Shqipëria futet në listën Shengen, PE: Sapo të plotësohen kushtet, vizat
http://balkanweb.com/sitev4/lajme.php?id=43202BRUKSEL- Komiteti i Jashtëm në Parlamentin Europian ka vendosur sot të futë Shqipërinë dhe Bosnjë Hercegovinën në listën e bardhë të Shengenit, bashkë me tre vendet e tjera: Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni. Por ndërsa për këto tre vende është përcaktuar data 1 janar 2010, për Shqipërinë dhe Bosnjë Hercegovinën, data do të jepet kur të plotësohen kushtet e hartes së liberalizimit të vizave.
Komiteti i marrdhënieve me jashtë në Parlamentin Europian miraton kështu propozimin e raportueses Tanja Fajon, një anëtare e komitetit të cështjeve të drejtësisë dhe lirive civile.
Komiteti ka vendosur gjithashtu që të nisë dialogu me Kosovën për planin e liberalizimit të vizave, pa paragjykuar statusin e Kosovës. Parlamentarja sllovene Fajon ka shpjeguar në këtë komitet se mungesa e liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën i izolon këto vende. Në favor të këtij drafti votuan 51 vota pro dhe 8 kundër. Një tjetër votim i Parlamentit Europian do zhvillohet më 15 tetor.
Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon bëri rekomandimin për përfshirjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në hartën e liberalizimeve duke kërkuar amendimin e Rregullit të Komisinit Evropian për vizat për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo argumentoi se këto dy vende, të cilat duhet të përmbushin standardet e nevojshme, të mos u nënshtrohen procedurave të gjata legjislative edhe njëherë, por ato të përfshihen në regjimin pa viza automatikisht sapo Komisioni të jetë i kënaqur se kanë plotësuar kushtet.
“Sa i përket Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës,përjashtimi nga kërkesat për vizë, duhet të zbatohen pa vonesë, menjëherë pas vlerësimit nga Komisioni që secili prej atyre vendeve i plotëson të gjitha standartet e përcaktuara në planin për liberalizimin e vizave " theksohet në draftin e eurodeputetes Fajon.
Shqipëria dhe Bosnjë Hercegovina u përjashtuan nga lista e vendeve që do të përfitojnë liberalizim vizash për shkak të mungesës së përparimit në kërkesat teknike.
(e.n/Balkanweb)