E kishin dënue pa asnjë faj vetëm se ajo i përkiste asaj rinie që nuk pajtohej me idetë e mbrapshta dhe veprimet e ndyta e të flligëta të një sistemi e qeverie, që nëpërmjet dhunës ushtronte në të gjithë vendin terror e krime të hatashme. Ajo e shkreta, me dinjitet i bani ballë turturave të hetuesisë. Biruca e saj, - tregon - ishte shumë e ngushtë e errët e me lagështi. Të ftohtit, pagjumësia, uria, rrahjet etj. nuk ia thyen forcën shpirtnore. Rënkimet, klithmat e njerëzve gjatë torturave e netëve të pambarim nuk e frikësuen. Megjithëse e re, e rritun në një familje, ku kujdesi e dashunia për fëmijët ishte e shenjtë, nuk e mposhti paçavurja e shprishun e asaj pjese njerëzorë aq të pashpirt. Drejtori i burgut, një kriminel shpirtkazëm, një njeri trupvogël, që ndjente kënaqësi kur shikonte paravetes fytyra të vuajtuna e skelete, që mezi qëndronin në kambë, kur hetuesi i tregonte qëndrimin krenar të hallës, një natë e kishte thirrë në zyrën e tij. - Kur e pashë, - tregon halla - pata përshtypjen se ndodhesha para një shkërbeje që ishte e etun vetëm për gjak. Kisha dëgjue aq keq për të, për torturat që u bante të tjerëve, saqë ndjeva neveri. Vendosa të qëndroj. U forcova aq shumë, duke i thirrun mendjes e zemrës, sa vetja mu duk e madhe dhe ai tepër i vogël, tamam si një minuk. Kisha dëgjue se ishte fat i madh të dilje shëndosh prej zyrës së tij. M’u drejtue - Ti armike e përbetuar do te qëndrosh e pathyer... Eë ?! E për ma tepër këtu, në zyrën time ma mban kokën lart e kërkon të tregohesh edhe krenare ?! Dije mirë se armiqtë si ti i shfarosim, veçse pasi t'i torturojmë ashtu si e dimë e duem ne. Plumbi të pret ty e të tjerët si ti. A e kupton se ç’po të them ? –
Ky ishte Strati Papa, egërsia e Beratit, siç thirrej, e që së bashku me Gjin Markun dhe Reis Malilin, toturuen, zhdukën e vranë me gjyqe fallse, në ata vite tmerri, me dhjetra e dhjetra krijesa njerëzore të pafajshme.
Në tavolinë, nga ana e djathtë ai mbante një hekur në formë të riges. U zemërue, u tërbue, sytë iu çakërdisën, fytyra e trupi i morën një pamje prej të çmenduni, saqë i iku çdo trajtë apo fizionomi njerëzore. Unë e ulun ashtu siç isha në një karrigë përpara tij, me duer të lidhuna, mbështetun para tavolinës së tij, për të mos humbun ekuilibrin, pasi isha e dobësueme dhe e lodhun shumë, qëndroja dhe e vështroja xhuxhin e kuq, duke mendue se ku e kishte burimin ajo urrejtje aq e madhe kundër një vajze të re që nuk e kishte pa kurrë në jetën e tij ! Vështrimet tona u takuen e ai duke mos e përballue shikimin tim, sa të qetë aq edhe të guximshëm e domëthanës, nuk dijti si të veprojë ndryshe por me shpejtësi kapi hekurin dhe më goditi me gjithë forcën duert. Dhimbja qe aq e madhe, sa që sytë m'u errësuen, nuk durova e humba ndjenjat.
Kur erdha në vete, shikova se më kishin çue në infermierinë e burgut. Ajo ishtë një kthinë vogël, me dy krevate hekuri, me nga një batanije të felliqur lecka lecka, ku një mjek shumë rrallë vinte e vizitonte ata të burgosun të mjerë, që nuk donin t'i mbysnin shpejt, por t’i kuronin e ushqenin pak ma mirë sa të qëndronin në kambë e të ecnin derisa të uleshin në bankat gjyqësore për orë të tana. Një grue të cilën e kishin prue, disa ditë përpara meje në atë infermieri burgu ishte kujdesue për mue.
- Martë, mos u mërzit! - më tha gjithë ambëlsi, - jam unë këtu me ty. Kam me të shërbye me çfarë të mundem. Rri e qetë. -
- Të falemnderit, - i përgjigjem unë me gjysëm zani. - Shyqyr Zoti që po flas me një njeri përsëmbari pas kaq muajsh vetmie në birucë. Si të quejnë? -
- Jam Neti Fuga, jam prej Berati. Më kanë arrestuar para një viti. Gjithë kohën në seksion, në sigurim, në birucë, në tortura. Më kanë sjellur këtu, pse u bënë disa ditë që më zurën ethe të forta sa që kujtova se mbarova. Ishalla nuk më ndahen këto ethe që të rrimë edhe disa kohë sëbashku. - Ajo qeshi, më përqafoi tanë dashuni dhe më ndriti mendjen. Vuajtja dhe mjerimi, fati i njëjtë na bani shoqe të ngushta. Shumë ditë i kaluem bashkë.
Filloi të errej në atë kthinë spital. Iku nata e për çudinë më të madhe askush as ditën e nesërme nuk po vinte për ta na vizitue dhe për të na shikue. Duert më dhimbnin, sidomos gishti i dytë i dorës së majtë i ejtun, i nximë, me kockën të thyeme, që kishte zanë qelb, më jepte aq siklet e më ziente sa që nuk gjeja asnjëfarë qetësie. Ecja nëpër dhomë e gjumi s'më mirrte. Neti më qëndronte pranë. U mundonte të më largonte të keqen, por edhe ajo e shkreta e lodhun, e dobësueme nga torturat dhe temperatura e vazhdueshme ishte ba kockë e lëkurë. E çfarë nuk kishin ba në të siç tregonte. Rrahun, po se po, sepse kjo ishte ma e zakonshmja, ndërsa në dimën pasi e lidhnin kambë e duar, e futnin në një fuqi mbushun me ujë ku e linin për disa orë rresht, pastaj të varun për krahësh e vendosnin para dritares së hapun, ashtu të lagun ku era e ftohtë e fshikullonte pa mëshirë duke ia nxi të gjith trupin.
Endëshim si hije të vdekjes në atë dhomë spital-burg që mëzi na zinte duke pasë edhe frikën se mos donin të na mbysnin. Na kishin pru në infermieri, por mjekun nuk e lejonin të vinin, po ashtu edhe bukën e ujin çdo dy tri ditë na e sillnin. Ndërkohë Neti e revoltueme me ato pak forca që i kishin mbetun fillon e godet portën me grushta e shqelma duke bërtitë me të madhe deri sa e lanë forcat dhe e këputun ra përmbys duke u dënesun në shtrat. Rojet sikur dëgjuen, u alarmuen, lajmëruen oficerët dhe drejtorinë e burgut. Si duket të prekun nga zani i fikun dhe ngashërues i një të reje që kërkonte ndihmë u duk se po vinin dorë në zemër. Por u deshën prap disa orë të tjera deri sa ata të vinin. Një oficer çeli derën dhe u fut brenda. Pasi dëgjoi ankesat tona, premtoi se do ta binte menjëherë mjekun. U justifikue duke thanë se kishte pase shumë punë.. .
Ma vonë morëm vesh dhe kuptuem se një ngjarje e randë i kishte tronditun themelet e shtetit në Berat. Shumë oficerë e policë ishin pushue nga puna, ishin burgosun, dënue dhe pushkatue. Gjatë kësaj rrëmuje që zgjati disa kohë ne ishim lënë në harresë dhe as që i binte kujt në mend për ne. Ngjarja, që kishte ndodhë na u tregue pastaj nga të burgosunit që ishin rikthye në burg, të ridënuem me vite të tjera.
Çdo ditë dërgonin për të punue jashtë qytetit grupe të burgosunish që ishin të dënuem. Zakonisht i rendisnin për katër me veglat e punës në krah. Në krye të kolonës, disa metra para, printe një oficer e bri tij një ushtar me mitroloz në krah. Në dy anët e kolonës dhjetra policë me distanca të ndryshme nga njëni tjetri shoqëronin të burgosunit me pushkë e automatikë në duer. Kurse në fund qëndronte një oficer dhe një ushtar me një mitroloz të lehtë në krah. Të burgosunit e kampit dhe të intenuemit ishin organizue dhe kishin vendosë të arratiseshin ose të shuheshin fare. Veprimet duheshin mendue e zbatue me kujdes të madh. Jeta në kampe e burgje ishte ba përditë ma e vështirë dhe e padurueshme. Kishte ardhë, si i thonë jë fjale, thika në palcë, prandaj kur të jepej sinjali, pasi të niseshin për në punë e të largoheshin nga qyteti, çdo rresht do të çarrnatoste policët. Nja dy rreshta të burgosunish ishin lanë për çarrnatosjen e rojes dhe të prapa rojes. Vështirësinë ma të madhe e kishte çarrnatosja dhe eleminimi i oficerit e ushtarit me mitroloz në fund të karvanit për arsye se nga largësia ata kontrollonin gjithçka. Për këtë qëllim ishin caktue të burgosun nga të rinjtë ma të shkathët, ma trima e ma të fortë fizikisht.

MARTA GJOMARKAJ
u interrnua ne moshën 19 vjeçe, e pas 7 vjet burg e 39 vjet internim, u lirua në moshën 65 vjeçe.
u interrnua ne moshën 19 vjeçe, e pas 7 vjet burg e 39 vjet internim, u lirua në moshën 65 vjeçe.
Ata dolën vullnetarisht për kryemjen e aksionit, pavarësisht se mund të rrezikohej jeta e tyne. Pra kryemja e aksionit me kujdes e saktësi kishte në dorë fatin e vetë atyne dhe të të gjithë shokëve. Kur u dha sinjali, brenda pak sekondash sa çel e mbyll sytë, të gjithë policët me oficerin përpara u gjendën përtokë e të çarrnatosun pa damtimin më të vogël të burgosunve. Vetëm njëni ishte plagosun në ballë ndërsa po i rrëmbente mitrolozin nga duart praparojes i cili kishte pas qëllue edhe i fortë fizikisht. Si fillim çdo gja kishte shkue shumë mirë, sipas planit e urdhnave të dhana. Ajo që nuk u parashikue ishte kur disa të burgosun që nuk shikoheshin me sy të mirë nga shokët dhe ishin vegla në shërbim të komandës, të oficerëve e policëve dhe për karakterin e dobët të tyre, tentuen t'u dilnin zot e ti ndihmonin gjatë përleshjes. Në këto momente e në këtë situatë, i burgosuni i fundit, i plagosun në ballë, megjithëse nuk shikonte mirë, me që gjaku i kullonte ndër sy e ja pengonte shikimin, menjëherë kish kapun mitrolozin, i kishte vendosë dy kambëzat në tokë dhe duke të gjuejtë mbi policët. Ai ndoshta do të kishte vra me padashje edhe ndonjë nga shokët e tij, por fakti që ai nuk shikonte qartë, bani që policët ma të dobët fizikisht të mos e përballonin përleshjen, të tërhiqeshin dhe fitorja plotësisht të kalonte në anën e të burgosunve. Të burgosunit, tani të armatosun me armët e policëve, tashma e ndjenin veten të lirë, trima e luftëtarë të fuqishëm. Kërmave të komunizmit nuk u banë asgjë, i lanë të lirë që të ktheheshin në qytet se e dinin mirë se çdo t'i priste policët e oficerët, kur të paraqiteshin në komandë. Ky veprim i të burgosurve qe i gabuem. Vetë të burgosunit morën rrugën drej malit, menduen menjëherë të arratisëshin shend e verë, se i kishin shpëtuar përgjithmonë kthetrave grabitëse dhe gjakpirëse të xhelatëve.
Lajmi u hap menjëherë gjithandej. Populli i Beratit i tallte e i përqeshte, por njeherësh i shikonte me neveri ata policë e oficerë të çarmatosun, kokë ulun e plot turp që ecnin të poshtëruem. Në fytyrat e tyne dukej shpagimi i të burgosunve dhe mbi ta kishte ra hija e vdekjes. E kishin të qartë se në komandë dhe në degën e punëve të brendshme i priste dënimi. Zakonisht, kur ndodhnin ngjarje të tilla, nga trima të krekosun si gjelat mbi pleh "të kuqtë " ulnin pendët, baheshin, por më shumë shtireshin si të urtë, të butë e të komunikueshëm. Lëshonin pe deri sa të mendonin e të shikonin se i forcuen pozitat dhe e morën prap veten.
Ne të dyja, unë dhe Neti, që ishim në spitalin burg, përfituem nga ky moment dobësie i tyne. Na dërguen për vizitë në spitalin e qytetit me që mjeku që erdhi në burg e na vizitoi iu tha atyne se ne të dyja ishim të mbarueme. Në spitalin civil të qytetit vizitonte, mjekonte dhe operonte një mjek italian me emnin doktor Antonino. Ishte i nipi i doktor Locit, i pushkatuem nga komunizmi. Më vjen keq që Locit nuk i përmendet emri fare dhe nuk i ngrejnë një përmendore për punën e madhe që ka ba në shërbim të popullit dhe për të 18 000 operacionet që ka krye në Shqipni. Kur në sallën e gjyqit, kryetari i tha se çfarë kërkonte nga trupi gjykues, doktor Loci me qetësinë më të madhe ishte përgjigjun: -Jam i pafajshëm. Për hatër të atyne 18 000 njerëzve që kam mjekue e shërue ju duhet të më falni. - E të egrit, të pashpirtët nuk e banë një gja të tillë. E hodhën në krahët e vdekjes, e lanë edhe pa varr, humanistin mjek që u kishte dhurue qindra e mijëra shqiptarëve gjallesën.
Dhuna e njollosi dhe e përdhosi humanizmin. Thatësia shpirtnore i vyshku lulet. Errësina e hataja kishin mbulue gjithçka. U duk sikur u shkimb jeta. Por gjithësia nuk ndalet, jeta nuk mund të shuhet, sado që keqbasi e shfarosësi të mundohet. Megjithë vuejtjet, mundimet, shtypjet e shfrenueme, plagët e randa që marrin, krijesat e Zotit çelin, lulëzojnë, përtërihen e vazhdojnë të jetojnë për ditë ma të mira, dhe më të lumtuna. Ashtu edhe ne të dyja shpëtuem. Kujdesi e shpitmadhësia e doktor Antoninit qe e veçantë për ne. Unë e humba gishtin e dorës. Gangrena e detyroi doktorin të ma sharronte. Dy herë në javë e shoqnueme me polic shkoja në spital për të ndërrue fashot. Pas disa muajve, - vazhdon të tregoje halla Martë, - plaga erdh e u mbyll. Njëheri u mbyll edhe hetusia ime. Së paku shpëtova prej atyre birucave të qelbuna pa ajr, pa dritë, pa jetë. Më nxorën në gjyq dhe më dënuen. Edhe sot që jam 80 e sa vjeçe nuk e di se për ç 'ka u dënova, se përse bana gjithë ato vite hetuesie e burgu, vite gjame. Si asht e mundun të torturosh e sakatosësh njerëzit aq dhunshëm, jo vetëm fizikisht, por edhe moralisht e mendërisht deri në çmenduni, kot, vetëm për shpirt sadizmi. Të jesh kaq i pashpirt ! As djajt e fundit të ferrit nuk mund të barazohen me djajt e kuq komunistë. Njeriu si qënie njerëzore që e quen veten e të rrëzohet deri në shpërbamje, të bajë veç mizorina dhe të ndjejë kënaqësi për veprime të ndyta, kjo ngjet vetëm tek komunistët, njerëz hiena e kanibalë.

Kalaja e Beratit u kthye më 1945-1948, në jë qendër internimi për shumë familje të nderuara të v eriut. Këtu përfundoi edhe familja e Gjomarkajve, ku vdiq nanë Dava, e ama e Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit të madh.
M'u kujtue Gjon, edhe një rast sa i prekshëm, i dhimbshëm dhe aq i çuditshëm. Disa javë para arrestimit tim kapën edhe Man Kaloshin, nga fisi i përmendun i Kaloshëve të Dibrës. Ishte një djalë i ri, i hijshëm, me pamjen e një njeriu të edukuem, me fytyrë fëmije, dukej se ende nuk i kishte mbushë të njëzetat. Kish ndodhun edhe i sëmunë tuberkuloz në kockën e kambës së majtë, e cila i kullonte e lypte shërbim e mjekim të përditshëm. Çfarë nuk punuen e nuk banë në të. Nuk lanë torturë pa provue në trupin e tij. E zhvishnin krejt, e linin veç në të mbathuna, e pasi e rrihnin me litar të lagun, e varnin për shpatullash duke i vu mbi trupin e flashkët 100 kg zinxhirë të trashë hekuri, e pastaj herë me shkop e me litarin e trashë të lagun i binin në të gjithë shtatin, por sidomos në kambën e majtë që e dinin shumë mirë se e kishte të sëmunë. Si nuk bërtiti një herë ky njeri ! Si nuk ju dëgjue zani ! U shue në heshtje në ato qeli të zymta pa ba as edhe nje herë oh ! Çfarë kurajo e shpirt të pamposhtun kishte. Çfarë force madhore zotëronte. Trim e hero ! Qelbanikët e mbytën para kohe. Kujtuen, të poshtrit, se hija e errët e mizoritë e burgut, nata sterrë e komunizmit gjakatar, do ta trembnin, do ta përkulnin, do ta thyenin, e do ta banin vegël qorre të ;tyne për të akuzue e shpifë për vllaznit e motrat, për shokët e shoqet e veta. Jo, ai pranoi të vdesë se sa me ju lëvyrë maskarejve të kohës. O Zot bekoje shpirtin e tij, merre pranë vetes, se na ka nderue. Mori ma mirë rrugën e qiellit sesa t'i nënshtrohej robnisë e të vihej në shërbim të krimit e të kriminelëve. E mundueshme dhe e sfilitun pa mbarim vepra heroike e tij por ama edhe shembull lapidar për çdo njeri e shqiptar të vërtetë, sidomos për ata të rinj të marramendun që e shkatërrojnë më kot këtë jetë duke ra viktimë e rrenave dhe premtimeve të parealizueshme, e që bahen shtresë e veseve të ndyta, shkrryhen rrugëve të shekullit, me turp, me shpirt e zemër bosh të pa qëllim e bindje.
E vazhdon halla:
Poshtë birucës ku isha unë, nëpërmjet dërrasave të plasarituna të dyshemesë shikoja një burrë në moshë me flokë e mjekër të bardhë deri në brez, i lidhun kambë e duer me shpinë për dhe. Rënkonte i shkreti ditë e natë. Ofshamet e tij më dridhnin shpirtin. Nuk dija e nuk kisha më se e si ta ndihmoja. Vinin e mirrni dhe e qonin në hetuesi. E tërhiqnin zvarrë nëpër shkallë e korridore deri lart në zyrë, ashtu zvarrë duke e përplasun sa andej këndej. Duke e shkapetun atë kokë të torullon nëpër mure e binin poshte dhe e përplasnin si thes në atë birucë. E quanin Hekuran Zhiti. E dëgjoja kur e thërrisnin e i thonin: - He ballist i qenit, për bythe do ta nxjerrim shpirtin ! -
E ai me një zë të trashë sikur dilte nga thellësia e dheut, u përgjigjej: - O të mjerë, shpirtit tim s'keni se ç'ti bëni, e ka tjetër kush në dorë, Zoti që ma ka falë. Ai është i fortë e nuk përkulet. Ndërsa trupit tim kërmë bëjeni apo ç'të doni, anmik i përjetshëm i juaji do të mbetem. - Të gjorin e linin pa bukë, pa ujë dhe e rrihnin. Me ç'ka kisha kuptue nuk e mundonte as nuk e lodhte uria e etja se sa duhani. Një herë kur i kërkoi një cigare një oficer roje, nga ato që i sillte familja tij, sepse atij nuk ia jepnin as ushqimet, as duhanin, sepse të gjitha ja çelnin e ja hanin oficerët e policët e burgut, ai i këputi një shqelm fytyrës duke i thane: - Do edhe duhan ti këlyshi i Ballit !-
Një ditë marr guximin dhe i kërkoj një polici një cigare, i cili më shikoi pak si me habi se nuk më kishte pa ndonjëherë të pija duhan. Në heshtje pa më thanë as po as jo, nxori paketën, mori një cigare e ndezi dhe ma dha dhe u largue me shpejtësi . Sa iku ai unë u ula në dysheme dhe përmes të çarave të derrasave ia hodha Hekuranit.
- Merre këtë cigare- i them.
I lidhun me duer prapa, me mundim të madh, ra përmbys dhe e kapi me gojë. E shikoja ashtu tek e thithte atë cigare me andje, duke nxjerrë shtullungën e tymit për hundësh e goje, i mbështetun pas murit. Kur e mbaroi e fiku duke e mbulue me dhe në një qoshe të birucës. Atëherë më vështirësi e ngadalë më foli: - Nga zani po me dukesh një vajzë e re. Nga të kemi, e kujt je? - I tregova se jam e bija e Gjon Markagjonit. Quhem Marta, na kanë intemue dhe mue më kanë burgosë.
- Qëndro e fortë, moj çupë e babait - më tha- e di se e ke të vështirë, por është më mirë të vdesësh me nder sesa të rrosh me turp -
E falenderova për këshillën e urtë njëheri duke i thanë se nuk kam ndër mend të turpërohem. - Hallall të qoftë qumështi i nënës moj bijë, Zoti të shpëtoftë se këto janë katila kaluar katilave !
Shumë pashë e dëgjova në ato vite burgu të trishta, por ato ç'ka panë sytë e mi pas disa ditëve edhe sot, kur i kujtoj, më dridhet i gjithë trupi. Berati asht i përmendun për gurët e tij. Kur i shikon mjeshtrit duke shtrue me ato gurë të lëmuem rrugët, apo duke ndërtue shtëpi të kënaqet zemra. Një gurë i lëmuem, rrasik, i lehtë për tu punue. Natyra e ka ba dhe e ka përgatitun për tia lehtësue e për tia zbardhun punën edhe muratorit mjeshtër. Sa ndjen kënaqësi të veprës së bukur që del nga dora e punëtorit artist, aq të prishet e të shëmtohet zemra e gjithçka të neveritet kur i sheh salvuesit, t’i thërmojnë edhe gurët për të masakrue e torturue njerëzit. Kjo që po them ndodhi nën birucës ku ndodhesha unë dhe kaloja orët e mia të randa. Kishin prue gurë dhe dy ushtarë të mbrojtjes me varre e maj, po i coptonin. Po shtronin dyshemen prej dheu me gurë të thepisun. Thosha me vete se çfarë kanë ndër mend të bajnë, se shpirtin e cilit trup duen ta ndajnë nga jeta këta të pa fe. Si mund të jetë e mundun që mendja e njeriut të pjellë vetëm për së mbrapshti, të lodhet që të shpikë tortura nga ma të ndryshmet, ma të urrejtshmet, e të mos ngopet as edhe njëherë duke e fye popullin e vet pa i pas ba gja askujt ? Pasi ata ushtarë e kryen punën në atë birucë, dera u mbyll e ata shkuan. Unë rrija në pritje se çfarë do të ngjante, natyrisht, se diçka e shëmtueme do të më trondiste shpirt e zemër. Pyesja veten, po pse? Pse? E nuk dija e as nuk mundja ti jepja përgjigje vetes. Nuk kaloi shumë e poshtë meje në atë qeli u dëgjuen hapa, zhurmë, zana të vrazhdë, urdhna, ulërima e dukej sikur nuk ishin njerëz por lukuni ujqish të uritun. Derën e hapën me rropamë, e unë po shikoja përmes plasaritjeve të dyshemesë, kur disa oficerë me drunj e hunj në duer e shtrinë përtokë mbi ato gurë të thepisun një trup njeriu të rraskapitur, të zhveshur në bel e nalt e filluen ta rrihnin derisa edhe ata vetë u lodhën. Pastaj i hypën sipër duke e goditun me shqelma sa ku mundnin me britma e potere duke bërtitun si të çmendun: - Ejani të hedhim valle mbi trupin e Hajri Karkanjozit ! - Kur e larguen, trupi i tij i coptuem e i përgjakun nuk lëvizte fare, si duket nga kjo torturë e shmëtueme kishte dhanë shpirt. Hajriu nuk jetonte ma ! Vazhda e krimit nuk kishte të sosun Kur u bashkova me gratë e tjera, pasi kisha marrë dënimin, secila prej tyne kishte historinë vet të mjerueme.Kishin pësue e pa ngjarje nga ma të tmerrshmet, kalue e stërkalue atij "ferri" që tregon në veprën e tij Dante Aleghieri.
- Nuk di si kam shpëtue e jam gjallë, - na thoshte Dituri Protopapa. Si nuk ma ndanë së paku një herë dajakun. Më ishte ba shpina gunga gunga. Stratipapa, hetuesi, vazhdimisht më merrte në zyrën e tij, më lidhte kambë e duer. Ja fillonte e nuk u lodhte fare duke më rrahun. Isha e re, e shkathët, me trup atleteje. Kisha krye në ltali Instiutin e Fiskulturës dhe kërkonin të shfrynin në mua dhe të më hanin gjallë. Duke pa qëndrimin e fortë timin dhe se nuk po mund të më thyenin shpirtnisht, banë atë që mos iu dhantë kujt ta provojë. Më lidhën në litar, si gjenazen në vig, tamam sikur në malesi që çojnë të vdekunin ta varrosin, pastaj në oborrin e burgut, me futën në gropën e zezë të tij deri në fyt, duke m thanë : - Tani do ta shohim burrninë e krenarinë tande.-
Ishte dimën, një të ftohtë acar. E zhytur në atë farë pislleku, aty në oborrin e atij burgu, ku secili oficer që kalonte atje më binte me shkelm në kokë e ma zhyste brenda në baltë, e unë prap për inat të atyne djajve e nxirrja kokën dhe shkundesha, sa që edhe sot më duket e pabesueshme se si munda të jetoj e të mbijetoj e ku i gjen njeriu ato forca, çfarë proçesesh e shëndrrimesh ndodhin në trupin e tij. Me forcë e qëndresë, e njëheri duke reague mbi atë gjendje tragjike që më kishin krijue, kur kalonin ato hetues dhe oficerë nëpër oborr, - vazhdonte të tregojë Dituria - nuk lija fjalë pa u thënë. E inatosun tej mase, shprazja mbi ta fjalorin ma fyes, por ata si ujq të shurdhët nuk donin të dëgjonin e të dinin gjë. Ndoshta do t'më kishin lënë të vdisja në atë gropë të zezë, por vetvrasja në qeli e Nuri Micit më shpëtoi. Të dy qemë prej Berati dhe e njihnim njëri tjetrin. Nuriu i aktivizuar në Partinë e Ballit Kombëtar, për ata ishte armik i lindur e i qënjët më të pafajshme që mund të mendohen. Pra diktatura komuniste denonte pa mëshirë, pafajsinë. E sot na u thenka se nuk paska patur kampe e burgje !
Trupi i tij provoi të gjitha llojet e torturave. Lidhur me rrypin e pushkës e rrihnin pa mëshirë. E kam parë me sytë e mi duke ia prerë mishin me thikë e duke ia mbushur varrët me kripë. Krimbat për së gjalli i lëviznin nëpër trup e varrë. Duke mos pasur më durim përfiton nga një moment hutimi e pakujdesie të xhelatëve të tij e hidhet nga dritarja e katit të tretë e bie i vdekur. Ia moren trupin e ashtu duke e zvarrisur e duke folur me përbuzje se na shpëtoi qeni ! Pra vdekja qe shpëtimi i tij por për xhelatin tortura është mjeti shtytës që të çon drejt saj. Ata me fytyrë e turi ujku, me sy gjak, me buzë të vrara e urrejtje të thekshme, nga tërbimi se nuk kishin mundur të shfrenin dufin kundër Nuriut, tashti drejtoheshin ndaj meje, ndaj një trupi tjetër për ta masakruar, sakatuar e zhdukur ! -
Eeh! Çfarë të themi e çfarë të mos themi! Se çfarë është ba në këtë vend nga komunizmi, Enver Hoxha, shteti, diktatura, e sigurimi të marrë së bashku, - nuk ka mendje, gojë e kalem që t'i shkruajë e as t'i tregojë.
E kam parë me sytë e mi Tajfur Asnadarin kur ja shkulnin mishin e thonjtë e duarve me dara - tregonte Nafie Matjani – i vinin korrent në të gjithë trupin, edhe atje ku blini është më i ndishëm, ai hidhej përpjetë, përpërlitej sa andej këndej, ndërsa shkumë i dilte nga goja. Kur e shikoja përmes atyre vrimave, dridhesha e tëra, me sy të hapur thua se i dilnin përjashta. Unë qaja në heshtje. Doja të ulërija për atë hata që më shikonin sytë dhe dridhesha e tëra nga tmerri. Vuaja pa masë! Por një ditë kulmore blini i dha fund jetës duke u hedhur nga lart poshtë. Është turp ta them por u lehtësova, me që nuk mund ta shikoja në atë gjëndje duke e torturuar çdo ditë përsëgjalli e për gazep.
Nganjëherë vdekja është më e mirë se jeta në mundim. Është kapak floriri, kur vdes me nder, vuajtjet mbarojnë e s'ka më. Edhe Zoti të ndihmon kur dufi i shpirtit shpërthen pasi nuk duron më.
Tregimi i hallës Marte, një dëshmi e krimeve të rënqethëshme të komunizmit. Halla e Gjonit, u internua dhe u burgos në moshën ma të bukur të rinisë. Iu mohua dhe iu shkatërrua jeta. Pësoi tortura e mundime të shumta, duke treguar një shpirt qëndrese të pamposhtur, një krenari të legjitëshme të emrit që mbante, të një familje nga më fisniket të Shqipërisë, atë të Gjomarkajve, Kapidanave të Mirditës.
WRITTEN BY JOZEF MARTINI
WEDNESDAY, 20 MAY 200