Emigrantët të tradhtuar e të ndarë nga “Muri i Athinës”
Flet Hidër Buci, kryetar i Unionit Kombëtar të Emigrantëve
Derisa politika shqiptare nuk do të integrohet dhe emancipohet me parimet evropiane, emigrantët nuk do të kenë të drejta të garantuara, por do të trajtohen akoma si në vitin 1991, edhe pas 18 vjet që punojnë në BE. Këtë mendim e shpreh kreu i Unionit Kombëtar të Emigrantëve në Greqi, Hidër Buci. Sipas tij, qeveria e Papandreut nuk po ofron asgjë më tepër se paraardhësit për emigrantët.
Qeveria greke J.Papandreut u premtoi emigrantëve lëmoshën më të madhe politike, që emigrantët të kenë të drejtën që qarkullojnë në Atdheun e tyre në çdo kohë me “Veveosin”. Çudia e madhe është se vetë emigrantët e “mirëpritën” lëmoshën e qeverisë greke si një privilegj të madh...
-Gjithmonë emigrantët shqiptarë në Greqi lëmosha kanë marrë nga qeveritë greke. Por PASOK-u, kësaj here, i ka pasur lëmoshat politike më të lira se ishqeveria e Karamanlis. Siç duket, ngaqë edhe Jorgos Papandreu, siç ka thënë vetë, ka qenë dikur emigrant, dhe na “beson “ hallet. Unë besoj, që qeveria greke kurrë nuk do tu japë emigrantëve shqiptarë të Drejtën e Qytetarisë –shtetësinë- përderisa Ligji i Luftës që ka Greqia ndaj Shqipërisë nuk shfuqizohet nga Parlamenti grek.
Ju besoni, që BE është e interesuar për integrimin e emigrantëve në gjirin e familjes evropiane, apo e shikon emigracionin një rrezik për familjen evropiane?
Pavarësisht se qeveritë greke deri tani e bazojnë Politikën e Emigracionit në Greqi sipas interesave politike nacionale, dhe –kjo është e kuptueshme- nuk duan të zbatojnë një politikë të Emigracionit Unik me udhëzimet e BE, prapëseprapë BE interesohet që të ndihmojë integrimin e emigrantëve edhe në Greqi në familjen e madhe evropiane. Kështu , në vitin 2008 BE akordoi 16 milionë evro qeverisë greke për integrimin e emigrantëve në të gjitha hallkat. Por, kjo është habia, që nuk dihet se ku qeveria greke i përdori këto 16 milionë evro, përderisa gjendja e emigrantëve bëhet edhe më e mjeruar , sidomos edhe për shkak të krizës ekonomike e papunësisë. Janë të tilla ligjet e rinovimit të Leje Qëndrimit në Greqi, saqë edhe pse je në asistencë sociale, nuk të rinovohet leja.
Hera e fundit kur emigrantët shqiptarë manifestuan në Omonia ishte 27 janari i 2008-s , ku festuan krijimin e Republikës të Kosovës, dhe organizatori ishit ju. Pse kjo heshtje e emigrantëve për problemin e tyre.
Emigrantët shqiptarë janë të përçarë. Forcat politike, qoftë ato greke, qoftë edhe ato shqiptare- besomë kjo nuk është çudi- u intereson politikisht që emigrantët të jenë të përçarë.
Forcat politike greke i duan emigrantët shqiptarë të përçarë, se kështu e kanë kokën pa dhimbje nga kërkesat. Vetë PASOK-u ka zgjedhur si kryetar të Forumit të Emigrantëve në Greqi një emigrant nga Somalia, dhe shpërfill tërësisht emigrantët shqiptarë që janë mbi 700.000.Ndërsa politika shqiptare përpiqet të listojë emigrantët në parcelat e interesave politike partiake. Sipas meje, larg Atdheut nuk mund të ketë midis emigrantëve rivalitet e kundërvënie politike partiake, sepse kështu emigranti e shikon bashkëatdhetarin si kundërshtar politik.
Si i shikoni iniciativat e qeverisë “Papandreu” në drejtim të emigrantëve?
Çuditem shumë ( qeveria e Papandreut tek e fundit politikën e saj bën dhe mirë e ka që u bie daulleve të triumfit ) me entuziazmin politik të disa krerëve drejtues të forumeve të emigrantëve. A mund të cilësosh iniciativë politike të qeverisë greke dhënien e shtetësisë greke vetëm fëmijëve që kanë lindur në Greqi? A nuk dallon, a nuk diferencon, a nuk damkos kësisoj qeveria greke vetë familjen e emigrantit duke e ndarë atë me “Murin e Athinës”? Gjysmën e familjes me dhënien e shtetësisë greke dhe gjysmën e familjes me dokumente emigranti? Dhe , të mos harrojmë, emigrantët mbushin 18 vjet që jetojnë e punojnë në Greqi. Avash-avash krijohet brezi i tretë i emigrantëve në Greqi.
Duhet të kuptojmë të gjithë. Nuk ka tashmë pas 18 vjetëve emigrim në Greqi, integrim të plotë të emigrantëve pa dhënien pa dallim të shtetësisë greke.Është humbje kohe, edhe ti përmendim hallkat e tjera administrative të çligjësimt të emigrantëvenë Greqi. Fjalë bëhet për çligjësim, derisa akoma pas 18 vjetëve emigrim, qeveritë greke rinovojnë çdo vit Lejen e Qëndrimit.
Më thoni, ju lutem, në kë shtet të botës, cila qeveri është ajo që u ndalon me ligj, me kushtetutë gjithë fëmijëve të emigrantëve që mësojnë që nga klasa e parë fillore e deri sa diplomohen , që të mos punësohen, të mos kontribojnë për vetë shoqërinë, siç ndodh këtua me të diplomuarit në universitetet greke?
Shteti grek ka frikën e emigrantit të diplomuar dhe me Kushtetutë e ndalon emigrantin e diplomuar të kontribojë për shoqërinë greke.
Plotësohen gati 18 vjet emigracion. A gëzojnë sot, emograntët plotësisht të Drejtat e punës ?
-Jo! Dhe kjo “JO” fatkeqësisht është absolute dhe e keqja është e dyanshme. Edhe nga shteti grek, edhe nga shteti shqiptar.
Emigranti që ka punuar në Shqipëri dhe tani vazhdon në Greqi, i humb të gjitha vitet e punës në Shqipëri. Emigranti që rikthehet në Shqipëri, humb plotësisht të gjitha vitet e punës në Greqi.
Greqia vetë është interesuar dhe interesohet për emigrantët grekë që punojnë kudo në botë. Para dy vjetësh, qeveria e Kramanlis nënshkroi me Australinë marrëveshjen e dyanshme të transferimit të të drejtave të pensioneve. Shteti shqiptar deri tani nuk ka bërë asgjë për emigrantët shqiptarë.
Por me Ligjin e Emigracionit të deritanishëm, nuk është fare e qartë për emigrantët që plotësojnë moshën dhe një shumë të caktuar të kuotës të sigurimit shoqëror shtetëror për të marrë pension. Se po qe se nuk je në punë, je i paligjshëm, dhe nëse je “i paligjshëm”, nuk merr dot më pensionin, edhe pse të takon.
Kam ndjesinë që emigrantët janë akoma viktima të mikropolitikave të politikanëve shqiptarë...
E keqja më e madhe nuk është edhe aq te besimi politik që ka çdokush dhe te shprehja e fanatizmit politik të sejcilit.
Ne emigrantët shqiptarë vuajmë nga kufizimet e të Drejtave tona për shkak të mosdemokratizmit të politikës të deritanishme në Shqipëri.
E shikoni, që vetëm Shqipëria nuk ka të drejtën e liberalizimit të vizave në Evropë? Po të ishte Shqipëria në BE emigrantët shqiptarë nuk do të kishin aspak nevojën e shtetësisë greke, nuk do të humbisnin të drejtat e pensioneve, nuk do të paguanin sejcili e çdo vit nga 150 evro për të jetuar në Greqi dhe cilido emigrant i diplomuar do të kishte të drejtën e punës në të gjithë BE.
Pa këto të drejta, ndihesh i burgosur, në një burg të madh, pa tel, pa gardian burgu , por me gardian burgu vetë Ligjin e Emigracionit.
Dhe të gjitha këto kufizime të Drejtash që i mohon emigrantëve shqiptarë Politika e Emigracionit e qeverive greke, burimin e së keqes e kemi te mosdemokratizimi i politikës shqiptare, të mosintegrimi i Shqipërisë në BE.
Ndokush në Shqipëri, edhe pse nuk pajtohet, shumë-shumë mund të qeshë me bojkotin, mund të qeshë edhe me mitingjet politike, por ne emigrantët e ndjejmë dhe e shikojmë, na e thonë këtu në Greqi e kudo në BE që shqiptarët politikisht janë akoma te 1991-shi.....
Dhe prandaj mbetemi edhe ne, me të drejta të kufizuara sikurse emigrantët e 1991-shit, pavarësisht se jetojmë e punojmë 18 vjet në BE.