"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

Nga libri i Gjon Markagjonit "Në udhën e vështirë të jetës"

Këtu mund të flisni mbi historinë tonë duke sjellë fakte historike për ndriçimin e asaj pjese të historisë mbi të cilen ka rënë harresa e kohës dhe e njerëzve.

Moderators: Arbëri, Strokulli

Post Reply
User avatar
Patush
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1360
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:12 pm
Gender: Male
Location: With my loved ones, where I belong!

Nga libri i Gjon Markagjonit "Në udhën e vështirë të jetës"

#1

Post by Patush »

TREGIMI I HALLES MARTE

E kishin dënue pa asnjë faj vetëm se ajo i përkiste asaj rinie që nuk pajtohej me idetë e mbrapshta dhe veprimet e ndyta e të flligëta të një sistemi e qeverie, që nëpërmjet dhunës ushtronte në të gjithë vendin terror e krime të hatashme. Ajo e shkreta, me dinjitet i bani ballë turturave të hetuesisë. Biruca e saj, - tregon - ishte shumë e ngushtë e errët e me lagështi. Të ftohtit, pagjumësia, uria, rrahjet etj. nuk ia thyen forcën shpirtnore. Rënkimet, klithmat e njerëzve gjatë torturave e netëve të pambarim nuk e frikësuen. Megjithëse e re, e rritun në një familje, ku kujdesi e dashunia për fëmijët ishte e shenjtë, nuk e mposhti paçavurja e shprishun e asaj pjese njerëzorë aq të pashpirt. Drejtori i burgut, një kriminel shpirtkazëm, një njeri trupvogël, që ndjente kënaqësi kur shikonte paravetes fytyra të vuajtuna e skelete, që mezi qëndronin në kambë, kur hetuesi i tregonte qëndrimin krenar të hallës, një natë e kishte thirrë në zyrën e tij. - Kur e pashë, - tregon halla - pata përshtypjen se ndodhesha para një shkërbeje që ishte e etun vetëm për gjak. Kisha dëgjue aq keq për të, për torturat që u bante të tjerëve, saqë ndjeva neveri. Vendosa të qëndroj. U forcova aq shumë, duke i thirrun mendjes e zemrës, sa vetja mu duk e madhe dhe ai tepër i vogël, tamam si një minuk. Kisha dëgjue se ishte fat i madh të dilje shëndosh prej zyrës së tij. M’u drejtue - Ti armike e përbetuar do te qëndrosh e pathyer... Eë ?! E për ma tepër këtu, në zyrën time ma mban kokën lart e kërkon të tregohesh edhe krenare ?! Dije mirë se armiqtë si ti i shfarosim, veçse pasi t'i torturojmë ashtu si e dimë e duem ne. Plumbi të pret ty e të tjerët si ti. A e kupton se ç’po të them ? –
Ky ishte Strati Papa, egërsia e Beratit, siç thirrej, e që së bashku me Gjin Markun dhe Reis Malilin, toturuen, zhdukën e vranë me gjyqe fallse, në ata vite tmerri, me dhjetra e dhjetra krijesa njerëzore të pafajshme.
Në tavolinë, nga ana e djathtë ai mbante një hekur në formë të riges. U zemërue, u tërbue, sytë iu çakërdisën, fytyra e trupi i morën një pamje prej të çmenduni, saqë i iku çdo trajtë apo fizionomi njerëzore. Unë e ulun ashtu siç isha në një karrigë përpara tij, me duer të lidhuna, mbështetun para tavolinës së tij, për të mos humbun ekuilibrin, pasi isha e dobësueme dhe e lodhun shumë, qëndroja dhe e vështroja xhuxhin e kuq, duke mendue se ku e kishte burimin ajo urrejtje aq e madhe kundër një vajze të re që nuk e kishte pa kurrë në jetën e tij ! Vështrimet tona u takuen e ai duke mos e përballue shikimin tim, sa të qetë aq edhe të guximshëm e domëthanës, nuk dijti si të veprojë ndryshe por me shpejtësi kapi hekurin dhe më goditi me gjithë forcën duert. Dhimbja qe aq e madhe, sa që sytë m'u errësuen, nuk durova e humba ndjenjat.
Kur erdha në vete, shikova se më kishin çue në infermierinë e burgut. Ajo ishtë një kthinë vogël, me dy krevate hekuri, me nga një batanije të felliqur lecka lecka, ku një mjek shumë rrallë vinte e vizitonte ata të burgosun të mjerë, që nuk donin t'i mbysnin shpejt, por t’i kuronin e ushqenin pak ma mirë sa të qëndronin në kambë e të ecnin derisa të uleshin në bankat gjyqësore për orë të tana. Një grue të cilën e kishin prue, disa ditë përpara meje në atë infermieri burgu ishte kujdesue për mue.
- Martë, mos u mërzit! - më tha gjithë ambëlsi, - jam unë këtu me ty. Kam me të shërbye me çfarë të mundem. Rri e qetë. -
- Të falemnderit, - i përgjigjem unë me gjysëm zani. - Shyqyr Zoti që po flas me një njeri përsëmbari pas kaq muajsh vetmie në birucë. Si të quejnë? -
- Jam Neti Fuga, jam prej Berati. Më kanë arrestuar para një viti. Gjithë kohën në seksion, në sigurim, në birucë, në tortura. Më kanë sjellur këtu, pse u bënë disa ditë që më zurën ethe të forta sa që kujtova se mbarova. Ishalla nuk më ndahen këto ethe që të rrimë edhe disa kohë sëbashku. - Ajo qeshi, më përqafoi tanë dashuni dhe më ndriti mendjen. Vuajtja dhe mjerimi, fati i njëjtë na bani shoqe të ngushta. Shumë ditë i kaluem bashkë.
Filloi të errej në atë kthinë spital. Iku nata e për çudinë më të madhe askush as ditën e nesërme nuk po vinte për ta na vizitue dhe për të na shikue. Duert më dhimbnin, sidomos gishti i dytë i dorës së majtë i ejtun, i nximë, me kockën të thyeme, që kishte zanë qelb, më jepte aq siklet e më ziente sa që nuk gjeja asnjëfarë qetësie. Ecja nëpër dhomë e gjumi s'më mirrte. Neti më qëndronte pranë. U mundonte të më largonte të keqen, por edhe ajo e shkreta e lodhun, e dobësueme nga torturat dhe temperatura e vazhdueshme ishte ba kockë e lëkurë. E çfarë nuk kishin ba në të siç tregonte. Rrahun, po se po, sepse kjo ishte ma e zakonshmja, ndërsa në dimën pasi e lidhnin kambë e duar, e futnin në një fuqi mbushun me ujë ku e linin për disa orë rresht, pastaj të varun për krahësh e vendosnin para dritares së hapun, ashtu të lagun ku era e ftohtë e fshikullonte pa mëshirë duke ia nxi të gjith trupin.
Endëshim si hije të vdekjes në atë dhomë spital-burg që mëzi na zinte duke pasë edhe frikën se mos donin të na mbysnin. Na kishin pru në infermieri, por mjekun nuk e lejonin të vinin, po ashtu edhe bukën e ujin çdo dy tri ditë na e sillnin. Ndërkohë Neti e revoltueme me ato pak forca që i kishin mbetun fillon e godet portën me grushta e shqelma duke bërtitë me të madhe deri sa e lanë forcat dhe e këputun ra përmbys duke u dënesun në shtrat. Rojet sikur dëgjuen, u alarmuen, lajmëruen oficerët dhe drejtorinë e burgut. Si duket të prekun nga zani i fikun dhe ngashërues i një të reje që kërkonte ndihmë u duk se po vinin dorë në zemër. Por u deshën prap disa orë të tjera deri sa ata të vinin. Një oficer çeli derën dhe u fut brenda. Pasi dëgjoi ankesat tona, premtoi se do ta binte menjëherë mjekun. U justifikue duke thanë se kishte pase shumë punë.. .
Ma vonë morëm vesh dhe kuptuem se një ngjarje e randë i kishte tronditun themelet e shtetit në Berat. Shumë oficerë e policë ishin pushue nga puna, ishin burgosun, dënue dhe pushkatue. Gjatë kësaj rrëmuje që zgjati disa kohë ne ishim lënë në harresë dhe as që i binte kujt në mend për ne. Ngjarja, që kishte ndodhë na u tregue pastaj nga të burgosunit që ishin rikthye në burg, të ridënuem me vite të tjera.
Çdo ditë dërgonin për të punue jashtë qytetit grupe të burgosunish që ishin të dënuem. Zakonisht i rendisnin për katër me veglat e punës në krah. Në krye të kolonës, disa metra para, printe një oficer e bri tij një ushtar me mitroloz në krah. Në dy anët e kolonës dhjetra policë me distanca të ndryshme nga njëni tjetri shoqëronin të burgosunit me pushkë e automatikë në duer. Kurse në fund qëndronte një oficer dhe një ushtar me një mitroloz të lehtë në krah. Të burgosunit e kampit dhe të intenuemit ishin organizue dhe kishin vendosë të arratiseshin ose të shuheshin fare. Veprimet duheshin mendue e zbatue me kujdes të madh. Jeta në kampe e burgje ishte ba përditë ma e vështirë dhe e padurueshme. Kishte ardhë, si i thonë jë fjale, thika në palcë, prandaj kur të jepej sinjali, pasi të niseshin për në punë e të largoheshin nga qyteti, çdo rresht do të çarrnatoste policët. Nja dy rreshta të burgosunish ishin lanë për çarrnatosjen e rojes dhe të prapa rojes. Vështirësinë ma të madhe e kishte çarrnatosja dhe eleminimi i oficerit e ushtarit me mitroloz në fund të karvanit për arsye se nga largësia ata kontrollonin gjithçka. Për këtë qëllim ishin caktue të burgosun nga të rinjtë ma të shkathët, ma trima e ma të fortë fizikisht.

Image
MARTA GJOMARKAJ
u interrnua ne moshën 19 vjeçe, e pas 7 vjet burg e 39 vjet internim, u lirua në moshën 65 vjeçe.




Ata dolën vullnetarisht për kryemjen e aksionit, pavarësisht se mund të rrezikohej jeta e tyne. Pra kryemja e aksionit me kujdes e saktësi kishte në dorë fatin e vetë atyne dhe të të gjithë shokëve. Kur u dha sinjali, brenda pak sekondash sa çel e mbyll sytë, të gjithë policët me oficerin përpara u gjendën përtokë e të çarrnatosun pa damtimin më të vogël të burgosunve. Vetëm njëni ishte plagosun në ballë ndërsa po i rrëmbente mitrolozin nga duart praparojes i cili kishte pas qëllue edhe i fortë fizikisht. Si fillim çdo gja kishte shkue shumë mirë, sipas planit e urdhnave të dhana. Ajo që nuk u parashikue ishte kur disa të burgosun që nuk shikoheshin me sy të mirë nga shokët dhe ishin vegla në shërbim të komandës, të oficerëve e policëve dhe për karakterin e dobët të tyre, tentuen t'u dilnin zot e ti ndihmonin gjatë përleshjes. Në këto momente e në këtë situatë, i burgosuni i fundit, i plagosun në ballë, megjithëse nuk shikonte mirë, me që gjaku i kullonte ndër sy e ja pengonte shikimin, menjëherë kish kapun mitrolozin, i kishte vendosë dy kambëzat në tokë dhe duke të gjuejtë mbi policët. Ai ndoshta do të kishte vra me padashje edhe ndonjë nga shokët e tij, por fakti që ai nuk shikonte qartë, bani që policët ma të dobët fizikisht të mos e përballonin përleshjen, të tërhiqeshin dhe fitorja plotësisht të kalonte në anën e të burgosunve. Të burgosunit, tani të armatosun me armët e policëve, tashma e ndjenin veten të lirë, trima e luftëtarë të fuqishëm. Kërmave të komunizmit nuk u banë asgjë, i lanë të lirë që të ktheheshin në qytet se e dinin mirë se çdo t'i priste policët e oficerët, kur të paraqiteshin në komandë. Ky veprim i të burgosurve qe i gabuem. Vetë të burgosunit morën rrugën drej malit, menduen menjëherë të arratisëshin shend e verë, se i kishin shpëtuar përgjithmonë kthetrave grabitëse dhe gjakpirëse të xhelatëve.
Lajmi u hap menjëherë gjithandej. Populli i Beratit i tallte e i përqeshte, por njeherësh i shikonte me neveri ata policë e oficerë të çarmatosun, kokë ulun e plot turp që ecnin të poshtëruem. Në fytyrat e tyne dukej shpagimi i të burgosunve dhe mbi ta kishte ra hija e vdekjes. E kishin të qartë se në komandë dhe në degën e punëve të brendshme i priste dënimi. Zakonisht, kur ndodhnin ngjarje të tilla, nga trima të krekosun si gjelat mbi pleh "të kuqtë " ulnin pendët, baheshin, por më shumë shtireshin si të urtë, të butë e të komunikueshëm. Lëshonin pe deri sa të mendonin e të shikonin se i forcuen pozitat dhe e morën prap veten.
Ne të dyja, unë dhe Neti, që ishim në spitalin burg, përfituem nga ky moment dobësie i tyne. Na dërguen për vizitë në spitalin e qytetit me që mjeku që erdhi në burg e na vizitoi iu tha atyne se ne të dyja ishim të mbarueme. Në spitalin civil të qytetit vizitonte, mjekonte dhe operonte një mjek italian me emnin doktor Antonino. Ishte i nipi i doktor Locit, i pushkatuem nga komunizmi. Më vjen keq që Locit nuk i përmendet emri fare dhe nuk i ngrejnë një përmendore për punën e madhe që ka ba në shërbim të popullit dhe për të 18 000 operacionet që ka krye në Shqipni. Kur në sallën e gjyqit, kryetari i tha se çfarë kërkonte nga trupi gjykues, doktor Loci me qetësinë më të madhe ishte përgjigjun: -Jam i pafajshëm. Për hatër të atyne 18 000 njerëzve që kam mjekue e shërue ju duhet të më falni. - E të egrit, të pashpirtët nuk e banë një gja të tillë. E hodhën në krahët e vdekjes, e lanë edhe pa varr, humanistin mjek që u kishte dhurue qindra e mijëra shqiptarëve gjallesën.
Dhuna e njollosi dhe e përdhosi humanizmin. Thatësia shpirtnore i vyshku lulet. Errësina e hataja kishin mbulue gjithçka. U duk sikur u shkimb jeta. Por gjithësia nuk ndalet, jeta nuk mund të shuhet, sado që keqbasi e shfarosësi të mundohet. Megjithë vuejtjet, mundimet, shtypjet e shfrenueme, plagët e randa që marrin, krijesat e Zotit çelin, lulëzojnë, përtërihen e vazhdojnë të jetojnë për ditë ma të mira, dhe më të lumtuna. Ashtu edhe ne të dyja shpëtuem. Kujdesi e shpitmadhësia e doktor Antoninit qe e veçantë për ne. Unë e humba gishtin e dorës. Gangrena e detyroi doktorin të ma sharronte. Dy herë në javë e shoqnueme me polic shkoja në spital për të ndërrue fashot. Pas disa muajve, - vazhdon të tregoje halla Martë, - plaga erdh e u mbyll. Njëheri u mbyll edhe hetusia ime. Së paku shpëtova prej atyre birucave të qelbuna pa ajr, pa dritë, pa jetë. Më nxorën në gjyq dhe më dënuen. Edhe sot që jam 80 e sa vjeçe nuk e di se për ç 'ka u dënova, se përse bana gjithë ato vite hetuesie e burgu, vite gjame. Si asht e mundun të torturosh e sakatosësh njerëzit aq dhunshëm, jo vetëm fizikisht, por edhe moralisht e mendërisht deri në çmenduni, kot, vetëm për shpirt sadizmi. Të jesh kaq i pashpirt ! As djajt e fundit të ferrit nuk mund të barazohen me djajt e kuq komunistë. Njeriu si qënie njerëzore që e quen veten e të rrëzohet deri në shpërbamje, të bajë veç mizorina dhe të ndjejë kënaqësi për veprime të ndyta, kjo ngjet vetëm tek komunistët, njerëz hiena e kanibalë.

Image
Kalaja e Beratit u kthye më 1945-1948, në jë qendër internimi për shumë familje të nderuara të v eriut. Këtu përfundoi edhe familja e Gjomarkajve, ku vdiq nanë Dava, e ama e Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit të madh.



M'u kujtue Gjon, edhe një rast sa i prekshëm, i dhimbshëm dhe aq i çuditshëm. Disa javë para arrestimit tim kapën edhe Man Kaloshin, nga fisi i përmendun i Kaloshëve të Dibrës. Ishte një djalë i ri, i hijshëm, me pamjen e një njeriu të edukuem, me fytyrë fëmije, dukej se ende nuk i kishte mbushë të njëzetat. Kish ndodhun edhe i sëmunë tuberkuloz në kockën e kambës së majtë, e cila i kullonte e lypte shërbim e mjekim të përditshëm. Çfarë nuk punuen e nuk banë në të. Nuk lanë torturë pa provue në trupin e tij. E zhvishnin krejt, e linin veç në të mbathuna, e pasi e rrihnin me litar të lagun, e varnin për shpatullash duke i vu mbi trupin e flashkët 100 kg zinxhirë të trashë hekuri, e pastaj herë me shkop e me litarin e trashë të lagun i binin në të gjithë shtatin, por sidomos në kambën e majtë që e dinin shumë mirë se e kishte të sëmunë. Si nuk bërtiti një herë ky njeri ! Si nuk ju dëgjue zani ! U shue në heshtje në ato qeli të zymta pa ba as edhe nje herë oh ! Çfarë kurajo e shpirt të pamposhtun kishte. Çfarë force madhore zotëronte. Trim e hero ! Qelbanikët e mbytën para kohe. Kujtuen, të poshtrit, se hija e errët e mizoritë e burgut, nata sterrë e komunizmit gjakatar, do ta trembnin, do ta përkulnin, do ta thyenin, e do ta banin vegël qorre të ;tyne për të akuzue e shpifë për vllaznit e motrat, për shokët e shoqet e veta. Jo, ai pranoi të vdesë se sa me ju lëvyrë maskarejve të kohës. O Zot bekoje shpirtin e tij, merre pranë vetes, se na ka nderue. Mori ma mirë rrugën e qiellit sesa t'i nënshtrohej robnisë e të vihej në shërbim të krimit e të kriminelëve. E mundueshme dhe e sfilitun pa mbarim vepra heroike e tij por ama edhe shembull lapidar për çdo njeri e shqiptar të vërtetë, sidomos për ata të rinj të marramendun që e shkatërrojnë më kot këtë jetë duke ra viktimë e rrenave dhe premtimeve të parealizueshme, e që bahen shtresë e veseve të ndyta, shkrryhen rrugëve të shekullit, me turp, me shpirt e zemër bosh të pa qëllim e bindje.

E vazhdon halla:
Poshtë birucës ku isha unë, nëpërmjet dërrasave të plasarituna të dyshemesë shikoja një burrë në moshë me flokë e mjekër të bardhë deri në brez, i lidhun kambë e duer me shpinë për dhe. Rënkonte i shkreti ditë e natë. Ofshamet e tij më dridhnin shpirtin. Nuk dija e nuk kisha më se e si ta ndihmoja. Vinin e mirrni dhe e qonin në hetuesi. E tërhiqnin zvarrë nëpër shkallë e korridore deri lart në zyrë, ashtu zvarrë duke e përplasun sa andej këndej. Duke e shkapetun atë kokë të torullon nëpër mure e binin poshte dhe e përplasnin si thes në atë birucë. E quanin Hekuran Zhiti. E dëgjoja kur e thërrisnin e i thonin: - He ballist i qenit, për bythe do ta nxjerrim shpirtin ! -
E ai me një zë të trashë sikur dilte nga thellësia e dheut, u përgjigjej: - O të mjerë, shpirtit tim s'keni se ç'ti bëni, e ka tjetër kush në dorë, Zoti që ma ka falë. Ai është i fortë e nuk përkulet. Ndërsa trupit tim kërmë bëjeni apo ç'të doni, anmik i përjetshëm i juaji do të mbetem. - Të gjorin e linin pa bukë, pa ujë dhe e rrihnin. Me ç'ka kisha kuptue nuk e mundonte as nuk e lodhte uria e etja se sa duhani. Një herë kur i kërkoi një cigare një oficer roje, nga ato që i sillte familja tij, sepse atij nuk ia jepnin as ushqimet, as duhanin, sepse të gjitha ja çelnin e ja hanin oficerët e policët e burgut, ai i këputi një shqelm fytyrës duke i thane: - Do edhe duhan ti këlyshi i Ballit !-
Një ditë marr guximin dhe i kërkoj një polici një cigare, i cili më shikoi pak si me habi se nuk më kishte pa ndonjëherë të pija duhan. Në heshtje pa më thanë as po as jo, nxori paketën, mori një cigare e ndezi dhe ma dha dhe u largue me shpejtësi . Sa iku ai unë u ula në dysheme dhe përmes të çarave të derrasave ia hodha Hekuranit.
- Merre këtë cigare- i them.
I lidhun me duer prapa, me mundim të madh, ra përmbys dhe e kapi me gojë. E shikoja ashtu tek e thithte atë cigare me andje, duke nxjerrë shtullungën e tymit për hundësh e goje, i mbështetun pas murit. Kur e mbaroi e fiku duke e mbulue me dhe në një qoshe të birucës. Atëherë më vështirësi e ngadalë më foli: - Nga zani po me dukesh një vajzë e re. Nga të kemi, e kujt je? - I tregova se jam e bija e Gjon Markagjonit. Quhem Marta, na kanë intemue dhe mue më kanë burgosë.
- Qëndro e fortë, moj çupë e babait - më tha- e di se e ke të vështirë, por është më mirë të vdesësh me nder sesa të rrosh me turp -
E falenderova për këshillën e urtë njëheri duke i thanë se nuk kam ndër mend të turpërohem. - Hallall të qoftë qumështi i nënës moj bijë, Zoti të shpëtoftë se këto janë katila kaluar katilave !
Shumë pashë e dëgjova në ato vite burgu të trishta, por ato ç'ka panë sytë e mi pas disa ditëve edhe sot, kur i kujtoj, më dridhet i gjithë trupi. Berati asht i përmendun për gurët e tij. Kur i shikon mjeshtrit duke shtrue me ato gurë të lëmuem rrugët, apo duke ndërtue shtëpi të kënaqet zemra. Një gurë i lëmuem, rrasik, i lehtë për tu punue. Natyra e ka ba dhe e ka përgatitun për tia lehtësue e për tia zbardhun punën edhe muratorit mjeshtër. Sa ndjen kënaqësi të veprës së bukur që del nga dora e punëtorit artist, aq të prishet e të shëmtohet zemra e gjithçka të neveritet kur i sheh salvuesit, t’i thërmojnë edhe gurët për të masakrue e torturue njerëzit. Kjo që po them ndodhi nën birucës ku ndodhesha unë dhe kaloja orët e mia të randa. Kishin prue gurë dhe dy ushtarë të mbrojtjes me varre e maj, po i coptonin. Po shtronin dyshemen prej dheu me gurë të thepisun. Thosha me vete se çfarë kanë ndër mend të bajnë, se shpirtin e cilit trup duen ta ndajnë nga jeta këta të pa fe. Si mund të jetë e mundun që mendja e njeriut të pjellë vetëm për së mbrapshti, të lodhet që të shpikë tortura nga ma të ndryshmet, ma të urrejtshmet, e të mos ngopet as edhe njëherë duke e fye popullin e vet pa i pas ba gja askujt ? Pasi ata ushtarë e kryen punën në atë birucë, dera u mbyll e ata shkuan. Unë rrija në pritje se çfarë do të ngjante, natyrisht, se diçka e shëmtueme do të më trondiste shpirt e zemër. Pyesja veten, po pse? Pse? E nuk dija e as nuk mundja ti jepja përgjigje vetes. Nuk kaloi shumë e poshtë meje në atë qeli u dëgjuen hapa, zhurmë, zana të vrazhdë, urdhna, ulërima e dukej sikur nuk ishin njerëz por lukuni ujqish të uritun. Derën e hapën me rropamë, e unë po shikoja përmes plasaritjeve të dyshemesë, kur disa oficerë me drunj e hunj në duer e shtrinë përtokë mbi ato gurë të thepisun një trup njeriu të rraskapitur, të zhveshur në bel e nalt e filluen ta rrihnin derisa edhe ata vetë u lodhën. Pastaj i hypën sipër duke e goditun me shqelma sa ku mundnin me britma e potere duke bërtitun si të çmendun: - Ejani të hedhim valle mbi trupin e Hajri Karkanjozit ! - Kur e larguen, trupi i tij i coptuem e i përgjakun nuk lëvizte fare, si duket nga kjo torturë e shmëtueme kishte dhanë shpirt. Hajriu nuk jetonte ma ! Vazhda e krimit nuk kishte të sosun Kur u bashkova me gratë e tjera, pasi kisha marrë dënimin, secila prej tyne kishte historinë vet të mjerueme.Kishin pësue e pa ngjarje nga ma të tmerrshmet, kalue e stërkalue atij "ferri" që tregon në veprën e tij Dante Aleghieri.
- Nuk di si kam shpëtue e jam gjallë, - na thoshte Dituri Protopapa. Si nuk ma ndanë së paku një herë dajakun. Më ishte ba shpina gunga gunga. Stratipapa, hetuesi, vazhdimisht më merrte në zyrën e tij, më lidhte kambë e duer. Ja fillonte e nuk u lodhte fare duke më rrahun. Isha e re, e shkathët, me trup atleteje. Kisha krye në ltali Instiutin e Fiskulturës dhe kërkonin të shfrynin në mua dhe të më hanin gjallë. Duke pa qëndrimin e fortë timin dhe se nuk po mund të më thyenin shpirtnisht, banë atë që mos iu dhantë kujt ta provojë. Më lidhën në litar, si gjenazen në vig, tamam sikur në malesi që çojnë të vdekunin ta varrosin, pastaj në oborrin e burgut, me futën në gropën e zezë të tij deri në fyt, duke m thanë : - Tani do ta shohim burrninë e krenarinë tande.-
Ishte dimën, një të ftohtë acar. E zhytur në atë farë pislleku, aty në oborrin e atij burgu, ku secili oficer që kalonte atje më binte me shkelm në kokë e ma zhyste brenda në baltë, e unë prap për inat të atyne djajve e nxirrja kokën dhe shkundesha, sa që edhe sot më duket e pabesueshme se si munda të jetoj e të mbijetoj e ku i gjen njeriu ato forca, çfarë proçesesh e shëndrrimesh ndodhin në trupin e tij. Me forcë e qëndresë, e njëheri duke reague mbi atë gjendje tragjike që më kishin krijue, kur kalonin ato hetues dhe oficerë nëpër oborr, - vazhdonte të tregojë Dituria - nuk lija fjalë pa u thënë. E inatosun tej mase, shprazja mbi ta fjalorin ma fyes, por ata si ujq të shurdhët nuk donin të dëgjonin e të dinin gjë. Ndoshta do t'më kishin lënë të vdisja në atë gropë të zezë, por vetvrasja në qeli e Nuri Micit më shpëtoi. Të dy qemë prej Berati dhe e njihnim njëri tjetrin. Nuriu i aktivizuar në Partinë e Ballit Kombëtar, për ata ishte armik i lindur e i qënjët më të pafajshme që mund të mendohen. Pra diktatura komuniste denonte pa mëshirë, pafajsinë. E sot na u thenka se nuk paska patur kampe e burgje !
Trupi i tij provoi të gjitha llojet e torturave. Lidhur me rrypin e pushkës e rrihnin pa mëshirë. E kam parë me sytë e mi duke ia prerë mishin me thikë e duke ia mbushur varrët me kripë. Krimbat për së gjalli i lëviznin nëpër trup e varrë. Duke mos pasur më durim përfiton nga një moment hutimi e pakujdesie të xhelatëve të tij e hidhet nga dritarja e katit të tretë e bie i vdekur. Ia moren trupin e ashtu duke e zvarrisur e duke folur me përbuzje se na shpëtoi qeni ! Pra vdekja qe shpëtimi i tij por për xhelatin tortura është mjeti shtytës që të çon drejt saj. Ata me fytyrë e turi ujku, me sy gjak, me buzë të vrara e urrejtje të thekshme, nga tërbimi se nuk kishin mundur të shfrenin dufin kundër Nuriut, tashti drejtoheshin ndaj meje, ndaj një trupi tjetër për ta masakruar, sakatuar e zhdukur ! -
Eeh! Çfarë të themi e çfarë të mos themi! Se çfarë është ba në këtë vend nga komunizmi, Enver Hoxha, shteti, diktatura, e sigurimi të marrë së bashku, - nuk ka mendje, gojë e kalem që t'i shkruajë e as t'i tregojë.
E kam parë me sytë e mi Tajfur Asnadarin kur ja shkulnin mishin e thonjtë e duarve me dara - tregonte Nafie Matjani – i vinin korrent në të gjithë trupin, edhe atje ku blini është më i ndishëm, ai hidhej përpjetë, përpërlitej sa andej këndej, ndërsa shkumë i dilte nga goja. Kur e shikoja përmes atyre vrimave, dridhesha e tëra, me sy të hapur thua se i dilnin përjashta. Unë qaja në heshtje. Doja të ulërija për atë hata që më shikonin sytë dhe dridhesha e tëra nga tmerri. Vuaja pa masë! Por një ditë kulmore blini i dha fund jetës duke u hedhur nga lart poshtë. Është turp ta them por u lehtësova, me që nuk mund ta shikoja në atë gjëndje duke e torturuar çdo ditë përsëgjalli e për gazep.
Nganjëherë vdekja është më e mirë se jeta në mundim. Është kapak floriri, kur vdes me nder, vuajtjet mbarojnë e s'ka më. Edhe Zoti të ndihmon kur dufi i shpirtit shpërthen pasi nuk duron më.




Tregimi i hallës Marte, një dëshmi e krimeve të rënqethëshme të komunizmit. Halla e Gjonit, u internua dhe u burgos në moshën ma të bukur të rinisë. Iu mohua dhe iu shkatërrua jeta. Pësoi tortura e mundime të shumta, duke treguar një shpirt qëndrese të pamposhtur, një krenari të legjitëshme të emrit që mbante, të një familje nga më fisniket të Shqipërisë, atë të Gjomarkajve, Kapidanave të Mirditës.




WRITTEN BY JOZEF MARTINI
WEDNESDAY, 20 MAY 200
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!
User avatar
Patush
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1360
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:12 pm
Gender: Male
Location: With my loved ones, where I belong!

Re: Nga libri i Gjon Markagjonit "Në udhën e vështirë të jet

#2

Post by Patush »

Nga Tom Mrijaj, New York-

Me rastin e ndarjes nga jeta te Kapidan Ndue Gjonmarku, vellai i tij Deda njofton se pret ngushellime ne Shkoder me date 9. 1. 2011 nga ora 9.00 deri ne ora 13.00


Ditën e marte, me 4 Janar 2011, në Spitalin “North Shore” Forest Hills, Queens New York, në moshën 97-vjeçare (në orën 11:00 natës), u nda nga jeta Kapidani i Mirditës Ndue Gjomarku, i rrethuar nga familja, vëllai Kapidan Nikollë Gjonmarku, djali Gjoni dhe vajzat: Kristina, Bardha dhe Aleksandra. Ishin të pranishëm meshtari Dom Pjetër Popaj dhe miqte e ngushtë të familjes Gjomarku: Dr. Gjon Buçaj Kryetar i Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe Sekretar i Blokut Indipendent, Tomë Mrijaj Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit etj. Në momentet e fundit të jetës së tij Dom Pjetër Popaj bëri salikimet e rastit për aktivistin nacionalist, Kryetarin e Blokut Indipendent dhe besimtarin e devotshëm të Kishës katolike shqiptare në New York, Kapidan Ndue Gjomarku.









Kush ishte Kapidani Ndue Gjonmarku?



Në Orosh të Mirditës para 97-të vjetëve, do të lindë më 29 shtator të vitit 1914 Ndue Gjonmarku, që i shton gëzimin prindërve të vet dhe vëllait të parë Markut. Kjo familje e madhe oroshase, do të ketë 10 fëmijë, pesë djem dhe pesë vajza.

Aty lindën fëmijët njëri mbas tjetrit, duke filluar me Markun, që është fëmija i parë dhe më pas u lind Ndoja, Lleshi (Aleksandri), Deda, Nikolla dhe motrat: Dava, Gjela, Marta, Dila dhe Bardha. Kapidani Ndue Gjon Marku, nga nëna ishte nipi i Bajraktarit të Kurbinit i Gjok Pjetër Pervizi, një përsonalitet i njohur askohe për besë, burrëri, zakone e tradita të hershme e bashkëkohore shqiptare.

Babai Gjoni përkujdeset që djemtë të ndjekin shkollën fillore, ku midis tyre edhe Ndue Gjomarku vijon pesë vitet e para fillore dhe gjimnazin pranë shkollave private katolike të Fretenve Françeskanë dhe Jezuitve në vitin 1934 në qytetin e lashtë kulturdashës Shkodër, në kohën kur Ministër i Arsimit në Qeverinë e Mbretit Zog ishte Dr. Mirash Ivanaj.

I prirur pas botës së librave dhe kulturës civilizuese perëndimore, adolishenti Ndue niset në vitin 1937 për studime të larta sëbashku me vëllaun Lleshin në Universitetin (College) në Terezianum të Vjenës në Austri. Pas disa vitesh kthehet në Shqipëri dhe pas disa muajsh shkon në Universitetin e Firences (Itali) për të ndjekur studimet e larta në Jurisprudencë. Ai për asnjë çast nuk e shkëputi lidhjen me vendlindjen, miqte e huaj dhe vendas, të cilët e donin dhe respektonin, mbasi gjithnjë Dera e Kapidanit të Mirditës ka respektuar popullin e Mirditës dhe krahinat të tjera të Atdheut. Me anije i riu Gjomarkaj në vitin 1943 kthehet në Shqipëri. Jeta studentore, miqtë e rinj dhe shokët në vendindje bëjnë që ai të zgjerojë rrethin e të njohurve. Kështu sikurse kujtojnë disa bashkëkohës që ende jetojnë sot në qytetin e Shkodrës dhe në Orosh të Mirditës, familja dhe ai vetë ka pasur nderin, fatin, privilegjin dhe kënaqësinë të marrë pjesë në shumë ngjarje dhe evenimente atdhetare, fetare dhe kulturore në qytetin e njohur të Shkodrës dhe qytetet e tjera, duke kuvenduar me krerët, parinë e qytetit, klerikë të lartë katolikë, konsuj dhe udhëtarë të huaj, që vinin shpesh në Shqipëri dhe në veçanti në trevën e Veriut.

Gjatë bisedave të lira e pyes Kapidanin, se a keni përjetuar ndonjëherë në jetën tuaj, një çast i cili ju ka mbetur thellë në kujtesën tuaj. Dhe ai me një buzëqeshje fisniku m’u përgjigj: “Isha shum i ri, rreth 16-17-vjeçar e m’kujtohet casti kur n’Shkoder po pergaditej nga Kleri Katolik shugurimi i Ipeshkvit të qytetit dhe Primat i Shqipnis imzot Gaspër Thaçi (1882-1946). Paria e Shkodres vjen në shtepin time dhe me thon t’ju prij në ket rast ceremonie të randsishme për qytetin dhe besimtart e devotshëm katolik. U thash se baba gjindet n’Mirdit. Ata me than që Ju mund ta zavendsoni Kapidan Gjonin. Un me shum knaqsi mora pjes ne shugurimin e Ipeshkvit. Paria e qytetit, ku banin pjes krent e familjeve ma të njohuna të qytetit, si: Çoba, Muzhani, Pistulli, etj., ku mua ma caktuan vendin n’krye të sofres n’mesin e dy konsujve atij Italian dhe Jugosllav. Isha shum i ri të merrja pjes në at rreth të madh, në mesin e atyne figurave të nderueme të qytetit, por e kalova mir proven e par, pasi në Kullen e Oroshit kishim mësue të dëgjonim e jo të flasim…”.

Edhe studiuesi i njohur në diasporën shqiptaro-amerikane Idriz Lamaj, në shënimet biografike për Kapidanin Ndue Gjon Marku shkruan, se: “…Ndojt i paraqitën raste me pritë e përcjellë përsonalitete të shqueme shqiptare dhe të hueja dhe me perfaqsue oxhakun e tij të njoftun… Por simbas tij, në Mirditë në kontakt me popull e krenë, dhe të krahinave të ndryshme, formohet në pikpamje tradicionale e kanunore. Të gjitha këto kontakte e formojnë moralisht e politikisht me kuptue realitetin e gjendjes të ndërlikueme të kohës”. (Idriz Lamaj, “Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” 1949-1956”, New York, USA, 2000, fq.101).

Në bisedë e sipër e pyes me interes Kapidanin, se si e kalojshe kohën në ato male të pashkëluna të Mirditës. Ai si zakonisht me një buzëqeshje fisnike më përgjigjet: “Mirdita për mue asht vendi ma i bukur në botë e ma i dashtuni. Populli fisnik i krahines së Mirdites na ka dasht e respektue edhe ma shum. Na nuk kena prit asnjiher qi populli me na pershndet ne, por na i kena pershendet përpara të gjithë, pavarsisht se a kan ken të rij apo ma të vjetër se ne. Na kena shkue shum mirë me popull dhe kena ken tamam si nji familje e madhe. E prandaj Oroshi e tan krahina e Mirditës asht gjithçka për mue e Deren ton”.





Kapidani Ndue Gjonmarku

ishte alfa dhe omega në luftën kundër komunizmit



E gjithë treva e Veriut dhe qarqet diplomatike e shoqërore të komunitetit shqiptar në atdhe asokohe e kanë njohur e vlerësuar lart figurën e madhe të Kapidan Gjon Marka Gjoni dhe të birit të tij të madh Dr. Mark Gjonmarku (Ministër i Brendshëm) dhe Llesh Gjonmarkut, kanë qenë shumë aktiv dhe janë marrë përherë me politikë, kurse Ndoja sikurse e thotë edhe vetë ka pas më shumë kënaqësi në jëtën private e familjare.

At e bir, duke nuhatur afrimin e furtunës së tërbuar komuniste, që kishte bërë kërdi në Europën Lindore dhe kryesisht në Rusi, fillojnë të përgatisin terrenin për të rizgjuar ndërgjegjën e forcave nacionaliste, që t’i bëjnë ballë komunizmit, që ishte një ideologji e shkatërrimit, moral, material, filozofik, ateist dhe paatdhe të njerëzve që jetojnë historikisht në trojet stërgjyshore autoktone.

Koha kërkonte, që bijtë e shqipes më shumë se kurrë të tregojnë atdhetashurinë, për të ruajtur vlerat e lënë trashëgim nga të parët, dinjitetin e shqiptarit, fenë, pasuritë private të individit, pluralizmin e mendimeve, përparimin ekonomik dhe lidhjen shpirtërore, ekonomike dhe politike me vendet e Europës Perëndimore.

Për të bërë një politikë më të konsoliduar Kapidan Gjoni, në pranverë (mars) të vitit 1944 i jep jetë themelimit të “Grupit Nacional Indipendent”, ndërsa i biri Dr. Marku, duke gjetur përkrahje dhe mbështetje në nismen e vet krijon “Lidhjen e Shkodrës”, duke mbledhur rreth vetës të gjithë eksponentët kryesorë antikomunistë, që ishin rreshtuar në organizatat e mirënjohura nacionaliste “Legaliteti”, “Balli Kombëtar” dhe “Grupi Nacional Indipendent”.

Jo rastësisht, por interesat e larta patriotike, e bëjnë Ndojën që të përfshihet menjeherë në politikë dhe sapo merr vesht se forcat e ashtëquajtura partizane po i afrohen vendlindjes së tij të dashur Mirditës, lajmëron vëllain e vet në Tiranë, se krahina dhe e gjithë Shqipëria e Veriut po sulmohet nga bisha e kuqe, që për fat të keq kishte emër e gjak shqiptari. Ai ndër të tjera kërkon të lëshoj kushtrimin e qëndresës me vullnetarët e vendosur antikomunist. Menjëherë i vjen përgjigjja pozitive dhe inkurajuese e vendosmërisë nga i vëllai Dr. Marku, që ishte shumë i shqetësuar për fatet e brishta të vendit. Ai, sikurse kujton Kapidani Ndue Gjon Marku dhe shkruan edhe studiuesi Idriz Lamaj për këtë cështje, i thotë se: “Ndue i dashtun, sot fillon nji kthesë e re në historinë e Derës sonë, të Mirditës e Shqipnisë mbarë. Mbledh sa më shumë vullnetar e fillo qëndresën kundër brigadave komuniste. S’kemi rrugë tjetër”. (Idriz Lamaj, Vep. e cit., fq.102).

Organizimi i forcave politike dhe luftëtarëve nacionalistë bënë që një ditë Ndoja të takohet me përfaqësuesit më të lartë të grupimeve nacionaliste të “Legalitetit” dhe “Ballit Kombëtar”, të cilët gjatë përleshjeve të tyre të mëparshme kishin pësuar humbje në forca, por që nuk iu dorëzuan komunistëve.

Ata tashmë kishin arritur në Veri të Shqipërisë. Udhëheqësi i Organizatës “Balli Kombëtar” patrioti Mit’hat Frashëri dhe drejtuesi i “Legalitetit” Abaz Kupi, kishin mbërritur në shtëpinë e Gjon Fushës në Bulger të Mirditës. Mit’hat Frashëri, që mbetet në Mirditë, sëbashku me ballistët e tjerë shkojnë në Sh’Pal, ku i pret Ndue Gjomarku atë natë dhe të nesërmen i përcjellë me besnikët e tij për në Shkodër. Me shërbestarin e kombit Mirt’hat Frashërin (i biri i patriotit të flaktë të Rilindjes Kombëtare Abdyl Frashërit), Ndoja do të ketë edhe takime të tjera dhe bashkëpunime të frytshme në luftën e rezistencës kundër komunizmit në Shqipëri, Europë dhe ShBA.

Ngjarjet asokohe zhvilloheshin me shpejtësi. Si gjithnjë truri dhe kryet e lëvizjes antikomuniste mbetën në Veri të Shqipërisë me seli në Mirditë. Nga ana e tjetër Dr. Mark Gjonmarkaj, me të gjithë forcat vullnetare që kishte nën kontroll, duke mos u demoralizuar më 26 nëntor 1944 len qytetin e Shkodrës dhe merr rrugën drejt malëve të Veriut. Tashmë Ndoj me bashkëluftëtarët e tij për pesë muaj në shi e dëborë, luftojnë pa u mposhtur me të gjithë brigadat partizane të drejtuara nga Mehmet Shehu me urdhër direkt të gjeneralit e komandantit asokohe Enver Hoxha.

Forcat e brigadave komuniste, duke pasë ushtri të madhe në numër dhe të armatosur mirë pushtojnë krahinën e Lumes dhe Lurën, duke iu afruar shumë pranë trevave të Mirditës. Forcat nacionaliste, të drejtuar nga Ndue Gjonmarku gjenden para një rrethimi shumë të vështirë, kur brigadat komuniste sulmojnë në tre drejtime menjëherë, pa i dhënë mundësi nacionalistëve që të organizohen mirë. Në këtë situatë të rëndë të krjuar, sikurse kujton Kapidan Ndoj, asokohe nuk i mbeti asgjë tjetër vecse të ngujohet në Sh’Pal. Kështu fillon një luftë e ashpër midis komunistëve, që kërkonin të gjunjëzonin e pushtoin me dhunë krenarinë e historisë së lavdishme të Mirditës dhe nacionalistëve, që kërkonin të mbronin vlerat demokratike dhe lirinë e popullit nga një robëri internacionalistëve proletarë, që ishin për një botë pa Zot dhe robëri, nata e zezë e së cilës filloi më 29 nëntor 1944 në tërë Shqipërinë.

Megjithë rezistëncën e madhe për tre ditë me radhë, duke parë edhe humbjet e mëdha në radhët e forcave nacionaliste Ndue Gjomarkaj jep urdhër për tërheqje në drejtim të Shkodrës, një qendër e madhe e rezistencës antikomuniste. Kapidan Gjoni, Dr. Marku dhe Ndoj takohen dhe zhvillojnë bisedën e fundit për planin e ri që kishte menduar Dr. Marku. Kështu, ai kishte vendosur sipas logjikës së tij të shëndoshë, që i ati Gjon Marka Gjoni dhe vëllai i tij i dytë Ndoja, duhet të largoheshin nga Atdheu, me arsyetimin, se nuk duhet të shuhet dera e tyre nga përpjekjet luftarake që do të bëhen me forcat komuniste. Vërtetë e dhimbshme, por e domosdoshme kjo zgjidhje e menduar shumë mirë nga Dr. Marku, të cilën pas 9 dekadave mbi supe Kapidani Ndue Gjonmarku e kujton me dhimbje, kur flet për momentin e ndarjes me antarët e tjerë të familjes. Ka qenë pikërisht Kisha e Kastratit në Malësi të Madhe, kur Ndoj ka shtrënguar dorën për herë të fundit me Dr. Markun.

At e bir nisën prej Kastratit në Tuz, Kolashin, Vishegrad, Sarajevë, Zagreb, në Vjenë, Linz dhe në Insbruk, në një dimër të ashpër dhe nën breshërinë e bombardimeve të shpeshta nga forcat e aleatëve. Nga qëndrimi për disa ditë në Insbruk me një makinë udhëtojnë drejt Italisë, duke kaluar në “Passo di Resia” afër kufirit të Zvicrës. Për pesë muaj ata qëndruan në Merano deri në gusht të vitit 1945 dhe më pas morën drejtimin drejt Romës, që mbetet edhe stacioni i fundit i tij.

Me të mbërritur në Perëndim (Itali), Kapidani Ndue mendoi për të bashkuar forcat nacionaliste dhe antikomuniste, për të hedhë bazat e krijimit të një organizate të mirëfilltë politike kundër rregjimit të kuq të Tiranës zyrtare, që po e zhyste popullin në mjerim. Fryt i këtyre përpjekjeve është edhe krijimi i partisë politike me emrin “Bloku Kombëtar Indipendent” në vitin 1946 e cila do të ketë jetëgjatësi deri me përmbysjen e komunizmit në Shqipëri më 13 dhjetor 1990, duke i qëndruar me dinjitet deri në fund, ku e mbylli me nderë e njerëzi.

Gjatë vitit 1948, në bashkëpunim me aleatët perëndimore anglo-amerikanë, Kapidanit Ndue i paraqitet rasti për të dërguar vullnetar për të përmbysur komunizmin në Shqipëri, duke krijuar në këtë mënyrë Komitetin Kombëtar “Shqipnia e Lirë”, ku bënin pjesë shumë antarë të Blokut.

Në lidhje me këtë mision Kapidani kujton: “Në pikëpamje morale ishem kryenalt, tue marrë në konsiderim luftën kundër rregjimit komunist, vendosa me ftue dy luftarë besnikë të cilët pranuen pa kurrfarë kundërshtimi. Kështu filloi ndërmarrja e jonë kundër rregjimit komunist në Shqipni”.

Bloku bëri hapin e parë dhe ruajti linjën e përpjekjeve qëllimmirë për të bërë bashkimin e të gjithë forcave antikomuniste shqiptare në mërgatë, që ishin ndarë dysh në Komitet dhe jashtë Komitetit. Kjo inisiativë synonte afrimin e grupeve të ndryshme dhe harmonizimin më të plotë e të qartë të veprimtarisë së tyre në dobi të atdheut dhe në një front të përbashkët kundër komunizmit. Mirëpo rruga e nisur nuk ishte e kollajt mbasi fillojnë polemikat dhe pengesat ndaj inisiatorit të saj mirditor.

Përpjekjet e Kapidanit Ndue Gjonmarkut hasin në pengesë, për mospranimin e tij në Komitetin e parë nga ana e përfaqësuesve të organizatës Balli Kombëtar, që zotëronte asokohe të gjitha postet e organizatave. Ndërhyrja energjike e diplomacisë angleze dhe amerikane (ku përfaqësuesit amerikanë këmbëngulën që Kapidani të pranohet pa kushte), bëri të mundur që të zgjidhet ky problem dhe kështu Kapidani i Mirditës bëhet një ndër drejtuesit e Komitetit, falë kulturës së shëndoshë perëndimore, vizionit largpamës për të ardhmen, origjinës me emër shumë të mirë të familjes nga ai vinte, kontributi me armë në dorë që kishte dhënë drejtpërdrejtë kundër komunizmit etj.

Ndue do të ketë takime të rëndësishme në Itali, me ushtarakë të lartë italianë, sikurse ishte admirali i marinës italiane zotin Talarigo dhe të misionit anglo-amerikan, përfaqësues të lartë të Ministrisë së Jashtme Italiane.

Takime të tjera ka pasur edhe me z. Herbert, një përsonalitet i njohur britanik për çështjen shqiptare, amerikanin z. Mc Lean etj. Gjithashtu Ndoj këmnguli, që në këtë Komitet duhet të përfshihet patjetër edhe intelektuali i shquar ing. Xhafer Deva, mbasi ai ishte një njeri me influencë të madhe në Kosovë dhe në malësitë e Shqipërisë politike. Kapidan Ndoj, ka organizuar hedhjen e parashutistëve të grupit të ing. Xhafer Devës në Shqipëri.

Kapidani kishte dhe ruan ende sot një respekt të veçantë për atdhetarin e flaktë Mit’hat Frashëri. Për figurën dhe veprën e tij Kapidani flet me një admirim të vecantë, për arsye sikurse thotë se “ishte nji njeri me nji prestigj të naltë kombtar dhe pinjoll i nji familje me merita të mëdha atdhetare”.



* * *



Duhet venë në dukje se gjithnjë shqiptarët në mërgatë nuk kanë gjetur gjuhën e bashkëpunimit të përhershëm me njeri tjetrin dhe grupin apo partinë, ku bënin pjesë, çka ka sjellë për pasojë edhe mungesë serioziteti dhe besueshmeri nga ana e qeverive perendimore dhe asaj amerikane për krijimin pse jo më pas të një qeverie paralele në azil, që me përmbysjen e komunizmit në Shqipëri, do të kishin marrë frenat e pushtetit në dorë.

Kështu është vepruar shpesh herë me shtetet e tjera ish-komuniste apo diktatoriale asokohe. Kjo shpiegon edhe një nga arsyet pse komunizmi u rrëzua i fundit në Shqipëri dhe se populli duhet t’i besonte e mbështeste më shumë forcat nacionaliste se sa fjalët e bukura të ideologjisë ateisto-komuniste mbi kurrizin e së cilit ra shtypja, varfëria, mjerimi, që zgjati për 50 vjet me radhë.

Në vitin 1956 Kapidani Ndue Gjonmarku hap familje të re, duke u martuar me zonjushën romane Maria Teresa Agustini, një vajzë e diplomuar në gjuhët frëngjisht dhe anglisht në Universitetin Internacional “PRO DEO” në Romë.

Çifti i ri do të gëzohet me lindjen e tre vajzave Kristina, Bardha, Aleksandra dhe Gjoni djali i vetëm, që ruan emrin e gjyshit të vet shumë të mirënjohurit Kapidanit Gjon Marka Gjonit.

Kapidan Ndue u interesua qysh në fillim të shkollojë fëmijët në të gjitha nivelet. Kështu vajzat dhe djali mbasi përfundojnë shkollën e mesme, ndjekin dhe përfundojnë me rezultate shumë të larta kolegjet më të njohura në ShBA.

Me vdekjen e prindërve të gruas së Kapedanit dhe të babait të tij Kapidanit Gjon Marka Gjoni, në vitin 1966, familja e tij emigrojnë në ShBA. Edhe këtu fillon një etapë e re e lëvizjes antikomuniste, ku aktiviteti i tij zgjerohet dhe respekti për kontributin e tij rritet edhe më shumë kur zgjidhet si Kryetar i Blokut dhe për vetë faktin tjetër, se ai tashmë është trashëgimtar i Derës si Kapidan i Mirditës, krenari dhe nder të cilën e mbajti deri në moshën 97-vjecare ku ai kaloi në amshim.

Në New York Kapidani humb bashkëshorten, dhimbje e cila, nuk e mposht në luftën kundër komunizmit. Veprimtaria e Kapidanit është shumë e madhe me shkrime publicistike në organet zyrtare të Blokut, gazetat: “L’Albanie Libre” dhe “Lajmëtari i të Mërguemit”, që asokohe botoheshin në New York dhe Rome.

Famlja do të ruajë marrëdhënie shumë të mira me klerikët katolikë shqiptarë në emigracion, një traditë e trashëguar edhe nga të parët e kësaj Dere brez mbas brezi dhe shekuj pas shekujve në Mirditë.

Kështu qysh në Itali, ruajti lidhje të ngushta me atdhetarët e antikomunistët konseguentë, studiesin e meshtarin e palodhur në “Fe-Atdhe e Përparim” At Daniel Gjecaj OFM dhe bashkëvendasin e bashkemigrantin, klerikun e nderuar në të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan, nacionalistin e madh, që luftoi me pushkë e pendë, themeluesin e Kishës së parë shqiptare në ShBA, të nderuarin e respektuarin Dr. Mons. Zef Oroshin (1912-1989).

Gjatë këtyre viteve, ai po merret me saktësimin e disa interpretimeve të gabuara, që janë bërë gjatë kohëve të ndryshme veprës së At Shtjefen Kryeziu Gjecovit me titull: “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, të cilin e ka në dorëshkrim dhe shumë dorëshkrime të tjera që priten së shpejti të dalin në botim. Fryt i këtyre hulumtimeve serioze është edhe botimi në vitin 2002 në New York të veprës së parë me titull kuptimplotë: “Mirdita Dera e Gjomarkut Kanuni”.

Ajo që më nxiti si shtysë, qysh në fillim edhe të vetë titullit të shkrimit tim: “Mirdita krenaria dhe lavdia e dinastisë së Derës të Kapidanit”, është vetë historia e pasur e Mirditës dhe Derës së Kapidanit bijtë e nderuar të së cilës njeri mbas tjetrit bënë një epokë të lavdishme gjatë shekujve. Ata sëbashku plotësojnë njeri-tjetrin dhe janë dy anë të së njëjtës medalje të çmuar në xherdanin e pasur të historisë së popullit shqiptar.



Tomë Mrijaj



New York, 4 Janar 2011
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!
User avatar
Patush
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1360
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:12 pm
Gender: Male
Location: With my loved ones, where I belong!

Re: Nga libri i Gjon Markagjonit "Në udhën e vështirë të jet

#3

Post by Patush »

Bekuar kjofte fara e Markagjonit, me jete dhe urti filizave te ri prei ksaj dere t'bekueme.

Bekuar kjofte Kanuni.
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!
User avatar
Patush
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1360
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:12 pm
Gender: Male
Location: With my loved ones, where I belong!

Trimi i pamposhtur Kapidan Marka Gjoni (1861-1925)

#4

Post by Patush »

Trimi i pamposhtur Kapidan Marka Gjoni (1861-1925) përballoi çdo sulm të armiqve kundër Mirditës
Figura të shquara të historisë kombëtatre në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë
Trimi i pamposhtur Kapidan Marka Gjoni (1861-1925) përballoi çdo sulm të armiqve kundër Mirditës

Nga: Tomë Mrijaj


Dera e Gjomarkut në krahinën e Mirditës përbën një rast unikal në historinë e lavdishme në të gjitha trojet e Shqipërisë etnike, përsa i përket origjinës së lashtë të saj, e cila është e dokumentuar që nga koha e Pal Dukagjinit (babait të Lekë Dukagjinit), bashkëkohës i Skënderbeut e deri në ditët tona.
Gjithashtu është e rëndësishme të theksohet se Mirdita i përket përiudhës së gjatë të trashigimisë së Dinastisë Princore, e cila kishte zgjedhur Gjon Markun I, që në vitin 1500, d.m.th. 32 vjet pas vdekjes së Gjergj Kastriotit - Skënderbeut.
Kjo dinasti e Gjomarkajve e udhëhoqi për afro 500 vjet Mirditën, me dinjitet dhe me nderë, duke ruajtur besën, fenë, bujarinë e Autonominë e krahinës, ku nuk shkeli e nuk sundoi kurrë këmba e huaj.
Një ndër këto prijsa të mëdhej, që u dallua për urti e trimëri ishte edhe Marka Gjoni, djali i dytë i Gjon Mark Lleshit (lindur më 1861), nga një nënë fisnike, që ishte e bija e Gegë Përgegës, Bajraktar i Kryeziut.
Vëllai i madh Llesh Gjoni, që kishte trashëguar postin e Kapidanit të Mirditës e Turqia, duke parë në personin e tij një Kapidan të radhës së parë, një udhëheqës të shkëlqyer e trim; hartoi planet e veta për t’a eleminuar fizikisht një orë e më parë. E, me të vertetë Llesh Gjoni u vra nga besniku më i ngushtë i tij (roja personale), Preng Mar Kolë Tusha prej Mesulit të Spaçit, të cilin pastaj e pushkatoi fisi i tij (fisi i Vathajve për këte prerje në besë që i bëri Llesh Gjonit, shënimi im T.M.).
Në vitin 1883 Preng Bibë Doda, kapet pabesisht dhe internohet për herë të dytë në Kastamuni. Mirdita zaptohet dhe shtëpia e Gjomarkut në Orosh digjet. Me këte akt, Lidhja e Prizrenit (1878) konsiderohet e eliminuar. 
Kjo gjendje e vë Deren e Gjomarkut në vështirësi të mëdha. Më i madhi nder vëllezërit e Llesh Gjonit ishte Marka Gjoni 22-vjeçar. Arsyeja ekonomike dhe rrethanat e tjera politike të kohës e detyrojnë atë të largohet nga Oroshi dhe të vendoset në Ndërfan.
Duhet vënë në dukje, se varfëria e tejskajshme tek shqiptarët malësorë ka qenë asokohe armiku me i madh i tyre.
Turqia, me qëllim për t’a përçarë dhe sunduar sa më shumë Mirditën, e pau të nevojshme dhe të domosdoshme të ripërtërijë edhe një herë tarafin (pushtetin) e vet.
Për këtë arsye kthei në Mirditë Dodë Gegën si bimbash me një batalion ushtarësh vendas. Kësisoj ai emëroi ish-bashllarë Ndoc Ndrecën nga Spaçi dhe Ndue Kolë Skanen nga Oroshi, ndërsa si kajmekam emëroi Preng Kolë Prengen nga vëllezëria e largët e Marka Gjonit. Ata qe e kanë njohur nga afër e kanë ruajtur në kujtesë si një burrë i moshuar, i qetë, i zgjuar, i urtë dhe shumë i mirënjohur, si bujar e mikpritës.
Megjithatë duhet theksuar fakti historik, se për arsye të moshës së thyer, ai nuk kishte mundësi të ushtrojë në vend influencën e Derës së Gjomarkut.
Kësaj radhe u gjend me të vërtetë në rrezik të shuhej Dera e Gjomarkut dhe Autonomia e Mirditës. E sa më shumë të zgjaste kjo gjendje, aq më e zymtë bëhej gjendja për të ardhmen.
Dodë Gega (Bimbashi), filloi të sundojë në Mirditë sipas urdhërave të Valiut të Shkodrës. Për Derë të Gjomarkut jo vetëm që s’pyeste fare, por s’donte të ia dëgjojë as zërin.
Ai pandehte se me Preng Bibë Dodën e internuar dhe me Marka Gjonin në moshë të re dhe në varfëri të madhe, paria e Mirditës i kishte kaluar atij tashmë si trashigim. E, duke parë se edhe tarafi i Derës së Gjomarkut ishte tronditur së tepërmi dhe demoralizuar, Bimbashi shtonte guximin edhe më shumë e s’kishte gjë që t’ia ndalonte vrullin.
Kështu filluan të kalojnë vitet më të vështira e pakurrfarë perspektive, për të ardhmen e Mirditës dhe Derën e Gjomarkut. E sa më shumë zgjaste kjo kohë, aq më shumë forcohej pozita dhe influenca turke në Mirditë. Por as Mirdita dhe as Dera e Gjomarkut nuk flinin dhe nuk ishin shuar ende.
I riu energjik Marka Gjoni, kishte filluar të burrërohej dhe bluante pandërprerje nëpër mend, se si do të mundte me e rimkëmbë Derën e tij dhe të bashkojë Mirditën.
Megjithëse në kushte tepër të vështira ekonomike, vendosi me hy në veprim “pa le të dalë ku të dalë”. Kështu hartoi planin e detajuar me zhdukë fizikisht Bimbashin Dodë Gegën. Në këtë mënyrë, duke e eliminuar atë, batalioni i Mirditës do të demoralizohej dhe influenca turke do të dobësohej dhe më vonë do të zhdukej. Kjo ishte rruga e vetme dhe tjetër alternativë nuk kishte. Dhe me të vertetë Bimbashi Dodë Gega u vra në Malin e Shenjtë, në verën e vitit 1892 nga Ndue Gjoni, vëllai i Marka Gjonit. Me këtë akt atdhetar, Marka Gjoni doli haptas kundër Perandorisë Otomane me qendër në Stamboll.
Ky lajm i mirëseardhur politik dhe shumë i rëndësishëm për Mirditën dhe të gjithë Shqipërinë Veriore e posaçërisht për Derën e Gjomarkut, u përhap me shpejtësi të madhe në të gjithë trojet etnike shqiptare. Tarafi i Derës së Gjomarkut, ndjeu një gëzim të papërshkrueshëm.
Në këtë mënyrë, asokohe doli në pah ndjenja e lirisë, u ringjall edhe një here fryma kombëtare, e bashkë me të edhe e gjithë Mirdita.
Por Markagjoni, nuk e kishte të lehtë të qetësojë gjendjen, mbasi bashkëpunëtorët e pushtuesve otomanë: yzëbashllarët Ndue Ndreca e Ndue Kolë Skana me batalionin e tyre iu kundërvun Derës së Gjomarkut dhe mbarë Mirditës.
Trimat fisnik liridashës mirditorë si Marka Gjonin me bashkëluftëtarët e tjerë qëndruan burrërisht në istikame dhe po të mos kishte qenë kjo vendosmëri e udhëheqësit sypatrembur Kapidan Mark Gjonit, me të cilën e përballuan atë gjendje shumë të rrezikëshme, Turqia në pak kohë do t’a kishte shkatrruar gjithë Mireditën, por duke parë fuqinë e tij më luftëtarë dhe bashkimin e popullit të Mirditës rreth tij, hoqi menjëherë Preng Kolë Prengën nga kajmekamlleku dhe njohu Marka Gjonin kajmekam të Mirditës.
Marka Gjoni, rindërtoi shtëpitë që kishin qenë sarajet e Lleshit të Zi në Grykë të Oroshit, të djegura prej turkut mbas Lidhjes së Prizrenit në vitin 1883 dhe u vendos aty perfundimisht. Emëri dhe zëri i Marka Gjonit u përhap në të gjithë Veriun e Shqipërisë, nga ku, miqtë e vjetër të Derës së Gjomarkut nuk vonuan t’a përgëzojnë, t’a mbështesin dhe të kërkojnë të takohen me te për bisedime.
Dhe Marka Gjoni nuk e ndërpreu më për asnjë moment veprimtarinë e vet kundër turkut. Madje gjithënjë vinte duke e shumfishuar aktivitetin patriotik në shërbim të Atdheut të vet.
Në këtë kohë ishte kthyer në Atdhe mbas një internimi të gjatë Dom Prend Doçi (emëruar me 25 Tetor 1888) në rangun e Abatit në Abacinë Nulius të Mirditës, që ishte një ndër më të pregatiturit e klerit katolik shqiptar, por me porosinë që të mos përzihej më në politikë aktive kundër turkut. Një porosi të tillë ia kishte dhënë edhe Vjena.
Abat Doçi, me mendjehollësinë e tij kishte kërkuar nga Selia Shejte, që Abacia e Oroshit të, varej nga Vatikani e të mos ishte më nën juridiksionin e Arqipeshkvisës së Shkodrës. Kjo kërkesë për indipendencë iu njoh Abacisë së Oroshit nga Vatikani.

Image

Marka Gjoni, vendosi menjëherë kontaktet me Abatin e Mirditës Prend Doçi. Sëbashku gjithnjë ata shqyrtonin problemet e Mirditës. Por as Abati nuk e kishte të lehtë të rregullojë klerin e të bashkojë famullitë e Mirditës, sepse një shumicë e tyre vareshin administrativisht nga dioçezat e Lezhës dhe të Sapës së Zadrimës.
Kjo gjendje e brente gjithnjë përbrenda Abat Doçin, i cili, mendonte se si mund t’i tërhiqte ato famulli dhe t’i përfshinte të gjitha me Mirditën nën një juridiksion të vetëm kishtar. Dhe me urti, hollësi mendje e me kërkesa të justifikuara, me 30 qershor 1889, Roma ia hoqi dioçezës së Lezhës (famullitë e Gomsiqës e të Mnelës) dhe i bashkoi me Abacinë e Oroshit. Me 31 mars 1890 i bashkoi gjithashtu famullitë e Kaçinarit (Shën Gjergjin), Ungrejt, të Kashnjetit dhe të Kurthpulës. Dhe në vitin 1906 i bashkoi Mirditës edhe Grykën e Gjadrit.
Kështu Mirdita me Abat Doçin arriti deri në 13 famulli me 13 kisha, të cilat janë:
Abacija e Oroshit – Kisha e Shën Lleshit (San Alessandro), Kisha Fanit – Shën Marku,
 Kisha e Kalivarës,
 Kisha e Gziqit; Kisha a Shmes,
 Kisha e Blinishtit -Shën Pali, Kisha e Kaçinarit Shën Gjergji, Kisha e Kashnjetit,
Kisha e Ungrejt, 
Kisha e Kurthpulës, Kisha e Mnelës, Kisha e Gomsiqës, Kisha e Vigut.
Abat Doçi, me bashkimin e famullive të Mirditës synontë t’a bënte Mirditën jo vetëm një qendër katolike të rëndësishme fetare, por edhe t’a forconte ushtarakisht, sepse bashkimi rreth një prijësi të vetëm: Kapedanit Marka Gjonin, e bënte të aftë të përballonte çdo sulm të armiqve për pushtimin e saj. Pikërisht këtu qëndron edhe fuqia e mendjes së tij dhe lufta e ashpër, që i bënte Turqisë në mënyrë indirekte.
Marka Gjoni, në vazhden e angazhimit të tij total në veprimtarinë kundërturke, me kërkesën e disa katolikëve shkodranë i propozoi Mons. Doçit të bashkohet me te për hapjen e Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” (Zoja e Shkodrës) në Baçallek, e cila kishte mbetur e mbyllur që me rënien e Shkodrës në duar të turqvet në vitin 1479.
Mons. Doçi mbas një hezitimi të arsyeshëm mbasi ai ishte në sy të qeverisë turke, për veprimtari kombëtare qysh para Lidhjes së Prizrenit, e madje, ishte edhe internuar për këte arsye, por duke gjykuar rëndësinë e madhe thjeshtë fetare pranoi dhe me 26 Prill 1889, plot pas 410 vitesh ai tha Meshen e Parë.
Këtë vepër, Abati i Mirditës e paraqiti si një mision i mirëfilltë fetar, duke shpieguar me hollësi, se: “Kur dhe kudo të më kërkohet nga populli me celebrue ndonji Meshë Shejte, unë, si prelat fetar nuk mund të refuzoj.”
Vrasja papritur e dy miqve bashkëluftëtarë Zef Markut dhe Nikollë Mrijaj (1838-1907) nga Lugu i Drinit në Kosovë, vend i cili ishte në përkujdesin e Kapidanëve të Mirditës, në vitin 1907 Kapidan Mark Gjoni, merr inisiativën dhe udhëton për në Lugun e Drinit, për të ndaluar më tej vllavrasjen mes shqiptarëve të dy besimeve fetare. Ai ndër të tjera u shpreh, se: “Ky asht nji plan i dy anmiqve shekullor qi t’na fusin në vllavrasje. E çdo hap i joni i pamatun çon ujë në mullinin e arnmiqve.”
Dy personalitet e njohura të kohës në Lug të Drinit, kanë marrë pjesë në shumë luftra dhe përpjekje liridashëse kundër Portës së Lartë të Perandorisë Otomane. Ata për më tepër i janë përgjigjë gjithnjë thirrjeve lirdashëse për atdhe, që Kapidanët e Mirditës u bënin shqiptarëve për t’i dalë zot vendit nga kërcënimet grabitçare të të huajve dhe nënshtrimin që Porta e Lartë kërkonte ti bënte Mirditës heroike.
Sëbashku sërisht ata gjenden përkrah Kapidanit të Mirditës Preng Bibë Dodës, në datën historike të 10 qershorit 1878 në Lidhjen e Prizrenit. Vrasësi i dy bashkëatdhetarëve Zef Markut dhe Nikollë Mrijaj, ishte trathtari Adem Zajmi (asokohe xhandar i Perandorisë Osmane), i cili, më 18 gusht 1902 kishte vrarë pabesisht edhe babain e kombit Haxhi Zeka, patriotin e flaktë të Lidhjes së Prizrenit dhe Kryetar i Besëlidhjes “Besa Besë” (23-29 Janar 1899) të Pejës.
Në këte kohë, kajmekamlleku i Mirditës ishte vendosur në fshatin Mjedë, afër Vaut Dejës, një fshat ky i përbërë tërësisht nga një popullsi myslimane, por një fshat i fortë dhe në harmoni me katolikët, ku Marka Gjoni kishte shumë miq e dashamirë.
Valiu i Shkodrës, kishte marrë urdhër të prerë nga Stambolli, që të përdorë çdo mjet për të likuiduar Marka Gjonin. Për këtë arsye, ai shtyri izbashllarët mirditas të futnin derrin në xhaminë e Mjedës, me qellim që të prishte miqësinë e mjedasorëve me Marka Gjonin, duke e paraqitur këte të fundit si një anti mysliman. 
Por mjedasorët e kuptuan se ajo vepër e fëlliqur nuk ishte e Marka Gjonit, por e yzbashllarëve mirditas, prandaj nuk çfaqën asnjë ankesë kundër Marka Gjonit. Duke parë Turqia, se me ato intriga kundër Marka Gjonit nuk mund të arrinte asnjë rezultat, hartoi një plan të ri...
Disa vite më vonë një rast i tillë sikurse në Mjedë ndodhi edhe në krahinat e Prizrenit, Gjakovës dhe Pejës në Kosovë. Si pasojë e vendosjes së mishit të derrit në xhaminë e Smolicës afër Gjakovës (natën e Bajramit të Madh, vendosur tinëzisht nga serbët), kishte shumë mundësi që të shpërthente konflikti ndërfetar. Sërisht klerikët katolik dhe musliman me shumë burra të urtë të dy palëve, duke e kuptuar veprimin armiqësor të kolonizatorëve serb, menjëherë skjaruan popullin e krahinave, që të mos bijnë pre e provokimeve dhe veprimeve të kurdisura të armiqve tanë shekullorë. Dhe një muaj më pas u vërtetuar se ky akt i shëmtuar ishte kryer nga serbët e fshatit Gorazhdec, rrethina e Pejës. (Dr. Mehmet Rukuqi, “Tahir Berisha”, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 2008, f.77)
...Kështu pushtuesit turq dhe shërbetorët e tyre besnik, mendonin për t’a shtyrë Marka Gjonin në aksione të hapta kundër Turqisë. Në mënyrë të pabesë një ditë prej ditësh yzbashllarët, me 24 qershor 1896 vranë trathtisht vëllain e vogël Dedë Gjonin në moshën 25-vjeçare, në Qafë të Valmarit. Kjo trathti vinte nga fakti se ishin pikërisht këto dy yzbashllarët, të cilët po e përcillnin ata vetë për në Orosh.
Kjo vrasje ra si një rrufe mbi Marka Gjonin, i cili nuk e kishte parashikuar një trathti të tillë, por ai e mblodhi veten dhe filloi të ruhet. Në verën e vitit 1897, i thirrur urgjentisht prej Valiut të Shkodrës, gjoja për bisedime të rëndësishme politike u gënjye. Porsa shkoi në Shkodër, befasisht e trathtisht e arrestojnë dhe e nisin me njëherë në Shëngjin dhe prej aty, me një vapor për në Stambollë. Nga Stambolli e internuan në Mosul të Irakut në kufi me Persinë (Iran), ku ka qëndruar pesë vjet.
Mbas pesë vitesh, Marka Gjoni, i ndihmuar nga disa murgesha franceze, mundi të arratisej nga Mosuli dhe duke kaluar veshtirësi të panumurta mbërrijti në Kotorr, që në atë kohë ishte nën sundimin e Perandorisë Austro- Hungareze. Aty gjeti shumë miq shkodran, të cilët e pritën me përzemërsi dhe i siguruan jetesën për sa kohë do të qendronte në Kotorr.
Lajmi u përhap me shpejtësi dhe mbrrijti deri në Vjenë. Ministria e Jashtme Austriake dërgoi në Kotorr një nëpunës të saj, Z. Tef (Stefan) Curani nga Shkodra, që ishte mik i Marka Gjonit, për t’a ftuar në Vjenë për bisedime, por Markun e kishte këputur malli për familjen dhe Mirditën dhe të dy bashkë (me Tefen) u nisën me një vapor austriak për në Durrës.
Por me të njejtin vapor u kthyen përsëri në Kotorr, sepse në vapor e kishin njohur disa shtegtarë dhe nuk mund të kalonte as doganën pa u njohur, gjë kjo që përbënte një rrezik për jetën e tij. Vetëm pas gjashtë muajsh mundi të nisej nga Kotorri me një motorbarkë shqiptare dhe të zbresë në Breg të Matës, nga ku kaloi Lezhën dhe hyri në Mirditë. Porsa u përhap lajmi i kthimit të tij në Mirditë, grykat e malëve ushtuan nga krizmat e pushkëve, që zbrazeshin në shenjë nderimi dhe gëzimi si në një ditë feste të madhe.
Mbas pak ditësh, Marka Gjoni, i përcjellur nga një shumicë e madhe mirditasish mbërriti në Orosh, ku ishin mbledhur shumë miq të ardhur edhe prej krahinave të ndryshme tek shtëpitë e Kapidanit për t’a takuar, përshëndetur dhë përgëzuar.
Tarafi i Gjomarkut u ringjallë, u entuziazmua dhe u organizua për të filluar menjëherë aksionet kundërturke.
 Në shkurt të vitit 1903 Kapidani i Mirditës, ngriti në këmbë Mirditën, të cilës iu bashkua edhe Puka. Kryengritësit bllokuan rrugën Shkodër-Prizren, këputën telat e telefonit në rrethin e Lezhës dhe kërcënuan qytetin.

Në Shën Pal mblodhi popullin dhe prijësit nga ku i dërgoi një Memorandum Valiut të Shkodrës dhe gjithë Konsujve të Fuqive të mëdha në Shkodër, duke kërkuar edhe kthimin e Preng Bibë Dodës.
Memorandumi mbyllet me këto fjalë: “Sulltani nuk do të njihet kurrë si prijsi ynë. Flamuri i hënës nuk do të valvitet më në Malet tona. Ne duam të jemi të lirë, duam që kombësia e jonë të njihet si kombësitë e popujve të tjerë. Flamuri ynë mbas sodit do të jetë vetëm ai i Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, i cili ka filluar të fluturojë në erën e Lirisë”. (Këtë telegram e kishte përpiluar vetë dora e mendja e Abat Doçit.
 Në bazë të këtij Memorandumi, del në shesh fare qartë se Flamuri i Shqipërisë ka qenë ngritur në Mirditë dhe pikërisht në katundin Vinjollë nga Ndue Gjoni, vëllai i Marka Gjonit, më 25 prill 1902 (ditën e Shën Markut), por që u publikua vetëm me anë të këtij Memorandumi.
Ishte Marka Gjoni, ai që gjithashtu e detyroi Stambollin të lirojë Preng Bibë Dodën, sepse në verën e vitit 1910 (kur duel Konstitucioni i Ri, me përfaqsues xhon-turqit e rinj), u përpoqën me çdo mjet që të pengonin lirimin e tij, por Kapidan Marka Gjoni ngriti në këmbë tërë Mirditën dhe u bë gati për luftë.
Në këto rrethana, Stambolli e liroi Preng Bibë Dodën. Ai kur mbërrijti në Shëngjin iu bë një pritje entuziaste jo vetem nga paria e popullit të Mirditës, por edhe nga banorët të Këthellës, Malësisë së Lezhës dhe Zadrimës. Një pritje e tillë iu bë gjithashtu edhe në Shkodër, me një darkë madhështore e me fjalime të zjarrta nga Mons. Doçi, Hilë Mosi e Luigj Gurakuqi.
Në verën e vitit 1912, Mit’hat Frashëri, duke u kthyer mbas një udhëtimi nga Kosova, hyri në Mirditë dhe shkoi në Orosh tek Kulla e Kapidanit të Mirditës Marka Gjonit, ku biseduan dhe ranë dakord me ngritë Flamurin.
Për këtë qëllim u vendos, që Mit’hat Frashëri me përhapë idenë e Lirisë dhe ngritjes së Flamurit në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, kurse Marka Gjoni në veri të Shqipërisë. Kështu Marku u lidh me Elez Isufin e Dibrës dhe me 15 maj lidhën itifakun (besën) dhe proklamuan bashkimin e të gjitha forcave në luftë kundër turkut, për shpalljen e lirisë së Shqipërisë.
Por kjo iniciativë e Mit’hat Frashërit dhe Marka Gjonit, nuk arriti suksesin e dëshiruar, sepse Ismail Bej Qemali bashkë me Luigj Gurakuqin të nisur nga Vjena mbrrijten në Shqipëri bashkë me një program të caktuar, dhe në këtë mënyrë u pezullua çdo lëvizje tjetër.
Me 10 Gusht 1912, u mblodh në Shkup Paria Shqiptare, Në këtë Kuvend u paraqitën shumë propozime. Por ai që u pëlqye mbi të gjitha, ishte Memorandumi i Marka Gjonit i përmbledhur në Tetë Paragrafe, i pregatitur nga kleri katolik në Kallmet dhe që u pranue pa asnjë ndryshim. Por mjerisht ky Kuvend nuk dha rezultat, sepse aty u shfaqën tendenca pro turke e për babën mbret.
Në përfundim të këtyre shenimeve, për aktivitetin e dendur të Marka Gjonit, që zhvilloi që nga momenti kur trashëgoi në një moshë fare të re 22-vjeçare trashëgiminë e Parisë së Derës së GJOMARKAJVE, e deri në fund të jetës, plot për 42 vite me radhe, nuk e pushoi për asnjë moment luftën për MIRDITËN, për një Mirditë të bashkuar, të fortë dhe të aftë, për të përballuar edhe ushtritë turke.
Kështu në vazhdën e kësaj beteje të pandërprerë, nuk mund të mos përmendim edhe faktin, se kur në vitin 1920 Ahmet Zogu filloi të sundoi shumica konservatore paraqitej si Parti Popullore, por opozita e quante “klikë”. Kjo klikë përbëhej me njerëz të Jugut dhe kishte në krye Eshref Frashërin si politikanin më të aftë.
Ky i fundit u lidh me Zogun si “njeriu me dorë të fortë”, për të mbajtur nën sundim Shqipërinë e Veriut. Mirëpo Krerët e Shqipërisë së Veriut e nuhatën shpejt se Zogu synon të sundojë si diktator, ç’ka më vonë edhe u vërtetua. Porsa u bë Ministër i Brëndshem, filloi fushatën kundër Mirditës për t’i marrë tre bajrakët e Këthellës me qëllim që t’a nënshtronte përfundimisht dhe t’a shpartallonte Mirëditën edhe politikisht, pasi këtë ai e konsideronte si qëndra më e fortë e nacionalizmit shqiptar.
Marka Gjoni me krerë të Mirditës shkoi në Tiranë te Ministri i Brëndshëm për t’u ankuar për gjendjen e rëndë që kishte pllakosë Mirëditen, e cila ndodhej në zi buke, por Mehdi Frashëri e priti me arrogancë: “Mirëdita duhet t’i nënshtrohet diktaturës së Zogut” i deklaroi ai. Por Marka Gjoni, pas 500 vjet historie të Mirëditës së panënshtruar, nuk mund të pranonte të përulej e t’i nënshtrohej një diktatori, ashtu siç nuk pranoi t’i nënshtrohej jo shume vite më vonë as diktaturës komuniste pa luftë e pa gjak.
Kryengritja që u zhvillua me 1922, kundër Ahmet Zogut, nën udhëheqjen e Bajram Currit dhe Elez Isufit provoi plotësisht se për të nenshtruar Shqipërine e Veriut ofensiva ushtarake duhej filluar në Mirëditë, për të mos i lënë këta tre krerë – Marka Gjonin, Bajram Currin dhe Elez Isufin sepse në këte raste, ata mund të formonin një fuqi të madhe dhe të fortë që nuk mund të mposhtej me ekspedita të kufizuara. (Ndue Gjon Marku, “Mirdita Dera e Gjomarkut, Kanuni”, New York, 2002). Pra gjithmonë, sa ishte gjallë, Marka Gjoni konsiderohej si një pengesë e pakapërcyeshme për të gjithë ata që synonin sundimin e Mirëditës.
Me vdekjen e Marka Gjonit në Fan më 1925, Gjon Marka Gjonit, djalit të tij të vetëm i kaloi paria e Derës së Gjomarkut, i cili, edhe pse në një moshë relativisht të re 37-vjeçare, por i burrëruar, u tregua në lartësinë e misionit të vet.
Kësisoj krerë e popull u bashkuan rreth tij si rrallë ndonjë herë.

http://www.zemrashqiptare.net
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!
Post Reply

Return to “Historia e Shqiperise”