[quoteem28.01.2016: Wolfgang Dick - Gjermanët kërkojnë të armatosen]

"Autoritetet përkatëse policore shikojnë detajisht të dhënat e personit dhe kushtet. Leja për armë jepet vetëm në qoftë se absolutisht nuk ekziston asnjë pengesë", shpjegon një shitës. Një kliente e pranon shumë qartë pse ka ardhur: "Unë kam një vajzë 23-vjeçare, e cila studjon në Këln dhe me dëshirë do të shkonte të festojë karnavalet. Ndërsa tani ka pak frikë". Autoritetet, të cilat japin leje për armë të vogla njoftojnë për dyfishimin e kërkesave. Armatimi fillon më së shpeshti me një hulumtim në rrjetin e internetit. Felix Beilharz, ekspert i mediave sociale nga Këlni, thotë se niveli i pasigurisë shihet shumë mirë në trendin e kërkesave në Google.
Veprimet në internet
"Aktualisht kemi një rritje prej më shumë se 1000 % të kërkesave, prej fillimit të janarit", shpjegon Beilharz. "Në veçanti në Facebook dhe rrjetet e tjera sociale kemi një radikalizim të përhapjes së frikës, për faktin që secili sheh vetëm ato përfytyrime, të cilat ia forcojnë frikën. Dhe kjo ka shkaktuar blerje paniku të armëve të të gjitha llojeve."
Nga brengosja dhe frikësimi i qytetarëve po përfitojnë aktualisht edhe organizatorët e kurseve për vetëmbrojtje. Shumë prej këtyre ofertave rezervohen me javë përpara, që para ca kohe ka qenë e paparamendueshme. Edhe në internet mund të shikosh shumë video për përdorimin e armëve. Këtu ka dhe video ku thuhet se "edhe Gjermania duhet të armatoset më shumë, sepse policia nuk mund t'i parandalojë plaçkitësit."
Në një video tjetër ka dhe udhëzime për vetëmbrojtje me armë. Në këto video jepen sugjerime se çfarë duhet të bëni në rast sulmi. Deri tani ka pasur mbi 175.000 klikime dhe ato po shtohen nga dita në ditë. Autoritetet policore i shohin këto zhvillime si pasojë të mosbesimit ndaj shtetit. Rainer Wendt nga Sindikata e policisë pohon se shitja e armëve paraqet një shqetësim të madh, sepse numrat e paraqitur janë jashtëzakonisht të lartë. Megjithatë ai nuk është i brengosur sepse në Berlin aktualisht kanë kërkuar leje për armë vetëm 0,2 % e njerëzve.
Policia nuk do të ndërmarrë asgjë kundër personave që duan të vetëmbrohen. "Kjo është në përputhje me ligjin", thotë Rainer Wendt. Ndaj ligjet nuk duhet të shtrëngohen, sepse njerëzit janë aq të pjekur për të mos i keqpërdorur këto armë. Ndaj nuk ka nevojë për alarme. Megjithatë ka dhe qarqe, të cilat i shikojnë me shqetësim këto zhvillime.
Data 28.01.2016
Autor Wolfgang Dick
Burin nga: DW[/quoteem]