Familja Albani ne Itali
Familja Albani e ka prejardhjen nga familja fisnike e Mikel Laçit,nga Laçi i Kurbinit. Mikel Laçi pati dy djem Giorgio (Gjergj Mikeli i Laçit) dhe Filippo di Michele de’ Lazi,(Filip Mikeli i Laçit) ish luftëtarë nën urdhrat e Skënderbeut të cilët u vendosën në Urbino,ku Federico dhe Guidobaldo di Montefeltro i emëruan njerëz të besuar për çështje diplomatike dhe luftarake. Gjergji pati dy djem,Altobelin dhe Hanibalin,edhe Altobeli pati dy djem,Oracion dhe Karlin. Karli është babai i Gjon Franceskut,papës se ardhshëm.Morën mbiemrin Albanesi që jetëgjati Altobello (1445-1564),e ndryshoi në Albani.
Nga kjo familje rrodhën,përveç Klementit XI,kardinalë të shquar,diplomatë të mëdhenj dhe burra shteti të rrafshit të lartë:
- Giovanni Girolamo (1509-1591):kardinal dhe kont,zv-komandant i forcave të armatosura të Republikës së Venecias,kandidat për papë në dy konklave,historiograf,këshilltar juridik vetjak i papës Gregori XIII (1572-1584) dhe papës Sisto V (1585-90).
- Oracio (1576-1653):diplomat,emëruar senator i Romës nga Papa Urbani VIII (1623-44).
- Annibale (1682-1751):kanunor i Shën Pjetrit,president i Dhomës Apostolike,sekretar i Memorialëve,kardinal (1711) dhe nunc i jashtëzakonshëm papnor në Vjenë ku punoi për të ratifikuar zgjedhjen e perandorit Karli VI (1711-1740),kamerleng i Kishës Së Shenjte të Romës,kryekancelier i Dijes,kryeprift i Bazilikës së Vatikanit,peshkop i Sabinës e më tej i Porto e Santa Rufina,nëndhjak i Kolegjit të Shenjtë.
Francesco albani

- Gjon Françesku,(Klementi i XI 1720-1803):kardinal (1753),mbrojtës i Çështjeve të Polonisë,mori pjesë në bisedimet me Katerinën II (1762-93) për të vënë në vend gjendjen e të krishterëve në Rusi,peshkop i Sabinës e më pas i Porto e Santa Rufinas derisa më 1775 si dhjak i Kolegjit të Shenjtë u bë peshkop i Ostias dhe Velletrit,mbrojtës i Shtetit Papnor kundër Francës revolucionare dhe luftëtar i zjarrtë për zgjedhjen e papëve Klementi XVII (1758-1769) dhe Pio VII (1800-23).
- Giuseppe (1750-1834):klerik i dhomës së papës Pio VI (1755-99),i dërguar i posaçëm në Vjenë për të çuar shiritin e bekuar në pagëzimin e kryedukës Ferdinand që më pas u bë perandor (1835-48),kardinal (1801) mbrojtës i perandorisë së Austrisë,bashkësekretar i Letrave Papnore dhe legat në Bolonjë,sekretar shteti i papës Pio VIII (1829-30),dhe komisar i jashtëzakonshëm i papës Gregori XVI (1831-46) i ngarkuar për të kthyer rendin nëpër Dërgata pas lëvizjeve revolucionare (1831-46),bibliotekar i Kishës së Shenjtë të Romës,peshkop i Urbinos dhe legat i Dërgatës së Pezaros dhe Urbinos.
Pas vdekjes së Filipit,më 1852 familja u shua. Është diçka e veçantë dhe për t’u vënë re që pothuajse njëkohësisht me familjen shqiptare të Albani-t,në Lindje,një tjetër derë e madhe shqiptare vezirësh të mëdhenj,përcaktonte fatet e perandorisë otomane në shekujt XVII-XVIII:familja e Qyprillinjve. Para papës Klementi XI,tre papë të tjerë kishin qenë me origjinë shqiptare:San Eleuterio (175-189),San Caio (283-296) dhe Giovanni IV (640-642).
Klementi XI dhe Illyricum Sacrum

Një nga pjesët më interesante të librit “Illyricum Sacrum”,është ajo ku flitet për interesimin që tregoi Papa Klementi XI (Kelmendi),për mbledhjen e përpunimin e historisë së Shqipërisë,gjë e cila nuk u bë plotësisht sepse një pjesë e madhe e atyre arkivave,humbën teksa qerrja që transportonte ato për në Venedik,u mbyt teksa ishte duke kaluar Lumin e Drinit në pjesën e Zadrimës.
Lidhur me këtë,në faqen 221-222 shkruhet:“Papa Klementi XI,Gian Francesco Albani,nga Urbino me prejardhje shqiptare,kur ishte prift i ri filloi të mbledhë landë për historinë kishtare ilire. I penguem nga detyrët kishtare që shkuen tue ia shtue naltimin e tij deri në selin papnore u detyre të ndërpresë punimet e veta historike. Në fillim të pontifikatit të vet,mblodhi Këshllin e parë të Arbënit nën kryesinë e arqipeshkvit të Tivarit,Vinçenc Zmajeviç,e dha urdhën që aktet e Këshillit të përktheheshin shqip e ti shifte në gjuhën e të parëve që në familjen Albani kishte mbetë vetëm si kujtim.
Në atë kohë qendra e kishave ilire ishte Raguza ku mbaheshin këshillat kishtare të Ilirisë. Mbasi patën qenë mbytur në det ipeshkvinjtë shqiptarë duke u kthyer nga mbledhja,Klementi XI vendosi që mbledhjet ndër dioçezane shqiptare andej e tutje të mbaheshin në tokën shqiptare. Qendra e parë e kishave ilire ka qenë Akuileja,mandej Grado-i,e mbasi selia patriakale ilire u bart në Vendik,për arsye praktike u caktue Raguza si qendër mbasi ishte ma e përshtatshme edhe gjeografikisht.
Mbasi selia patriakale e ilirëve u bart në Vendik,e atje ishin grumbullue gjatë shekujve dokumenta,libra,monumenta edhe për Ilirinë,e mbasi Venediku kishte edhe Institute e njerëz të përshtatshëm për historografi,Papa Klementi i XI u muer vesht me Jezuitët e Venedikut e këta dërguen në Romë at Filip Riceputtin i cili mori në dorëzim nga Papa shqiptar lëndën historike të tij,planin e hartimit të historisë kishtare të ilirëve,e me ndihmën financiare për të përballuar shpenzimet e duhura për atë punë.
At Filip Riceputti mbi një barkë të Venedikut i ra për gjatë bregut të Adriatikut duke u ndaluar në të gjitha qendrat ku kishte lëndë për punën e vet e nga këto qendra bregdetare dërgoheshin njerëz të tjerë për kërkime historike në qendrat e brendshme të vendit prej nga i dërgohej lënda e duhur në breg të detit. Këtë punë e vazhdoi deri në qytetin e Tivarit. Prej Tivarit u dërguan lajmëtarë në të gjithë qendrat kishtare të Shqipërisë të cilat iu përgjegjën duke i dërgue secila ndihmën e vet historike shkruajsit të ardhëshëm të kishave ilire. Një qerre me qe e ngarkueme me dorëshkrime,libra e objekte historike,mbasi kapërceu të gjitha vështirësitë e baltërave të Zadrimës,u mbyt në ujë duke kaluar Drinin e humbi e gjithë ngarkesa e caktuar për At Riceputt-in.
Riceputti e ndau të gjithë lëndën e historisë kishtare ilire në katër pjesë me nëndarjet e renditjet përkatëse simbas skemës që kishte përpiluar Klementi XI. Pas vdekjes se tij,At Riceputti me zell e kujdes përfundoi të katër pjesët e historisë kishtare ilire e kur i pati gati për shtyp,mbaruan ditët e jetës së tij e vdiq. Jezuitët,siç e kanë zakon kur vdes çdo anëtar i shoqërisë së tyre që ka në dorë çdo punë të rëndësishme,ngarkuan që të kujdesej për shtypin e dorëshkrimeve të Riceputtit njeriun e tyre më të aftë për historografi,At Daniel Farlatin.
Ky mbasi studioi të gjithë veprën e Riceputt-it u raportoi eprorëve të vet se historinë kishtare e shkruar nga At Filip Receputti,ishte punë me kritere historike të vjetruara. Mbasi u studiua mirë çështja e rezultoi si kishte raportuar At Daniel Farlati,eprorët ngarkuan këtë të niste punën përsëri simbas kritereve historiologjike moderne të kohës. At Daniel Farlati shkroi,shtypi e botoi katër vëllimet e para të veprës Illyricum Sacrum e ndërroi jetë.