Vangjel Zhapa
Vangjel Zhapa ka lindur më 23 gusht të vitit 1800 në fshatin Labovë të Madhe ose siç njihet ndryshe Labova e Zhapës në rrethin e Gjirokastrës.

Në moshën 13-vjeçare, Vangjeli u largua nga vendlindja, të cilën nuk do ta harronte kurrë. Ai u vendos fillimisht në Janinë. Ambienti kulturor për disa vjet në këtë qytet influencoi edhe në formimin e personalitetit të tij. Për disa vjet, Vangjel Zhapa ishte ushtar në garnizonin e Ali Pashë Tepelenës, nga ku më vonë u shkëput dhe u bashkua me kryengritësit suljotë. Zhapa vazhdoi luftën antiturke edhe pas vdekjes së Marko Boçarit , dhe udhëheqësve të tjerë të kryengritjes antiturke. Ai është nderuar me medaljen e argjendtë, “për kontribut në luftën për pavarësi ”, gjë që konfirmohet edhe nga ministri i Jashtëm i Greqisë, L. Deligeorges, në një shkresë që mban për datë 31 dhjetorin e vitit 1890. Pjesëmarrja e Vangjel Zhapës në kryengritjen antiturke ra në sy të turqve, të cilët i arrestuan nënën, Sotirën, tashmë në moshë të thyer dhe i plaçkitën pasurinë atërore. Kompleksi i kësaj figure, vështirësitë gjuhësore, vendet e shumtë ku mund të ketë informacione bibliografike, kanë bërë që shumë studiues të braktisin, të mos e çojnë deri në fund, apo të studiojnë aspekte të veçanta të personalitetit të tij. Rumania, ku Vangjel Zhapa, kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij, është vendi që e ka vendosur më mirë në fokusin e studimit këtë figurë interesante. Ky personalitet u përkujtua me nderim të veçantë në maj të vitit 1971, kur u bë inaugurimi i Muzeut të Sportit të Rumanisë. Në Labovë të Madhe, që është vendlindja e Vangjel Zhapës, ende janë shtëpitë trekatëshe që u ngjajnë kështjellave historike. Megjithëse kanë kaluan 150 vjet nga koha e ndërtimit të tyre dhe dhjetëra vjet nga Lufta e Dytë Botërore, kur u dogjën, këto shtëpi janë ende të parrëzuara, dëshmi kjo e artit madhështor të ndërtimit të tyre. Këto shtëpi ishin pronë e Vasil dhe Kristo Zhapës, dy vëllezërve labovitë, përkatësisht babai dhe xhaxhai i Vangjelit, i cili emigroi në fillim në Janinë dhe më vonë në Rumani.
Vangjeli ringjalli Lojërat Olimpike
Nga libri "Vangjel Zhapa, mirëbërësi i madh labovit, të autorit Qiriako Hila, botim i Iliria 2003: "Vangjel Zhapa - rilindësi i lojërave të lashta olimpike. Lojërat olimpike filluan në shek. Vii para erës së re nga grekët e lashtë. Konsiderohen më të vjetrat në veprimtarinë sportive ndërkombëtare. Në vitin 392 të erës së re u shkatërruan nga një perandor romak. Pas 15 shekuj, në vitin 1896 rifilluan në Athinë dhe Vangjel Zhapa është quajtur themeluesi i Olimpiadës bashkë me francezin Pierre de Kuberte. Në vitin 1856 qeveria greke tronditet nga propozimi i Vangjel Zhapës që mbështet moralisht dhe materialisht ringjalljen e lojërave olimpike, duke u zotuar përpara mbretit Othon dhe Zotit duke dhuruar 3000 napolona flori dhe 4000 aksione të shoqërisë së lundrimit në Rumani.
Fillimi i lojrave Olimpike
Lojërat filluan në vitin 1859 dhe u kritikuan me forcë nga shtypi grek i kohës dhe mbreti Othon nuk i pëlqente manifestimet atletike. Lojërat olimpike moderne filluan në vitin 1896 në stadiumin Panathinaikos, të cilin e veshi me pllaka mermeri me një vlerë 2.5 milion dhrahmi epirotasi nga Mecova J. Averof. Shuma të mëdha derdhi në arkën e Sillogut Pangrek të gjimnastikës shqiptari tjetër nga Qestorati i Lunxhërisë Kristaq Viktor Zografi, që inkurajoi lojërat olimpike të vitit 1896. Personalitetet greke shkruajnë: "Përfytyrimi dhe pasioni i Zhapës ishte bashkimi i Evropës përmes ringjalljes së lojërave olimpike ku do të sundonin fjalët dashuri, paqe e mirëqenie". Pra, përfytyrimi i Evropës së bashkuar u bë nga shqiptari Vangjel Zhapa një shekull para se të bëhej realitet Bashkimi Evropian. Fatkeqësisht Shqipëria, atdheu i Vangjel Zhapës, akoma qëndron jashtë këtij bashkimi."Për të gjithë unë jam i përbashkët si një ditë e ndritshme."(V.Zhapa).