – Aksion kombëtar kundër kazinove, pikave të basteve e lojërave të fatit që operojnë në mënyrë të paligjshme. Të paktën 6 mijë efektivë të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me inspektorët e Tatim-Taksave dhe Ministrinë e Financave i dhanë fund dje “marrëzisë” së lokaleve të lojërave të fatit, duke bllokuar 540 të tillë. Aksioni i koduar “Fund marrëzisë” është urdhëruar nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, transmeton Panorama. Operacioni filloi njëherësh në të gjitha qytetet me kontrolle në ambientet e basteve sportive dhe lojërave të fatit. Aksioni është cilësuar më i madhi për Policinë e Shtetit që pas vitit 2002, kur u organizua operacioni antiskaf i koduar “Puma”. Shërbimet e drejtorive të qarqeve, komisariateve, si dhe forcat FNSH nisën aksionin dje rreth orës 17:00 dhe e mbyllën në orët e vona të mbrëmjes. Vetëm në Tiranë u bllokuan mbi 150 lokale lojërash fati, nga të cilat 80 vetëm brenda dhe përreth Qytetit Studenti. Inspektimi i paparalajmëruar i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi, që verifikuan Qytetin Studenti, i kushtoi pezullimin nga puna shefit të stacionit të Policisë aty, Arsen Sinomatajt. Një lokal lojërash fati “Apex” është bllokuar në Aeroportin e Rinasit. Policia Kufitare e Rinasit ka sekuestruar 7 kompjuterë në lokalin që ndodhej pranë terminalit të aeroportit, pasi rezultonin të palicencuar dhe ka rrethuar ambientin me shirit. Mësohet se nuk ka pasur asnjë konfrontim gjatë aksionit.Operacioni Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, 6 mijë forca policore kanë bllokuar në të gjithë vendin qindra pika të lojërave të fatit. Operacioni i koduar “Fund marrëzisë”, që nisi dje në orën 17:00, u krye nga forcat e rendit, forcat speciale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe me Drejtorinë e Kontrollit të Lojërave të Fatit në Ministrinë e Financave. Burimet thanë se gjatë aksionit u bllokua një numër i madh pikash bastesh e kazinosh, të cilat nuk kanë shlyer detyrimet tatimore, ose janë të palicencuara. Disa nga parregullsitë e konstatuara gjatë kontrolleve kanë qenë mungesa e licencës, detyrimet e papaguara tatimore, nuk kanë qenë të regjistruar në QKR, nuk kanë pasur leje për ushtrimin e aktivitetit dhe nuk kanë deklaruar numrin e punonjësve. Ndërsa sipas Policisë së Shtetit, qëllimi i këtij operacioni është rritja e forcës goditëse ndaj subjekteve dhe personave që zhvillojnë në mënyrë të kundërligjshme aktivitetin e lojërave të fatit. Gjatë një interviste për TCH, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha mbrëmë se kazinotë ishin kthyer në çerdhe kriminaliteti. Gjatë zhvillimeve të operacionit për bllokimin e kazinove që kishin probleme me dokumentacionin, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka ndjekur veprimet e Policisë në terren. Ai i ka quajtur lokalet e lojërave të fatit si çerdhe të kriminalitetit. ![]() |
Sa per objektet ne qytetin studenti ka vite qe digjen naten dhe ndertohen diten, ka vite qe keto objekte kane qene nje lufte personale midis PD dhe PS, ( qysh i therrasin ''nipat e saliu dhe nipat e ps'' ). Para dy vjetesh kur dogjen nje nga keto pika ( perball kafes SARA ) nuk moren parasysh as rrezikun qe mund te digjeshin godinat e studenteve ( dhe studentet qe ishin ne gjume ).
Mua personalishte me behet qefi shume per kete aksion, sepse qyteti studenti nuk ka pamjen e nje qyteti studenti po te nje qyteti ''las vegas'' ( kazino, disco, kafe, bar, klub, klab, ) te hapura 24 ore ne 7 ditet e javes. Po nuk besoj qe zoterite e mesiperm kan ndermend te ndryshojne dicka pervecse PRONARET e ketyre objekteve!!