Myslym Pasha

Veritas Filia Temporis (E vërteta është bijë e kohës)
Bie zilja e celularit. Më kërkonte një gazetare e KLAN-it, ndihmëtare e Blendi Fevziut. Gazetarja, ngulmoi nja dy herë, që të më mbushte mendjen, se bëhej fjalë për një regjistrim, ashtu siç do të regjistronin edhe përfaqësuesin e shtetit. Kisha bërë disa emisione të tjerë, po kjo nuk kish qënë e mjaftë.. Përsëri më kërkonin, për shpjegime.
Atypëraty, ma dha mendja që t'i ktheja përgjigje, se nuk do të ishte e mirë që të kryhej më parë regjistrimi në studio dhe pastaj transmetimi; mbasi nuk mund të kisha besim, se si do të qepej dhe gatuhej materiali, në formën reale dhe të duhur, çka mund të më nxirte zhveshur, mbi atë Det aq shumë të përfolur, të cilin në atë moment, po e kundroja nga një pamje satelitore.
A duhej shkuar apo jo?
Dikush më pati këshilluar që të mos bëja asnjë çap më tej, drejt KLAN-it, sepse dihej, që në krye të gardhit, se ai e kish të shkruar në ballë, që i shërbente Qeverisë. Prapë ndarje. Kjo s'kish kuptim. Të dukej si një lojë.
Diskutimi i ngritur, në një tymnajë mediumesh, kishte hapur ca pozicione të paparashkuara, që siç u kuptua, s'ish gjë tjetër veçse një lloj ndeshjeje...se "Ai" (mbasi, asnjëherë nuk u përmend emri i shqiptarit që kish dhënë kumtin e kushtrimit) pra se ky njeriu, që e kish përzjerë këtë prush, duhet të ish i lajthitur, ose më keq se kaq, i mësyrë dhe futur, në këtë mes, prej qarqesh përsëri të fshehta, të huaja ose dhe nga brenda, me qëllim të caktuar, për t'i krijuar telashe Qeverisë, drejtpërdrejt pas zgjedhjeve. Pra, një njeri folklorik (bile një gazetë kish botuar asaj dite një fotografi timen veshur me kostum jugor të labërisë dhe ku shënonte se ja , kush merret me Detin, një folklorist...etj...)
Ndërkaq hamendje të tjera, arrinin deri atje, sa nëpër blogje thoshin, se ky njeriu duhet të ketë marrë pare të madhe, nga Edi Rama, duke u bërë tellall i tij... etj.
Në lëkundje e sipër, erdhën tek Kullat Binjake, Mentor Nazarko e Andi Bushati, duke shfaqur edhe ata, qasje të tjera. Teksa në lap top, uleshin e ngjiteshin pamje të hartave, skicave, ligjeve detare të cituara, ia mbrriti një analist tjetër, Artan Hoxha për të cilin thuhej se drejtonte një Institut Studimesh. Artani duhej të ish i vetmi, që kish rrokur, që në krye të herës, se në ato vizatime dhe pamje që ishin trajtuar, kish diçka që nuk shkonte. Ai menjëherë vuri gishtin, në njërin prej ujdhesave: Othonoin, pastaj e uli drejt Erikuzës, përqasi dy standarte të Detit Territorial dhe Hapësirës së Afërt, dhe ashtu si padashje tha " nuk e besoj se kanë përfituar, shumë..." (!!) Megjithatë po të krahasohet me shpjegimet që ke dhënë ti, ky i Qeverisë ishte shumë më komod" - shtoi ai.. Gishtat e tij, mbi imazhin satelitor, teksa kalonin përmes ujdhesave të Arkipelgut, gati sa po i përthitheshin.
****
Makina ndaloi në hyrjen e ish-Kinostudios Shqipëria e Re. Ishte natë dhe frynte një thëllim i pazakontë vjeshte. Sa u futa ndënë hark, përsipër kisha ca simbole të thyer, dhe një shqiponjë të mugullt, të copëtuar.
Nga pas më ndiqte, dikush që s'më ndahej, prej nja dy ditësh. Kërcënimi i ardhur në Facebook, ishte shndrruar befas në një person të dytë që nuk më kanoste, por përkundër më mbronte. Kështu dukej.
Isha drejtuar për tek KLAN-i, pasi kisha pyetur nja dy policë. Në rruginë, s'pipëtinte gjësend. Si do ta përballoja takimin e parë me Kundëradmiralin? Për mua, kjo, kish më shumë rëndësi, se sa debati kundruall njëri-tjetrit.
U avita, me hap të shpejtë tek dera dhe në afrim e sipër kisha marrë në telefon gazetaren për mbrritjen time.
Fevziu dhe ndihmëtarja e tij ishin tek dera. Sa më preku në shpatull, Fevziu, u interesua për hartat, nëse i kisha prurë me vete, dhe a i kisha, ato në flesh? Punonjës të ndryshëm, ndofta kameramanë, a të shërbimeve të tjera, më hidhnin ca shikime të ftohta, nga koka gjer tek këmbët. Një burrë i shkurtër, të cilin dikund e kisha parë, kaloi përbri si me hap rreshtor dhe ish gati që të më shtynte, në koridorin e ngushtë.
U shkëputa, dhe hyra, në të majtë, tek studioja OPINION. Ishte plotë dritë. Eca pak më tej. Krahët robotikë të kamerave, m'u duken në çast si ca gjymtyrë dinosaurësh, po veçse, kishin nga një sy të madh katror e të zi, shumë të zi, në pritje të përndezjes së sensorëve. Dy ndënjëse të bardha ishin kundruall. Monitorë të mëdhenj që ndodheshin në një gjum të pjesshëm, në atë ngrehinë dekori, prisinin të shpërfaqnin pamje të një ndeshjeje, të pazakontë. Ndjeva shqetësimin e parë. Studioja ruante në vete, një lloj kanosjeje.. Një vashë më erdhi pas shpine, që të më ngjiste lart, tek posti dixhital dhe regjisura..
Në derë hyri Kunderadmirali. Unë u ngrita në këmbë dhe i dola përpara. Dy hapa, se të avitej, ai zgjati dorën, e cila me shpejtësi u drejtua ndaj meje, që në takim me dorën time, nuk kish asnjë lloj mesazhi miqësie, por përkundër, një parakacafytje groteske. Sytë e tij ishin të ftohtë, që në të vërtetë nuk po më shihnin, por në formën e një prerjeje, më lanë një vragë urrejtje. Midis nesh asnjë fjalë që të bëhej si urë lidhëse.
Lëviznin kamerat e mëdha robotike. Nja dy stenda ishin zhvendosur enkas, ku do të vareshin harta, të cilat duket se ishin sjellë qysh paradite. Mbi dekorin rrinte dhe vrojtonte Qeveria në absurdin e vet. Na kishin prurë këtu, dhe prisnin që të shpallej fitimtari. Kjo ishte një betejë, siç e mendonin ata, shumë vendimtare. KLAN-i mbas Champions League ofronte një ndeshje tjetër. Më bënte përshtypje rekuiziata e plotësuar me kujdes, e në krahë të Kundëradmiralit, sapo kish filluar lëvizja. Ai nuk ishte i vetëm. Ndërsa unë kisha një Lap Top që i ishin vësulur viruset. Në kënd u shfaq "Klanori"...
Përse do të ndesheshim? Kush do të fërkonte duart?.. Ne, të dy të ndërsyer, do të jepnim shfaqje, para tanëve, si në një shëmbull të ri, se si e hamë vetveten, në mbrojtje të fitores së fqinjit tonë, në detin tonë historik. Sado që Kundëradmirali, mundohej që të të mos e jepte veten, dukej i tërë i përfshirë nga shqetësimi dhe kjo, ishte e natyrshme. Ne ishim të dy mjeranë dhe mbi vete kishim një Qeveri, po kaq mjerane, që na kish ndërsyer, njëri me tjetrin. Po si do të thuash ti? Që në fund të kësaj premiere, fqinji ynë, të kuptonte, se ç'bëjmë ne për "fjalën e dhënë" pra atë "marrëveshjen dhe firmat" se të shihni se "mund të murosim një të gjallë, që ju të na besoni " ose sikur ta përkthejmë me terminologji detare: " do ta detosim të gjallë!" etj etj.
Eh, vetëm Deti e dinte se sa lumenj derdheshin në të... Por amanetin e largët në kohë, të hedhur në Detin Jon, ai do ta qesë që do ta qesë në lëndinë.
Përfytyrimi, në një hapësirëkohë të shkurtër, përsëri më çoi tek ai Kali i Drunjtë i cili, e kishte bërë punën e vet, në mbjelljen, e asaj vije. Po ku do të ketë përfunduar ai kalë? Mos ndofta, tek Miniera, a Gurorja Romake e Gramës, ku rrinte, prapë i fshehur?
Atypëraty, po më merrej fryma. Kërkoja me sy, në monitorin e madh. Hamendoja aortën e Otrantos, ku ishte sjellë një udhë e re, e një afrim i paparë, i kryer si me një by-pass, të ri. Ndërkaq Qeveria qeshte, kurse ndërtuesit e emisionit, matnin sasinë e oksigjenit dhe gjakut të detit, për të më provuar, në sytë e bashkësisë, se ky shartim, kjo prerje dhe kjo lidhje, na kish sjellë, atë energjinë e harruar. Kirurgjia ishte bërë e saktë, pra ai by-pass-i barazlargësisë ishte një mbështjellë, nje vello e projektuar dhe veshur, me kujdes, në sytë e të gjithëve, për të na thënë se "kemi qënë të barabartë".. Ndërsa ai Kali i Drunjtë, rrinte sërish i fshehur, në Gramë..
Një çast, më preku supit ajo vetja e dytë, për të më kujtuar atë njeriun fantazmë në Facebook, tek më thosh se "edhe ti si Trebicka do të përfundosh...o tellall,... paret do t'i marrësh me vete, se ditët të numëruara i ke." Kurse, në krahë të fantazmës, Qeveria hidhte çurrga me urrejtje dhe dashaligësi.
Murmurima e "Klanorit", vinte pas së qeshurës së tij të përhimtë e cila ishte shkrirë me shkallaren e skenës, ku qe ulur, atje tek rrinë ndoca spektatorë. Mundohesha që të ndërprisja sulmet e atij që ishte kundruall, si: " në je burrë!" apo më tej: " se po mashtroni dhe shpifni!", "si burrë, apo grua..." etj
Thashë: "More kundëradmiral, po ne nuk jemi në lojë këtu..." Në të vërtetë, kisha gabuar, sepse ne ishim në lojë gjersa po qeshte Klanori..
Unë i afrohesha kundëradmiralit, vetëm me fjalën e kundërshtisë, duke i kuptuar shumë vonë pozicionet që ishin hapur në KLAN. Qeveria përballë nuk duhej të përgojohej. Po ama, duhej të përbaltej me domosdo, ai i paemëri, unë. Kuptova se nuk ndodhesha në truallin tim, por në dhe të huaj dhe m'u kujtua ajo thënia që nuk e nëpërmendja aq shkoqur: "Kolonel në vend të huaj, si të bjerë daullja, luaj..." Po! "Kolonelit, nuk ka se kush t'i shkruaj..." më thosh para ca ditësh Adrian Thano, sipas titullit të një romani të Markezit.
Unë në timen që në timen, mundohesha të jepja shpejgime për Sarandën, kur ai tjetri më flakërinte para sysh Enciklopedinë Shqiptare.. Thërrisja diçka prej mitit dhe legjendës, kurse ai tjetri më kërcënonte, se do të më ndreqte samarin me ligjin ndërkombëtar.. Unë i përmëndja për të satën herë "përmes kanalit të Korfuzit" ai sërish nxirrte të njëjtin by-pass, të qepur përbukuri, në atë kirurgji, me gjilpërën, shkopin dhe kursorin e fqinjit, duke më hedhur argumente, që të më mbyste, në thellomat e panjohura, të atij kanali që e kish një incident historik të ndodhur gjysëm shekulli me parë; fjalët më vinin në fjalorin e Qeverisë, kesaj here hasje mina të vendosura aty, jo nga duar të huaja, por nga vet ne shqiptarët, kundër njëri-tjetrit.
Klanori prapë në peshpërimë e sipër, duke e parandjerë fitoren e kësaj nate, të sakrifikuar, pas ndjekjeve, të ndeshjeve të Champions League, gjëllinte i palodhur dhe i gëzuar, në këndin e djathtë... Dilnin herë pas here, në monitor, me urdhërin e Kundëradmiralit, pamjet: " Hartën! Atë slajdin e parë! Googlin... skicën! Gjirin! ".. Ai i thërriste dhe regjisura i ndiqte, me vëmendje. Atje sipër punonte një ekip i tërë, me teknologjitë e duhura.. Pa harruar dhe fantazmën, që si e përdalë që ishte, dilte prej meje dhe shkonte tek kipi tjetër.
Klanori, erdhi me butësi e miqësi, pranë meje, veçse me një keqardhje, sikur më thosh: "po ç't'u desh more njeri që iu fute kësaj..."
- "Ku do t'ia dijë hëna se lehin qentë! Or Zotni!" më shpëtoi mua urtë e butë. As vetë nuk e kuptova se nga më erdhi.
Sigla lajmëronte se fillonte pjesa e fundit. Ndërkaq doja të thoja një fjalë të ëmbël, por s'e gjeja dot. E kisha marrë një rol, në këtë teatër absurd, kur askush nuk më kishte llogaritur, në atë regjisurë.
Shqiptarët të ndarë afërsisht më dysh, shihnin gladiatorët, e nuk e merrnin dot vesh.. " E ke radhën ti që ta qëllosh tjetrin, atë që ke përballë, me sa fuqi dhe me sa dredhi që të kesh. Merre Barketën dhe fshikulloje në hapësirë. Të shikojmë se sa duron. OK!"
"Tani mbarove? Të lumtë! Të shohim ty tjetrin, sulju atij që të ra, merr hakun, sa të të mbajë krahu! Jepi jepi! Merr kepin Sidero si topuz dhe hidhe përtej në Stillo. Ashtu de!"
*********
E nesërmja, me ditë, thuhej, se do të dilte, më e mënçme se nata që shkoi. Dhe ashtu erdhi, fije për pe, dingas me lajmet e para në KLAN dhe sojin e tij. Flitej për një ballafaqim, i cili kish treguar se ai që ish thirrur e që besohej se kish ngritur atë fortunën, në gotën e ujit, nuk kish lidhje me Detin. Ish fantazmagori e tij. E pabesueshme për shqiptarët e fisëm, po ai mor kokorrosh, nuk e dinte se ku ish gjiri i Sarandës, edhe pse emrin i këtij gjiu e kishte shkruar vet me duart e tij, në hartë. Sepse në thëniet e tij të debatit, kish çuditur gjithë shikuesit, me herezinë moderne të kumtimit se nuk i besonte Google, duke na prishur marrëdhëniet edhe me këtë motorr gjigant të internetit në botë. Po ç'ti bësh, se kaq di! Le të merremi në të ardhmen me gjëra të larta e fisnike, siç na ka hije ne shqiptarëve të sotëm. Atë çfarë iu sollëm mbrëmë, është vetëm një remineshencë e së shkuarës. Pikë! Kemi një perifrazim të thënies ballkanase që po e kujtojmë për ju: "Më bli një kalë me shalë o baba se kam gjetur një patkua."
Ju e kuptoni moralin e kësaj thënie. Mos harroni se Kali i Drunjtë rri i fshehur ne guroren romake te Gramës...
*Shkëputur nga libri i Prof.Pashait, Deti që nuk falet, nxjerrë në treg nga Shtëpia Botuese MAX