
3 Dhjetor 2009
Të dashur bashkëpuntorë!
Të nderuar bashkëqytetarë!
Presioni i vazhdueshëm që Qeveria e Sali Berishës u bën bashkive tona vetëm e vetëm për shkak të përkatësisë opozitare të kryetarëve, duke shkelur Kushtetutën,
Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, si dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë, është arsyeja e këtij komunikimi të përbashkët publik. Është për të ardhur keq që kërkesës sonë për shërbime më cilësore ndaj qytetarëve, të cilët na kanë zgjedhur pikërisht për këtë arsye, qeverisja dhe qeveritarët e mbrapshtë nuk kanë vesh dhe sy të dëgjojnë dhe të shikojnë, edhe pse janë pikërisht qytetarët ata që cënohen nga këto ndërhyrje flagrante dhe antiligjore.
Jemi këtu sot, jo për t’u thënë qytetarëve që administrata e Bashkisë Vlorë do të ofrojë më pak shërbime për ta në aspektin sasior dhe cilësor, apo akoma më keq për t’i bllokuar këto shërbime, por për t’u treguar se politikat e kësaj qeverie ndaj pushtetit vendor jo vetëm kanë cënuar rëndë ligjet e shtetit shqiptar, edhe pse qeveritarët e saj paguhen nga taksat e bashkëqytetarëve tanë për t’u shërbyer atyre përmes ligjeve, por në mënyrë të veçantë kanë cënuar rëndë edhe demokracinë tonë dhe normalitetin e funksionimit të shoqërisë dhe institucioneve shtetërore.
Ne, 550 punonjësit e Bashkisë Vlorë, jemi të nderuar që punojmë në shërbim të bashkëqytetarëve tanë, që administrojmë punët e qytetit tonë, që përmirësojmë infrastrukturën, pastrojmë qytetin ditën edhe natën; mirëmbajmë kanalizimet, rrugët dhe ndriçimin publik; çerdhet, kopshtet dhe shkollat e qytetit; jemi ne që ideojmë dhe projektojmë të ardhmen, që ofrojmë shërbime në qendrat sociale për fëmijë e të moshuar, si dhe për familjet në nevojë, e deri tek shërbimet e fundit në varrezat e qytetit.
Askush nga ju nuk është i tepërt në këtë institucion, që me punën e tij e ka bërë Vlorën një ndër qytetet më tërheqës për shqiptarë dhe të huaj, prandaj ne jemi sot këtu; do të jemi dhe nesër, për të vazhduar në datën 5 Dhjetor në Tiranë protestën e përbashkët të bashkive dhe komunave në mbrojtje të cilësisë dhe standarteve të shërbimeve, të pavarësisë ekonomike dhe financiare të bashkive tona, në mbrojtje të ligjeve të shtetit shqiptar dhe Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, si dhe në mbrojtje të vendeve të punës, të cilat Berisha kërkon t’i shkurtojë, me të vetmen arsye që ne mendojmë ndryshe nga ai.
Është e pafalshme që reforma e decentralizimit në vitet 2005-2009, jo vetëm që nuk ka shënuar progres, por në të kundërt, bashkitë dhe komunat sot kanë më pak autoritet vendor në ushtrimin e funksioneve të tyre dhe më pak burime financiare se sa në vitin 2005. Tiparet e iniciativave ligjore të qeverisë së Sali Berishës gjatë këtyre viteve në raport me pushtetin vendor vetëm sa kanë gjeneruar:
Së pari: Konflikt të kompetencave
Qeverisja qëndrore me dashje nuk arriti të përvijojë me ligje dhe të luajë rolin e saj përkundrejt qeverisjes vendore si garantues i standarteve minimale kombëtare në vend, përkundrazi, në mjaft raste ka absorbuar pushtetin vendor dhe në “emër të standartit kombëtar” ka ndërhyrë haptazi në çështjet vendore, duke prodhuar vetëm konflikte.
Çdo iniciativë e lançuar, e justifikuar me të ashtuquajturat “reforma kombëtare”, ka pasur në vetvete qëllimin e vetëm të uljes së rolit të qeverisjes vendore dhe sulmit ndaj kundërshtarëve politikë të përfaqësuar në shumicën e njësive vendore. Përgjithësisht në rekomandimet apo raportet e ndërkombëtarëve mbi Shqipërinë pranohet se reforma ligjore nuk duhet të rëndojë në kurriz të programit të decentralizimit dhe parimeve të Kartës së Autonomisë Lokale. Çështje të caktuara me natyrë vendore duhet të jenë në diskrecion të organeve lokale, të cilat duhet të kenë mjetet dhe kapacitetet e nevojshme, para së gjithash financiare, për t’i ushtruar ato në mënyrë efektive.
Qasja e reformës së decentralizimit në vitet 2005-2009, dhe në mënyrë të veçantë iniciativat e fundit të mbrapshta të qeverisë Berisha, nuk ka qenë forcimi më tej i të gjithë instrumenteve që do të institucionalizonin vlerat e krijuara (me Kushtetutën, Kartën e Autonomisë dhe Ligjin organik), por shpërbërja e tyre, me qëllim uljen e rolit të të zgjedhurve vendorë, për shkak të përfaqësimeve të ndryshme politike midis dy pushteteve.
Eksperienca e përplasjeve të qeverisjes vendore me atë qëndrore, jo vetëm nuk i ka vlejtur thellimit të kësaj reforme, por përkundrazi, ka kufizuar hapësirën e mëparshme vendore dhe nuk ka lejuar progresin e projekteve vendore, për rrjedhojë të zhvillimit të qyteteve tona në nivelin e dëshiruar, përfshi këtu dhe qytetin tonë, Vlorën.
Kështu, procese të rëndësishme të decentralizimit si:
* Tranferimi i shërbimeve publike të furnizimit me ujë
* Kanalizimet
* Transporti publik
* Legalizimet
* Menaxhimi i trafikut rrugor
* Shërbimet sociale
* Strehimi
* Menaxhimi i mjedisit
* Planifikimi dhe menaxhimi urban
vazhdimisht kanë prodhuar konflikte të forta kompetencash midis pushtetit vendor dhe atij qëndror.
Për pasojë, në fakt, pengohet në marrjen e shërbimit që meriton drejtpërdrejt qytetari i Vlorës, i cili prej vitesh e vitesh të tëra është peng i kësaj politike të mbrapshtë, shërbime të cilat vetëm në këtë shtet mbahen peng në dorë të qeverisjes qëndrore.
Së dyti: Ligjet dhe aktet nënligjore të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ku do të përmendja:
* Në fushën e planifikimit dhe zhvillimit urban: është ndryshuar Ligji “Për Urbanistikën”, ndryshime të cilat nuk garantojnë qëndrueshmërinë e kompetencave të pushtetit vendor dhe e bën shumë më të fuqishëm presionin politik të Qeverisë, duke centralizuar procedurën e paisjes me leje ndërtimi.
* Në fushën e legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të ndërtimeve pa leje: është ndryshuar Ligji Nr.9482, ndryshimet e të cilit kanë përjashtuar organet e qeverisjes vendore nga ushtrimi i funksioneve për çështjet e planifikimit, menaxhimit urban dhe të kontrollit të territorit, duke fuqizuar në mënyrë të jashtëligjshme rolin dhe kompetencat e ALUIZNI-t, si vegël e qeverisë. Edhe vet Gjykata Kushtetuese në mbështetje të iniciativave të pushtetit vendor, për të mbrojtuar parimet e autonomisë, ka në shqyrtim 7 kërkesa për shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të Kartës Europiane të Autonomisë Vendore. Ky ndryshim ligjor i shkaktoi Bashkisë Vlorë një efekt negativ prej 2 miliard e 80 milion lekë të vjetra. Së treti: Kufizim i instrumentave financiarë, fiskalë dhe rregullator që mundësojnë një ushtrim autonom dhe real të funksioneve:
* Legjislacioni për taksat dhe tarifat vendore gjatë viteve 2005-2009 ka pasur një tendencë regresive lidhur me këtë “politikë kombëtare” që afekton autonominë financiare të pushtetit vendor. Këto ndërhyrje në legjislacion nuk i kanë siuguruar burime të mjaftueshme dhe të konsoliduara Bashkisë Vlorë, duke çekuilibruar efiçencën në përdorimin e tyre. Për më tepër ka patur ndërhyrje në kategorinë e taksave vendore që gjenerojnë të ardhura për bashkinë tonë. Kështu:
* Ndërhyrja e parë, menjëherë pas marrjes së mandatit të parë qeverisës: Berisha përgjysmoi me 50% nivelin e “Taksës së biznesit të vogël”, vendim, i cili, edhe pse u premtua, nuk u shoqërua me kompesim financiar të Bashkisë tonë. Efekti negativ që e pasoi këtë ndërhyrje kap vlerën prej 4,5 miliard lekë të vjetra në Buxhetin e Bashkisë Vlorë.
* Ndërhyrja e dytë: amendamenti i Majit 2009 në ligjin bazë “Të taksave dhe tarifave vendore” ku qeveria në rrugë antikushtetuese ndërhyri direkt në përcaktimin e nivelit të tarifave, pa marrë në konsideratë faktin që ato vendosen mbi bazën e kostos së shërbimeve dhe jo sipas orekseve politike të Qeverisë Berisha. Kjo ndërhyrje i ka shkaktuar një efekt negativ Bashkisë Vlorë prej 920 milion lekë të vjetra.
* Ndërhyrja e tretë: Vendimi i Tetorit 2009, sipas të cilit bizneset e vogla me xhiro mbi 50 milion lekë i trajton si biznese të mëdha, duke i futur ata në një skemë detyrimesh tatimore të papërballueshme dhe duke i çuar drejt falimentimit, por njëkohësisht me këtë mënyrë djallëzore cënohet buxheti i Bashkisë Vlorë, me një efekt negativ prej 750 milion lekë të vjetra.
* Ndërhyrja e katërt: Strategjia e mbrapshtë e Qeverisë Berisha, e cila përdor një praktikë korruptive, klienteliste e partiake të granteve konkurruese për nevojat dhe funksionet bazë të njësive vendore. Vetëm për shkak të përkatësisë time politike të kundërt me atë të Berishës, Bashkia Vlorë nuk përfiton asnjë grant nga projektet, të cilat kanë vite që flenë në sirtarët e qeverisë së tij. Madje edhe granti i pakushtëzuar i këtij viti është 240 milion lekë më pak nga një vit më parë, edhe pse qyteti i Vlorës është një qytet me zhvillim në rritje.
Vetëm për vitin 2010 efekti negativ nga “reformat” e Qeverisë Berisha llogaritet në 3 miliard e 750 milion lekë të vjetra, çka do të thotë:
* 36.200 m2 më pak rrugë të asfaltuara,
* 35.000 m2 më pak trotuarë,
* 2.000 ml më pak kanalizime,
* 140 ditë pastrimi më pak,
* 96.000 m2 sipërfaqe të gjelbërta të pamirëmbajtura,
* 810 pemë dekorative më pak
* 1.200 ndriçues rrugorë më pak,
* 4 shkolla dhe kopshte të parikonstruktuara
Nëpërmjet kësaj proteste dhe këtij komunikimi me ju, u drejtohem edhe gjithë qytetarëve të Vlorës, të solidarizohen dhe të na mbështesin në angazhimin tonë për të marrë nga kjo qeveri asgjë më tepër nga ajo që na takon, me qëllimin dhe objektivin e vetëm që të përmirësojmë infrastrukturën e qytetit, të rrisim cilësinë dhe standartet e shërbimeve ndaj bashkëqytetarëve tanë, për më shumë punë e cilësi jete për qytetin tonë, për t’i thënë “NDAL” cënimit të autonomisë vendore, si një nga kushtet themelore të integrimit të Shqipërisë në strukturat europiane.
Si një nga firmëtarët e apelit publik të 15 Nëntorit për Kryeministrin e Shqipërisë, ju siguroj Juve, punonjësit e Bashkisë, por edhe të gjithë qytetarët e Vlorës se do të vazhdoj, së bashku me kolegët e mi, pa asnjë kompromis, betejën me këtë qeveri për të kthyer në normalitet funksionimin e kompetencave dhe shërbimeve të Bashkisë Vlorë me qytetarët dhe për qytetarët.
Ne do të mblidhemi sërisht nesër në të njëjtën orë, dhe në datën 5 në Tiranë, së bashku me kolegët tanë të qyteteve të tjera, me bindjen se në këtë mënyrë nuk u shërbejmë vetëm qytetarëve që na kanë zgjedhur, por edhe vendosjes së shtetit dhe qeverisë në binarët e ligjit dhe vetëm të ligjit.
Faleminderit!
