Ne fund të korrikut pritet të publikohen rezultatet e testeve të stresit për rreth 100 bankat më të mëdha evropiane.
Këshilli i ministrave të BE-së, ku janë të përfaqësuara shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian janë "në masë të madhe në një mendje", bënë të ditur në Bruksel ministrat e Financave të BE-së.
Prej testeve të stresit BE shpreson një qetësim të tregjeve, u shpreh komisioneri i BE-së për politikën monetare, Olli Rehn, në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave në Bruksel. "Është vendimtare që përmes transparencës, bankë për bankë, të kujdesemi për besueshmëri maksimale, në mënyrë që të forcojmë besimin e qytetarëve dhe investuesve në sistemin bankar evropian, i cili unë besoj se në tërësi është rezistent dhe solid." - tha Rehn.
Nëse ndonjë bankë do të hasë megjithatë probleme, ajo duhet të përpiqet fillimisht ta ndreqë situatën përmes rifinancimit. Nëse kjo nuk ka sukses, duhet t'i ofrojë ndihmë vendi përkatës anëtar. Por mjeti i fundit i shpëtimit është fondi i shpëtimit i BE-së, i cili në të vërtetë është konceptuar për shtete të tëra
Zyrtarisht paketa e shpëtimi ka marrë emrin e ndërlikuar "fasiliteti evropian për stabilitetin financiar". Deri në fund të këtij muaji paketa e shpëtimit pritet të marrë formën përfundimtare. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble, shpreson megjithatë që masat e konsolidimit ta bëjnë të panevojshëm përdorimin e fondit.
"Ajo çka një numër vendesh anëtare të BE-së kanë ndërmarrë muajt e kaluar - Greqia, Spanja, Gjermania, Franca - është shumë më tepër nga sa mendonim se ishte e mundur tre muaj më parë. Për këtë arsye vazhdoj të jem optimist se ky fasilitet për stabilitetin financiar e përmbush qëllimin e ekzistencës më së miri nëse përdoret sa më pak. Por instrumentat janë në dispozicion dhe kështu përmbushet qëllimi i ekzistencës së tij." - u shpreh ministri gjerman i Financave.
Ndërkaq Këshilli i vendeve anëtare, Komisioni dhe Parlamenti Evropian vazhdojnë të negociojnë për një mbikqyrje financiare evropiane. Të tria palët besojnë se vetëm një mbikqyrje efektive mbarëevropiane mund të shmangë në të ardhmen kriza të reja. Eurodeputeti gjerman kristiandemokrat Werner Langen mendon se tani e kanë radhën për të vepruar vendet anëtare: "Ne në parlament nuk jemi aspak të kënaqur pasi shohim se Këshilli vazhdon të bllokojë. Për këtë arsye nuk e kemi miratuar përfundimisht paketën për mbikqyrjen financiare, por i kemi dhënë Këshillit edhe njëherë kohë deri në shtator për të negociuar. Shpresoj që të arrijmë të përfshijmë edhe Britaninë e Madhe dhe të kemi një mbikqyrje të mirëfilltë financiare mbarëevropiane."
Britanikët jo vetëm janë kundër ndërhyrjes së BE-së në mbikqyrjen kombëtare financiare, për ta është në lojë metropoli financiar Londër. Por në këtë pikë ministri gjerman i Financave u shpreh me fjalë qetësuese: "Dua të them shprehimisht se Britania e Madhe u tregua këto dy ditë shumë konstruktive, kështu që mendoj se tani kemi vërtet një shans të mirë."
Shansi i fundit për arritjen e një marrëveshje pritet të paraqitet pas pushimit të verës. Ndoshta shplodhja pas pushimeve do t'i bashkojë të gjithë pjesëmarrësit dhe mbikqyrja financiare evropiane do të mund të hyjë në fuqi më 1 janar.