Pankarta politike, betejë nacionalistësh në Korçë

KORCE-Sfida mes Skënderbeut dhe Apoelit të Nikozias ka qenë një rast i mirë edhe për të shprehur nacionalizmin e tifozerive. Një ditë më pas, ajo çfarë ndodhi në stadiumin e Korçës mund të quhet një betejë turko-greke apo edhe shqiptaro-greke, ndonëse në fushë ishte thjesht një ndeshje futbolli dhe përballeshin një skuadër shqiptare e një qipriote. Tifozët korçar, duke ditur lidhjet e qipriotëve me Greqinë, kanë shpalosur një pankartë gjigande ku shkruhej "Cypro is Turkey" ("Qipro është Turqi"), ç'ka nuk është pritur aspak mirë nga futbollistët e Apoelit në fushë dhe nga mediat në vendin ishullor. Ndërkohë edhe tifozët qipriotë e kanë kthyer shumë shpejt reston, duke shpalosur në stadium dy flamuj të Vorio-Epirit, një provokim i hapur edhe ky. Shkurt, një ndeshje futbolli ka shërbyer edhe për një betejë nacionalizmi, që është i dënuar nga rregullat e UEFA-s. "Kjo nuk harrohet, tani duhet të kuptojmë sesi do ta shohë Europa këtë partner", shkruan në uebsajtin on-line të Qipros, "Kerkida.net". Në fotot e publikuara në mediat qipriote ditën e djeshme, pankarta "Qipro është Turqi" ka zënë një vend qendror, bashkë me komentet e shumta për të. "Kjo vajzë e bukur duket se nuk është shumë dakord me patriotët e saj se Qipro është Turqi", shkruhet në një koment të një fotoje publikuar në "Kerkida.net".
FLAMURI I VORIO-EPIRIT
E ndërkohë, nuk kanë mbetur mbrapa as qipriotët. Dy flamuj të Vorio-Epirit, të shpalosur në pjesën e stadiumit që ishte rezervuar për ta, tregon se edhe ata kishin mbërritur në Shqipëri me qëllime të tjera, përveç futbollit. Prania e këtyre flamujve është përmendur vetëm përciptazi në mediat qipriote, që mesa duket e kanë parë atë si një fenomen normal. Gjithsesi, në sytë e një pjese të mirë të tifozerisë shqiptare, ajo ka qenë një provokim i hapur. Ngritja e flamurit të Epirit të Veriut në stadiumin e qytetit, ku ky term u bë një skandal i vërtetë pak muaj më parë, pas deklarimeve të ish-konsullit grek.Çudia ndërkohë ka qenë me policinë, e cila nuk ka ndërhyrë në të dy rastet, ndërkohë që duhet ta bënte një gjë të tillë.
SANKSIONET
Shfaqja e parrullave nacionaliste është një nga gjërat më të dënueshme nga rregullorja e UEFA-s, por në fakt është një mister nëse do të ketë sanksione për klubin e Skënderbeut apo jo. Sipas Federatës Shqiptare të Futbollit, gjithçka varet nga delegati, pra nëse ai i ka mbajtur shënim apo jo pankartat. "Kuptohet që për gjëra të tilla ka gjoba të rënda, por shpesh ndodh që delegatët nuk i kuptojnë shumë mirë këto ndasitë e Ballkanit, - tha për Gazetën Shqiptare sekretari i përgjithshëm i Federatës Eduard Prodani. - Shpalosja e pankartave nacionaliste është një gjë e ndaluar nga rregullorja dhe për këtë nuk kanë munguar ndonjëherë gjobat, kështu që them se edhe këtë herë klubi Skënderbeu mund ta pësojë", shtoi ai.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)