Fan Noli ishte artist dhe dijetar, përfaqësues i shquar i letërsisë demokratike, që u zhvillua në Shqipëri fill pas Rilindjes. Fan Noli dha një kontribut të çmuar për Shqipërinë dhe thesarin e kulturës kombëtare shqiptare

JETA
Fan Noli lindi më 6 janar 1882 në Qytezë (turqisht: Ibrik Tepe), një fshat shqiptar në Traki, jo shumë larg nga Edreneja. Si disa fshatra të tjera të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe kostumet e të parëve. Noli e konsideronte fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës. I ati i tij, Stiliani, ndonëse trashëgoi një pronë tokë, nuk u morr me bujqësi, po shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë. Shkollën fillore dhe të mesme i bëri në gjuhën greke. Por tek ai ndikoi me shumë krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip. Që në bankat e shkollës iu shfaqën karakteri i pavarur dhe fryma e revoltës. Për këtë shkak nuk iu dha diploma në kohën e duhur, gjë që e pengoi të emërohej mësues në atë vit shkollor. Në vitin 1900 shkoi në Greqi me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. Por nuk i eci mbarë dhe as studimet nuk i bëri. Atëherë u hodh në punë të tjera si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatri shëtitës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira për t'u marrë me dramaturgji. Më 1903 shkoi në Egjipt, ku filloi punë si mësues i greqishtes. Ndërkohë ai njihet me lëvizjen kombëtare. I ndihmuar nga patriotë të tjerë ai nis veprimtarinë politike dhe letrare: shkruan artikuj publicistikë, përkthen greqisht «Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet» të Sami Frashërit. Më 1909 njihet me Faik Konicën. Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts.
Në fund të jetës së tij shkon në Florida. Atje, në banesën e tij, në Fort Lauderdale, vdiq më 13 mars 1965, larg atdheut të shtrenjtë, që e deshi me zjarr të pashuar. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit.
VEPRIMTARIA POLITIKE
Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali. Erdhi në Shqipëri për të parën herë më 1913. Përsëri shkoi në ShBA. Vatra e zgjodhi kryetar. Të kësaj kohe janë vjershat e tij të para dhe të parat shqipërime artistike. Më 1921 doli vepra e tij madhështore në prozë "Historia e Skënderbeut". Në Shqipëri erdhi sërish në fillim të viteve 20. Gjeti një lëvizje mjaft të gjerë për sigurimin e pavarësisë kombëtare dhe të tërësisë tokësore. Si deputet në Këshillin Kombëtar, mbrojti platformën e Kongresit të Lushnjës dhe u bë udhëheqës i krahut demokratik kundër feudalëve, që kryesohej nga Ahmet Zogu. Noli luajti një rol të dorës së parë në organizimin dhe në drejtimin e revolucionit demokratik të qershorit 1924, pas ngadhënjimit të të cilit u caktua kryetar i qeverisë. Por revolucioni nuk u çua gjer në fund. Noli me shokë treguan butësi dhe ngathtësi. Revolucioni u thye nga bashkëveprimi i reaksionit të brendshëm dhe me forca te huaja. Më 24 dhjetor 1924, Noli mori udhën e mërgimit politik dhe s'u kthye më në Shqipëri.
NE MERGIM
Fillimisht u vendos përkohësisht në Vjenë. Regjimi zogistë e dënoi me vdekje në mungesë. Në periudhën 1925-1930, krahas veprimtarisë politike, zhvilloi një punë të dendur krijuese: shkroi vjersha, shqipëroi disa kryevepra të letërsisë botërore, me hyrje kritike, botoi artikuj të mprehtë për mbrojtjen e revolucionit demokratik të qershorit]], për denoncimin e regjimit zogistë dhe të reaksionit ndërkombëtar. Pas vitit 1930, Noli u largua nga Europa dhe u vendos përfundimisht në ShBA. Aty ushtronte funksionin e peshkopit të kishës ortodokse shqiptare. Më 1947 botoi përpunimin që i bëri Historisë së Skënderbeut, nxorri në dritë një botim anglisht dhe më 1949 një variant të dytë shqip të saj: kurse më 1960 dha anglisht një autobiografi të shkurtër mjaft tërheqëse. Vëllimin me vjersha Albumi u botua më 1948. Brenda viteve 1961-1963 botoi dy vjershat e fundit origjinale dhe disa shqipërime vjershash të poetëve të njohur.
VEPRAT
Album - vëllim vjershash - 1948
Historia e Skënderbeut - 1921
Autobiografia - 1960
Izraelitë e Filistinë - dramë
Bethoveni dhe Revolucioni Francez
Anës lumenjve
Fryn moj erë
Himni i Flamurit
Moisiu në Mal