
Tiranë – Gjatë së hënës pritet të nisë seanca e parë e legjislaturës së XXIII-të të Kuvendit të Shqipërisë.
Administrata e Kuvendit po bën përgatitjet për të çelur një seancë festive, ku deri më tani nuk dihen se të gjithë deputetët do të kenë fatin të gëzojnë. Partia Socialiste ka paralajmëruar se do të bojkotojë Parlamentin e ri, por ende nuk është zyrtare nëse do të bojkotohet edhe seanca e parë, nga ku bëhen verifikimet e mandateve.
Seanca do të zhvillohet në orën 18:00 të pasdites, datë e dekretuar nga presidenti Bamir Topi. Seanca e parë drejtohet nga deputeti më i vjetër, që në këtë rast është kryeministri Sali Berisha, i cili ka parapëlqyer të mos e drejtojë vetë këtë seancë por një deputet tjetër.
I dyti në radhë për nga vjetërsia është deputeti socialist Ethem Ruka, i cili nëse merr pjesë në seancën e parë do të jetë ai “kryetar” Kuvendi për një ditë të vetme. E nëse deputetët e opozitës nuk do të jenë të pranishëm, seancën do ta drejtojë Fatos Beja nga Partia Demokratike, një vit më i ri se Ruka.
Në seancën e nesërme pritet që të krijohet sekretariati ndihmës, i përbërë nga 3 deputetët më të rinj të Kuvendit. Ata do të jetë pjesa mbështetëse e kryetarit, që do të drejtojë vetëm për të hënën dhe të enjten e javës që vjen seancat, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.
Në mbledhjen e së hënës pritet të ngrihet edhe komisioni i verifikimit të mandateve, i përbërë prej 9 deputetësh nga maxhoranca dhe opozita. Kështu, sipas burimeve, edhe betimi i deputetëve do të mund të bëhet ditën e enjte, dhe jo qysh në seancën e parë të Kuvendit, pasi më parë do të duhet të verifikohen të gjitha mandatet.



