Arbëri wrote:Minoriteti grek duhet të ketë mbrojtjen e shtetit shqiptarKryeministri grek Jorgos Papandreu ka deklaruar se ajo që ai e quajti si shpërthim nacionalizmi në Shqipëri ndaj minoritetit grek, krijon probleme serioze sa për marrëdhëniet dypalëshe, aq edhe për perspektivën evropiane të Shqipërisë.
Ndonëse ai nuk e ka thënë qartë, ka lënë të kuptohet se Greqia mund ta kushtëzojë procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, me çështjen e të drejtave të minoritetit grek, që kërkoi të mbrohen nga ana e shtetit shqiptar.
Njëra nga pyetjet që iu drejtua kryeministrit grek gjatë konferencës vjetore ishte nëse edhe pas këtij incidenti, qeveria greke do të vazhdonte të mbështeste pa kushte procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Kryeministri grek nuk i dha një përgjigje të qartë kësaj pyetjeje, por përfitoi nga rasti të prononcohej ndaj incidentit, që e ai e cilësoi si shumë serioz dhe jo të rastësishëm.
“Për fat të keq, vërejmë fenomene të ngjashme të një shpërthimi nacionalizmi, nga grupe ekstreme, që për fat të keq kanë edhe pasoja politike dhe që synojnë minoritetin grek në Shqipëri”, tha Papandreu dhe shtoi se incidenti i Himarës, por edhe incidente të tjera, tregojnë një qëndrim armiqësor ndaj Greqisë.
“Doja t’i dërgoja mesazhin palës shqiptare se nacionalizmat gjithmonë kanë krijuar probleme kolosale, jo vetëm ndërmjet vendeve, por me viktima edhe qytetarë të thjeshtë. Ne këtu në Greqi bëmë një përpjekje serioze për integrimin e shumë shqiptarëve në shoqërinë greke, në këtë proces mund të ketë pasur edhe probleme dhe incidente. Por duhet t’i shmangim nacionalizmat dhe minoriteti grek duhet të ketë mbrojtjen e shtetit shqiptar sa u përket të drejtave të tij. Dhe ky do të jetë qëndrimi që do të mbajë pala greke”, përfundoi kryeministri.
Me theksimin e këtij qëndrimi, Jorgos Papandreu ndoshta lë të kuptohet se Greqia do të risjellë në kancelaritë evropiane çështjen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri, duke e kushtëzuar me këtë çështje progresin e perspektivës anëtarësuese të vendit fqinj. /bbc/telegrafi/
Meta: Marrëdhëniet me Greqinë, korrekte, Shqipëria ka neutralizuar episodet nxitëse
13-09-2010
Shqipëria, i vetmi vend në rajon që garanton me ligj të drejtat e minoriteteve. Godo dënon deklaratën e Papandreut: Athina të përgjigjet për dhjetëra krime ndaj shqiptarëve
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta komenton deklaratat e fundit të kryeministrit grek Jorgos Papandreu, lidhur me një aksident të zakonshëm të Himarë, ku i mbeti i vdekur një shtetas. Kryediplomati shqiptar, Meta tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe se do vazhdojë të ruhet ky nivel konstruktiviteti. Meta vuri në dukje se qeveria shqiptare ka ditur gjithmonë të mbajë qëndrime të qarta ndaj çdo episodi që ka synuar të provokojë marrëdhëniet Tiranë-Athinë. “Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe në veçanti ndërmjet dy Qeverive janë shumë të mira dhe do të vijojnë në këtë trend të shkëlqyer bashkëpunimi dhe mirëkuptimi reciprok. Qeveria Shqiptare ka ditur gjithmonë të mbajë qëndrime të qarta ndaj çdo episodi që ka synuar të cenojë këto marrëdhënie dhe ndaj çdo grupimi apo segmenti ekstremist që ka dashur t’i helmojë këto marrëdhënie. Ne jemi të bindur që ky bashkëpunim, i cili nuk ka të bëjë vetëm me marrëdhëniet tradicionale midis dy vendeve por i cili natyrisht ka të bëjë edhe me vetë perspektivën e integrimit evropian të Shqipërisë, do të vijojë edhe në të ardhmen”- u shpreh ministri i Jashtëm, Ilir Meta.
Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria si asnjë vend tjetër në rajonin e Ballkanit, ka garantuar me ligj të gjitha të drejtat e minoriteteve. Sipas tij, Shqipëria është një vend evropian dhe kësisoj nuk toleron asnjë lloj fenomeni të diskriminimit
“Njëkohësisht, Qeveria e Shqipërisë ka qenë dhe është shumë e angazhuar për të miratuar të gjithë atë legjislacion modern që garanton të gjitha të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, por edhe të çdo grupimi tjetër. Shqipëria është një vend evropian dhe është kundër çdo lloj diskriminimi”- deklaroi më tej, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.
Godo dënon deklaratën e Papandreut: Athina të përgjigjet për dhjetëra krime ndaj shqiptarëve
Politikani Sabri Godo e cilësoi të turpshme deklaratën e kryeministrit grek Papandreu për ngjarjen në Himarë. Sipas Godos, para se Papandreu të bentë një deklaratë të tillë, duhet të japë përgjigje për dhjetëra krime të bëra ndaj shqiptarëve.
“Deklaratën do ta quaja të turpshme sepse ai na akuzon ne për racizëm, ndërsa duhet të përgjigjet vetë ai dhe qeveria e tij për dhjetëra krime që janë bërë ndaj shqiptarëve nganjëhërë edhe të përbindshme. Duhet të përgjigjet për faktin që ushtria greke ka bërë manifestime të përafërta, madje dhe në prezencë të kryeministrit, kundër shqiptarëve. Domethënë , që qoftë se ka politikë raciste, ka në Greqi”- u shpreh Godo.
Godo tha se Papandreu duhet te heqë dorë nga ideja se Himara është minoritet, sikundër e shpalli ai.