Edhe IGFM dyshon në versionin e policisë për Radushë
Shkup, 13 Maj – Një organizatë në Maqedoni për të drejtat dhe liritë e njeriut hedhë po ashtu dyshime ndaj versionit të policisë maqedonase për incidentin në Radushë, ku gjetën vdekjen katër shqiptarë.
Sipas Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Maqedoni (gjermanisht : IGFM) katër shqiptarët kanë qenë të arrestuar më parpara dhe janë ekzekutuar pastaj në mëngjesin e hershëm të 12 Majit.
Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut për Maqedoni, me seli në Kumanovë, tha në një komunikatë të sotme se “shpreh dyshime të hapura lidhur me mënyrën e kësaj vrasjeje, meqë në bazë të disa informacioneve, grupi ka qenë i zënë tradhtisht disa ditë më parë dhe janë ekzekutuar në bazë të një aksioni të përgatitur mirë nga ana e strukturave policore.”
IGFM më tutje shkruan në komunikatë se Harun Aliut, kryetarit të partisë Alternativa Kombëtare, i ishte montuar “një proces gjyqësor, duke u dënuar përjetësisht me burg, që më pas t’i kurdiset edhe likuidimi fizik,” në Radushë.
Dyshime për versionin e policisë maqedonase për incidentin në Radushë deri më tash kanë shfaqur edhe dy parti politike shqiptare; Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH) dhe Bashkimi Demokratik Kombëtar (BDK).
Kjo organizatë kërkon një “ekspertizë ligjore ndërkombëtare dhe të zbardhet deri në fund ky aksion famëkeq policor ku u vranë katër veta. “
IGFM fton Bashkimin Demokratik për Integrime (BDI) “që të merr hapa urgjent në drejtim të amortizimin të pakënaqësive të shqiptarëve, të ndikojë në përmirësimin e gabimeve në proceset e montuara gjyqësore dhe të arrijë të realizojë të drejtat e garantuara qytetare me kushtetutë.
http://www.zhurnal.mk/mk/cont.asp?k=212 ... 20134&sh=2