Si mund të paqtojmë simpatite pro-osmane me ndjenjën e patriotizmit etnik?
Qe thoni ju, unë kam një pikë të dobët për jeniçerët. Arsyet do t’i sjell me vonë, kur të njihemi më mirë. Por mbrëmë e kapa veten duke kënduar "Te Rrapi në Mashkullorë". Mos u habisni, ka edhe jeniçerë lebër. Siç e dini, thuajse të gjithë ishin nga Ballkani dhe një pjesë e mirë ishin shqiptarë. Dakord, habia është e justifikuar, sepse lebërit u bënë myslimanë në masë pak para se korpusi i jeniçerëve të shpërndahej (bëri apo nuk bëri gallatë Mahmuti II duke i rënë kazermave me top), por jeniçerë individualë ka gjasa të ketë patur. Ndryshe s'ka si shpjegohet përhapja e Bektashizmit jo vetëm ndër tosket, por edhe lebërit. Tarikati Bektashi ishte, fund të fundit, tarikati i korpusit të jeniçerëve për 400 vjet. Merret vesh, në një formë më pak panteiste e më të ngjashme me atë të tarikateve të tjera sunite nga ç'është sot.
Po nejse, le te kthehemi te kënga pa u shpërndarë shumë. Pse një jeniçer këndon tërë qejf një këngë për vrasjen e binbashit nga komitët arnautë? A nuk ishin jeniçerët lulja e ushtrisë, tmerri i europianëve, "marinsat" e osmanëve, garda pretoriane e sulltanit? Atëhere, pse kjo bukëshkalësi?
Unë mund t’i bie shkurt dhe të them që Çerçizi dhe Hito labi i ranë binbashit në 1908, dhe korpusi i jeniçerëve u shpërbë në 1826, por kjo do ishte hile historike. Pyetja thelbësore është: si mund të paqtojmë simpatite pro-osmane me ndjenjën e patriotizmit etnik?
Të jemi të qartë; unë mbështes pa asnjë rezervë idenë e rishikimit të historisë se shqiptarëve gjate periudhës osmane. Gjendja e tanishme është absurde, një "vrime e zezë", nga 1478 deri në 1912, e zbukuruar me kryengritje çdo gjysëm shekulli. Fakti që shqiptaret nuk kishin një shtet etnik të tyrin nuk është justifikim për këtë injorance të qëllimtë; hebrenjtë nuk kanë pasur një shtet të tyrin për 2000 vjet, por kjo nuk i ka penguar të ndërtojnë një histori të elementit etnik hebre. Dhe nëse do t’i afroheshim çështjes nga ana e historisë etnike, mund fare mirë të arrijmë në përfundimin që periudha osmane ka qenë periudha më produktive për elementin etnik shqiptar.
Mjaft te përmendësh rreth 35 kryeministra, qindra guvernatorë që qeverisnin provinca nga Danubi deri në Oqeanin Indian, mijëra pashallarë e funksionarë dhe një administratë të tërë ku shqiptaret ishin element dominant. Bullgarët e etiketojnë periudhën osmane si periudha e sundimit turko-shqiptar, arabët e kanë të qartë që perandoria ishte osmane, por guvernatorët shqiptare (një nga këta guvernatorë, Mehmet Aliu nga Kavalla, është themeluesi i Egjiptit modern) dhe një pjesë e mirë nacionalistësh turq fajësojnë ballkanasit në administratë për prapambetjen e provincave të Anadollit. Për më tepër, ndërkohë që Çerçizi me Hito labin "ia bënin bam" maleve te Jugut, kryeministri i Perandorisë Osmane ishte një tjetër lab, Ferit bej Vlora, xhaxhai i Ismail bej Vlorës. Historia është e çuditshme.
Shembujt e mësipërm ilustrojnë rëndësinë e një rishikimi dhe rishkrimi i historisë sonë gjatë Periudhës osmane, që do të ishte një ndërmarrje intelektuale që do të mbushte boshllëqe të rëndësishme dhe do të kontribuonte ndjeshëm në një proces më realist të formimit të identitetit tonë historik.
Nga ana tjetër, çdo rishikim ka andrallat, ekseset dhe dilemat e veta. Për shembull, nuk është e vështirë të parashikosh lindjen e një rryme apologjetike në ekstrem, që do të glorifikonte gjithçka që ka lidhje me periudhën osmane dhe do të anashkalonte problemet e asaj periudhe. Që na sjell te tema e fillimit; sa osmane ishte Perandoria Osmane në fund të shek. XIX?
Përgjigja është e thjeshtë; jo dhe aq. Universalizmi i hershëm që integroi shqiptarë, çerkezë, boshnjakë, turq e arabë ishte në grahmat e fundit. Nacionalizmi kishte kapluar të gjitha etnitë pa dallim feje dhe i kishte vënë me pushkë në dorë përballë njëra-tjetrës. Toleranca etnike dhe fetare, unike në gjithë boten deri atëherë, ishte në venitje, cilësia e qeverisjes kishte rënë nën zero dhe korrupsioni mbretëronte suprem.
Për shembull, turqit (deri diku me të drejtë) fajësojnë arabët për naivitet përballë intrigave të Lorencit të Arabisë (agjent i shërbimeve angleze të inteligjencës) që solli goditjen pas shpine nga ana e arabëve dhe tërheqjen e përhershme të osmaneve nga Lindja e Mesme. Nga ana tjetër, rrallëkush flet për trajtimin e arabëve në dekadat e fundit të Perandorisë Osmane. Ndër të rrallët është Mustafa Armagan, që në të përditshmen turke "Zaman", në një artikull me titull "Si e humbëm Jeruzalemin", flet për qeverisjen brutale të guvernatorit osman, Xhemal pashait (shqiptar, sigurisht) dhe përfundon me fjalinë "edhe unë po të isha në vend të arabëve do kisha ngritur krye".
Andaj dhe unë uroj që rishikimi i historisë, jetik siç është, të jetë realist dhe larg reaksionarizmit romantik. Perandoria Osmane në fund të shek. XIX ishte një mishmash etnik dhe nuk është e lehtë të marrësh pozicione morale mbi "të drejtën" dhe "të gabuarën". Është më mirë të vlerësojmë figurat historike mbi qëllimet dhe objektivat, dhe të jemi të gjerë në gjykim. Vetëm ashtu mund të paqtojmë Ferit bej Vlorën qe qeveriste Perandorinë Osmane me Çerçizin që ngrinte krye. Çerçizi, meqë e nisëm me të, u vra nga malazezët ne Shtoj. Zoti i dhëntë rahmet!
Analisti: Hito Labi http://www.gazetastart.com/analist.php? ... ABI&nr=921