Historiani çam Jani Sharra, kur flet për kostumin karakteristik çam, ndalet edhe në disa detaje më të hollësishme:
“Veshja tradicionale çame, thotë autori, ishte kostumi kombëtar: fustanellat e bardha, kalcat e bukura dyngjyrëshe lidhur me fjongo me xhufkat e mëdha me ngjyrë të zezë, me këmisha të bardha e me mëngë të gjëra, me jelek të zi ose blu… të qëndisur me gajtan, me brezin në mes, ku vendosnin edhe koburen. Në kokë mbanin feste me xhufkë…”, (J.Sarras, vep.e përm.).
Përfaqësuesit e krahinës së Çamërisë e kishin për krenari të përfaqësonin atë krahinë në forumet më të larta të kohës. Kështu p.sh., dy nga figurat më të njohura të Çamërisë, Vejsel Bej Dino dhe Abedin Pashë Dino kishin shkuar në Kostandinopojë me kostumet e tyre kombëtare të qëndisur me ar .
Veshja shqiptare në Çamëri, ashtu si në mbarë viset shqiptare, nuk ishte gjithnjë një veshje uniformë. Kostumet kombëtare, që kërkonin copa të shtrenjta dhe punim të hollë artistik, për shkak të gjendjes ekonomike, ishin në gjendje t’i përballonin vetëm klasat e pasura, bejlerët dhe agallarët e Paramithisë, të Margëlliçit, të Filatit, të Luaratit, të Konispolit, Delvinës, Prevezës, Pargës etj. Shtresat e ulëta nuk mund të përballonin një veshje të kushtueshme
Heinrri Mercey në fillim të shekullit XX (1907) vuri re në Çamëri se, në disa zona, larmia shumëngjyrëshe e veshjeve kombëtare shqiptare dalëngadalë po tjetërsohej për shkak të civilizimit. Tek banorët e Pargës, thotë ai, veshja e tyre ndryshonte nga fqinjët e tyre shqiptarë: “Veshjen pjesërisht shqiptare e ruanin gratë çame vetëm në fshatin Rrapëz dhe Aija, ndërsa fustanella shqiptare vazhdonte të ruhej vetëm tek parganjotët e pasur. Ata që e ruanin veshjen tradicionale, theksonte autori, ishin me prejardhje nga Suli, Paramithia ose Arpica, ndërsa burrat shqiptarë të shtresave të ulëta i kishin qëndruar besnikë veshjes së thjeshtë shqiptare, (Heinrry Mercy, Sohn Verlang, Pragë 1907, )
