Ndërsa llafexhinjtë e Tiranës dhe Prishtinës bërrylosen me njëri tjetrin se kush do ta fitojë mikrofonin e artë të javës si servili partiak më servil e si partiaku servil më partiak, në Trevat Lindore Shqiptare, të zaptuara nga strukturat para·shtetërore sllave nën emrin IRJ-Maqedoni, shënohen ngjarje që, për nga rëndësia, do duhej të mbeteshin me javë e me muaj të tërë argument kryesor i bashkëfjalosjeve të Mendimtarëve Shqiptarë nëpër studiot televizive apo faqet e gazetave mbarëkombëtare, deri në gjetjen e një zgjidhjeje.
Por jo: veç heshtje.
Për të fituar vëmendjen e kacagjelave kozmopolitë të Tiranës e Prishtinës, dhe për të pasur "nderin" që të ftohesh në emisionet e tyre, duhet të jesh një nga ato organizmat kameleonike të ndryshuara kulturalisht (ONK, sikurse ONGj, organizmat e ndryshuara gjenetikisht), që kanë mësuar ta fshehin 'perëndimorçe' shqiptarësínë e tyre nën lëvozhga gjithnjë e më të ndryshme, të porositura në supermarketin global të shijeve dhe vlerave, ku — s'â çudi! — mungoka pikërisht njëra ndër vlerat më njerëzore të mundshme: ajo e Solidaritet Kombëtar.
Sa prej jush kanë dëgjuar sikur veç edhe një herë të përmendet djegia e makinës së Mendimtarit Kalosh Çeliku i cili, me mprehtësi syshqiponjaku dhe me një të shkruame Shqipe të pashoqe, «vazhdimisht ka përshkruar realitetin dhe devijimet në shoqërinë shqiptare në (IRJ)Maqedoni», duke prekur çështje të fundamentalizmit të ideologjive sllave dhe turkoarabe si dhe çoroditjen e politikës (kundra!)shqiptare në vend?
Sa prej jush kanë dëgjuar të përmendet Kalosh Çeliku a të ftohet në emisionet e kozmopolitëve profkatarë të Tiranës e Prishtinës?
Sa prej "intelektualëve" të Tiranës e Prishtinës ngritën zërin për këtë sulm që i është bërë Fjalës së Lirë Kombëtare?
TURP! TURP! TURP!