Aulona wrote:Me rastin e 65 vjetorit
Konferenca e Dytë e Labinotit ngjarje madhore në historinë e LANÇ
65 vjet me parë, nga 4 deri 9 shtator 1943, zhvilloi punimet Konferenca e Dytë Antifashiste NAÇL, që pati një rëndësi të madhe si për momentin ashtu edhe për vendimet dhe perspektivat. Cili ishte momenti historik?
Si brenda vendit ashtu edhe ne arenën ndërkombetare ngjarjet po zhvilloheshin me shpejtësi në favor të Luftës Antifashiste. Kishte ndodhur rrëzimi i kabinetit të Musolinit dhe pritej kapitullimi i Italisë fashiste. Por në këto situata të favorshme për popullin, kolaboracionistët, Balli Kombëtar, Zogistët dhe “Nacionalistët”, duke përfituar nga Marrëveshja e Mukjes, shtuan përpjekjet e tyre për të shtënë në dorë pushtetin politik. Për këtë qëllim kreu i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri, më 27 gusht u lëshoi edhe një qarkore forcave të Ballit. Ndërsa një ditë më vonë zhvilluan në Lurë “Kuvendin e 40 krerëve të maleve” ku vendosën:
1.Të lidhim besën për mirëmbrojtjen e Shqipërisë. Megjithse besën e kishin lidhur në mbledhjen e Mukjes.
2. Të krijohet një komandë e përgjithëshme ushtarake me në krye bajraktarin Hysni Dema.
3.Të luftohej Fronti Antifashist NAÇL
Pra defakto ata prishin marrëveshjen e Mukjes, ndonëse ishte në favor të tyre.
Për të çuar ne bazë këto vendime u ngarkuan krerët. Kështu, Abaz Kupi në vend që të shkonte ne mbledhjen e Labinotit si anëtar i Këshillit dhe i Shtabit të Përgjithshëm, më 5 dhe 6 shtator, shkoi në Klos të Matit, mblodhi parinë e shtatë fshatrave dhe u serviri këtë projekt vendim:
“Italia asht fuqi e madhe, na vret, na djeg, prandaj ne do t’i nënështrohemi. Nuk do të lejojmë komunistët dhe partizanët me ba aksione. Për të ruejtun qetësinë e rrugëve do të krijojmë një forcë të armatosur me nga dy veta ne çdo fshat.”
Në këto situata u vu në rend të ditës domosdoshmëria e ruajtjes, forcimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të fitoreve të arritura, si në fushën e luftës per çlirimin e vendit, ashtu edhe atë të forcimit e zhvillimit të mëtejshëm të pushtetìt të Këshillave NAÇ.
Konferenca e Labinotit ishte një kuvend i gjerë gjithëpërfshirës, me përfaqësues nga krahinat e ndryshme, ushtria, rinia, gruaja, Bashkimi i Rinisë Universitare , nacionalistë të ndershëm, klerikë etj.
Pikërisht për këto probleme u diskutua dhe u vendos në Konferencën e Labinotit. Aty u hodh parrulla: “Të njihen Këshillat NAÇL si i vetmi pushtet politik në Shqipëri dhe të ngriheshin ato kudo, në zonat e çliruara dhe ato të paçliruara: Ato të krijoheshin edhe në komunë, rrethe dhe në qarqe, dhe të demaskoheshin këshillat e Ballit dhe përpjekjet e tyre për të shtënë në dorë pushtetin, jo vetëm duke mos hedhur asnjë pushkë, por edhe duke bashkëpunuar hapur me pushtuesit.
Në drejtim të forcimit, zhvillimit dhe centralizimit të punës së tyre, Konferenca zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm, si i vetmi organ politiko - juridik i pushtetit pranë Këshillit u zgjodh Kryesia, u bë ndarja e detyrave dhe u krijuan edhe disa seksione si bërthama të qeverisë së ardhshme.
Aty u miratuan edhe aktet e parë statutore dhe rregullorja për funksionimin e pushtetit
Në Konferencë u diskutua edhe problemi i forcimit të mëtejshëm të ushtrisë, vazhdimit dhe zgjerimit të luftës për çlirimin e plotë të vendit.
Aty u diskutua dhe u sqarua edhe çështja e shumë përfolur nga “Nacionalistët” dhe ballistët, Mustafa Kruja dhe Mit’hat Frashëri, ajo e Kosovës dhe Çamërisë, të cilën ata e përdornin si mollë sherri për të përçarë popullin shqiptar. Lidhur me këtë në rezolucionin e konferencës u theksua: “Çështja e Kosovës dhe e Çamërisë do të zgjidhet në bazë të Kartës së Atlantikut, në bazë të parimit të vetëvendosjes së popujve... Dhe, garancia më e madhe për triumfin e këtij parimi, është lufta që bëjnë dhe do të bëjnë Kosova dhe Çamëria, përkrah me pupujt jugosllavë dhe grekë për të zhdukur fashizmin italian dhe nazizmin gjerman dhe bashkë me ta edhe gjithë tendencat imperialiste dhe shoviniste kudo në botë e veçanërisht në Ballkan. Në rast të kundërt populli i Kosovës do të luftojë atë Jugosllavi që do ta skllavërojë.” Pas Konferencës u ngarkua Baba Faja Martaneshi që, mbështetur në këtë thirrje, t’u drejtohej popullit të Kosovës dhe klerikëve të Dibrës, Prizrenit dhe Prishtinës që të njiheshin me këto vendime.
Konferenca u ndal edhe në dëbimin e marrëveshjes së Mukjes, megjithse, sikurse u tha, de fakto atë e prishën vetë forcat e Ballit etj, me Kuvendin e Lurës. Konferenca e dënoi njëzëri atë marrëveshje. Vetë Ymer Dishnìca, autori kryesor i saj, në diskutìmm e tij tha:
“Ballit i dhamë iluzionin se e konsideronim shok lufte, e frymë e fuckosëm i dhamë frvmën e një organìzate që ecën barabar si shok lufte. l shtuam kredibilitetin... kurse popullit i dhamë tymin, ëndrrën për realitetìn, iluzionin e bashkimit falco, shkopini nën rrota...Dy muai më parë ne kujtonim se Balli mund të kishte një përmirësim, por tani e shoh që janë tepër reaksionarë.” ( Sipas proces-verbalit të Konferencës F.174-179. Fondi 40 Dosja 12. AQP)
Jo me më pak forcë e dënoi edhe Profesor Sejfulla Maleshova. Ai, ndër të tjera, u shpreh: “Me këtë marrëveshje fshiheshin (likuidoheshin Shënim) këshillat nacionalçlirimtare, fshihej Konferenca e Pezës. Po të realìzohej kjo marrëveshje do të fshinte gjithë luftën të deritanishme.”
(Proces- verbali f.171-173)
Konferenca e Labinotit dhe kapitullimi i Italisë fashiste, i dhanë një shtytje te madhe Kryengritjes se Përgjitheshme Popullore Vrullin e saj nuk e ndalën dot as qarkorja tjetër e Mit’hat Frashërit e fìllim tetorit për të luftuar me armë forcat e Frontit ANÇ, as përpjekjet e tyre përçarëse, as bashkëpunimi i tyre i hapur me pushtuesit e rinj nazistë, as operacionet e egra të nazistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Përkundrazi Lufta Antifashiste NAÇ shënoi zhvillime te reja, fitore të mëdha, që çuan në ngjarjen tjetër të madhe, në Kongresin e madh Historik të Përmetit, që i dha popullit Komitetin Antifashist me atributet e një qeverie provizore dhe më vonë me fitoren historike të 29 Nëntorit 1944, çlirimin e plotë të Shqipërisë
Ja përse populli ynë e përkujton dhe do ta përkujtojë brez pas brezi Konferencën e Dytë të Labinotit, si një ngjarje me rëndësi të madhe historike për LANÇ.
Dr. Apostol Kotani
Për herë të parë procesverbali i mbledhjes së Labinotit.
Nga z.Dashnor Kaloçi
Plot 62 vjet më parë, më 10 korrik të vitit 1943, një grup nacionalistësh dhe komunistësh shqiptarë që kryesonin organizatën e Frontit Nacional-Çlirimtar (të formuar më 16 shtator '42 në Pezë) dhe Këshillin e Përgjithshëm Provizor të saj, të mbledhur në fshatin Labinot të Elbasanit, shpallën krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac-Çlirimtare, apo siç njihet ndryshe ushtria partizane e Enver Hoxhës.
Kjo ngjarje historike, e cila gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të para viteve '90 (por edhe pas viteve '90, nga forcat e majta politike), është festuar dhe njihet edhe si Dita e Krijimit të Ushtrisë Popullore, ka pasur shumë shtrembërime dhe manipulime, si në librat e historisë ashtu dhe në ato me kujtime të pjesëmarrësve të saj. Një nga falsifikuesit kryesorë të historisë së asaj mbledhjeje ka qenë vetë Enver Hoxha, i cili në librin e tij "Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re", të botuar në Tiranë më 1984, e ka trajtuar atë sipas konjukturave politike dhe interesave të tij. Ajo gjë shihet qartë nga dokumentet arkivore dhe procesverbali i asaj mbledhjeje, të cilat janë nxjerrë së fundmi nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit në Tiranë. Një pjesë të këtyre dokumenteve po i citojmë më poshtë, duke i krahasuar ato me kujtimet e Enverit të botuara në vitin 1984.
Kujtimet e Enverit
Në kujtimet e tij të botuara në librin "Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re" (Kujtime dhe shënime historike. Tiranë 1984), lidhur me mbledhjen e Labinotit e cila i zhvilloi punimet nga data 4 deri më 10 korrik 1943, midis të tjerash Enver Hoxha ka shkruar: "Më tej, duke u ndalur në punën që kishte bërë Këshilli i Përgjithshëm Provizor, nënvizova se jo të gjithë anëtarët e këtij organi me rëndësi të Luftës Nacional-Çlirimtare ishin treguar në lartësinë e detyrës me përgjegjësi që u kishte ngarkuar Konferenca e Pezës.-Inaktiviteti i plotë i dy pjesëtarëve nacionalistë në Këshillin e Përgjithshëm, Ndoc Çobës e Kamber Qafmollës, theksova në referat- e ka penguar punën. Gjithashtu, në zonën ku është Abaz Kupi, puna me këshillat nuk ka ecur mirë, bile, ata janë penguar. Kurse Ramazan Jarani, i cili nuk është anëtar i Këshillit, por që është ngarkuar si ndihmës i Myslym Pezës për punët e Këshillit, marrim vesh se e ka kthyer pllakën dhe është bashkuar me Ballin, pra praktikisht me punët e Këshillit nuk janë marrë si duhet të gjithë anëtarët".
Procesverbali i mbledhjes
Në procesverbalin e mbledhjes së Labinotit, në referatin e mbajtur nga Enver Hoxha lidhur me aktivitetin e Abaz Kupit, midis të tjerash shkruhet: "Nga ana e Këshillit të Përgjithshëm, Z. Kamber Qafmolla, menjëherë mbas Konferencës, u vu në kontakt me shumë nacionalistë që ma vonë formuen Organizatën Balli Kombëtar dhe u mundue me i bindë në të mirën e bashkimit rreth këshillit të Përgjithshëmn Nac-Çlirimtar mbi bazën e Rezolucionit të Konferencës së Pezës. Teza kundërshtare ishte: Nuk bashkëpunohet me komunista etj. Arrestimi i dy pjestarëve nacionalistë të Këshillit të Përgjithshëm, z. Ndoc Çoba dhe Kamber Qafmolla, e pengoi edhe më tepër punën. Mbetën vetëm në terren z. Enver Hoxha, Dr. Ymer Dishnica, dhe Mustafa Gjinishi e Ramazan Jarani, si zavëndësa të z. Abaz Kupi dhe Myslym Peza. Z. Ramzan Jarani, si përfaqësues zyrtar i z. Myslym Pezës duhej të vepronte si antar i Këshillit të Përgjithshëm e për programin e këtij Këshilli. Mirpo pas përpjekjeve të para, z. Ramzan Jarani e shohim në Ballin Kombëtar që sapo u krijue. Kështu që puna e Këshillit nuk mundi që të shkoj aqë përpara nga kryet me Ballin Kombëtar. Me gjithë këtë, pjestarët komunistë të Këshillit të Përgjithshëm bashkë me z. Mustafa Gjinishin, përfaqësuesin zyrtar të z. Abaz Kupi, i vazhduan përpjekjet me Ballin dhe nga ana tjetër filloj veprimi për formimin e këshillave nëpër qytetet e krahina". Siç shihet edhe nga sa cituam më lart, kujtimet e Enver Hoxhës të botuara në librin e tij "Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re" (Tiranë 1984), ndryshojnë kryekëput me raportin e tij që gjendet në procesverbalin e mbledhjes së Labinotit. Në të gjitha faqet e atij raporti, i cili nuk është publikuar asnjëherë, Enveri, në asnjë rast të vetëm nuk ka bërë asnjë kritikë ndaj Abaz Kupit. Po kështu ai nuk ka bërë kritika edhe për nacionalistët e tjerë si Kamber Qafmolla e Ndoc Çoba, të cilët në kujtimet e tij i quan si inaktiv, ndërsa në referatin e mbajtur në atë mbledhje, ai është shprehur se ata ishin arrestuar nga pushtuesit.
Kupi, i pari në listën e Shtabit
Lidhur me përfundimin e mbledhjes së Labinotit më 10 korrik të vitit 1943, ku u zgjodhën dhe anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, në kujtimet e tij midis të tjerash Enver Hoxha ka shkruar: "Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm e përshëndetën propozimin për krijimin e Shtabit të Përgjithshëm dhe shprehën besimin se ekzistenca e një organi të tillë do ta forconte akoma më shumë luftën Nacionalçlirimtare dhe do ta afronte ditën e fitores sonë mbi armikun. Pas marrjes së këtij vendimi historik, u diskutua edhe për përbërjen e Shtabit të Përgjithshëm dhe u vendos që Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të përbëhej prej 12 vetësh dhe konkretisht nga: Spiro Moisiu, Enver Hoxha, Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi, Ymer Dishnica, Dali Ndreu, Mustafa Gjinishi, Sejfulla Malëshova dhe Bedri Spahiu. Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar vendosi gjithashtu që ndërtimin e strukturës së organeve të Shtabit të Përgjithshëm t'ia linte vetë këtij, në mbledhjen më të parë". Ndërsa në procesverbalin e mbledhjes së Labinotit, lista e emrave të Shtabit është si vijon: Abaz Kupi, Myslym Peza, Spiro Moisiu, Baba Faja, Haxhi Lleshi, Dali Ndreu, Ymer Dishnica, Ramadan Çitaku, Enver Hoxha, Mustafa Gjinishi, Bedri Spahiu e Sejfulla Malëshova. Pra, siç shihet, Abaz Kupi figuron i pari në krye të listës, ndërsa në kujtimet e Enverit, të gjithë ish-anëtarët e Shtabit që u goditën, u ekzekutuan apo u burgosën më pas prej tij, si Kupi, Dishnica, Ndreu, Gjinishi, Malëshova dhe Spahiu, figurojnë në fund të listës. Jo vetëm që Abaz Kupi ishte i pari në listën e Shtabit, por siç shihet edhe nga procesverbali i mbledhjes, atij iu dha e drejta që të zgjidhte edhe 2 nacionalistë të tjerë si anëtarë të atij Shtabi. Lidhur me këtë, midis të tjerash, aty shkruhet: "Ju dha e drejta z. Major Abaz Kupit që mbas bisedimesh që do të zhvilloj me parinë e Matit e të Krujës në të mirë të çashtjes, të propozojë një ose dy vetë të përshtatshëm për në Shtabin e Përgjithshëm". Pra, duke ndjekur kujtimet e Enverit të botuara në vitin 1984 ("Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re"), shohim qartë tendencat e tij për të glorifikuar punën e luftën e komunistëve që ishin në mbledhjen e Labinotit në 10 korrik 1943 dhe për të shpërfillur atë të nacionalistëve të ndershëm, të cilët më pas u goditën prej tij duke u shpallur armiq të popullit.