Shqipëria: e para dhe e fundit, si gjithmonë!
Nga Gjergj Erebara, Balkan InsightLëvizja e Sali Berishës për legalizimin e martesave gay mund të mos jetë dhe aq e çuditshme.
Për shumë të huaj, Shqipëria vazhdon të jetë një vend ekzotik, mbushur me tradita të lashta si gjakmarrja dhe virgjëreshat e përjetshme, të cilat duken si të nxjerra nga ditari i ndonjë udhëtari të periudhës viktoriane. Një nga krenaritë e saj është pasja e një lideri ish-komunist, një nga të paktët ende në pushtet në Europën Lindore, dy dekada pas rënies së perdes së hekurt, dhe, sigurisht, të qenit një nga qoshet më të ashpra të Europës.
Megjithatë, pavarësisht lajmeve jo të favorshme për të, që është e fundit në shumë gjëra, Shqipëria është një vend që renditet e para për ca gjëra të tjera. Për shembull, në 1920 ajo miratoi të drejtën e grave për të votuar dhe divorcuar, më herët se vendet fqinje në Ballkan. Shqipëria ishte gjithashtu vendi i parë në botë që njohu Organizatën për Çlirimin e Palestinës si përfaqësuesen e popullit palestinez.
Tani nuk është e para, por vendi i katërt në Europë që kërkon të legalizojë martesat e çifteve të të njëjtit seks. Duke pasur parasysh që një propozim i tillë bëhet nga kryeministri konservator Sali Berisha, ish-komunist i kthyer në nacionalist i fortë, pastaj në flamurtar i tregut të lirë, është mahnitëse në vetvete.
Në 2005, Sali Berisha u kthye në pushtet me një platformë liberale, pas tetë vitesh të rrëmujshme në opozitë. Qeveria e tij e bëri Shqipërinë vendin e parë që zbatoi taksën e sheshtë për të ardhurat.
Tani Berisha kërkon të behet flamurtar për diçka tjetër, të drejtat e homoseksualëve, dhe jo vetëm të luftojë diskriminimin seksual në “shoqërinë heteroseksuale maskiliste dhe krenare” shqiptare.
Megjithëse lëvizja e Berishës mund të habisë shumë vetë, në fakt nuk ka asgjë për t’u habitur. Ndryshimet drastike në orientimin politik të zotit Berisha janë, në fakt, të bazuara në mësimet e nxjerra nga historia e gjatë e Shqipërisë. Një vend i vendosur në një zonë kufitare mes kulturash dhe perandorish të ndryshme, ajo ka mësuar duke vuajtur sesi t’u përshtatet realiteteve të reja.
Në gazetat shqiptare, lajmi që kryeministri e përkrahu personalisht martesën e homoseksualëve u justifikua menjëherë si diçka e nevojshme për vendin që të integrohet në BE, një synim i përkrahur nga 99 për qind e shqiptarëve, që do të thotë asgjë më shumë se liberalizim vizash dhe lëvizje e lirë.
Nëse gazetat pro-qeveritare e botuan lajm të dytë ose të tretë në faqet e para, për t’ia zvogëluar rëndësinë, gazetat opozitare bënë çdo përpjekje ta fusnin në vetëdijen publike të titujve ku dominonin fjalët “Berisha” dhe “homoseksualizëm”.
I njëjti Berisha, në përpjekje për t’iu adresuar vlerave të familjes konservatore, kishte bërë përpjekje për t’i paraqitur liderët e opozitës si devijantë homoseksualë gjatë fushatës së fundit zgjedhore.
Kështu që ndoshta Shqipëria mund të miratojë martesat mes homoseksualëve këtë vit. Ndoshta do i mbështesë me lehtësi siç ka mbështetur më parë komunizmin, liberalizmin, ambientalizimin, globalizimin apo çdo lloj ideologjie që i ka dalë në rrugë.
Por kjo nuk do të thotë fund i stigmatizimit që homoseksualiteti ka në shoqërinë shqiptare.
Kështu që më vjen keq që nuk e shoh mbështetjen e Berishës për martesat gay si simbol të hapjes së Shqipërisë, por më shumë si simbol të pragmatizmit kombëtar, ose më saktë si një shenjë se shumica e njerëzve në këtë vend prej shumë kohësh nuk besojnë më në asgjë.
Nuk kam lexuar ndonjehere nje artikull kaq humoristik, por ne te nejten kohe dhe kaq me te verteta rreth idologjive tona, si ato qe mebshtesim si popull, por edhe nga ana e politikes tone..

