Konflikt mes fisesh: Bilanc lufte në Elbasan
Si pasojë e një sulmi me armë, rreth orës 19:30, pranë kompleksit “Univers” në Elbasan, u vranë: Agron Çapja, Eno Bedalli dhe Ardit Sinakoli. Tetë persona të tjerë kanë marrë plagë të shumta, ku mjekët konfirmojnë se tre prej tyre janë në rrezik serioz për jetën. Dyshimet e policisë për tre autorët e armatosur me armë kallashnikov dhe konfliktet e vjetra të fisit Çapja me persona të tjerë. RENEA dhe FNSH në kërkim të autorëve.
Objektiv dyshohet se ishin pjesëtarë të fisit Çapja, por plumbat përshkuan edhe persona të tjerë që gjendeshin në një tavolinë me ta.
Ndërkohë që konfirmohet se të plagosur janë edhe qytetarë që nuk kanë pasur asnjë lidhje, por ndodheshin aty për të kaluar kohën në ambientet e kompleksit “Univers”.
Sipas burimeve nga policia, duke marrë të shkuarën e viktimave të cilët kanë pasur konflikt me fisin Mema, po hetohet në këtë drejtim për të identifikuar edhe autorët e vërtetë.
Gjithsesi ngjarja është mjaft e rëndë duke marrë parasysh bilancin e sulmit me armë. Zyrtarë të policisë janë treguar të rezervuar në dhënien e informacioneve dhe shprehen se janë marrë të gjitha masat që të bien në gjurmë të autorëve dhe më pas të kryhet edhe arrestimi i tyre.
Duke qenë se ata janë të armatosur dhe paraqesin rrezikshmëri të lartë aksioni po vijon i kujdesshëm ku në çdo postbllok policie apo patrullë, ka grupe efektivësh me tre-katër persona të pajisur me armatim të rëndë.
Ngjarja ka tronditur jo vetëm qytetin e Elbasanit, por mbarë vendin, pasi ndodhi në një zonë të populluar pranë rrugës nacionale Elbasan-Librazhd dhe në një orë që ka pasur shumë lëvizje.
Konflikti mes fisesh, një histori me fund tragjik
Njëmbëdhjetë vjet më parë ndodhi një vrasje që do pasonte shumë të tjera me kalimin e kohës. Biznesmeni Sokol Çapja u qëllua disa herë me plumba automatiku dhe humbi jetën në spital, vetëm pak orë pasi mbërriti.
Për këtë ngjarje prokuroria ngriti akuza ndaj tre personave: Dritan Sheme, Armando Hasani dhe Ardian Meta.
Gjithsesi për këtë krim familja Çapja bënte përgjegjës oficerin e policisë Fadil Mema. Më parë mes tyre kishte pasur raporte të mira shoqërore, por një debat mes Sokol Çapjes dhe Fadil Memës çoi fillimisht më përplasjen e tyre, për t’u mbyllur me viktima, që ende nuk dihet se përse nisi dhe ku mund ta ketë fundin.
Ndërsa në vitin 2005 Sokol Çapja u vra, pak muaj më vonë, Fadil Memës iu bë një atentat me armë, teksa ishte duke udhëtuar me makinë. Për këtë ngjarje, policia arrestoi dy persona nga fisi Çapja, por më pas u lanë të lirë për mungesë provash.
Tashmë kishte nisur mes tyre kalvari i hasmërisë. Koha kalonte dhe në vitin 2012, në lokalin në pronësi të Fadil Memës vritet kunati i tij, Ardian Ibrahimi.
Një nga të akuzuarit, Ardian Meta, u kap nga policia, ndërsa tentoi të arratisej për në Greqi dhe nga plumbat mbeti edhe i paralizuar.
Më pas në Tiranë u vra në rrethana ende të paqarta Dritan Sheme. Në vitin 2006, efektivi i Policisë, Fadil Mema mbeti i plagosur në një atentat në Elbasan, për të cilin policia akuzoi nipin e Sokolit si personin që gjuajti ndaj tij.
Vijonte mllefi dhe hakmarrja.
Në gusht 2012 ndodhi një tjetër vrasje që për nga mënyra e ekzekutimit ishte mjaft e detajuar dhe për më shumë ndodhi në “sy” të policisë.
Dy persona ngjiten në një pallat dhe vrasin në gjumë brenda ambienteve të shtëpisë Gentian Beqirin, i cili ishte i paralizuar dhe mbahej në arrest shtëpie i ruajtur gjatë gjithë kohës nga dy efektivë policie, si i dyshuar si pjesëmarrës në atentatin ndaj Sokol Çapjes, në dhjetor 2005.
Pas kësaj vrasjeje ai kishte ndryshuar emrin nga Ardian Meta në Gentian Beqiri. Ai u vra në sytë e të atit, i cili më pas ndërroi jetë pasi pësoi atak kardiak për shkak të vrasjes së të birit.
Autorët u kërkuan policëve që t’i linin, sepse donin të takonin tezen e tyre; pasi u futën brenda shtëpisë së Beqirajt, zbrazën armët: një pistoletë me silenciator dhe më pas kaluan sërish nga policët, pa u ndaluar apo dyshuar prej tyre.
Në këtë kohë, Fadil Mema largohet nga Shqipëria dhe vendoset në Itali, me qëllim që t’i shpëtojë hakmarrjes. Ai u vendos në Torino me identitet madje edhe pamje të ndryshuar. Ai për të mos rënë në sy punonte në Torino si shitës gazetash.
Mirëpo dikush ishte informuar për të dhe në qytetin e Torinos, më 13 mars të vitit të kaluar Fadil Mema u vra, ku u ekzekutua me disa plumba pistolete, duke i sjellë vdekjen e menjëhershme. Policia italiane u vu në ndjekje të autorëve, por nuk mundi t’i arrestonte.
Edhe në atë kohë u tha nga policia e Elbasanit se dyshohej se Mema ishte vrarë si pasojë e konflikteve të mëparshme që kishte në vendlindje.
Tashmë pa u mbushur ende viti nga ekzekutimi i ish-oficerit të policisë Fadil Mema, tre persona u vrarë në brendësi të kompleksit “Univers” që ishte në pronësi të vëllezërve Agron dhe Arnold Çapja./
Mapo.Al/