Lidhjet mes dy vendeve/Kryeministri Berisha, duke folur për raportet e tij me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, ka theksuar se marrëdhëniet e mia me z.Thaçi janë të shkëlqyera. “Unë kam përuruar tunelin me Kryeministrin e Kosovës dhe gëzimi ynë atë ditë ka qenë i papërshkrueshëm, pasi ajo ditë përbënte një simbolikë të jashtëzakonshme për kombin”, - ka evokuar Berisha, ditën e para pak muajve kur u shemb tuneli që ndante dy vendet. Ai është ndalur më tej në marrëdhëniet ndërshtetërore dhe projektet mes dy vendeve: “Pas pavarësisë së Kosovës dhe hyrjes së Shqipërisë në NATO, projekti i dy qeverive tona është bashkimi i kombit, në kuptimin e zhdukjes së kufijve dhe lehtësimit të bashkëpunimit mes bizneseve të të dyja vendeve”, - theksoi Berisha.Kurse vijoi: “Ne do të punojmë, sapo të krijohet Qeveria e re, që t’i zhdukim të gjitha dallimet që i mundojnë qytetarët shqiptarë kur vijnë në Shqipëri apo kur të shkojnë në Kosovë. Në këtë kontekst, me z.Thaçi ne kemi një projekt dhe ky projekt është që t’i bëjmë shqiptarët të ndjejnë bashkimin në çdo gjë”, ka thënë Berisha. “Kurrë rotacionet e pushtetit nuk mund të rrezikojnë këtë projekt në të cilin shqiptarët kanë shumë punë për të bërë. Mendoj se janë fare primitive interpretimet jashtë këtij konteksti”, ka thënë ai.Ruajtja e partneritetit/Pas replikave të fundit mbi atë që u cilësua nga media të Kosovës ndërhyrje në punët e brendshme, kryeministri Berisha ka deklaruar se ka dhe dëshiron të ketë raporte të mira me të gjitha partitë kryesore në shtetin më të ri në botë. Kryeministri nuk mohoi se ka “raporte tradicionale me Lidhjen Demokratike të Kosovës”, por shton se “kam raporte të shkëlqyera me Partinë Demokratike dhe me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës e parti të tjera”. “Partia Demokratike ka pasur marrëdhënie tradicionale me Lidhjen Demokratike të Kosovës, sepse ato ishin dy forcat kryesore”.Por, këtu Berisha u përpoq të sigurojë se “kjo nuk përbën asnjë lloj pengese për të ruajtur dhe zhvilluar marrëdhënie të shkëlqyera me Partinë Demokratike të Kosovës, me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe me të gjitha forcat tjera”, duke shtuar se “unë vlerësoj rolin e secilit prej tyre” dhe evidentuar se ata “kanë kontribute të mëdha”. Sipas Berishës, këto forca politike, “kanë kontribute në lartësimin e çështjes së Kosovës, kanë kontribute të mëdha në Ekipin e Unitetit, kanë kontribute të jashtëzakonshme në procesin për njohjen e pavarësisë së Kosovës”.
Deklaratat e dhëna mbrëmë nga Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, erdhën pas debatit që u hap për “ndërhyrjet e tij në skenën politike të Kosovës”. Gjithçka erdhi pasi kryeministri Berisha takoi përfaqësues të LDK-së në Tiranë dhe u shprehu mbështetje duke u dëshiruar fitoren në zgjedhjet e pritshme të Kosovës. Disa citime, u interpretuan si anim i mirëfilltë politik i Kryeministrit shqiptar dhe nga disa analistë të Kosovës, u parapa edhe si një deklaratë që mund të kishte pasoja në bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy qeverive në Prishtinë dhe Tiranë. Por e kundërta u theksua fort nga kryeministri Berisha në intervistën që i dha mbrëmë televizionit të Prishtinës: “Raporti im me faktorin politik në Kosovë është i shkëlqyer. Unë kam raporte të mira, vëllazërore, si me koalicionin qeveritar, ashtu edhe me opozitën. Jam i bindur se ky rregull funksionon dhe duhet të funksionojë edhe për autoritetet zyrtare dhe spektrin politik të Kosovës. Në të gjithë qëndrimet tona, gjykoj se ne nuk duhet të bëjmë dallime për sa i përket përkatësive partiake”, ishte deklarata mëse sqaruese e kryeministrit shqiptar Berisha, në intervistën dhënë televizionit Klan Kosova.







Rrëmuja që përcolli dalja e të ashtuquajturës Enciklopedia Maqedonase çoi në paraqitje idesh nga më të ndryshme. E kjo enciklopedi për fatin e keq të maqedonasve nuk bëri tjetër vetëm se krijoi procesin rioshet, duke trazuar kësisoj ndjenjën e atdhetarisë tek shqiptarët. 