#4
Post
by Patush » Tue Jul 28, 2009 5:13 pm
FISHTA MEDITANS
Në kulturën shqiptare të dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XX mendimi teorik‑estetik njeh hopin e parë cilësor, që do të bëhet i ndjeshëm sidomos në periudhën mes dy Luftërash botërore. Si në shumë kultura me fat të ngjashëm, edhe në atë shqiptare zhvillimi i këtij mendimi shfaqet me karakteristikë të parë ndërthurjen, që duket si e përhershme, mes kritikës letrare dhe asaj të artit, mes historisë (përkatësisht teorisë) së dukurisë artistike dhe analizave që i brendashkruhen estetikës si disiplinë e specializuar.
Faktorët që e kushtëzojnë përhapjen e ideve estetike, si dhe imponimin e tyre, në kulturën shqiptare të këtyre dhjetëvjeçarëve, janë të shumtë dhe të ndërlikuar, në mos edhe të implikuar me elemente kontradiktore që mund të ndikojnë si në përhapjen, ashtu në zgjerimin e këtyre ideve. Duke pasur për sfond zhvillimin e vetëdijës për misionin e artit në jetën shoqërore dhe kulturore, në letërsinë (më shumë se në artet) shqiptare të asaj periudhe nisin të lulëzojnë dhe të bëhen të njohura krijime madhore, të kultivuara, si dhe gojore. Duke iu përgjigjur nevojave shpirtërore të shoqërisë shqiptare, por, siç është e natyrshme, edhe duke i nxitur e madje provokuar ato, krijimtaria letrare‑artistike e periudhës mesdyluftore në Shqipëri vjen duke i shtuar kërkesat estetike, si dhe duke u sinkronizuar gjithnjë më mirë me stadin e ngritur të konceptit artistik modern europian. Nga ana tjetër, është i ndjeshëm në të njëjtën periudhë edhe një mjedis artistik periferik, pa kritere e kërkesa estetike, që fut në perimetrin e krijimtarisë letrare tonalitete të rrëgjuara, sentimentalizma të vjetëruara, tanimë edhe një barrë keqkuptimesh lidhur me "vlerat" e asaj letërsie që quhet "e rilindjes kombëtare". Formësohet atëherë një éventail perspektivash që ndihmojnë në mënyrë të ndjeshme në mëvetësimin e fushës së estetikes, duke çelur para mendimtarëve shqiptarë një vis të dendur problemesh, gjithë pretendime, vështirësi, të papritura.
Historikisht i bie të jetë Faik Konica (1876‑1942) i pari teoricien shqiptar që do t'i japë shtytje vështrimit kritik të punëve në letërsinë shqipe, duke u përpjekur t'i kthjellojë ato, t'i nxjerrë në rafshin e vetëdijës kritike dhe, sidomos, t'u japë një status sa më aktiv, më konstruktiv, në përputhje me nevojat konkrete, me dinamikën e kulturës shqiptare të kohës. Konica do të jetë (historikisht) edhe i pari mendimtar shqiptar që përhap ide estetike bashkëkohore në kulturë përgjithësisht. E kam fjalën jo aq për shkrime deri diku të njohura, si Kohëtore e letrave shqipe (1906), i cili mbahet për dokument i themelimit të kritikës letrare shqiptare, Letërsia shqiptare, Shënim për metafizikën e bektashinjve apo për kritikë të llojit utilitar, si ato recensionale për libra të ndryshëm të botuara gjithnjë në Albanian e tij, por për shkrime si Skicë e një metode për t'u duartrokitur prej borgjezëve (1903), Sprovë mbi gjuhët natyrore dhe gjuhët artificiale (1904), Mistifikimi më i madh në historinë e gjinisë njerëzore (1904) etj. Një një pjesë e përfillshme e mendimit estetik të Konicës ose nuk pati ndonjë rezonim të veçantë në kulturën shqiptare, ose në të nuk u receptua aspak. Atëherë, fill mbas tij, duke filluar prej viteve '10 të këtij shekulli, do të jetë një tjetër personalitet proteik i kulturës shqiptare, Gjergj Fishta (1871‑1940), ai që do të imponohet në këtë kulturë jo vetëm si shkrimtar (poet, dramaturg, prozator etj.), por edhe si kritik, historian i letërsisë e, posaçërisht, estet.
Fillimet e mendimit estetik të Fishtës mund të llogariten me Parathânen e shkruar prej tij për përmbledhjen Visari komtaar. Kângë popullore gegnishte (Sarajevë 1911) të V. Prennushit. Mund të thuhet se me këtë shkrim nis një periudhë e parë në mendimin teorik‑estetik të tij, e cila do të lidhet më drejtpërsëdrejti me themelimin prej tij të njërit nga organet më të rëndësishme të kulturës shqiptare, së parës revistë kulturore në Shqipëri, Hylli i Dritës, në vitin 1913. Duke filluar prej nr. 2 të vitit të parë të kësaj reviste, me shkrimin polemik (me vijime) A janë të zott shqyptarët me u majtë shtet n'vedi, përvijohet në mënyrë të qëndrueshmë, si tipar kryesor i shkrimeve të tij teoriko‑estetike të kësaj periudhe, shtysa polemike.
I shqetësuar jo thjesht nga libri‑paskuil i një ish‑kryeministri serb (V. Gjeorgjeviç), por nga një propagandë e tërë gazetash të huaja të kohës për "mbrapambetjen"e popullit shqiptar, "nivelin e ulët" të zhvillimit të tij, "barbarinë" e tij dhe, sidomos, "paaftësinë" e tij për të ndërtuar një shtet të vetin e për jetuar në të, Fishta i kundërvë kësaj propagande tezat e veta. Kryeteza ndër to është se niveli i zhvillimit të një populli matet me nivelin e poezisë së tij, të ligjeve dhe të kodit dokesor të tij, shkurt: me parametra të sferës psikike të atij populli. Për të vërtetuar këtë, ai shtie në punë edhe argumente mirëfilli të rendit estetik: shqyrton (dhe përpiqet ta përkufizojë) të bukurën (pulchrum), duke e ballafaquar atë me të mirën (bonum); introdukton në mendimin teorik‑estetik shqiptar parimet e harmonisë, të përkryerjes, të rrëgullit t'shestimit (ordo); shpjegon çështjen e "këndelljes" (diçka mes delectatio dhe voluptas), duke vënë në pah kështu komponenten hedonike që e shoqëron detyrimisht artin; rifunksionalizon kategorinë e moçme të "dritës", ndoshta të përpunuar prej claritas‑it të Shën Tomës s'Akuinit apo prej splendorit të skolastikëve; duke folur për një aftësi të posaçme në të përkapurit estetik, sado kalimthi, fshik një nga trajtat e teorisë relativiste të shijes të përpunuar prej traditës empiriste (angleze) dhe këtu koncepti i tij i "synit të mendjes" nuk mund mos të përkujtojë "shqisën morale", "syrin e brendshëm" të kontit Shaftesbury apo "shqisën e së bukurës" të F. Hutcheson‑it etj. Argumente të të njëjtit rend janë shtënë në punë, për të mbrojtur identitetin kulturor dhe nivelin e zhvillimit qytetërimor të popullit shqiptar, në Parâthanen e Visarit (1911), si dhe do të përdoren në tekstin Shqyptarët e të drejtat e tyne, shkruar nga Fishta në Paris (1919) për t'u ligjëruar prej Imz. L. Bumçit në Universitetin e atij qyteti.
Po në këtë periudhë zë fill edhe kontributi i tij në fushën e kritikës letrare, me shkrime recensionale te Hylli i Dritës (një ndërkohë dyvjeçare edhe te Posta e Shqypnís) për vepra të ndryshme, kryesisht të letërsisë shqipe. I përftuar me një strukturë klasike, në fushën e kritikës letrare ai fillon të sqarojë, drejtpërsëdrejti ose tërthorazi, një sërë konceptesh themelore, duke theksuar dukshëm përpjekjen për integrimin e letërsisë, të kritikës dhe të historisë së letërsisë shqipe në sitemin e vlerave universale.
Periudha e dytë, që përvijohet përfarësisht në vitet '20, e ka edhe ajo të ndjeshme "shtysën polemike", por tanimë për këtë shtysë mund të thuhet se funksionon së brendshmi. Kjo periudhë fillon me shkrime, si Perlindja e Shpirtenve (1921), Kisha katolike ka trajtue kulturën okcidentale (1923) etj. Mund të karakterizohet si periudhë e zgjerimit të bazës së interesave estetikë të Fishtës, që na e dëshmon, për shembull, si shkrimi Federata "Vatra" dhe muzika (1923), ashtu edhe skica e pambaruar Përmi pesë rende t'arkitekturës mbarë (vitet '20). Duke tejkaluar çështjet e estetikës së përgjithshme, në të dyja Fishta studion përftimin e dukurisë konkrete të arteve, duke e shndërruar shqyrtimin e saj në një studimi mbi format, mbi teknikën dhe mbi përmbajtjen shpirtërore të krijimit e të kundrimit, në kuadrin specifik qoftë të muzikës, qoftë të arkitekturës.
Në këtë periudhë të dytë interesat artistikë të Fishtës hapen edhe në veprimtarinë praktike. Duke qenë i vetëdijshëm se ekzistimi kombëtar i një vendi lidhet drejtpërsëdrejti me ekzistimin artistik të tij, ai u vihet personalisht organizmit teatror (si regjisor), projekteve dhe realizimeve arkitekturore, deri edhe pjesëmarrjes në ekzpozita pikture.
Një periudhë e tretë, që do të emërtohej "e viteve '30", nis po ashtu me shkrime të konceptuara polemikisht. Por tani ky konceptim ngjan hapur me një "shkas". I kthjellët për faktin që në Shqipëri krijimi artistik (posaçërisht ai letrar) ka mbërritur në një stad që kërkon një sqarim parimor dhe një nxitje të domethënies së koordinatave specifikisht estetike të veprës së artit, Fishta i vihet punës për të ofruar modelin e një optike më të nuancuar, më të eptueshme në gjykimin e vlerës estetike. Këtë synon ai të realizojë përmjet polemikash, si Nji atentat shurdhë (1930), Hijeve të Parnasit (1932), Vjerrsha heroike shqyptare (1935) etj., me anë parathëniesh, si ato për Poetët e mëdhej t'Italís (1932) apo Kanuni i Lekë Dukagjinit (1933), por edhe shkrimesh të ndryshme, ndër të cilat shënon kulmin Në rasë të Qindvjetit të dekës së Wolfangut Goethe (1932). Të kërkosh parimin estetik do të thotë tani për të: të ballafaqosh kryeveprat duke nxjerrë prej tyre ligjësitë për krijimet e ardhshme.
Duke punuar për t'i dhënë aktit të vlerësimit të veprës letrare (dhe asaj artistike) eptueshmëri, stërhollësi dhe rreptësi, me shkrimet e tij teorike të kësaj periudhe ai bëhet shembulldhënës. Simbas normave të retorikës klasike, me tekstet e tij estetike (dhe kritike) njofton të vërteta thelbësore tanimë në formula të papritura. Ka mundësi që një aftësi oratorike e lindur, ose e stërvitur prej profesionit të predikatorit, ta ketë prirë atë drejt konstruksionesh me një rregullsi të përkryer, të përkapshme në nivelin më të thellë, të komunikimit të ideve. Kësi konstruksionesh funksionojnë si kanune stilistike (që të bëjnë për vete me trillin dhe gjallërinë) për të mbërthyer vëmendjen e auditorit/lexuesit përmjet digresimesh, figurash plastike, metaforash, asociacionesh etj., të cilat dëshmojnë një lëvizshmëri (të frikshme) mendore dhe një ngarkesë (të madhe) kulturore, me referime të hapura nga fusha e arteve. Ka pohime të tijat, të kësaj periudhe, të cilave mund t'u bëhen verejtje; por kemi të drejtë të mendojmë edhe që Fishta t'i ketë konceptuar "predikimet" e veta estetike (dhe kritike) në mënyrë sentencioze, pa ngulmuar gjithmonë në shpjegimin e të gjitha mendimeve pikërisht me qëllimin për të nxitur diskutimin, madje ridiskutimin e vlerave nga një perspektivë vetjake, përmjet një akti kritik vetjak. Duke qenë prirja e "klasikut" të formulojë fjali, shprehja e tij ndodh të bëhet apoftegmatike; atëherë jo e vërteta ka rëndësi, por fjalia. (Kjo mund të jetë e vështirë për t'u përkapur nga lexues të sotëm, për të cilët një propositio nuk është më, si në kohën e traditës retorike latine, "fjali" në gramatikë dhe, njëherësh, "premisë silogjizmi" në filozofi.) Në shkrime të kësaj periudhe, si dhe te ndonjë i mëparshëm apo i mëmbasshëm, ai që shkruan duket i kapluar nga një frymë ludike, nga një endirë spekulative që të rrëmben. Por është një lojë që do kuptuar në nivelin më të lartë, atë klasicist, e cila ka të bëjë me shprehjen e paformuluar ndonjëherë më parë, provokuese, me asociacione që shtyhen deri në pikën e nxitjes së reagimeve.
Në këtë periudhë edhe krijimtaria e tij kritike, pavarësisht formës së saj, vjen e ngarkohet me peshë filozofike. Eseja magjistrale Në rasë të Qindjvjetit të dekës të Wolfangut Goethe (1935) mund të shërbejë si ilustrim i goditur për një kësi ngarkese. Duke i veçuar tanimë me saktësi fushat, pa i vënë vetes detyrë ta shndërrojë kritikën në estetikë, Fishta nuk ngurron të përdorë koncepte të afërta me filozofinë kur bën fjalë për krijim, liri, inventim, imitim, ndjenjë, shije etj. Në këtë pikë, marrëdhëniet kritikë/estetikë shtrojnë, në rastin e Fishtës, një problem që ndoshta kurrë më nuk do të vijë hera të shtrohet në historinë e kulturës shqiptare: "filozofia dhe kritika" apo "filozofia e kritikut"? Fishta paraqitet në këtë kulturë si arketip i artistit për të cilin kritika është filozofi. Ngjan sikur pikërisht për të ta ketë formuluar Croce‑ja parimin se kritiku, në mbarim të hulumtimit të tij, duhet të orvatet ta përmbledhë gjykimin e vet në "një formulë", e cila të mbetet gjithnjë e hapur, për sa kohë nuk përjashtohet kurrë një proces i mëtutjeshëm analize që ndikon mbi vetë formulën dhe e modifikon atë. Thuajse në asnjë rast Fishta nuk synon t'u imponojë lexuesve një "kanun", një model të ngulët për t'u ndjekur me bindje e rreptësi.
Në këtë mënyrë, Fishta zë në historinë e letërsisë shqiptare vendin e njërit nga më të parët kritikë që e kupton se, për shembull, edhe figura është një ndjenjë. Atëherë, duke u ngritur përmbi vlerësimin empirik, ligjërimi i tij kritik merr edhe vlerë shkencore në vetvete. "Formulat" e tij, ndonëse përfaqësojnë një opinion individual dhe jo një dije universale, bëhen sinteza e një shijeje ngaqë kritiku punon për t'i vënë themel shkencor opinioit të tij. Interesi i hulumtimit të tij qëndron tani jo tek opinioni, por te themeli. Që Fishta e gjen Faustin jo protagonist të veprës dhe kryeveprën e Goethe‑s pa unitet organik etj., kjo pak rëndësi ka; rëndësi ka themeli që ai këtyre gjykimeve u vë.
Kështu Fishta kritik bëhet edhe filozof i veprës së artit; por jo vetëm filozof, bëhet edhe filolog i saj, edhe historian, edhe psikolog i saj. Të kujtohet se, veçanërisht në vitet '10 dhe '20, kritiku shqiptar kufizohej duke bërë historinë e poetit dhe të veprës së tij, duke vendosur lidhjet mes artistit dhe veprës së tij, ose duke u endur nëpër krahasime leksikore, çfarë nuk e dallonte shumë nga hulumtuesi historik e filologjik në përgjithësi. Pak ndryshim kishte, në një rast të tillë, nëse zgjidhej për për subjekt një poezi apo një regjistër famullie. Me përçapjen e vet, Fishta ofron jo vetëm një shembull të aktit krijues të quajtur kritikë ‑ histori letërsie ‑ komparatistikë, si anë të të njëtit proces rekuperimi të vlerave domethënëse të letërsisë, por edhe një mësim mbi lirinë sovrane të shpirtit të artistit, mbi aftësitë e tij për shkapërciminin e kufijve të të menduarit konvencional.
Realizimin më të rëndësishëm në këtë fushë, jo vetëm për këtë periudhë, por për krejt mendimin teorik‑estetik të Fishtës dhe, ndoshta, edhe për traditën e mendimit estetik shqiptar, e përbën Shenime estetike. Mbi natyrë t'artit (1933), botuar me dy vijime në Hyllin e Dritës dhe ndërprerë. Rrafshi i përgjithshëm i një sipërmarrjeje të tillë teorike, me pretendimet e një traktati estetik, synon tani drejt një shkepjeje të plotë të dukurisë estetike prej sferave të tjera të përafërta shpirtërore; është fjala për një rrokje të specifikës së kësaj dukurie dhe, në të njëjtën kohë, normëzimin (nëpërmjet aktit kritik) të krijimit artistik e letrar. Nevojën e shkepjeje të tillë të dukurisë estetike prej një konglomerati dukurish heterogjene duket se, para Fishtës, e kishte kuptuar vetëm Koniza, ndërkohë që për të nuk ka qenë aspak i vetëdijshëm De Rada tek ato që ai i ka quajtur Parime të estetikës (1861).
Fati i veprës Shenime estetike në historinë e mendimit estetik shqiptar të përkujton çuditërisht fatin e një traktati të famshëm në historinë e mendimit estetik botëror: të ashtuquajturit "Longin i rremë". Quajmë kështu në historinë e këtij mendim veprën Mbi ngritjen (Peri hypsous), e përkthyer nga romakët si Mbi të madhërishmen (De sublimitate), të cilin ia kanë atribuar gabimisht filozofit helen Longin (rreth 210‑273). Edhe mbasi është vërtetuar që traktati nuk i përket Longinit, autori tij i vërtetë, me gjasë ndonjë hebré i diaporës aleksandrine, ka mbetur pa u zbuluar. Shenimet estetike të Fishtës, të nënshkruara me inicialin A., kanë mbetur për mjaft kohë pa u përmendur si të tijat. Deri edhe në tekstin e tij Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504‑1983 (Prishtinë 1983, Tiranë 1996), duke përshkruar Shenimet estetike të botuara te Hylli i Dritës, I. Rugova nuk e paskësh identifikuar autorin e tyre (f. 365‑366). Madje dy faqe më tej, duke përshkruar një artikull të vitit 1941 të K. Prelës po te Hylli, I. Rugova shkruan: "Na jepet të mendojmë se ky autor, Kolë Prela, mund të jetë autor edhe i artikullit "Shenime estetike", që e vështruam më lart e që e nënshkruante me "A". Këtë e themi duke u mbështetur në gjuhën dhe terminologjinë e njëjtë të këtyre dy punimeve" (f. 370). Një konstatim befasues, përderisa në bibliografinë "zyrtare" Vepra letrare e At Gjergj Fishtës, të hartuar prej sivëllait (françeskan) të shkrimtarit, At B. Demës dhe të botuar në organin kulturor të françeskanëve (Hylli i Dritës) njoftohet shkoqur si vepër e Fishtës Shenime estetike. Mbi natyrë t'artit (1933). Të hamendosh që Rugova të mos e ketë njohur këtë bibliografi? Nuk mundesh, mbasi bibliografinë në fjalë, të botuar në përmbledhjen At Gjergj Fishta 1871‑1940, vetë Rugova e përshkruan në veprën e tij shtjellimisht në f. 350 të të njëjtit punim: "37. At Benedikt Dema: Vepra letrare e At Gjergj Fishtës". A është i njëjti Rugovë ai që ka shkruar faqet 348‑350 me atë që ka shkruar faqet 365‑370? Sa kohë nuk do ta shpjegojë ai vetë, lidhur me veprën e Fishtës do të mbetet edhe ky një mister më shumë. Kalimthi kujtoj se një estet si J. Mato, kur vendos të shprehet për mendimin estetik të Fishtës (më 1996), identifikimin e autorësisë së Shenimeve estetike nuk e ka të vështirë.
Traktati i Longinit, i shkruar me gjasë në shek I (të e. r.), parqitet sot si një tekst i ardhur nga një dorëshkrim i shek. X, me mangësi dhe i pambaruar. Teksti i Shenimeve estetike, i filluar prej autorit dy herë (më 1932 dhe më 1933), vjen gjithashtu i pambaruar. Nuk dimë nëse ai nuk është mbaruar së shkruari apo ka mbetur pa u botuar i gjithi dhe pjesa tjetër e dorëshkrimit nuk gjendet. Historikisht dimë vetëm se, prej atij viti (1933), autorit do t'i duhet të largohet nga Shqipëria për shkak të "sherrit" me shtetin shqiptar: nën variantin e mbylljes së "shkollave private" françeskanëve u kishin mbyllur liceun zulmëmadh të drejtuar prej vetë Fishtës!
Hebent sua fata libelli, thoshin latinët: Çdo libër ka fatin e vet. Mund vetëm të shprehësh keqardhjen që një "fat" i tillë i paskësh qëlluar edhe një vepre si Shenimet estetike. Botimi i parë që njohim i traktatit të "Longinit" është ai latin i vitit 1554. Prej tij kanë kanë kaluar dy mijë vjet dhe kush e lexon atë sot mahnitesh prej frymës së gjallë që ai sjell. Është, pra, një vepër dymijë vetsh e vjetër, të cilës nuk i ndihet aspak myku i skolastikës apo i bibliotekave. Më shumë se gjashtëdhjetë vjet kanë kaluar nga botimi i traktatit estetik të Fishtës, ndërkohë që me rishfaqjen e tij sot nuk mund të mos befasohesh prej freskisë së mendimit, origjinalitetit. Shafqja e helenit të panjohur në shek. I mund të quhet një mrekulli, aq përmbi kohën e tij ka qëndruar "Longini". Mirëpo, edhe botimi i parë që prej tij njohim (1554) ka kaluar thuajse pa rënë në sy. Mendimi i tij, prandaj, është quajtur një "shkëndijë që nuk ndezi askund". Diç e përafërt mund të thuhet edhe për traktatin e Fishtës dhe rolin e tij në kulturën shqiptare. Që dikur Antikiteti të paskësh bërë komplotin e heshtjes kundër "Longinit", është një nga simptomat më të qarta të bjerjes së fuqisë intelektuale të asaj epoke në sosje e sipër. Po kështu kultura shqiptare, në hipostazat e trazuara që kalonte në vitet '30‑'40 dhe sidomos mbas vitit 1945, duke refuzuar ta dëgjojë Fishtën, i ka shkaktuar mendimit të vet filozofik një nga dëmet më të pandreqshme. Nëse "Longini" pati qenë viktimë e traditës së mediokritetit antik, viktimë e një tradite të pashkatërrueshme mediokriteti, që ende valavit ngjadhënjimtar flamurin e rreckosur në sa e sa beteja, ka rënë në Shqipëri edhe mendimi teorik‑estetik i Fishtës.
Duke mos qenë vendi për t'u ndalur në shkaqet se përse është shkruar aq pak mbi kontributin estetik (dhe kritik) të Fishtës, kujtoj vetëm një të vërtetë: që mendimi teorik‑estetik i tij nuk ka gëzuar, dhe vijon të mos gëzojë, simpatinë (apo kuptimin) e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë. Guximi, kthjelltësia, niveli i përparuar, madje edhe origjinaliteti i metodave të tij të punës, si dhe në përgjithësi larmia e problemeve që ai diskuton dhe vë në diskutim, dëshmojnë pa dyshim për një fuqi krijuese që del jashtë së zakonshmes. Nuk është e vështirë të kuptohet se përse fuqi të tilla gjallin adversion, nganjëherë edhe ndër personalitete në zë të një kulture. Madje, vini re: vetë fakti që adversioni antiFishtë shplallet zhurmshëm, me furi të tepruar, të bën të dyshosh edhe për një kompleks faji te detraktorët... Nuk zmadhoj nëse them se nuk kam takuar veçse një ose dy intelektualë mbi të 40‑at që të shfaqin njëfarë interesi për mendimin filozofik të Fishtës. Pohoj, gjithashtu, se kam takuar shumë të rinj që "të mburren" se nuk e kuptojnë, nuk e marrin vesh ose thjesht nuk e pranojnë mendimin në fjalë. Nga ana tjetër, duhet thënë edhe se mendimi teorik‑estetik i Fishtës numëron admirues mes atyre që ndeshen rrallë në botën kulturore shqiptare; L. Poradeci, që ia dhuronte veprën e vet me përkushtim: "Poetit militans et meditans", është vetëm njëri syresh. Një ngrohtësi e kuptueshme, një aderim thuajse pa rezerva, një gatishmëri e veçantë për të depërtuar thellë në këtë mendim, i bëjnë këta admirues për t'u patur zili.
Për kulturën shqiptare, përgjithësisht, nuk mund veçse të quhet fatkeqësi fakti që një pjesë e mirë e mendimit estetik (dhe kritik) të Fishtës, ashtu si pjesa më e mirë e atij të Konicës, nuk patën rezonime të veçanta, u receptuan pak ose aspak dhe, sidomos, u shkëputën përdhunshëm nga rrjedhat normale të mendimit filozofik shqiptar. Ta pranojmë se në filozofi vonesat janë katastrofike, ndërsa shkëputjet ‑ një rrënim i vërtetë.
Po ta krahasosh gjendjen e sotme të mendimit filozofik me traditën që ky mendim është detyruar të braktisë, llogaritë e rrënimit nuk dalin të lehta. Për të sjellë ndonjë shembull, kujtoj se shkrime si Skicë e një metode për t'u duartrokitur prej borgjezëve (1903), Sprovë mbi gjuhët natyrore dhe gjuhët artificiale (1904), Mistifikimi më i madh në historinë e gjinisë njerëzor (1904) etj. të Konicës ruajnë ende origjinalitet mendimi dhe madje aktualitet edhe në një kulturë si francezja. Te Mistifikimi, fjala vjen, duke mohuar karakterin "gjuhësor" të gjuhëve orientale si të tilla dhe duke shtjelluar karakterin e tyre kriptografik, duke e trajtuar gramatikën e tyre si një "traktat pornografik", madje duke vënë në dyshim vlerën dekodifikuese të versionit biblik të "Të shtëdhjetëve" (Septuaginta) etj., përtej bizarive të kuptueshme për kohën, Konica introdukton një nga teoritë më interesante në këtë fushë, atë të strukturave gjuhësore‑estetike në orientalistikë. Po kështu, te Skica trajton një subjekt të mirëfilltë estetik. Në vijim të tezave të ngritura me Sprovën, duke iu përgjigjur partizanëve të esperantos, gjuhë ndërkombëtare artificiale, Konica i jep rëndësi lexuesit, nisur nga trinia: vepër letrare‑ autor‑ lexues "Është e pamohueshme ‑ vëren ai ‑ që individi me formim artistik mesatar (médiocre) dhe për më tepër i mbushur paragjykime, pra borgjezi mes të gjithëve, duartroket më shumë domethënien morale sesa bukurinë e një vepre". Me ngulmimin e tij mbi rolin e instancës receptuese në vlerësimin e krijimit artistik, Konica bëhet një nga pararendësit e asaj që sot quhet "estetikë e receptimit" etj.
Të kuptosh një mendimtar, si dhe një sistem të menduari, do të thotë zakonisht të vendosësh lidhje të tij me mendimtarë të tjerë, si dhe me sisteme të tjera të menduari, të dyshuara si të përafërta. Një procedim i tillë rrallë del huq. Fjala vjen, J. Mato ka menduar se është "brenda" duke e vendosur lidhjen mes mendimit estetik të Fishtës dhe "filozofisë kristiane": "Ai përqendrohet në disa teza të përgjithshme të filozofisë kristiane..."(Krijime, 118) "Tezat e pikëpamjet janë shtjelluar në mënyrë origjinale, në bazë të filozofisë kristiane..." (po aty, 122). Të mos jetë në dijeni për atë që quhet "estetikë kristiane" gjatë Mesjetës dhe, më tej, "romantizëm kristian" në estetikë?! Madje edhe për rastin kur Fishta analizon trajtat e parme (primordialis) të sendeve, të krijuara nga "Shkasi i Parë", për estetin e sotëm këtë e bën "nisur nga filozofia kristiane" (f. 118). Të mos e dijë, vallë, esteti i sotëm se parimi i "Shkasit të Parë" (prima causa) njihet në filozofi si parim mirëfilli platonik, vetëm sa i rimarrë nga filozofia mesjetare dhe, më mbas, nga idealizmi gjerman?! Në rastin e Fishtës, për shembull, vërehet lehtë se si, qysh në shkrimin e 1913‑s, duke ndarë "nivelet" e zhvillimit qytetërimor të popujve simbas përkatësisë në pesë periudhat e zhvillimit të arteve të tyre (I. poezia e hebrejve; II. poezia e indianëve dhe e egjiptianëve; III. klasicizmi në Greqinë e vjetër etj.), ai i bën një nga zhvillimet origjinale teorisë së Hegel‑it mbi evoluimin dialektik të artit në historinë e kulturës njerëzore. Ndërkohë, në shkrime të tjera mund të dallosh një zotërim të tezave të njërit prej kundërshtarëve "formalistë" të Hegel‑it, si J. F. Herbart. Në polemikat kulturore me "fletoret e Francës", duke vënë në dukje lidhjet mes tragjedisë greke, mitologjisë greke dhe riteve fetare, nga njëra anë, shkrimet e Fishtës të përkujtojnë teori që do të përpunohen pak a shumë në po atë kohë prej filozofësh si Jane Harrison nën ndikimin e teorive të Sir Frazer‑it. Nga ana tjetër, me vënien në diskutim të të dhënave patologjike, fiziologjike e kraniometrike, me refuzimin e tyre dhe, njëherësh, me implikimet e qarta kulturore‑antropologjike përgjatë argumentimit, Fishta shfaqet si pararendës në përpjekjet për përpunimin e një teorie të përgjithme të kulturës njerëzore ("antropologji kulturore"), e cila do të realizohet në vitet '20‑'30 nga E. Cassirer‑ja si teori e neokantine e "formave të mëdha simbolike" më kulturë.
Të gjykuarit historik na është bërë aq i natyrshëm dhe duket, në të shumtën e herëve, aq i drejtë, sa nuk ngurojmë ta vëmë në punë rast e pa rast. Mirëpo, në rastin e mendimit teorik‑estetik të Fishtës, si dhe të sistemit të tij, nuk besoj se mund të delet, nëpër këtë rrugë, në ndonjë rezultat me vlerë. I veçanësuar në hulumtime, edhe si objekt edhe si metodë, vendosja e lidhjeve të Fishtës mendimtar bëhet e vështirë. A thua se përafrimet, në vend që ta afrojnë, e largojnë, duke ia huajsuar gjithë sa në mendimin e tij mund të ketë origjinale, pra të papërafrueshme. Sikurse mësohet tërthorazi, prej një letre të vetë Fishtës drejtuar njërit prej detraktorëve të tij politikë, më 1922 ai ia ka dërguar një nga tezat e veta një filozofi anglez, të specializuar për estetikë dhe etikë në Universitetin e Cambridgeit. Në përgjigjen e tij, anglezi shprehet se teoria estetike e Fishtës e ka mbushur me "një entuziazëm shpirtëror të vërtetë", e cilëson këtë "të re dhe krejt origjinale", ndërsa Fishtën e përshëndet si "themeluesin e një shkolle filozofike shqiptare". Për cilën teori (a tezë) të ketë qenë fjala, vallë?
"Zonat" origjinale më mendimin teorik‑estetik të Fishtës nuk janë të pakta. Mjafton të lexosh Shenime Estetike. Mbi natyrë t'artit (1933) dhe ja ku të mbetet në mend, në pikëprerje të filozofisë me psikologjinë e krijimit, teoria e "dy rruzullimeve". Në mendjen e njeriut, simbas kësaj teorie, ekzistojnë dy rruzullime: i dukshmi ose reali dhe ideali, i krijuar prej vetë mendjes përmjet fuqisë së imagjinatës. Me anë të të pamit dhe shqisave të tjera, mendja përkap dhe njeh rruzullimin e dukshëm, me çfarë përmbledh ai brenda vetes; me anë të imagjinatës, mendja grumbullon imazhet e rruzullimit të dukshëm, me të gjitha mbresimet që objektet kanë mundur të lënë mbi të. Në këtë mënyrë mendja, shkallë‑shkallë, krijon brenda vetes rruzullimin tjetër, atë ideal. Për Fishtën, ky rruzullim ideal është më i hapur dhe më i madh se rruzullimi real, mbasi me anë të imagjinatës mendja e njeriut mund të ndajë ose të bashkojë pjesët e një objekti me ato të një objekti tjetër dhe të përftojë kështu një individuum të ri në rruzullimin e vet; një përftim i tillë është, për Fishtën, hipogrifi (kali me fletë) që në rruzullimin real nuk ekziston. Duke përshkruar rruzullimin ideal të artistit, ai vë në dukje se mendja e artistit ka aftësi më të mëdha se të tjerët, për nga intuita dhe imagjinata, dhe se rruzullimi ideal i tij është më i madh e më i bukur nga ai i të tjerëve.
Ose, ja një tezë tjetër interesante, po nga Shenimet estetike:"Dikush pat pvetë nji herë Rafaelin, tue i thanë se kah aj e nxierte at bukurí aq të bindshme të "Madonne‑vet" të veta: "Da una certa idea", i pergjegjet Rafaeli. Pra jo prej ndonji ideje të zakonshme të sendevet si gjinden në natyrë, por prej nji ideje të perftueme neper intuicjon në mendje t'artistit mbí sendin, si ky gjindet i smadhuem në fantazí. Prandej gabojnë atà qi thonë se arti âsht nji nderndjeksim a imitacjon i natyrës; si mundet me u vertetue puna edhè prej fotografijet, e cilla sugurisht paraqet natyren mâ besnikisht se ç'do artist në nam e në zâ, e me gjith kta ajo nuk âsht art. Mâ teper shifet se madhnín e idés s'objektit të vepres artstike e sendergjon geni, a se shpirti, substancë individuale, e fjeshtë e arsyetuese ‑ të thonë shka të thonë idealistat e materjalistat e ksohohshem, pak a shum nipa e sternipa majmunash, jo aq pse shum nder tà e mbajn vehten se janë rodit të majmunit, sa per punë qi të gjith ‑po thue se si majmuni ‑ imitojnë teorít e straplakne të kohvet të kalueme..."
Kur lexon këtë "shenim" plot thellësi kritike, pyet veten nëse shumë kritikë arti shqiptarë, që shqetësohen për "teorinë e pasqyrimit" dhe rreken për "redefinimin e çështjes së pasqyrimit", nga vitet '60 e këndej, madje duke u mburrur për meritën e se e paskëshin "zgjeruar" këtë teori edhe me "elementin e krijimit" dhe paskëshin shpikur "pasyrimin e transformuar" etj. etj., a sjellin vërtet ndonjë gjë të re në krahasim me atë që dinte dhe shkruante Fishta në vitet '30? Apo me mënyrën si e parashtronte Fishta teorinë e vet? Me pohimin e tij "rebel" se teoria e imitimit (mimesis) nuk qenkësh veçse një "teori e straplakne"?
Pranimi që në filozofi vonesat janë katastrofike, ndërsa shkëputjet ‑ rrënim i vërtetë, do bërë jo për të ndjellë keq, por për të pranuar burrërisht një gjendje dhe për të gjetur rrugët për ta ndryshuar atë; ose, së paku, për ta përmirësuar.
Për një student të sotëm të letrave, Fishta do të përfaqësonte një dukuri sintezë: sintezë e një morali, e një bote klasike ("Asnjë art nuk mund të jetë më i bukur se klasiku", Hegel) dhe njëherësh moderne, e një mitologjie të tërë në kulturën shqiptare. Përmjet Fishtës realizohet te ne sinteza e spekulimeve (spaeculatio) mbi artin, sinteza e rragatjeve të pasionuara mbi gjuhën letrare, sinteza e një mendimi estetik (dhe kritik) të një breznie të tërë e, sidomos, një sintezë befasuese prirjesh metafizike dhe pozitiviste të kohës. Studimi i mendimit të tij, krahas studimit të veprës së tij fikcionale, do të jepte në dorë instrumentet mendore jo thjesht për të plotësuar mësimdhënien, por për t'i dhënë një kah transmetimit të dijeve shkencore letrare. Fakti që Fishta është konstituuar si një "univers" dijesh, për kohën e tij nuk ishte diçka e jashtëzakonshme. Shkollat klasike, të cilat sot i quajmë "klerikale", lavronin traditën e moçme që fëmijët, qysh në moshën tetëvjeçare, fillonin të nxenin, për shembull, retorikë. Nuk kishte gjë për t'u habitur që një çunak si Zefi i Ndokës (Gjergj Fishta), në moshën trembëdhjetëvjeçare, të dinte përmendsh Enejdën e Virgjilit, njësoj si seminaristi nxënës i Fishtës të dinte përmendsh Lahutën e tij. Për sistemin formues të atyre shkollave, të nxënët, të studiuarit bëhej natyrë e dytë, shndërrohej në mënyrë të ekzistuari.
Asgjë për t'u habitur, pra, po qe se në "universin" e një mendimtari si Fishta, të formuar kësi mënyre, rigjallohen mendimtarë të të gjitha kohëve, duke filluar nga ata të Antikitetit, si Demosten, Platon dhe Aristotel, Ciceron, tek ata të Kohës së mesme, si Averroes, Shën Augustin dhe Albert i Madh, Shën Toma i Akvinit dhe Shën Bonaventura, tek ata të Kohës së re, si Skot, Bossuet, enciklopedistë francezë e racionalistë gjermanë, Rousseau, Taine, Benjamin, Rueb, Herder, Cantu, Müller, Fornari, Lowth etj.; pa harruar antropologë, si Wirkov, Pittard etj., albanologë, si G. Mayer, G. Schirò, N. Jokl, A. Schmaus. Një yjësi e tërë veprash dhe autorësh vërtitet marramendthi në një "univers" të tillë, nga poezia e asiro‑babilonasve te Mahabharata dhe Ramayana, nga Shah‑Nameja e Firdusiut te poezia e egjiptianëve dhe ajo e hebrejve, nga Kënga e Nibelungëve te Fingali, nga Bibla te Titanomakia e Hesiodit, Ilijada dhe Odisea e Homerit, lirika e Pindarit, tragjeditë e Eskilit dhe ato të Sofokliut, komeditë e Euripidit dhe ato të Aristofanit, idilet e Teokritit, elegjitë e Ovidit, Epistulat e Horacit, Enejda dhe Bukoliket e Virgjilit, Komedia Hyjnore e Dante‑s, Libri i këngëve i Petrarca‑s, Jerusalemi i liruar i Tasso‑s, Satirat e Ariosto‑s, epika e sllavëve të jugut, Don Kishoti i Cervantes‑it, teatri i Shakespeare‑it dhe ai i Calderon‑it, Osmani i Gundolicit, Parrîzi i bjerun i Milton‑it, komeditë e Moliere‑it dhe ato të Goldoni‑t, esetë e Metastasio‑s, Parcivali i Eschilbach‑ut, Fausti i Goethe‑s, tragjeditë e Monti‑t, Homazh për artet e bukura i Schiller‑it, Atalaja e Chateaubriand‑it, Adelchi dhe Himnet e Shenjta të Manzoni‑t, poemat e Lord Byron‑it, Përrallë dimri e Heine‑s, Kënga e Gjineshtrës e Leopardi‑t, Shën Françesku i Ugheti‑t, këngët e kleftëve grekë etj. Por edhe vepra të artit e artistë të mëdhenj botërore, nga Akropoli dhe Partenoni te Fori romak, nga Koloseu i Flavit te Shën Pjetri në Vatikan, nga Afërdita e Fidias tek Apoloni i Belvederes i Rafaelit, Katedralja e Reimsit dhe ajo e Këlnit, Notre‑Dame‑i Parisit dhe Westminster Abbaye e Londrës, Kisha e Shën Palit dhe Duomo i Milanos, Madonnat e Morillo‑s dhe harkadat e Bruneleschi‑t, skulpturat e Da Vinci‑t dhe veprat e Bramante‑s, Misererja e Palestrina‑s dhe Introitet e Bach‑ut, Requiemet e Mozart‑it, Meshët e Vaidana‑s dhe ato të Heyden‑it, Stabat Materi i Rosssini‑t, Passioni i Beethoven‑it, Parcivali i Wagner‑it, I verbëri i Parzanese‑s etj. etj., a thua për të në ngulitur në mendje përfytyrimin se krijimet e Artit qenkëshin dyzet ditët e jetës së lumnueshme të Natyrës!
Deri edhe letërkëmbimi i një mendimitari të tillë, prej të cilit kemi trashëguar (deri sot) vetëm atë tufbëz ruajtur xhelozisht në arkivin e fshehtë të mikut të tij intim At P. Dodaj, paraqitet i endur në tituj veprash e emra autorësh, me komente e gjykime, vërejtje e vlerësime, madje me një shpiritë që të vizllon parasysh befasisht: "Bonifaci VIII âsht kenë papë, por me gjith kta i duhet me ndejë në Férr, s'pakut der ditën e gjygjës, per deri sá aty e ka denue perendija i vogel Dante Allighieri"; "Kam pasë dy rasa me e ndie Gentile‑n n'nji të pershím kohe prej dy vjetsh. Thonte pa prâ njat send se njat send, qaty se qaty. Nuk di se si, por ia mëshonte mendimit tue zdrypë n'spirale, si me turjelë (a travello), a thue se kje tue birue në mende. Pra, e din nji send, e thue pa prâ, deri sá aj persritet vetë"; "Ktû në New‑York kam ndie tuj rá vjolinit Arturin Kreisler, prej Wienet, sod me sod mâ i madhi vjolinist i botës. Kujtoj se i bite tetë herë mâ mirë se aj Frati i Planit në vjetë 1918..." etj.
Përqendrimi i një mase të pamatë informacionesh nga fushat e artit dhe të letërsisë, si dhe nga mendimi teorik‑estetik botëror, mund të ngjajë sot vështirësisht i përfytyrueshëm për një shkrimtar ose artist të formuar në shkollat bashkëkohore. Po të përpiqemi t'i krahasojmë njohuritë e Fishtës me njohuritë e secilit prej nesh, ai mund të na duket si përbindsh. Mund të thuhet me siguri se, për kohën e tij, ai dinte gjithçka ose thuajse gjithçka nga fushat e artit dhe të letërsisë. Ai anglezi (i sipërpërmendur) duhej të kishte nuhatur diçka, kur i shkruante: "Ndoshta Shqipëria e vogël, që deri dje ka pasë mbetur jashtë "mullirit" të qytetërimit modern, do të arrijë t'ia mësojë Europës rrugën e dijes së vërtetë..."
Është edhe kjo një arsye për të cilën më është dukur e papranueshme, dhe do të vijojë të më duket e tillë, që në strukturat e kurseve të një fakulteti të letrave (a të filozofisë) të mungojnë studimet fishteane. Një kurs i tillë, i studimeve fishteane, do të funksiononte si shtyllë kurrizore në një sistem shkollor me drejtim humanist. Studimet fishteane janë një objekt që nxit, që provokon. Mendimi teorik‑estetik i Fishtës të qet probleme që mund t'i kesh kapur me intuitë, por të cilave nuk u ke dhënë dot emër. Zgjidhjet e tij ecin nëpër atë ravë kulturhistorike (ravë kristiane, po deshi kush), nëpër të cilën vijon të çajë kultura moderne europiane. Mendimi estetik (si dhe ai kritik ) i përmbledhur në këtë antologji paraqitet kështu si një nga dëshmitë magjepsëse të atij mendimtari të madh shqiptar, njërit prej më të mëdhenjve që kultura jonë ndonjëherë ka pasur.
Botimi (dhe ribotimi) i këtij mendimi bëhet sot kusht i domosdoshëm për rishtënien në dorë të vlerave të fshehura ose të huajsuara prej kulturës sonë. Në këtë kuptim, në mjedisin tonë kulturor, ku për çdo botim a ribotim libreci flitet si për "ngjarje të rëndësishme", botimi i këtij mendimi do ta përbëjë, më së paku, një ngjarje. Nuk e di cili është intervali i botimit dhe ribotimit të veprave të mira, ngase ato të tjerat ribotohen papra ("q'aty se q'aty"), derisa përsëriten vetiu.
Dr. Aurel PLASARI.
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!