Forcat Ajrore Shqiptare (sqt.: FASH) janë një nga tre armët e Forcave të Armatosura Shqiptare. Në Forcat Ajrore Shqiptare bëjnë pjesë krahu ajror dhe ai kundërajror, krah i cili ka në arsenalin e tij raketa tokë-ajer HQ-1 (versioni kinez i SA-2 'Guideline').
Historia e FASH:

Në vitet e mëvonshme, në kuadrin e ndihmës ushtarake nga Bashkimi Sovjetik, Forcat Ajrore Shqiptare do të pajisen edhe me avionë luftarakë të tipeve MiG-17, kodi i NATOs 'Fresco' dhe MiG-19, kodi i NATOs 'Farmer', dhe në fillim të viteve 70-të edhe me avionë luftarakë MiG-21 të prodhimit kinez. Avionët luftarakë që erdhën nga Kina kishin marka prodhimi të ndryshme nga ata sovjetikë, por në Forcat Ajrore Shqiptare, ata u njohën gjithmonë me markën sovjetike të prodhimit. Në qershor 1957 u krijua regjimenti i parë transportues i pajisur me helikopterë Mi-1 (3 copë), helikopterë të rinj Mi-4 (3 copë) si edhe disa avionë me helikë Yak-18 dhe PO-2. Në vitin 1967 ky regjiment u zgjerua në kapacitet me ardhjen e 30 helikopterëve Mi-4.
Në vitin 1962 u krijua Regjimenti i Rinasit me avionë luftarakë MiG-17 dhe avione MiG-19. Avionët luftarakë MiG-19 ishin 'shtylla' e kësaj force për shkak të numrit të tyre të madh (mbi 70 avione). Po në të njëjtin aeroport u dislokuan për një kohë të shkurtër avionët luftarakë të sapoardhur nga Kina; avionët luftarakë të tipit F-7A 'Fishbed C' të cilët ishin versioni kinez i avionit luftarak sovjetik MiG-21F-13 (modeli i parë i prodhuar në masë). Por pas pak kohe këta avionë (12 në numër) u transferuan në bazën ajrore më të re të Forcave Ajrore Shqiptare; ajo e Gjadrit, ndryshe e njohur edhe si Lezha-Zadrima. Avionët F-7A (MiG-21F-13) u grupuan në një skuadrilje. Gjithashtu, baza ajrore e Gjadrit kishte edhe 2 skuadrilje me avione F-6S (MiG-19) dhe një skuadrilje me avionë F-5 (MiG-17) si edhe disa avionë mësimorë MiG-15UTI dy-vendësh. Baza ajrore e Gjadrit dallohej nga dy bazat e tjera nga një tunel i nëndheshëm i ndërtuar nën malin e Gjadrit. Edhe pse kishte shumë lagështi, ky tunel përbënte një mbrojte ideale kundër sulmeve ajrore armike. Në periudhën 1950-1975, Forcat Ajrore Shqiptare ishin një nga forcat ajrore më moderne në rajon, por edhe në botë si për sa i përket pajisjes logjistike, ashtu edhe përgatitjes së lartë të kuadrit që ajo dispononte. Pilotët shqiptarë dalloheshin nga pilotët e tjerë në shkollat e huaja të përgatitijes së pilotëve luftarakë si ato të Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës për aftësitë e larta profesionale që tregonin.
Nuk do të ishte nje koment aspak i fryre nëse do të thuhej që ishin Forcat Ajrore Shqiptare që e pajisën Kinën me teknologji radari. Në vitin 1962, Bashkimi Sovjetik furnizoi Forcat Ajrore Shqiptare me 12 avionë luftarakë MiG-19PM, kodi i NATOs 'Farmer E' të pajisur me radarë.Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Shqiperia u miqesua me Kinën. Qeveria kineze i bëri një propozim qeverisë shqiptare që ti shkëmbenin avionët luftarakë MiG-19PM me një numër më të madh MiG-19S të prodhimit kinez. Ky propozim u pranua nga qeveria shqiptare dhe të 12 MiG-19PM u shkembyen me avione më pak të sofistikuar të variantit MiG-19S. Këta avione nuk ishin të pajisur me radarë dhe mund të fluturonin vetem ditën në kushte optimale atmosferike. Po në vitin 1962, Akademia e Aviacionit u krijua në Vlorë, akademi e cila kishte statusin e shkollës së lartë. Kjo akademi kishte në dispozicionin e saj, avionë mësimore për stërvitjen bazë CJ-6 (Jak-18), avionë luftarakë reaktive MiG-15bis dhe avionë mësimorë dy-vendësh MiG-15UTI.